Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të përqendrohemi te të mirat e organizatës së Jehovait

Të përqendrohemi te të mirat e organizatës së Jehovait

Të përqendrohemi te të mirat e organizatës së Jehovait

«Pa dyshim do të ngopemi me të mirat e shtëpisë sate.»—PSALMI 65:4.

1, 2. (a) Si do të ndikonin te populli i Perëndisë tempulli dhe puna që do të kryhej atje? (b) Ç’masa mori Davidi për ndërtimin e tempullit?

DAVIDI i Izraelit të lashtë është një nga njerëzit më të spikatshëm për të cilët flitet në Shkrimet Hebraike. Ky bari, muzikant, profet dhe mbret kishte besim të plotë te Perëndia Jehova. Lidhja e fortë që kishte me Jehovain, i ngjalli dëshirën Davidit për t’i ndërtuar Atij një shtëpi. Kjo shtëpi ose tempull do të bëhej qendra e adhurimit të vërtetë në Izrael. Davidi e dinte se tempulli dhe puna që do të kryhej atje, do t’i sillte gëzim e bekime popullit të Perëndisë. Prandaj, këndoi: «Lum ai që ti [Jehova] e zgjedh dhe e afron që të rrijë në oborret e tua. Pa dyshim do të ngopemi me të mirat e shtëpisë sate dhe të vendit të shenjtë të tempullit tënd.»—Psalmi 65:4.

2 Davidi nuk u lejua të mbikëqyrte ndërtimin e shtëpisë së Jehovait. Ky privilegj ishte ruajtur për birin e tij, Solomonin. Por Davidi nuk murmuriti për shkak se privilegji që ai e dëshironte me kaq zjarr iu dha dikujt tjetër. Për të, më e rëndësishmja ishte që tempulli të ndërtohej. E mbështeti me gjithë zemër projektin, duke ia kaluar Solomonit planet arkitekturore që kishte marrë nga Jehovai. Për më tepër, Davidi i organizoi mijëra levitët në grupe për të kryer shërbime të ndryshme dhe dhuroi një sasi shumë të madhe ari e argjendi për ndërtimin e tempullit.—1 Kronikave 17:1, 4, 11, 12; 23:3-6; 28:11, 12; 29:1-5.

3. Ç’qëndrim kanë shërbëtorët e Perëndisë ndaj masave për adhurimin e vërtetë?

3 Izraelitët besnikë i mbështetnin masat e marra për adhurimin e vërtetë në shtëpinë e Perëndisë. Edhe ne sot, si shërbëtorë të Jehovait, i mbështetim masat për adhurim që janë marrë në pjesën tokësore të organizatës së Jehovait. Me këtë, tregojmë se kemi të njëjtin qëndrim mendor si Davidi. Nuk kemi frymën e ankesës. Jo, ne përqendrohemi te të mirat e organizatës së Perëndisë. A keni menduar ndonjëherë për tërë ato të mira që gëzojmë, e për të cilat mund të jemi vërtet mirënjohës? Le të shqyrtojmë disa prej tyre.

Mirënjohës për ata që marrin drejtimin

4, 5. (a) Si e përmbush detyrën e tij «skllavi i besueshëm dhe i matur»? (b) Si janë ndier disa Dëshmitarë për ushqimin frymor që marrin?

4 Kemi arsye të vlefshme për të qenë mirënjohës për ‘skllavin e besueshëm e të matur’ që Jezu Krishti e ka emëruar mbi zotërimet e veta në tokë. Klasa e skllavit, e përbërë nga të krishterë të mirosur nga fryma, merr drejtimin në predikimin e lajmit të mirë, organizon mbledhjet për adhurim dhe boton literaturë biblike në më shumë se 400 gjuhë. Miliona njerëz anembanë tokës marrin me mirënjohje nga ky «ushqim [frymor] në kohën e duhur». (Mateu 24:45-47) S’ka as edhe një arsye për të murmuritur kundër këtij ushqimi.

5 Për shumë vjet, Elfin, një e moshuar që është Dëshmitare e Jehovait, e kanë ngushëlluar dhe e kanë mbështetur këshillat biblike që gjenden në botimet e klasës së skllavit. Me një çmueshmëri të thellë, Elfi shkroi: «Ç’do të bëja pa organizatën e Jehovait?» Edhe Petri e Irmgarda kanë dhjetëra vjet që janë shërbëtorë të Perëndisë. Irmgarda është mirënjohëse për të gjitha botimet që vijnë nga «organizata e dashur dhe e vëmendshme e Jehovait». Ndër to përfshihen edhe botimet e bëra enkas për njerëzit me nevoja të veçanta, si për shembull, individët që kanë kufizime në shikim e në dëgjim.

6, 7. (a) Si mbikëqyren veprimtaritë e kongregacioneve në mbarë botën? (b) Çfarë kanë thënë disa veta për pjesën tokësore të organizatës së Jehovait?

6 «Skllavi i besueshëm» përfaqësohet nga Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait, një grup i vogël burrash të mirosur nga fryma, që shërbejnë në selinë qendrore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork. Trupi Udhëheqës emëron shërbëtorë të Jehovait me përvojë që të shërbejnë në zyrat e degëve, të cilat mbikëqyrin veprimtaritë e më shumë se 98.000 kongregacioneve në mbarë botën. Burrat që plotësojnë kërkesat biblike emërohen si pleq e shërbëtorë ndihmës në këto kongregacione. (1 Timoteut 3:1-9, 12, 13) Pleqtë marrin drejtimin dhe e kullotin me dashuri kopenë e Perëndisë që u është lënë nën kujdes. Ç’bekim është të jemi pjesë e kësaj kopeje dhe të provojmë dashurinë e unitetin që ekziston në «gjithë vëllazërinë»!—1 Pjetrit 2:17; 5:2, 3.

7 Në vend që të ankohen, shpesh individët shprehin çmueshmërinë për udhëheqjen e dashur frymore që marrin nga pleqtë e kongregacionit. Le të shohim rastin e Birgitës, një grua e krishterë në të 30-at. Kur ishte adoleshente, ajo u përzie në shoqëri të këqija dhe për pak sa s’mëkatoi. Por këshillat e qarta biblike të pleqve dhe mbështetja e bashkëbesimtarëve e ndihmuan që të dilte nga ajo situatë e rrezikshme. Si ndihet tani Birgita? Ajo thotë: «Jam shumë mirënjohëse që ende i përkas organizatës së mrekullueshme të Jehovait.» Një 17-vjeçar me emrin Andreas thotë: «Kjo është vërtet organizata e Jehovait, më e mira në botë.» A nuk duhet të jemi mirënjohës për të mirat e pjesës tokësore të organizatës së Jehovait?!

Ata që marrin drejtimin janë të papërsosur

8, 9. Si vepruan disa njerëz në kohën e Davidit dhe si reagoi ai ndaj sjelljes së tyre?

8 Natyrisht, ata që emërohen për të marrë drejtimin në adhurimin e vërtetë janë të papërsosur. Që të gjithë bëjnë gabime e disa prej tyre kanë pika të dobëta me të cilat vazhdojnë të luftojnë për t’i mbajtur nën kontroll. A duhet të na shqetësojë kjo? Jo. Edhe në Izraelin e lashtë, disa individë të cilëve u ishin besuar shumë përgjegjësi, bënë gabime të rënda. Për shembull, kur Davidi ishte ende i ri, e thirrën si muzikant për të qetësuar mbretin e trazuar Saul. Pak më vonë, Sauli u orvat ta vriste Davidin, të cilit iu desh të arratisej për të shpëtuar jetën.—1 Samuelit 16:14-23; 18:10-12; 19:18; 20:32, 33; 22:1-5.

9 Edhe izraelitë të tjerë u sollën me pabesi. Për shembull, Joabi, komandanti i ushtrisë së Davidit, vrau Abnerin, të afërmin e Saulit. Absalomi bëri komplot kundër të atit, Davidit, për t’i marrë mbretërinë. Davidin e tradhtoi edhe këshilltari i tij i besuar, Ahithofeli. (2 Samuelit 3:22-30; 15:1-17, 31; 16:15, 21) E megjithatë, Davidi nuk nisi të ankohej i mbushur me mllef dhe as i ktheu krahët adhurimit të vërtetë. Madje ndodhi e kundërta. Vështirësitë e bënë Davidin të kapej fort pas Jehovait dhe të mbante qëndrimin e shkëlqyer që kishte kur u arratis për shkak të Saulit. Atëherë, Davidi kishte kënduar: «Jepmë hir, o Perëndi, jepmë hir, sepse te ti është strehuar shpirti im dhe në hijen e krahëve të tu strehohem derisa të kalojnë mundimet.»—Psalmi 57:1.

10, 11. Çfarë përvoje pati kur ishte e re, një e krishterë me emrin Gertruda, dhe çfarë tha ajo për papërsosmëritë e bashkëbesimtarëve?

10 Nuk kemi asnjë arsye të ankohemi se ka pabesi në organizatën e Perëndisë sot. As Jehovai, as engjëjt e tij dhe as barinjtë frymorë nuk e tolerojnë në kongregacionin e krishterë praninë e njerëzve të pabesë e të ligj. Megjithatë, të gjithë përballemi me papërsosmërinë njerëzore, tonën dhe të shërbëtorëve të tjerë të Perëndisë.

11 Kur Gertruda, një adhuruese e Jehovait prej shumë kohësh, ishte e re, e akuzuan padrejtësisht se ishte mashtruese dhe nuk ishte lajmëtare e Mbretërisë në kohë të plotë. Si reagoi ajo? A murmuriti për këtë trajtim që i bënë? Jo. Pak para se të vdiste në vitin 2003, në moshën 91-vjeçare, Getruda mendoi për jetën e saj dhe shpjegoi: «Këto përvoja, si edhe të tjera të mëvonshme, më mësuan se, pavarësisht nga gabimet që bëjnë individët, është Jehovai që e drejton veprën e tij madhështore, në të cilën na përdor ne njerëzit e papërsosur.» Kur u përball me papërsosmëritë e shërbëtorëve të tjerë të Perëndisë, Gertruda iu drejtua Jehovait në lutje të përzemërta.

12. (a) Ç’shembull të keq lanë disa të krishterë në shekullin e parë? (b) Ku duhet t’i përqendrojmë mendimet?

12 Edhe i krishteri më besnik e më i përkushtuar prapëseprapë është i papërsosur, prandaj, kur një shërbëtor i emëruar bën një gabim, le të vazhdojmë të bëjmë «çdo gjë pa murmuritje». (Filipianëve 2:14) Sa e trishtueshme do të ishte po të ndiqnim shembullin e keq të disave në kongregacionin e krishterë të shekullit të parë! Sipas asaj që na thotë dishepulli Judë, mësuesit e rremë të atyre ditëve ‘shpërfillnin autoritetin sundues dhe shanin të lavdishmit’. Për më tepër, ata keqbërës ishin ‘njerëz që murmuritnin, që ankoheshin për shortin e tyre në jetë’. (Juda 8, 16) Mos ndjekshim kurrë shtegun e atyre që murmuritin e ankohen! Le t’i përqendrojmë mendimet te gjërat e shkëlqyera që marrim nga «skllavi i besueshëm». T’i vlerësojmë të mirat e organizatës së Jehovait dhe ‘të vazhdojmë të bëjmë çdo gjë pa murmuritje’.

«Ky i folur është tronditës!»

13. Si reaguan disa veta për disa mësime të Jezu Krishtit?

13 Disa në shekullin e parë murmuritën kundër shërbëtorëve të emëruar, kurse disa të tjerë murmuritën kundër mësimeve të Jezuit. Siç e lexojmë te Gjoni 6:48-69, Jezui tha: «Ai që ushqehet me mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përhershme.» Kur dëgjuan këto fjalë, «shumë nga dishepujt e tij thanë: ‘Ky i folur është tronditës! Kush mund ta dëgjojë?’» Jezui e dinte se «dishepujt po murmuritnin për këtë». Madje, «për këtë arsye, shumë dishepuj iu kthyen gjërave që kishin lënë prapa dhe nuk ecën më me të». Por jo të gjithë dishepujt murmuritën. Shikoni çfarë ndodhi kur Jezui pyeti 12 apostujt: «Mos doni të shkoni edhe ju?» Apostulli Pjetër u përgjigj: «Zotëri, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përhershme dhe ne kemi besuar dhe kemi arritur të njohim se ti je i Shenjti i Perëndisë.»

14, 15. (a) Pse disa veta ngelen të pakënaqur për ndonjë aspekt të mësimeve të krishtere? (b) Ç’mësojmë nga rasti i Emanuelit?

14 Në kohët e sotme, një numër shumë i vogël njerëzish në popullin e Perëndisë kanë shfaqur pakënaqësi për disa aspekte të mësimeve të krishtere. Për shkak të kësaj, ata kanë murmuritur kundër pjesës tokësore të organizatës së Jehovait. Pse ndodh kjo? Shpesh, këto murmuritje vijnë nga mungesa e kuptueshmërisë për mënyrën se si i bën gjërat Perëndia. Krijuesi ia zbulon dalëngadalë të vërtetën popullit të tij. Prandaj, kohë pas kohe, kuptueshmëria jonë për Shkrimet ka nevojë të rafinohet. Pjesa më e madhe e popullit të Jehovait gëzohet për këto rafinime. Kurse disa bëhen ‘të drejtë së tepërmi’ dhe ngelen të pakënaqur nga ndryshimet. (Eklisiastiu 7:16) Këtu mund të ketë gisht krenaria ose disa të tjerë bien në grackën e të menduarit në mënyrë të pavarur. Cilado qoftë arsyeja, këto murmuritje janë të rrezikshme, pasi mund të na bëjnë të kthehemi në botë dhe në udhët e saj.

15 Për shembull, Emanueli ishte një Dëshmitar i cili kritikoi disa gjëra që lexoi në botimet e ‘skllavit të besueshëm e të matur’. (Mateu 24:45) Kështu, nuk e lexoi më literaturën tonë dhe së fundi u tha pleqve të kongregacionit të tij se nuk dëshironte më të ishte Dëshmitar i Jehovait. Por, brenda një kohe të shkurtër, Emanueli e kuptoi se, në të vërtetë, mësimet e organizatës së Jehovait ishin të sakta. Ai i gjeti përsëri Dëshmitarët, pranoi gabimin e tij dhe u rivendos si Dëshmitar i Jehovait. Si rrjedhim u bë përsëri një njeri i lumtur.

16. Çfarë mund të na ndihmojë të kapërcejmë dyshimet për ndonjë mësim të krishterë?

16 Po sikur të tundohemi që të murmuritim sepse kemi dyshime për disa mësime të organizatës së Jehovait? Pikësëpari, të mos tregohemi të paduruar. Me kalimin e kohës «skllavi i besueshëm» mund të botojë diçka që u përgjigjet pyetjeve tona dhe na i qartëson dyshimet. Është e mençur t’u kërkojmë ndihmë pleqve të krishterë. (Juda 22, 23) Një ndihmë tjetër janë lutjet, studimi personal dhe shoqërimi me bashkëbesimtarë që kanë mendje frymore. Këto gjëra mund të na ndihmojnë të heqim dyshimet dhe të thellojmë çmueshmërinë për të vërtetat biblike besimforcuese që kemi mësuar me anë të kanalit të komunikimit që përdor Jehovai.

Të mbajmë një frymë pozitive

17, 18. Në vend që të murmuritim, cilin qëndrim duhet të kemi dhe përse?

17 Kuptohet, njerëzit e papërsosur kanë prirjen e trashëguar për të mëkatuar dhe disa kanë një prirje të fortë për t’u ankuar pa vend. (Zanafilla 8:21; Romakëve 5:12) Por, nëse murmuritja na bëhet ves, do të vëmë në rrezik marrëdhënien që kemi me Perëndinë Jehova. Prandaj, duhet të frenojmë çfarëdo prirjeje për të murmuritur.

18 Në vend që të murmuritim për gjërat në kongregacion, bëjmë mirë të mbajmë një qëndrim pozitiv dhe të ndjekim një program që na ndihmon të jemi të zënë me punë, të gëzuar, me frikë Perëndie, të ekuilibruar dhe të shëndoshë në besim. (1 Korintasve 15:58; Titit 2:1-5) Jehovai e ka nën kontroll të plotë çdo gjë në organizatën e tij dhe Jezui i di zhvillimet që po ndodhin në çdo kongregacion, siç i dinte edhe në shekullin e parë. (Zbulesa 1:10, 11) Le të presim me durim Perëndinë dhe Krishtin, Kreun e kongregacionit. Ata mund të përdorin pleqtë përgjegjës për të ndrequr gjërat që ndoshta kanë nevojë për rregullim.—Psalmi 43:5; Kolosianëve 1:18; Titit 1:5.

19. Ku duhet ta përqendrojmë vëmendjen derisa Mbretëria të marrë plotësisht nën kontroll çështjet e njerëzimit?

19 Së shpejti, ky sistem i lig do të marrë fund dhe Mbretëria Mesianike do të marrë plotësisht nën kontroll çështjet e njerëzimit. Deri atëherë, është shumë e rëndësishme që secili prej nesh të mbajë një frymë pozitive. Kjo do të na ndihmojë të dallojmë virtytet e bashkëbesimtarëve, në vend që të përqendrohemi te mangësitë e tyre. Do të jemi të lumtur po të përqendrohemi tek aspektet e mira të personalitetit të tyre. Nuk do të jemi të sfilitur emocionalisht për shkak të murmuritjeve, por do të inkurajohemi e do të ndërtohemi frymësisht.

20. Çfarë bekimesh do të kemi, duke pasur një qëndrim pozitiv?

20 Fryma pozitive do të na japë mundësi edhe të mbajmë në mend bekimet e shumta që kemi ngaqë shoqërohemi me pjesën tokësore të organizatës së Jehovait. Kjo është e vetmja organizatë në botë që i qëndron besnike Sovranit të universit. Si ndiheni ju për këtë dhe për privilegjin që të adhuroni të vetmin Perëndi të vërtetë, Jehovain? Qëndrimi juaj qoftë si ai i Davidit, i cili këndoi: «O Dëgjues i lutjes, te ti do të vijë çdo njeri. Lum ai që ti e zgjedh dhe e afron që të rrijë në oborret e tua. Pa dyshim do të ngopemi me të mirat e shtëpisë sate.»—Psalmi 65:2, 4.

A ju kujtohet?

• Pse duhet të jemi mirënjohës për ata që marrin drejtimin në kongregacion?

• Cili duhet të jetë reagimi ynë, kur vëllezërit përgjegjës bëjnë gabime?

• Si duhet t’i shohim rafinimet në kuptueshmërinë për Shkrimet?

• Çfarë mund ta ndihmojë një të krishterë që të kapërcejë dyshimet?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 20]

Davidi i dha Solomonit planet e ndërtimit të tempullit dhe e mbështeti me gjithë zemër adhurimin e vërtetë

[Figura në faqen 23]

Pleqtë e krishterë japin me kënaqësi ndihmë frymore