«Sot po besoj se ka një Zot»
«Sot po besoj se ka një Zot»
NJË grua ukrainase me emrin Aleksandra, e cila jeton në Pragë, në Republikën Çeke, po kthehej nga puna. Në një stacion tramvaji vuri re një kuletë përtokë që po e shkelnin kalimtarët. Kur e mori kuletën dhe pa brenda, nuk u besoi syve. Ndodhej një tufë kartëmonedhash me vlerë 130 euro. Askush përreth nuk dukej se po e kërkonte kuletën. Meqë është një e huaj që jeton në Republikën Çeke, Aleksandra po kalonte një periudhë të vështirë për të siguruar bukën e gojës. Ç’do të bënte?
Pasi u kthye në shtëpi, Aleksandra ia tregoi kuletën vajzës, Viktorias. Ato kërkuan në kuletë për emrin dhe adresën e pronares, por më kot. Megjithatë në kuletë ndodhej një copë letër ku ishin shkruar disa numra. Në njërën anë ishte shkruar një numër llogarie bankare, ndërsa në anën tjetër kishte numra të tjerë. Në kuletë kishte edhe udhëzime për një bankë vendëse dhe një shënim ku ishte shkruar «330.000 korona» (rreth 8.000 euro). Në kuletë ndodhej e gjithë kjo shumë parash.
Përpjekjet e Aleksandrës për t’i telefonuar bankës, nëpërmjet një numri që dukej si numër telefoni, dështuan. Prandaj ajo me vajzën shkuan në bankë dhe shpjeguan çfarë kishte ndodhur. Pyetën për numrin e llogarisë që kishin gjetur në kuletë, por në bankë nuk ishte regjistruar ky numër. Të nesërmen, Aleksandra u kthye me numrin tjetër që ndodhej në kuletë. Banka kishte vërtet një kliente me atë numër llogarie. Aleksandra dhe Viktoria u lidhën me gruan dhe ajo ua vërtetoi që kishte humbur paratë. Kur më në fund u takuan, gruaja i falënderoi me ngrohtësi dhe i pyeti: «Me çfarë kushtesh po m’i ktheni paratë?»
Viktoria u përgjigj: «Pa asnjë kusht. Po t’i donim ato para, do t’i kishim mbajtur.» Në një gjuhë çeke të kufizuar, ajo shpjegoi: «Po jua kthejmë paratë sepse jemi Dëshmitarë të Jehovait. Ndërgjegjja jonë e stërvitur sipas Biblës nuk na lejon të mbajmë diçka që nuk na përket.» (Hebrenjve 13:18) Gruaja tha e gëzuar: «Sot po besoj se ka një Zot.»