Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Ndriçimi» i vërtetë

«Ndriçimi» i vërtetë

«Ndriçimi» i vërtetë

ISHTE 18 dhjetori i vitit 1810. Po binte nata. Në detin e stuhishëm, larg bregut juglindor të Skocisë, një anije luftarake e Marinës Britanike, e quajtur Pallas, kishte humbur kursin. Nga errësira që sa vinte e theksohej dhe nga dëbora e dendur, për ekuipazhin po bëhej gjithnjë e më e vështirë të pikaste dritën e farit që mund t’u tregonte rrugën e shpëtimit. Imagjinoni sa të lehtësuar u ndien kur më në fund panë disa drita dhe e kthyen anijen drejt tyre! Por, mjerisht, ato nuk ishin dritat e duhura. Në të vërtetë ishin zjarret e gurores përgjatë bregut. Kështu anija Pallas u përplas me disa shkëmbinj dhe u bë copë e çikë. U mbytën 11 marinarë. Çfarë tragjedie!

Ajo çka e çoi në shkatërrim anijen Pallas ishte një gabim. Por, në raste të tjera, marinarët ndeshen me një rrezik edhe më të madh, me «ndriçuesit» e rremë. Sipas librit Anije të mbytura, anijembytës dhe shpëtimtarë (anglisht), këta ndriçues vendoseshin në breg për t’i gënjyer e për t’i tërhequr anijet drejt brigjeve shkëmbore në mënyrë që, më pas, anija e shkatërruar të plaçkitej.

‘Shkrimet e shenjta që mund të sjellin shpëtimin’

Gjatë kërkimit për njohurinë e vërtetë, mund të hasni rreziqe të ngjashme me ato që hasën këta marinarë. Mund të ecni sipas informacioneve të gabuara ose mund të bëheni pre e mashtrimit të qëllimshëm. Të dyja këto mund të rezultojnë në tragjedi. Po çfarë mund të bëni për t’u vetëmbrojtur? Të siguroheni që burimi i kësaj njohurie është i vërtetë dhe i besueshëm. Për më shumë se 125 vjet, kjo revistë ka mbrojtur fjalën e frymëzuar të Perëndisë, Biblën, si burimi më i besueshëm i njohurisë së vërtetë, sepse ajo përmban ‘shkrimet e shenjta, të cilat janë në gjendje t’ju bëjnë të mençur e të sjellin shpëtimin’.—2 Timoteut 3:15-17.

Sigurisht, që të mbështeteni te Bibla si një dritë ndriçuese e besueshme, është e arsyeshme që të siguroheni për origjinalitetin e saj. (Psalmi 119:105; Proverbat 14:15) Mos ngurroni t’u shkruani botuesve të kësaj reviste për të marrë atë njohuri që ka ndihmuar miliona njerëz të binden se Bibla është frymëzuar vërtet nga Perëndia. Provoni të lexoni për shembull broshurën me titull Një libër për të gjithë njerëzit. * Aty jepen mjaft prova që tregojnë se Bibla është e saktë, autentike dhe e frymëzuar nga Perëndia.

Të vërteta themelore

Por cilat janë disa nga të vërtetat themelore që gjenden në këto «shkrime të shenjta»? Shqyrtoni shembujt e mëposhtëm.

Ka vetëm një Krijues dhe Perëndi të Plotfuqishëm që bëri gjithçka. (Zanafilla 1:1) Ekzistojmë vetëm ‘sepse [Perëndia] krijoi gjithçka’ dhe na dha jetën. (Zbulesa 4:11) Ja përse vetëm ai meriton adhurimin tonë. Krijuesi është Burimi kryesor nga i cili vjen gjithë ndriçimi apo njohuria e vërtetë. (Psalmi 36:9; Isaia 30:20, 21; 48:17, 18) Ai ka një emër dhe do që ta përdorim. (Dalja 3:15) Ky emër i shkruar në shkronja hebraike dhe që transliterohet YHWH, përmendet rreth 7.000 herë në Bibël. Për shekuj, në gjuhën shqipe ky emër ka qenë «Jehova».—Psalmi 83:18.

Jehovai e krijoi burrin dhe gruan e parë për të jetuar përgjithmonë në kushte parajsore, pikërisht këtu në tokë. Ai e krijoi njeriun me cilësi që pasqyronin cilësitë e Tij. I dha talente dhe aftësi që do ta ndihmonin të gëzonte një jetë të përhershme e të lumtur në tokë. (Zanafilla 1:26-28) Ai nuk kishte kurrsesi për qëllim që toka të ishte një vend prove për njerëzit, një parapërgatitje për jetën frymore në qiell, sikur vetëm atje mund të kishin një marrëdhënie të mirë me Perëndinë.

Nuk kishte asgjë të ligë te njeriu kur Perëndia e krijoi. Ligësia erdhi vetëm kur disa nga krijesat e Perëndisë, si krijesa njerëzore, ashtu edhe frymore, keqpërdorën lirinë e tyre të zgjedhjes dhe u rebeluan kundër Perëndisë. (Ligji i përtërirë 32:5) Prindërit tanë të parë, pretenduan të drejtën për të vendosur vetë se ç’ishte e mirë dhe e keqe. (Zanafilla 2:17; 3:1-5) Kjo solli vdekjen në familjen njerëzore. (Zanafilla 3:19; Romakëve 5:12) Për të zgjidhur çështjet e ngritura nga ky rebelim, Jehovai vendosi që ta toleronte përkohësisht ligësinë. Por qëllimi i tij për tokën dhe familjen njerëzore ka mbetur i njëjti. (Isaia 45:18) Sidoqoftë njeriu do të jetojë përgjithmonë në kushte parajsore në një tokë të spastruar nga ligësia.—Mateu 6:10; Zbulesa 21:1-5.

Jezu Krishti nuk është Perëndia i Plotfuqishëm, por Biri i Perëndisë. Vetë Jezu Krishti i mësoi ithtarët e tij të luteshin: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.» (Mateu 6:9) Ai kurrë nuk pretendoi të ishte i barabartë me Perëndinë. Madje, ai tha: «Ati është më i madh se unë.»—Gjoni 14:28.

Jezui luan një rol kyç në përmbushjen e qëllimit të Perëndisë. Perëndia e dërgoi «si një dritë në botë, që, kushdo që tregon besim tek [ai], të mos mbetet në errësirë». (Gjoni 12:46) Sipas apostullit Pjetër «nga askush tjetër nuk vjen shpëtimi». (Veprat 4:12) Kjo është e vërtetë, sepse shpëtimi ynë varet nga gjaku i çmuar i Krishtit. (1 Pjetrit 1:18, 19) Jezu Krishti dha jetën si shpërblesë për të shpenguar njerëzimin nga mëkati i trashëguar nga prindërit e parë, Adami dhe Eva. (Mateu 20:28; 1 Timoteut 2:6) Gjithashtu, Perëndia e përdori Jezuin për të zbuluar vullnetin dhe qëllimin e tij.—Gjoni 8:12, 32, 46, 47; 14:6; Veprat 26:23.

Perëndia ka vendosur një Mbretëri qiellore, apo një qeveri, që përbëhet nga Jezu Krishti dhe ata që janë zgjedhur nga njerëzimi. Këtë mesazh e gjejmë shumë herë në të gjithë Biblën. Detyra që Perëndia i ka besuar kësaj qeverie është të sigurohet që të bëhet vullneti i tij, si në tokë, ashtu edhe në qiell. (Mateu 6:10) Në fillim Perëndia nuk kishte për qëllim që disa nga njerëzit të shkonin në qiell. Shtëpia e tyre duhej të ishte toka. Por pas rënies së njeriut në mëkat, Perëndia ndërfuti diçka të re në qëllimin e tij. Ai mendoi të zgjidhte një numër njerëzish «nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb . . . të mbretërojnë» me Krishtin në një qeveri qiellore. (Zbulesa 5:9, 10) Kjo qeveri e Mbretërisë së shpejti «do të thërrmojë dhe do t’u japë fund» të gjitha formave të qeverisjes njerëzore, që i ka sjellë kaq shumë mjerim dhe dhembje familjes njerëzore.—Danieli 2:44.

Shpirti nuk është i pavdekshëm. Kjo e vërtetë themelore biblike qartëson shumë gjëra për njeriun dhe për të ardhmen e tij. Madje largon edhe keqkuptimet dhe mësimet e gabuara që i kanë keqinformuar njerëzit për gjendjen e të vdekurve.

Libri i parë në Bibël thotë: «Perëndia Jehova formoi njeriun nga pluhuri i tokës dhe i fryu në vrimat e hundës frymën e jetës, dhe njeriu u bë një shpirt i gjallë.» (Zanafilla 2:7) A e kuptoni se çdo të thotë kjo? Shpirti nuk është ndonjë qenie si hije që ekziston brenda trupit. Njeriu nuk ka një shpirt. Ai është shpirt—një bashkim i elementeve që gjenden në ‘pluhurin e tokës’ dhe forcës së jetës që vjen nga Perëndia. Shpirti nuk është i pavdekshëm. Kur njeriu vdes, shpirti vdes.—Zanafilla 3:19; Eklisiastiu 9:5, 10.

Ata që kanë vdekur mund të kthehen në jetë me anë të ringjalljes. Kur t’i vijë fundi kohës që Perëndia ka lejuar ligësinë, «të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin: ata që bënë gjëra të mira, në një ringjallje jete, ata që praktikuan gjëra të poshtra, në një ringjallje gjykimi». (Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15) Ringjallja do t’i kthejë njerëzit në jetë, për të jetuar në një tokë parajsore, ashtu siç ishte qëllimi i Perëndisë në fillim për familjen njerëzore.

Shqyrtoni me kujdes shkrimet çdo ditë

A e kuptoni se si njohuria e këtyre të vërtetave themelore mund t’ju ndihmojë? Në këto kohë kritike e të turbullta, kjo njohuri mund t’ju mbrojë nga ajo që «në mënyrë të rreme quhet ‘njohuri’» e cila propagandohet nga Satana Djalli. Ai pretendon të jetë «engjëll drite» dhe përfaqësuesit e tij shtiren si «shërbëtorë drejtësie». (1 Timoteut 6:20; 2 Korintasve 11:13-15) Njohuria e saktë e Biblës mund t’ju mbrojë nga i ashtuquajturi ndriçim që vjen nga filozofitë e «të mençurve e të zgjuarve» të kësaj bote, të cilët «kanë hedhur poshtë fjalën e Jehovait».—Mateu 11:25; Jeremia 8:9.

Për shkak se në ato kohë kishte shumë mësime dhe filozofi të rreme, apostulli Gjon i paralajmëroi të krishterët e shekullit të parë: «Mos i besoni çdo shprehjeje të frymëzuar.» Pastaj vazhdoi: «Vërini në provë ato për të parë nëse vijnë nga Perëndia.» (1 Gjonit 4:1) Mendoni pak. Nëse do të merrnit një mesazh që do të ndikonte shumë në jetën tuaj, a do ta besonit menjëherë vetëm sepse duket se burimi nga i cili vjen është i besueshëm? Sigurisht që jo. Do të siguroheshit njëherë për burimin dhe do të shqyrtonit mirë mesazhin para se të vepronit sipas tij.

Duke dhënë një libër të frymëzuar ku dokumentohen të vërteta themelore, Perëndia ju ka siguruar ndihmën për ta bërë këtë, pra «për t’u siguruar» që dritat udhërrëfyese, ose fari drejt të cilit ecni, janë të vërteta. (1 Selanikasve 5:21) Në shekullin e parë, njerëz me një mendje fisnike u lavdëruan sepse «çdo ditë i shqyrtonin me kujdes Shkrimet» për t’u siguruar që ajo çka mësonin ishte e vërteta. (Veprat 17:11) Edhe ju mund të veproni po njësoj. Lëreni Biblën që, si ‘një llambë që ndriçon në një vend të errët’, t’ju udhëheqë drejt shpëtimit. (2 Pjetrit 1:19-21) Nëse veproni kështu, ‘do të gjeni njohurinë e Perëndisë’ që sjell ndriçim të vërtetë.—Proverbat 2:5.

[Shënimi]

^ par. 6 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 4]

Fjala e Perëndisë është si një llambë

[Figura në faqen 5]

Si e ka emrin Perëndia?

[Figura në faqen 5]

Cila është e ardhmja e njerëzimit?

[Figura në faqen 6]

A është Jezui Perëndia i Plotfuqishëm?

[Figura në faqen 6]

Ku janë të vdekurit?

[Figura në faqen 7]

Ringjallja e të vdekurve është një nga të vërtetat themelore që mëson Bibla