Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinj, zgjidhni t’i shërbeni Jehovait!

Të rinj, zgjidhni t’i shërbeni Jehovait!

Të rinj, zgjidhni t’i shërbeni Jehovait!

«Zgjidhni sot kujt do t’i shërbeni.»—JOSIU 24:15.

1, 2. Cilat lloje të gabuara pagëzimi ka praktikuar i ashtuquajturi krishterim?

«ATA [fëmijët] të bëhen të krishterë kur të jenë në gjendje të njohin Krishtin.» Këto fjalë i shkroi një shkrimtar me emrin Tertulian, nga fundi i shekullit të dytë të erës sonë. Ai po ngrinte zërin kundër pagëzimit të foshnjave, një praktikë që po zinte rrënjë në krishterimin apostat të kohës së tij. Në kundërshtim me Tertulianin dhe me Biblën, Agustini, një nga etërit e kishës, pohonte se pagëzimi heq njollën e mëkatit fillestar dhe se foshnjat që vdesin pa u pagëzuar, shkojnë në ferr. Ky besim nxiti praktikën e pagëzimit të foshnjave sa më shpejt që të ishte e mundur, pasi kishin lindur.

2 Shumë fe kryesore të të ashtuquajturit krishterim, ende i pagëzojnë foshnjat e sapolindura. Për më tepër, gjatë gjithë historisë, sundimtarët dhe udhëheqësit fetarë të kombeve të ashtuquajtura të krishtere kanë praktikuar pagëzimin e detyruar të «paganëve» në vendet që kanë pushtuar. Por, pagëzimi i foshnjave dhe pagëzimi i detyruar i të rriturve, nuk kanë asnjë bazë në Bibël.

Sot askush nuk kushtohet me detyrim

3, 4. Çfarë mund t’i ndihmojë fëmijët me prindër të krishterë që të kushtohen vullnetarisht?

3 Bibla tregon se Perëndia i quan të shenjtë fëmijët, qoftë edhe kur vetëm njëri nga prindërit është një i krishterë besnik. (1 Korintasve 7:14) A do të thotë kjo se ata fëmijë janë shërbëtorë të kushtuar të Jehovait? Jo. Gjithsesi, fëmijët që rriten me prindër të kushtuar ndaj Jehovait, marrin një stërvitje që mund t’i bëjë t’i kushtohen atij vullnetarisht. Mbreti i mençur Solomon shkroi: «Ruaje, o biri im, urdhërimin e atit tënd dhe mos e braktis ligjin e nënës sate. . . . Kur të ecësh, do të të drejtojnë; kur të shtrihesh, do të të ruajnë; e kur të jesh zgjuar, do të kujdesen për ty. Sepse urdhërimi është llambë, dritë është ligji dhe qortimet e disiplinës janë udha e jetës.»—Proverbat 6:20-23.

4 Udhëheqja që sigurojnë prindërit e krishterë mund të jetë një mbrojtje për fëmijët, sigurisht, nëse ata duan ta ndjekin këtë udhëheqje. Solomoni tha edhe këtë: «Bir i mençur është ai që e gëzon të atin, ndërsa biri budalla është hidhërimi i nënës së tij.» «Ti, o biri im, dëgjo e bëhu i mençur dhe drejtoje zemrën në udhën e drejtë.» (Proverbat 10:1; 23:19) Po, për të nxjerrë dobi nga stërvitja që ju japin prindërit, ju të rinj duhet t’i pranoni vullnetarisht këshillat dhe disiplinën. Askush nuk lind i mençur, por ju mund ‘të bëheni të mençur’ dhe të zgjidhni vullnetarisht ‘udhën e jetës’.

Çfarë është norma mendore?

5. Ç’këshillë u dha Pavli fëmijëve dhe baballarëve?

5 Apostulli Pavël shkroi: «Fëmijë, bindjuni prindërve tuaj në unitet me Zotërinë, sepse kjo është e drejtë: ‘Ndero atin dhe nënën tënde’, që është urdhërimi i parë me premtimin: ‘Që të të vejë mbarë dhe të jetosh gjatë në tokë.’ Ju, etër, mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait.»—Efesianëve 6:1-4.

6, 7. Çfarë përfshin t’i rritësh fëmijët në «normën mendore të Jehovait» dhe pse kjo nuk nënkupton që prindërit po ndikojnë padrejtësisht tek ata?

6 Mos vallë prindërit e krishterë po ndikojnë padrejtësisht te fëmijët e tyre, duke i rritur «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait»? Jo. Kush mund t’i kritikojë prindërit se u mësojnë fëmijëve të tyre atë që u duket e drejtë dhe e dobishme moralisht? Ateistët nuk kritikohen që u mësojnë fëmijëve se nuk ka Perëndi. Katolikët e ndiejnë për detyrë t’i rritin fëmijët e tyre në besimin katolik dhe rrallëherë kritikohen pse veprojnë kështu. Po njësoj, askush s’duhet t’i akuzojë Dëshmitarët e Jehovait se po u manipulojnë mendjen fëmijëve të tyre, kur i rritin që të kenë pikëpamjen e Jehovait për të vërtetat themelore dhe parimet morale.

7 Sipas Fjalorit teologjik të Besëlidhjes së Re (anglisht), fjala greke e përkthyer ‘normë mendore’ tek Efesianëve 6:4, ka të bëjë me një proces që «synon të ndreqë mendjen, të drejtojë atë që është e gabuar, të përmirësojë qëndrimin ndaj Perëndisë». Po sikur një i ri ta kundërshtojë stërvitjen e prindërve për shkak të presionit të moshatarëve, dëshirës për të bërë si gjithë të tjerët? Kush mund të akuzohet se ushtron presion për keq: prindërit e të riut apo shokët e tij? Nëse këta të fundit i bëjnë presion të riut të marrë drogë, të dehet ose të përfshihet në sjellje imorale, a duhen kritikuar prindërit që përpiqen t’ia ndreqin pikëpamjen fëmijës së tyre dhe ta ndihmojnë të kuptojë pasojat e një sjelljeje të tillë të rrezikshme?

8. Në ç’kuptim thuhet se Timoteu ‘u bind të besonte’?

8 Apostulli Pavël i shkroi të riut Timote: «Ti vazhdo në gjërat që mësove dhe u binde të besoje, duke ditur se nga cilët i mësove dhe se që nga foshnjëria i ke njohur shkrimet e shenjta, të cilat janë në gjendje të të bëjnë të mençur e të sjellin shpëtimin nëpërmjet besimit në Krishtin Jezu.» (2 Timoteut 3:14, 15) Që kur Timoteu ishte foshnjë, mamaja dhe gjyshja ia kishin rrënjosur thellë besimin te Perëndia, të bazuar në njohurinë nga Shkrimet e Shenjta. (Veprat 16:1; 2 Timoteut 1:5) Më vonë, kur ato u bënë të krishtere, nuk e detyruan Timoteun të besonte, por ‘e bindën’ me arsyetime të shëndosha, të bazuara në njohurinë nga Shkrimet.

Jehovai të fton të zgjedhësh

9. (a) Si u dha nder Jehovai krijesave të tij e për ç’arsye? (b) Si e ushtroi vullnetin e tij të lirë Biri i vetëmlindur i Perëndisë?

9 Jehovai mund të na kishte bërë si robotë, të programuar për të bërë ç’donte ai dhe pa qenë të aftë për të vepruar ndryshe. Por, në vend të kësaj, ai na nderoi duke na dhënë vullnet të lirë. Perëndia ynë dëshiron që të ketë nënshtetas të vullnetshëm. Ai kënaqet kur sheh krijesat e tij, të rinj e të moshuar, që i shërbejnë nga dashuria. Shembulli më i mirë për nënshtrimin me dashuri ndaj vullnetit të Perëndisë, është Biri i tij i vetëmlindur, për të cilin Jehovai tha: «Ky është Biri im, i dashuri, që e kam miratuar.» (Mateu 3:17) Ky Bir i parëlindur i tha Atit të tij: «O Perëndia im, unë kënaqem kur bëj vullnetin tënd, dhe ligji yt është thellë brenda meje.»—Psalmi 40:8; Hebrenjve 10:9, 10.

10. Cila është baza për t’i shërbyer në mënyrë të pranueshme Jehovait?

10 Jehovai pret që ata që i shërbejnë nën drejtimin e Birit të tij, të tregojnë të njëjtin nënshtrim të vullnetshëm ndaj vullnetit të Tij. Në mënyrë profetike, psalmisti këndoi: «Populli yt do të paraqitet vullnetarisht ditën kur t’u prish forcave të tua ushtarake. Të stolisur me shenjtëri, nga gjiri i agimit, të rinjtë e tu do të vijnë si bulëza vese.» (Psalmi 110:3) E gjithë organizata e Jehovait, si pjesa qiellore, ashtu edhe ajo tokësore, funksionon në bazë të nënshtrimit me dashuri ndaj vullnetit të tij.

11. Cilën zgjedhje kanë para tyre të rinjtë që janë rritur me prindër të krishterë?

11 Pra, ju të rinj duhet të kuptoni se as prindërit, as pleqtë e krishterë në kongregacion, s’kanë për t’ju detyruar që të pagëzoheni. Duhet ta keni ju vetë dëshirën për t’i shërbyer Jehovait. Në lashtësi, Josiu u tha izraelitëve: «Shërbejini [Jehovait] në mënyrë të patëmetë e me besnikëri. . . . Zgjidhni sot kujt do t’i shërbeni.» (Josiu 24:14-22) Po kështu, duhet të jeni ju vetë që zgjidhni t’i kushtoheni Jehovait dhe ta përdorni jetën për të bërë vullnetin e tij.

Pranoni përgjegjësinë tuaj

12. (a) Çfarë nuk mund të bëjnë prindërit për fëmijët e tyre, ndonëse mund t’i stërvitin ata? (b) Kur bëhet përgjegjës para Jehovait një i ri për zgjedhjet që bën?

12 Vjen një kohë kur ju të rinjve nuk ju mbron dot më besnikëria e prindërve tuaj. (1 Korintasve 7:14) Dishepulli Jakov shkroi: «Nëse dikush di ta bëjë atë që është e drejtë, por nuk e bën, bën mëkat.» (Jakovi 4:17) Prindërit s’mund t’i shërbejnë Perëndisë edhe për fëmijët e tyre, ashtu si fëmijët nuk mund t’i shërbejnë Perëndisë për prindërit. (Ezekieli 18:20) A keni mësuar për Jehovain e për qëllimet e tij? A jeni aq të rritur sa ta kuptoni atë që keni mësuar e të filloni të keni një marrëdhënie personale me Të? A s’është e arsyeshme të mendoni se Perëndia ju quan të aftë të vendosni t’i shërbeni atij?

13. Cilat pyetje duhet t’i bëjnë vetes të rinjtë e papagëzuar?

13 A je një i ri i papagëzuar që je rritur me prindër të krishterë, po ndjek mbledhjet e krishtere, e madje merr pjesë në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë? Nëse po, pyet veten me sinqeritet: ‘Pse po e bëj këtë? A i ndjek mbledhjet dhe dal në predikim ngaqë prindërit duan të veproj kështu apo ngaqë dëshiroj t’i pëlqej Jehovait?’ A ke vërtetuar për veten tënde cili është «vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë»?—Romakëve 12:2.

Pse e shtyjnë pagëzimin?

14. Cilët shembuj biblikë tregojnë se pagëzimi nuk duhet shtyrë pa qenë nevoja?

14 «Çfarë më pengon të pagëzohem?» Etiopasi që i bëri këtë pyetje ungjillëzuesit Filip, sapo kishte mësuar se Jezui ishte Mesia. Por ai etiopas kishte mjaft njohuri nga Shkrimet sa ta kuptonte se nuk duhej të humbte kohë, por ta bënte të qartë publikisht se që nga ai çast e më tej do t’i shërbente Jehovait si pjesë e kongregacionit të krishterë. Kjo i solli shumë gëzim. (Veprat 8:26-39) Po ashtu, një grua me emrin Lidia, së cilës Perëndia «ia hapi plotësisht zemrën, që t’i pranonte gjërat që po thoshte Pavli», menjëherë ‘u pagëzua’ së bashku me ata të shtëpisë së saj. (Veprat 16:14, 15) Edhe roja i burgut në Filipi, pasi dëgjoi Pavlin dhe Silën që «i thanë fjalën e Jehovait», ‘u pagëzua pa vonuar, ai bashkë me të tijtë’. (Veprat 16:25-34) Prandaj, nëse ke njohuri bazë për Jehovain e për qëllimet e tij, një dëshirë të sinqertë për të bërë vullnetin e tij, një emër të mirë në kongregacion dhe po i ndjek rregullisht mbledhjet e po del për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë, pse duhet ta shtysh pagëzimin?—Mateu 28:19, 20.

15, 16. (a) Cili arsyetim i gabuar mund t’i pengojë disa të rinj që të pagëzohen? (b) Si mund të jetë mbrojtje për të rinjtë kushtimi dhe pagëzimi?

15 Mos ndoshta ngurron të bësh këtë hap të rëndësishëm, nga frika se do të mbash përgjegjësi, po të përfshihesh në sjellje të gabuar? Nëse po, mendo për këtë: a do të refuzoje të merrje patentën thjesht sepse ke frikë mos bën aksident ndonjë ditë? Natyrisht që jo! As për t’u pagëzuar s’duhet të ngurrosh, nëse je i kualifikuar. Madje, nëse ia ke kushtuar jetën Jehovait dhe ke pranuar të bësh vullnetin e tij, do të kesh një arsye të fortë për të bërë çmos t’i kundërvihesh keqbërjes. (Filipianëve 4:13) Ju lutemi të rinj, mos mendoni se duke shtyrë pagëzimin, nuk do të mbani përgjegjësi. Kur keni arritur moshën që jeni të përgjegjshëm për veprimet tuaja, i jepni llogari Jehovait për mënyrën se si veproni, jeni apo s’jeni pagëzuar.—Romakëve 14:11, 12.

16 Shumë Dëshmitarë anembanë botës mendojnë se vendimi për t’u pagëzuar, kur ishin të rinj, i ka ndihmuar jashtë mase. Ja, për shembull, se ç’thotë një Dëshmitar 23-vjeçar nga Evropa Perëndimore. Ai sjell ndër mend se pagëzimi në moshën 13-vjeçare e motivoi të bënte kujdes që të mos rrëmbehej nga «dëshirat karakteristike rinore». (2 Timoteut 2:22) Shumë herët në jetë, vuri si synim të bëhej një shërbëtor në kohë të plotë. Sot shërben i lumtur në një zyrë dege të Dëshmitarëve të Jehovait. Shumë bekime i presin të gjithë të rinjtë që zgjedhin t’i shërbejnë Jehovait, e ndër ta përfshihesh edhe ti.

17. Në cilat fusha është e nevojshme të vazhdojmë të dallojmë se cili është «vullneti i Jehovait»?

17 Kushtimi dhe pagëzimi shënojnë fillimin e një jete ku ne marrim parasysh vullnetin e Jehovait në çdo veprimtari tonën. Përmbushja e kushtimit që kemi bërë, përfshin ‘të blejmë kohë’. Si e bëjmë këtë? Po ja, kohën që mund ta harxhojmë për gjëra të kota, t’ia kushtojmë studimit të thellë të Biblës, ndjekjes së rregullt të mbledhjeve dhe pjesëmarrjes sa më të plotë në predikimin e ‘lajmit të mirë për mbretërinë’. (Efesianëve 5:15, 16; Mateu 24:14) Kushtimi që i kemi bërë Jehovait dhe dëshira për të bërë vullnetin e tij, do të ndikojnë për mirë në çdo gjë në jetën tonë, ku përfshihet edhe mënyra se si çlodhemi, zakonet në të ngrënë e në të pirë dhe lloji i muzikës që dëgjojmë. Pse të mos zgjedhësh atë lloj çlodhjeje që do të kesh mundësi ta gëzosh për tërë përjetësinë? Mijëra e mijëra të rinj të lumtur që janë Dëshmitarë mund të të thonë se ka shumë mënyra të shëndetshme për t’u argëtuar, ndërkohë që qëndrojmë brenda kufijve të ‘vullnetit të Jehovait’.—Efesianëve 5:17-19.

«Do të vijmë me ju»

18. Cilën pyetje duhet t’i bëjnë vetes të rinjtë?

18 Prej vitit 1513 p.e.s. deri në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., Jehovai kishte këtu në tokë një popull të organizuar, të cilin e kishte zgjedhur që ta adhuronin Atë dhe të ishin dëshmitarët e Tij. (Isaia 43:12) Të rinjtë izraelitë lindnin në atë komb. Që nga festa e Ditës së Pesëdhjetë, Jehovai ka një «komb» të ri në tokë, Izraelin frymor, «një popull për emrin e tij». (1 Pjetrit 2:9, 10; Veprat 15:14; Galatasve 6:16) Apostulli Pavël tha se Krishti ka pastruar për vete «një popull posaçërisht të vetin, të zellshëm për vepra të shkëlqyera». (Titit 2:14) Ju të rinj jeni të lirë të përcaktoni vetë se ku mund të gjendet ai popull. Cilët janë sot ata që përbëjnë ‘kombin e drejtë, që sillet gjithnjë me besnikëri’, që jeton në harmoni me parimet e Biblës, që vepron si Dëshmitarë besnikë për Jehovain dhe shpallin Mbretërinë e tij si të vetmen shpresë për njerëzimin? (Isaia 26:2-4) Shqyrtoni kishat e të ashtuquajturit krishterim dhe fetë e tjera, dhe krahasoni sjelljen e tyre me kërkesat e Biblës për shërbëtorët e vërtetë të Perëndisë.

19. Për çfarë janë bindur miliona njerëz anembanë tokës?

19 Miliona njerëz anembanë botës, përfshirë edhe shumë të rinj, janë bindur se ai ‘komb i drejtë’ është i përbërë nga mbetja e mirosur e Dëshmitarëve të Jehovait. Ata u thonë këtyre izraelitëve frymorë: «Ne do të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar që Perëndia është me ju.» (Zakaria 8:23) Shpresojmë sinqerisht dhe lutemi që ju të rinj të vendosni të jeni mes popullit të Perëndisë, e kështu ‘të zgjidhni jetën’—jetën e përhershme në botën e re të Jehovait.—Ligji i përtërirë 30:15-20; 2 Pjetrit 3:11-13.

Pyetje për rishikim

• Çfarë përfshin norma mendore?

• Ç’lloj shërbimi i pëlqen Jehovait?

• Cilën zgjedhje kanë para tyre të gjithë të rinjtë që janë rritur me prindër të krishterë?

• Pse pagëzimi s’duhet shtyrë pa qenë nevoja?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 26]

Kë do të dëgjosh?

[Figura në faqen 28]

Si mund të të mbrojnë kushtimi dhe pagëzimi?

[Figura në faqen 29]

Çfarë të pengon të pagëzohesh?