Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kënaqen kur bëjnë vullnetin e Perëndisë

Kënaqen kur bëjnë vullnetin e Perëndisë

Kënaqen kur bëjnë vullnetin e Perëndisë

JEZUI la një shembull për gjithë të krishterët kur iu lut Atit: «Le të mos bëhet vullneti im, por yti.» (Luka 22:42) Të njëjtin nënshtrim të përulur ndaj Jehovait po e pasqyrojnë sot miliona shërbëtorë të Perëndisë. Midis tyre janë 52 studentët e klasës së 120-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Më 11 mars 2006, pjesëtarët e klasës së të diplomuarve ishin të kënaqur që po u jepej mundësia të bënin vullnetin e Perëndisë në vende të ndryshme, madje edhe në rrethana të vështira.

Çfarë i motivon këta të diplomuar të lejojnë që jeta e tyre të drejtohet nga vullneti i Jehovait? Krisi dhe Lesli, një çift që u caktuan si misionarë në Bolivi, e shpjegojnë me këto fjalë: «Meqë kemi mohuar veten, duam të jemi të gatshëm që të bëjmë çdo gjë që lidhet me organizatën e Jehovait.» (Marku 8:34) Xhejsini dhe Sheri, që u caktuan në Shqipëri shtojnë: «Çdo caktim që na ka dhënë organizata e Jehovait ka pasur sfidat e veta. Por kemi parë se Jehovai meriton besimin tonë të plotë.»

Të nxitur për t’iu nënshtruar vullnetit të Jehovait

Xhorxh Smithi, pjesëtar i familjes Bethel, i cili shërben në Repartin e Artit, e hapi programin me një lutje. Të gjithë të pranishmëve u uroi mirëseardhjen Stivën Leti, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait dhe drejtues i programit të diplomimit. Për të qenë të pranishëm në këtë rast të gëzuar, në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju-Jork, kishin ardhur mysafirë nga 23 vende. Vëlla Leti u tha të diplomuarve se ata do të kryejnë «diçka shumë të fuqishme». Ai tërhoqi vëmendjen te ‘gjërat e fortifikuara mirë’, të tilla si doktrinat e rreme, që misionarët e rinj do të përmbysin nëpërmjet fuqisë së Shkrimeve. (2 Korintasve 10:4, 5) Ai tha në fund: «Sa gëzim do të provoni kur Jehovai nëpërmjet jush do të përmbysë gjëra të fortifikuara mirë që janë rrënjosur thellë në zemrën e njerëzve të ndershëm në caktimet tuaja!»

Harold Xheksoni, pjesëtar i familjes Bethel, foli rreth temës: «Disa gjëra për të kujtuar.» Ai tha se misionarët e rinj nuk duhet të harrojnë kurrë që ‘të kërkojnë në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë’. (Mateu 6:33) Ata duhet të kujtojnë se «dashuria ndërton» dhe është një çelës i sigurt për të pasur sukses. (1 Korintasve 8:1) Ai tha: «Le të jetë dashuria forca që ju drejton në marrëdhëniet me të tjerët.»

Më pas, Xhefri Xheksoni, anëtar i Trupit Udhëheqës, i cili shërbeu si misionar nga viti 1979 deri më 2003, i pyeti të diplomuarit: «A është përgjegjësia juaj?» Ai theksoi nevojën që të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për veten dhe për shërbimin. Të krishterët kanë përgjegjësinë që të punojnë fort për të mbjellë dhe për të ujitur farat e së vërtetës. Megjithatë, përgjegjësinë për rritjen frymore e ka Jehovai, sepse ‘Perëndia i rrit’. (1 Korintasve 3:6-9) Vëlla Xheksoni tha më tej: «Ju keni përgjegjësinë para Jehovait që të mbaheni të fortë frymësisht. Por, cila është përgjegjësia juaj më e madhe? Të doni Jehovain dhe njerëzit të cilëve do t’u shërbeni.»

Lorenc Boueni, një instruktor i Galaadit, trajtoi temën: «Të dini se si duhet të silleni.» Ai u kujtoi studentëve se Jehovai i udhëhoqi dhe i mbrojti në mënyrë të mrekullueshme izraelitët nëpër shkretëtirë. (Dalja 13:21, 22) Ai na udhëheq dhe na mbron sot, pjesërisht nëpërmjet kongregacionit të të krishterëve të mirosur, që është «shtylla dhe mbështetja e së vërtetës». (1 Timoteut 3:14, 15) Misionarët e rinj duhet t’i përmbahen të vërtetës, e cila u jep udhëheqje dhe mbrojtje të përulurve.

Uollas Livërënsi, një tjetër instruktor i Galaadit, i nxiti të diplomuarit që të mos harrojnë fjalën e Perëndisë që ndodhet «prapa» tyre. Fjala e Perëndisë është prapa nesh në kuptimin që Bibla u përfundua shekuj më parë. Ashtu si një bari i thërret nga prapa kopesë së deleve, Jehovai ndodhet pas popullit të tij, duke i dhënë drejtim nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Isaia 30:21; Mateu 24:45-47) Shkolla e Galaadit i ndihmoi të diplomuarit që t’u shtohej mirënjohja për këtë klasë të skllavit. «Skllavi» ka siguruar madje edhe Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re. Oratori i nxiti të diplomuarit: «Merreni këtë thesar informacionesh dhe përdoreni për të mësuar të tjerët.»—Mateu 13:52.

Të bëjmë vullnetin e Jehovait në shërbim

Gjatë pjesës me temë: «Me dëshirë të zjarrtë për të shpallur lajmin e mirë», një instruktor tjetër i Galaadit, Mark Numari, përmendi disa përvoja që të diplomuarit kishin pasur në shërbim, ndërsa ndiqnin Shkollën e Galaadit. (Romakëve 1:15) Intervistat me disa të diplomuar zbuluan se ata kishin treguar vërtet dëshirë të jashtëzakonshme për të predikuar në çdo rast.

Të diplomuarit u inkurajuan më tej nga një intervistë që drejtoi Keneth Flodini me tre mbikëqyrës udhëtues që tani shërbejnë në Shtetet e Bashkuara. Riçard Kelleri dhe Alehandro Lakajo, që në të kaluarën kishin shërbyer në Amerikën Jugore dhe Qendrore, shpjeguan se si përballuan sprova të ndryshme dhe treguan disa bekime që kishin marrë kur shërbenin si misionarë. Moasir Felisbino, tregoi për stërvitjen që kishte marrë kur punonte ngushtë me misionarët në Brazil, ku edhe ishte rritur.

Tre misionarë me përvojë, Robert Xhonsi, Uduorth Millsi dhe Kristofer Sleji, i intervistoi Dejvid Shejfëri. Këta tre vëllezër treguan se si mësuan të vepronin me besim te Jehovai kur patën vështirësi. Ata e siguruan klasën se stërvitja që kishin marrë nga organizata e Jehovait i përgatiti në mënyrë të plotë për caktimet misionare. Vëlla Millsi e përmblodhi në këtë mënyrë: «Ajo që më ndihmoi më shumë nuk ishin studimet e thella në Galaad, por ajo që më mësoi kjo shkollë për përulësinë dhe dashurinë.»

Anëtari i Trupit Udhëheqës, Gai Piërsi, paraqiti fjalimin kryesor me titull: «Jehovai nuk do të dështojë kurrë.» Adami dështoi, por, a nënkuptonte kjo se edhe Perëndia dështoi? A dështoi Perëndia, sepse, siç thonë disa njerëz, nuk e krijoi Adamin në mënyrë të përsosur? Jo, aspak, sepse «Perëndia i vërtetë i bëri njerëzit të drejtë». (Eklisiastiu 7:29) Siç tha oratori, udha me integritet e Jezuit nën sprovën më të madhe në tokë tregoi se «Adami nuk ishte i justifikuar ose nuk kishte arsye që të dështonte». Prova e bindjes për Adamin në kopshtin e Edenit ishte shumë më pak e vështirë se prova që përballoi me sukses Jezui. Por Adami dështoi. Megjithatë, Jehovai nuk do të dështojë kurrë. Qëllimi i tij do të plotësohet. (Isaia 55:11) Vëlla Piërsi u tha misionarëve të rinj: «Ju keni privilegjin që të nderoni Jehovain me frymën tuaj vetësakrifikuese. Qoftë Jehovai me secilin prej jush kudo që t’i shërbeni atij si misionarë!»

Pasi drejtuesi, vëlla Leti, përcolli përshëndetjet që kishin dërguar zyra të ndryshme degësh të Dëshmitarëve të Jehovait, ai u dha diplomat dhe caktimet të diplomuarve të rinj. Vernon Uaizgarvëri, pjesëtar i familjes Bethel prej shumë kohësh, e përfaqësoi auditorin në lutjen mbyllëse.

Të 6.872 të pranishmit e ndien se programi i diplomimit ua ripërtëriu zellin për të bërë vullnetin e Perëndisë. (Psalmi 40:8) Të diplomuarit Andrju dhe Ana thanë: «Ia kemi kushtuar jetën Jehovait. I kemi premtuar Jehovait se do të bëjmë gjithçka që na kërkon. Tani Jehovai na kërkon të shkojmë në Kamerun të Afrikës.» Ata dhe pjesëtarët e tjerë të klasës së të diplomuarve mezi presin të ndërmarrin një karrierë që do t’u japë kënaqësi të plotë. Po, ata kënaqen kur bëjnë vullnetin e Perëndisë.

[Kutia në faqen 17]

STATISTIKAT E KLASËS

Numri i vendeve të përfaqësuara: 6

Numri i vendeve ku u caktuan: 20

Numri i studentëve: 52

Mosha mesatare: 35,7

Mesatarja e viteve në të vërtetën: 18,3

Mesatarja e viteve në shërbim të plotkohor: 14,5

[Figura në faqen 18]

Diplomimi i klasës së 120-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit

Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht.

(1) Wright, S.; Suárez, B.; Croisant, B.; Davenport, L. (2) Johnson, A.; Ali, C.; Cady, K.; Guerrero, P.; Ases, A. (3) Ortiz, L.; Lyall, K.; Uzeta, M.; Perez, R.; Backus, K.; Caterina, C. (4) Palmer, B.; Loving, D.; Macdonough, J.; Bostock, D.; Benetatos, L. (5) Jasicki, M.; Sarafianos, E.; Stelter, C.; Vaira, R.; Woon, J.; Prentice, K. (6) Davenport, H.; Croisant, H.; Perez, M.; Vaira, E.; Suárez, A.; Caterina, I.; Wright, C. (7) Cady, K.; Macdonough, J.; Ortiz, M.; Woon, J.; Ali, J.; Ases, M. (8) Sarafianos, G.; Lyall, D.; Uzeta, C.; Stelter, P.; Prentice, G.; Johnson, A.; Benetatos, C. (9) Palmer, J.; Jasicki, W.; Backus, J.; Bostock, S.; Guerrero, J. M.; Loving, S.