Një referim jobiblik për një popull të quajtur Izrael
Një referim jobiblik për një popull të quajtur Izrael
NË MUZEUN e Kajros në Egjipt, një pllakë graniti përkujton fitoret e faraonit Merneptah. Sipas llogaritjeve të studiuesve, ky është biri i 13-të i Ramsesit II dhe sundoi rreth viteve 1212 p.e.s.-1202 p.e.s., nga pjesa e fundit e periudhës së gjykatësve të Izraelit të lashtë. Në dy rreshtat e fundit të pllakës së Merneptahut lexohet: «Kanaani është plaçkitur. Ashkeloni është marrë, Gezeri është pushtuar [dhe] Janoami është shkatërruar krejt. Izraeli dergjet i shkretuar, fara e tij nuk është më.»
Ç’kuptim ka fjala «Izrael» në këtë kontekst? Në shkrimet hieroglifike janë shtuar disa shenja, që tregojnë se cilës kategori i përkasin fjalët. Botimi Ngritja e Izraelit të lashtë (anglisht), shpjegon: «Nga të katër termat, tre prej tyre—Ashkelon, Gezer dhe Janoam—u është ngjitur një shenjë që tregon se këto janë qytete. . . . Por shenja ngjitur me fjalën Izrael është për një popull.»—Kursivi është yni.
Cili është kuptimi i këtij teksti? Redaktori dhe autori Hershel Shanksi përgjigjet: «Pllaka e Merneptahut tregon se në vitin 1212 p.e.s. ekzistonte një popull i quajtur Izrael dhe se faraoni i Egjiptit, jo vetëm e njihte, por edhe mendonte se ia vlente të mburrej që e kishte mundur në betejë.» Uilliam G. Devëri, profesor i arkeologjisë së Lindjes së Afërt, thotë: «Pllaka e Merneptahut na thotë qartë: Ekziston vërtet në Kanaan një popull që quhet ‘Izrael’. Ja përse e quajnë ‘Izrael’ edhe egjiptianët, të cilët në fakt nuk mbajnë anën e Biblës dhe nuk mund të kenë shpikur një popull kaq specifik dhe të pashoq ‘Izrael’ për qëllimet e tyre propagandistike.»
Në Bibël fjala Izrael përmendet për herë të parë si një emër që iu dha patriarkut Jakob. Pasardhësit e 12 bijve të Jakobit u bënë të njohur si «bijtë e Izraelit». (Zanafilla 32:22-28, 32; 35:9, 10) Vite më vonë, edhe profeti Moisi, edhe faraoni i Egjiptit, përdorën fjalën «Izrael» kur iu referuan këtyre pasardhësve të Jakobit. (Dalja 5:1, 2) Pllaka e Merneptahut është referimi jobiblik më i hershëm i njohur për një popull të quajtur Izrael.
[Figurat në faqen 24]
Pllaka e Merneptahut
Kombinimi i tri shenjave të fundit (nga e djathta në të majtë)—një shkop për ta vërvitur, një burrë dhe një grua e ulur—e identifikojnë Izraelin si një popull i huaj
[Burimi]
Egyptian National Museum, Cairo, Egypt/Giraudon/The Bridgeman Art Library