Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i tretë dhe i katërt i Psalmeve

Pika kryesore nga libri i tretë dhe i katërt i Psalmeve

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i tretë dhe i katërt i Psalmeve

DUKE iu lutur Perëndisë, psalmisti pyet: «A do të shpallet dashamirësia jote në varr, dhe besnikëria jote në vendin e shkatërrimit?» (Psalmi 88:11) Sigurisht që përgjigjja është jo. Nëse nuk jetojmë, nuk mund ta lëvdojmë Jehovain. Lëvdimi i Jehovait është një arsye e mirë për të jetuar, dhe jeta që kemi është një arsye e mirë për ta lëvduar.

Libri i tretë dhe i katërt i Psalmeve, domethënë Psalmet 73 deri 106, na japin mjaft arsye për të lavdëruar Krijuesin dhe për të bekuar emrin e tij. Meditimi për këto psalme duhet të na e thellojë vlerësimin për ‘fjalën e Perëndisë’ dhe duhet të na shtyjë ta lavdërojmë më shumë dhe më mirë. (Hebrenjve 4:12) Me interes të thellë, le të shqyrtojmë së pari librin e tretë të Psalmeve.

«ËSHTË GJË E MIRË QË TI AFROHEM PERËNDISË»

(Psalmi 73:1–89:52)

Njëmbëdhjetë psalmet e para të librit të tretë janë kompozuar nga Asafi ose nga pjesëtarët e shtëpisë së tij. Kënga hapëse shpjegon se çfarë e ka ndihmuar Asafin të mos devijonte për shkak të mendimeve të gabuara. Ai arriti në përfundimin e duhur. Në këngën e tij ai thotë: «Për mua, është gjë e mirë që t’i afrohem Perëndisë.» (Psalmi 73:28) Në Psalmin 74 vijon vajtimi për shkatërrimin e Jerusalemit. Psalmet 75, 76 dhe 77 e portretizojnë Jehovain si Gjykatësin e drejtë, Shpëtimtarin e zemërbutëve dhe Dëgjuesin e lutjeve. Psalmi 78 bën një përmbledhje të së kaluarës së Izraelit që nga koha e Moisiut e deri në kohën e Davidit. Psalmi 79 është një vajtim për shkatërrimin e tempullit. Pastaj vjen një lutje për rivendosjen e popullit të Perëndisë. Psalmi 81 jep një këshillë për t’iu bindur Jehovait. Psalmi 82 është lutje për ekzekutimin e gjykimit hyjnor mbi gjykatësit e korruptuar, kurse Psalmi 83 mbi armiqtë e Perëndisë.

«Shpirti im ka mall e po digjet për oborret e Jehovait»,—thuhet në një nga këngët e bijve të Korahut. (Psalmi 84:2) Ndërsa Psalmi 85 është një kërkesë që Perëndia të bekojë të kthyerit nga mërgimi. Ky psalm thekson se bekimet hyjnore janë shumë më të rëndësishme se bekimet fizike. Në Psalmin 86, Davidi i kërkon Perëndisë që ta ruajë dhe ta drejtojë. Psalmi 87 është një këngë për Sionin dhe ata që kishin lindur atje, këngë e cila pasohet nga lutja e Psalmit 88. Dashamirësia e Jehovait, siç shprehet edhe në besëlidhjen e Davidit, theksohet në Psalmin 89, kompozuar nga Etani, i cili mund të ketë qenë një prej katër burrave të mençur në ditët e Solomonit.—1 Mbretërve 4:31.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

73:9—Në ç’kuptim fjalët fodulle të të ligut «shkojnë deri në qiej, kurse gjuha i endet nëpër tokë»? Përderisa nuk ka respekt për askënd që është në qiell ose në tokë, i ligu nuk ngurron të blasfemojë as edhe kundër Perëndisë. Ai madje shpif për njerëzit e tjerë.

74:13, 14—Kur ‘ua copëtoi Jehovai kokat përbindëshave të detit dhe i bëri copë-copë kokat e leviathanëve’? ‘Faraoni, mbreti i Egjiptit’ është quajtur «përbindësh i madh deti që rri shtrirë në kanalet e Nilit». (Ezekieli 29:3) Leviathani mund t’u referohet të fortëve të faraonit. Kur psalmisti thotë që u copëtohet koka, ndoshta e ka fjalën për shpartallimin e faraonit dhe ushtrisë së tij kur Jehovai i çliroi izraelitët nga zgjedha egjiptiane.

75:4, 5, 10—Çfarë nënkupton ‘briri’? Brirët për një kafshë janë një armë e fuqishme. Prandaj, ‘briri’ nënkupton pushtet ose fuqi. Jehovai ngre brirët e popullit të tij dhe i lartëson, kurse ‘brirët e të ligjve i pret dhe i flak tej’. Ky shkrim është një paralajmërim që të mos ‘e lartësojmë bririn tonë’, domethënë të mos mbajmë një qëndrim krenar ose arrogant. Përderisa është Jehovai ai që lartëson, caktimet me përgjegjësi në kongregacion duhet t’i konsiderojmë si diçka që vjen prej tij.​—Psalmi 75:7.

76:10—Në ç’kuptim përlëvdohet Jehovai kur «njeriu tërbohet»? Kur Perëndia lejon që njerëzit të tërbohen kundër nesh sepse jemi shërbëtorët e tij, kjo sjell diçka të favorshme. Çdo vështirësi që mund të kalojmë, në njëfarë mënyre, mund të jetë një stërvitje për ne. Jehovai i lejon vuajtjet deri në atë masë sa të na japin këtë stërvitje. (1 Pjetrit 5:10) ‘Me tërbimin e pashfryrë të njeriut Perëndia do të stoliset.’ Po nëse vuajmë deri në atë pikë sa të vdesim? Edhe kjo i sjell lavdi Jehovait, sepse ata që na shohin se qëndrojmë besnikë ndoshta mund të fillojnë të lëvdojnë Perëndinë.

78:24, 25; shënimi, Përkthimi Bota e Re me referime, anglisht​—Pse mana quhet ‘gruri i qiellit’ dhe ‘buka e engjëjve’? Asnjë nga këto shprehje nuk nënkupton se mana ishte ushqimi i engjëjve. Ishte ‘gruri i qiellit’ në kuptimin që vinte nga qielli. (Psalmi 105:40) Meqenëse engjëjt ose ‘të fuqishmit’ banojnë në qiell, shprehja ‘buka e engjëjve’ ndoshta do të thotë thjesht që vinte nga Perëndia, i cili banon në qiell. (Psalmi 11:4) Ose ndoshta Jehovai mund të ketë ngarkuar engjëjt për t’ua siguruar manën izraelitëve.

82:1, 6—Cilët quhen në këtë shkrim «perëndi» dhe «bij të Më të Lartit»? Të dyja këto shprehje e kanë fjalën për gjykatësit në Izrael. Këto fjalë u përshtaten pasi ata do të shërbenin si zëdhënësit dhe përfaqësuesit e Perëndisë.​—Gjoni 10:33-36.

83:2—Çfarë nënkupton ‘ngritja krye’? Ky gjest nënkupton gatishmërinë për të ushtruar pushtetin ose për të ndërmarrë një veprim, zakonisht me qëllimin për të kundërshtuar, për të luftuar ose për të shtypur të tjerët.

Mësime për ne:

73:2-5, 18-20, 25, 28. Nuk duhet të lakmojmë begatinë e të ligjve dhe të ndjekim rrugën e tyre të paperëndishme. Të ligjtë janë në vende të rrëshqitshme. Sigurisht që ‘do të shkojnë drejt rrënimit’. Për më tepër, meqenëse ligësia nuk mund të zhduket nën sundimin e papërsosur të njerëzve, përpjekjet tona për ta çrrënjosur do të ishin të kota. Ashtu si Asafi, tregohemi të mençur nëse i themi jo ligësisë duke ‘iu afruar Perëndisë’ dhe duke gëzuar një marrëdhënie të mirë me Të.

73:3, 6, 8, 27. Duhet të tregojmë kujdes që të mos bëhemi mburravecë, fodullë, shpotitës dhe të mos ua hamë hakun të tjerëve. Kjo vlen edhe në rastet kur duket se na leverdis të jemi të tillë.

73:15-17. Kur nuk jemi të qartë në mendje, duhet të përmbahemi e të mos i bëjmë publike hamendjet tona. Nëse ‘flasim kështu’, kjo do të ishte shkurajuese për të tjerët. Duhet të meditojmë me qetësi për ato gjëra që na shqetësojnë dhe t’i zgjidhim bashkë me të bashkëkrishterët.​—Proverbat 18:1.

73:21-24. Në këtë shkrim thuhet se ‘të vrerosesh në zemër’ për shkak të mirëqenies në dukje të të ligut, është si të veprosh ngjashëm një kafshe, në mënyrë të paarsyeshme. Ky është një reagim impulsiv, që nxitet vetëm nga emocionet e çastit. Në vend të kësaj, duhet të udhëhiqemi nga këshillat e Jehovait, duke qenë plotësisht të bindur se ai ‘do të na kapë nga dora e djathtë’ dhe do të na ndihmojë. Përveç kësaj, Jehovai ‘do të na çojë drejt lavdisë’, domethënë drejt një marrëdhënieje më të ngushtë me të.

77:6. Të tregosh interes nga zemra për të vërtetat frymore dhe t’i kërkosh me kujdes, nevojitet kohë për të studiuar dhe për të medituar. Është tepër e rëndësishme të programojmë një kohë të veçantë për të qëndruar vetëm e për të medituar.

79:9. Jehovai i dëgjon lutjet tona, sidomos kur janë në lidhje me shenjtërimin e emrit të tij.

81:13, 16. Nëse ia vëmë veshin zërit të Jehovait dhe ecim në udhët e tij, do të kemi mjaft bekime.​—Proverbat 10:22.

82:2, 5. Padrejtësia bën që «themelet e tokës» të lëkunden. Veprat e padrejta cenojnë stabilitetin e shoqërisë njerëzore.

84:1-4, 10-12. Vlerësimi i psalmistëve për vendin e adhurimit të Jehovait dhe kënaqësia për privilegjet e shërbimit, janë një shembull i mirë për ne.

86:5. Sa mirënjohës i jemi Jehovait që është ‘gati të falë’! Ai është gjithmonë duke u përpjekur që të gjejë një shkas për t’i treguar mëshirë një keqbërësi të penduar.

87:5, 6. A do t’i mësojnë ndonjëherë njerëzit që do të jetojnë në tokën parajsore emrat e atyre që ringjallen për të jetuar në qiell? Këto vargje tregojnë se ka të ngjarë që po.

88:13, 14. Nëse lutjet tona për një problem të caktuar, Jehovai nuk u përgjigjet menjëherë, ndoshta kjo do të thotë se ai dëshiron të tregojmë që përkushtimi ynë ndaj tij është i çiltër.

«FALËNDEROJENI DHE BEKONI EMRIN E TIJ»

(Psalmi 90:1–106:48)

Mendoni pak për arsyet e ndryshme që jepen në përmbledhjen e katërt të psalmeve për të lartësuar Jehovain. Në Psalmin 90, Moisiu e krahason ekzistencën e «Mbretit të përjetësisë» me jetën e shkurtër të njeriut. (1 Timoteut 1:17) Sipas Psalmit 91:2, Moisiu i referohet Jehovait si ‘streha dhe kalaja e tij’, si Burimi i sigurisë. Psalmet vijuese flasin për cilësitë mahnitëse të Perëndisë, mendimet e larta dhe veprat e tij të mrekullueshme. Tri nga këto këngë fillojnë me fjalët: «Jehovai është bërë mbret!» (Psalmi 93:1; 97:1; 99:1) Duke folur për Jehovain si për Bërësin tonë, psalmisti na fton ‘ta falënderojmë dhe të bekojmë emrin e tij’.​—Psalmi 100:4.

Në ç’mënyrë duhet të drejtojë një sundues që ka frikë Perëndie? Psalmi 101, i kompozuar nga mbreti David, i përgjigjet kësaj pyetjeje. Psalmi tjetër thotë se Jehovai «do ta dëgjojë lutjen e skamësit, po, nuk do ta përbuzë lutjen e tij». (Psalmi 102:17) Psalmi 103 ka për qëllim të nxjerrë në pah dashamirësinë dhe mëshirën e Jehovait. Duke folur për veprat e shumta të Perëndisë në tokë, psalmisti thotë: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! Që të gjitha i ke bërë me mençuri.» (Psalmi 104:24) Dy këngët e fundit të librit të katërt lartësojnë Jehovain për veprat e tij të mrekullueshme.​—Psalmi 105:2, 5; 106:7, 22.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

91:1, 2—Çfarë është ‘vendi i fshehtë i Më të Lartit’ dhe si mund ‘të banojmë’ atje? Ky është në kuptimin e figurshëm vendi ku gjejmë siguri frymore, një gjendje që na ndihmon të mbrohemi nga rreziqet frymore. Ai është i fshehtë sepse ata që nuk besojnë te Perëndia nuk e dinë këtë vend. E bëjmë Jehovain vendbanimin tonë duke e konsideruar si strehën dhe kalanë tonë, duke e lëvduar si Sundimtarin Sovran të universit dhe duke predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë. Ndihemi të mbrojtur nga ana frymore, sepse e dimë se Jehovai është gjithmonë i gatshëm për të na ndihmuar.​—Psalmi 90:1.

92:12—Në ç’kuptim i drejti «do të lulëzojë si palma»? Pema e palmës shquhet për frytet e shumta. Një njeri i drejtë është si një palmë në kuptimin që është i drejtë në sytë e Jehovait dhe nuk resht së dhëni ‘fryte të mira’, ku përfshihen veprat e mira.​—Mateu 7:17-20.

Mësime për ne:

90:7, 8, 13, 14. Gabimet gjithmonë e prishin marrëdhënien tonë me Perëndinë e vërtetë. Dhe atij nuk mund t’ia fshehim mëkatet. Por, nëse pendohemi vërtet dhe largohemi nga rruga e gabuar, do të rifitojmë miratimin e Jehovait dhe ai ‘do të na ngopë me dashamirësinë e tij’.

90:10, 12. Meqenëse jeta është e shkurtër, duhet «t’i numërojmë ditët tona». Si? Duke fituar «një zemër plot mençuri» ose duke treguar mençuri në mënyrë që të mos e shpërdorojmë kohën që na ka mbetur, por ta shfrytëzojmë në një mënyrë që i pëlqen Jehovait. Kjo kërkon që t’u japim përparësi interesave frymore dhe ta përdorim kohën me mençuri.​—Efesianëve 5:15, 16; Filipianëve 1:10.

90:17. Është më se e përshtatshme të lutemi që Jehovai ‘ta forcojë patundshmërisht veprën e duarve tona’ dhe të bekojë përpjekjet që bëjmë në shërbim.

92:14, 15. Duke studiuar me zell Fjalën e Perëndisë dhe duke u shoqëruar rregullisht me popullin e Jehovait, të moshuarit vazhdojnë të jenë «të bëshëm e të freskët», të fortë frymësisht, dhe mjaft të dobishëm për kongregacionin.

94:19. Cilido qoftë shkaku i ‘mendimeve turbulluese’, do të lehtësohemi nëse lexojmë dhe meditojmë për «ngushëllimet» që gjejmë në Bibël.

95:7, 8. Nëse i dëgjojmë këshillat e Biblës, u kushtojmë vëmendje dhe u bindemi me gatishmëri, kjo do të na ndihmojë që të mos na ngurtësohet zemra.​—Hebrenjve 3:7, 8.

106:36, 37. Këto vargje tregojnë se adhurimi i idhujve është si t’u bësh flijime demonëve. Kjo do të thotë se ai që përdor idhuj mund të vihet nën pushtetin e demonëve. Bibla na nxit: «Ruhuni nga idhujt.»​—1 Gjonit 5:21.

«Lëvdoni Jah!»

Tri këngët e fundit të librit të katërt të Psalmeve mbarojnë me thirrjen: «Lëvdoni Jah!» Me këto fjalë fillon edhe psalmi i fundit i këtij libri. (Psalmi 104:35; 105:45; 106:1, 48) Në të vërtetë, shprehja «Lëvdoni Jah!» del shpesh herë në librin e katërt të Psalmeve.

Sigurisht që kemi mjaft arsye për të lëvduar Jehovain. Psalmet 73​—106 na kanë dhënë shumë për të medituar, dhe kjo na e mbush zemrën me mirënjohje ndaj Atit tonë qiellor. Kur mendojmë për gjithë ato që ka bërë dhe do të bëjë për ne, a nuk na vjen të ‘lëvdojmë Jah’ me gjithë forcën tonë?

[Figura në faqen 10]

Ashtu si Asafi, t’i themi jo ligësisë duke ‘iu afruar Perëndisë’

[Figura në faqen 11]

Faraoni pëson humbje në Detin e Kuq

[Figura në faqen 11]

A e dini pse mana quhet ‘buka e atyre që janë më të fuqishëm se njerëzit’?

[Figura në faqen 13]

Çfarë na ndihmon t’i largojmë ‘mendimet turbulluese’?