Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Perëndia ynë është në gjendje të na çlirojë’

‘Perëndia ynë është në gjendje të na çlirojë’

«Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve»

‘Perëndia ynë është në gjendje të na çlirojë’

AI RAST ishte përgatitur me synimin që të bënte shumë përshtypje. Në rrafshinën e Durës, me sa duket pranë qytetit të Babilonisë, ishte ngritur një shëmbëlltyrë tejet e madhe prej ari. Përurimi i shëmbëlltyrës do të bëhej gjatë një ceremonie të veçantë, ku do të merrnin pjesë zyrtarë të lartë, dhe këta duhej të përkuleshin para shëmbëlltyrës sapo të dëgjonin tingullin e një sërë veglash muzikore. Mbreti babilonas Nabukodonosor kishte dekretuar se kushdo që nuk do ta adhuronte shëmbëlltyrën, do të hidhej në një furrë jashtëzakonisht të nxehur. E kush do të guxonte që të mos i bindej urdhrit?

Për habinë e të gjithëve, tre adhurues të Perëndisë Jehova—Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja—nuk u përkulën. Ata e dinin se një veprim i tillë do të ishte cenim i përkushtimit të tyre që i përkiste vetëm Perëndisë Jehova. (Ligji i përtërirë 5:8-10) Kur u kërkuan të shpjegonin qëndrimin e tyre të palëkundur, ata pa frikë i thanë Nabukodonosorit: «Nëse na hidhni në furrë, Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë. Ai do të na çlirojë nga furra me zjarr përvëlues dhe nga dora jote, o mbret. Por edhe sikur të mos e bëjë, ta dish, o mbret, se ne nuk u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do ta adhurojmë shëmbëlltyrën prej ari që ke ngritur.»—Danieli 3:17, 18.

Kur tre hebrenjtë i hodhën në furrën e zjarrtë, shpëtuan vetëm falë një mrekullie. Perëndia dërgoi një engjëll që t’i mbronte shërbëtorët e Tij besnikë. Por ata tashmë kishin zgjedhur që më mirë të vdisnin, se të mos i bindeshin Jehovait. * Qëndrimi i tyre ishte i ngjashëm me atë të apostujve të Jezu Krishtit, të cilët më shumë se gjashtë shekuj më pas thanë para gjykatës së lartë judaike: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve.»—Veprat 5:29.

Mësime jetësore për ne

Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja janë shembuj të shkëlqyer besimi, bindjeje dhe besnikërie. Tre hebrenjtë treguan besim te Jehovai. Ndërgjegjja e stërvitur sipas Shkrimeve nuk i lejoi të merrnin pjesë në ndonjë akt adhurimi të rremë ose përkushtimi nacionalist. Po njësoj edhe të krishterët e sotëm tregojnë besim të patundur te Perëndia i vërtetë. Ata drejtohen nga ndërgjegjja e stërvitur sipas Biblës dhe nuk pranojnë të marrin pjesë në akte të adhurimit të rremë ose në ceremoni që shkelin ligjet dhe parimet e Perëndisë.

Tre hebrenjtë besnikë besuan te Jehovai dhe nuk pranuan të hiqnin dorë nga bindja ndaj Tij për asgjë që u ofronte perandoria babilonase, si për shembull, vlerësim, pozitë ose lavdi. Ata të rinj ishin të gatshëm që të vuanin e të vdisnin, sesa të prishnin marrëdhënien me Perëndinë. Ashtu si Moisiu që kishte jetuar para tyre, ata ‘qëndruan të palëkundur si të shihnin Atë që është i padukshëm’. (Hebrenjve 11:27) Pavarësisht nëse Jehovai do të kishte vendosur t’i çlironte ose jo nga vdekja, të tre ishin të vendosur të ruanin integritetin ndaj tij, në vend që të bënin kompromis për të shpëtuar jetën. Me sa duket, duke e pasur fjalën për shembullin e tyre, apostulli Pavël përmend besnikët që «i qëndruan forcës së zjarrit». (Hebrenjve 11:34) Një besim dhe bindje të tillë shfaqin sot shërbëtorët e Jehovait, ndërsa hasin sprova integriteti.

Nga përvoja e Shadrakut, Meshakut dhe e Abednegos mësojmë gjithashtu që Perëndia i shpërblen ata që shfaqin besnikëri ndaj tij. Psalmisti këndoi: «Jehovai . . . nuk do t’i braktisë besnikët e vet.» (Psalmi 37:28) Sot nuk mund të presim që Perëndia të na shpëtojë me anë të ndonjë mrekullie, siç bëri me tre hebrenjtë. Megjithatë mund të jemi të sigurt që pavarësisht se çfarë vështirësie të hasim, Ati ynë qiellor do të na sigurojë ndihmë. Perëndia mund të heqë problemin tonë, mund të na japë forcë për të qëndruar ose të na ringjallë, nëse e ruajmë integritetin deri në vdekje. (Psalmi 37:10, 11, 29; Gjoni 5:28, 29) Besimi, bindja dhe besnikëria ngadhënjejnë sa herë që integriteti ynë vihet në provë e vendosim t’i bindemi Perëndisë, dhe jo njerëzve.

[Shënimi]

^ par. 5 Shih Kalendarin e Dëshmitarëve të Jehovait 2006, korrik-gusht.

[Kutia dhe figura në faqen 9]

A E DINI?

• Tre hebrenjtë ishin rreth tridhjetë vjeç kur hasën këtë sprovë integriteti.

• Me sa duket furra u nxeh në maksimum.​—Danieli 3:19.