Në kërkim të «ndriçimit»
Në kërkim të «ndriçimit»
«PADIJA nuk është kurrë më e mirë se dija»,—u shpreh Laura Fermi, gruaja e fizikanit të njohur Enriko Fermit. Disa mund të mos jenë dakord me këtë, pasi mendojnë se diçka që s’e di, s’mund të të lëndojë. Por, për shumë njerëz, kjo thënie del më se e vërtetë, jo vetëm në fushën e kërkimeve shkencore, por edhe në fusha të tjera. Për shkak të padijes, domethënë të mosnjohjes të së vërtetës, shumë njerëz janë hallakatur në errësirë intelektuale, morale dhe fetare për shekuj me radhë.—Efesianëve 4:18.
Ja pse njerëzit e arsyeshëm kërkojnë «ndriçimin», pra njohurinë e së vërtetës. Ata duan të dinë se përse jemi këtu dhe për ku po shkojmë. Kërkimi i tyre ka marrë drejtime të ndryshme. Le të shqyrtojmë vetëm disa prej tyre.
Nëpërmjet fesë
Sipas traditës budiste, Sidhartha Gautama, themeluesi i budizmit, ishte mjaft i shqetësuar për vuajtjet e njerëzve dhe për vdekjen. Ai u kërkoi mësuesve fetarë të hinduizmit që ta ndihmonin të gjente «udhën e së vërtetës». Disa prej tyre i rekomanduan jogën dhe vetëmohimin ekstrem. Në fund, si rrugë drejt ndriçimit të vërtetë, Gautama zgjodhi meditimin e thellë.
Të tjerë, gjatë kërkimit të tyre për ndriçim, kanë përdorur droga që ndikojnë në gjendjen mendore. Sot, për shembull, anëtarë të Kishës Indigjene Amerikane e përcaktojnë pijotën—një kaktus që përmban substancë halucinogjene—si «zbulues të njohurive të fshehta».
Filozofi francez i shekullit të 18-të, Zhan-Zhak Ruso, mendonte se çdo kërkues i sinqertë mund të marrë një zbulesë shpirtërore nga Perëndia. Si? Duke i vënë veshin «asaj që Perëndia i thotë zemrës». Pastaj, Rusoi thoshte se mënyra si ndihesh për gjërat—ajo çfarë ju thonë emocionet dhe ndërgjegjja—do të jetë «një udhëheqje më e sigurt në këtë labirint të stërmadh të mendimeve njerëzore».—Historia e filozofisë perëndimore (anglisht).
Nëpërmjet forcës së arsyes
Shumë nga bashkëkohësit e Rusoit e kundërshtuan me zjarr këtë pikëpamje fetare. Për shembull, një francez tjetër, Volteri, mendonte se feja, jo vetëm që nuk i kishte ndriçuar njerëzit, por ishte faktori kryesor që Evropa ishte kredhur në padije, besëtytni dhe fanatizëm për shekuj me radhë, gjatë periudhës që disa historianë e quajnë Epoka e Errët.
Volteri u bashkua me një lëvizje racionaliste evropiane që njihet si
Iluminizmi. Përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje përvetësuan idetë e grekëve të lashtë—domethënë që arsyeja dhe kërkimet shkencore janë çelësi për ndriçimin e vërtetë. Një pjesëtar tjetër i lëvizjes racionaliste, Bernard de Fontnel mendonte se vetë arsyeja do ta çonte njerëzimin drejt «një shekulli që ditë pas dite do të ndriçohej aq shumë, sa të gjithë shekujt e mëparshëm do të konsideroheshin një errësirë e vërtetë në krahasim me të».—Encyclopædia Britannica.Këto janë vetëm disa nga mendimet kontradiktore për mënyrën si duhet ta gjejë njeriu ndriçimin. A ka ndonjë «udhëheqje të sigurt» që mund të na ndihmojë gjatë kërkimit për të vërtetën? Shikoni se çfarë thotë artikulli vijues për burimin e besueshëm të ndriçimit.
[Figurat në faqen 3]
Gautama (Buda), Rusoi dhe Volteri e kërkuan ndriçimin në drejtime të ndryshme