Frikësoju Jehovait: Ji i lumtur!
Frikësoju Jehovait: Ji i lumtur!
«Lum ai që ka frikë nga Jehovai!»—PSALMI 112:1.
1, 2. Çfarë mund të sjellë frika nga Jehovai?
LUMTURIA nuk gjendet lehtësisht. Lumturia e vërtetë arrihet duke bërë zgjedhjet e duhura, duke bërë atë që është e drejtë e duke u larguar nga gjërat e gabuara. Jehovai, Bërësi ynë, na ka dhënë Fjalën e tij, Biblën, që të na mësojë të jetojmë sa më mirë. Duke kërkuar e duke ndjekur drejtimin e Jehovait, pra duke iu frikësuar atij, mund të jemi vërtet të kënaqur e të lumtur.—Psalmi 23:1; Proverbat 14:26.
2 Në këtë artikull do të shqyrtojmë shembuj të kohëve biblike dhe të sotme, që tregojnë se si frika e vërtetë nga Perëndia na jep forcë që t’i kundërvihemi presionit për të bërë atë që është e gabuar dhe guxim që të bëjmë ç’është e drejtë. Do të shohim se frika nga Perëndia mund të na sjellë lumturi, duke na nxitur të ndreqim rrugën e gabuar, siç iu desh të bënte mbretit David. Do të shohim edhe se frika nga Jehovai është vërtet një trashëgimi e çmuar që prindërit mund t’ua kalojnë fëmijëve të tyre. Po, Fjala e Perëndisë na siguron: «Lum ai që ka frikë nga Jehovai!»—Psalmi 112:1.
Rifitojnë lumturinë që kishin humbur
3. Çfarë e ndihmoi Davidin që ta merrte veten nga mëkatet e tij?
3 Si shqyrtuam në artikullin e mëparshëm, në tri raste shumë të njohura, Davidi nuk tregoi frikën e duhur nga Perëndia dhe mëkatoi. Por, reagimi i tij ndaj disiplinës që i dha Jehovai, tregoi se në thelb ishte një njeri me frikë Perëndie. Respekti dhe nderimi që ndiente për Perëndinë, e shtyu të pranonte fajin, të ndreqte rrugën e tij dhe të rivendoste një marrëdhënie të mirë me Të. Ndonëse gabimet që bëri i sollën vuajtje atij dhe të tjerëve, pendimi i sinqertë e ndihmoi që të kishte vazhdimisht ndihmën dhe bekimin e Jehovait. Shembulli i Davidit me siguri mund t’u japë guxim atyre të krishterëve që mund të kryejnë ndonjë mëkat të rëndë sot.
4. Si mund ta ndihmojë dikë frika nga Perëndia që të rifitojë lumturinë?
* Edhe pse shërbente si ungjillëzuese në kohë të plotë, Sonja ra në shoqëri të keqe, u përfshi në sjellje jo të krishterë dhe u përjashtua nga kongregacioni. Por ajo erdhi në vete dhe bëri gjithçka të nevojshme për ta rregulluar marrëdhënien e saj me Jehovain. Pas njëfarë kohe u rivendos në kongregacion. Gjatë gjithë asaj periudhe, Sonja nuk e humbi kurrë dëshirën për t’i shërbyer Jehovait. Më vonë hyri përsëri në radhët e pionierëve të rregullt, pastaj u martua me një plak të krishterë dhe tani shërben e lumtur bashkë me të në kongregacion. Edhe pse i vjen keq që u shmang për pak kohë nga shtegu i krishterë, Sonja është e lumtur që frika nga Perëndia e ndihmoi të kthehej prapë aty.
4 Le të shqyrtojmë rastin e Sonjës.Më mirë të vuash, se të mëkatosh
5, 6. Shpjegoni si dhe përse Davidi ia kurseu dy herë jetën Saulit.
5 Natyrisht, është shumë më mirë kur frika nga Perëndia e ndihmon dikë që ta shmangë mëkatin. Kjo doli e vërtetë në rastin e Davidit. Një herë, kur Sauli ishte në ndjekje të Davidit bashkë me tre mijë ushtarë, hyri në një shpellë ku ishte fshehur edhe Davidi me njerëzit e tij. Këta e nxitën Davidin që ta vriste Saulin. A s’po ia jepte vetë Jehovai në dorë këtë armik të betuar? Pa u ndier, Davidi u zvarrit deri te Sauli dhe i preu cepin e rrobës. Por, ngaqë i frikësohej Perëndisë, edhe ky veprim i padëmshëm ia vrau ndërgjegjen Davidit. Ai i shpërndau me këto fjalë njerëzit e tij të acaruar: «Duke e ditur pikëpamjen e Jehovait, nuk më shkon kurrë ndër mend që t’ia bëj këtë gjë zotërisë tim, të mirosurit të Jehovait.» *—1 Samuelit 24:1-7.
6 Në një rast tjetër më vonë, Sauli kishte ngritur kampin për të kaluar natën dhe, së bashku me njerëzit e vet, e kishte zënë «një gjumë i thellë i dërguar nga Jehovai». Davidi dhe nipi i tij trim, Abishai, shkuan vjedhurazi deri në mes të kampit dhe qëndruan pranë Saulit që flinte. Abishai donte ta hiqte qafe një herë e mirë. Por Davidi e ndali, duke i bërë këtë pyetje: «Kush është ai që ka shtrirë dorën kundër të mirosurit të Jehovait dhe ka mbetur i pafaj?»—1 Samuelit 26:9, 12.
7. Çfarë e ndali Davidin që të mos mëkatonte?
7 Pse nuk e vrau Davidi Saulin, kur iu dha rasti dy herë? Sepse i frikësohej Jehovait më shumë se Saulit. Për shkak të frikës së duhur nga Perëndia, Davidi ishte gati që më mirë të vuante, po të ishte e nevojshme, sesa të mëkatonte. (Hebrenjve 11:25) Kishte besim të plotë se Jehovai kujdesej për popullin e Tij dhe për të si individ. Davidi e dinte se po t’i bindej Perëndisë e po të kishte besim tek ai, do të kishte lumturi dhe shumë bekime, kurse po ta shpërfillte Perëndinë, do të humbiste miratimin e tij. (Psalmi 65:4) E dinte edhe se Perëndia do ta përmbushte premtimin e Tij për ta bërë mbret dhe do ta hiqte Saulin në kohën dhe në mënyrën e Tij.—1 Samuelit 26:10.
Frika nga Perëndia sjell lumturi
8. Si mund të jetë një shembull për ne sjellja e Davidit kur ishte nën presion?
8 Si të krishterë, ne presim tallje, përndjekje dhe sprova të tjera. (Mateu 24:9; 2 Pjetrit 3:3) Nganjëherë mund të kemi vështirësi edhe për shkak të bashkadhuruesve. Megjithatë, e dimë se Jehovai sheh gjithçka, i dëgjon lutjet tona dhe, në kohën e duhur, do t’i rregullojë gjërat në përputhje me vullnetin e tij. (Romakëve 12:17-21; Hebrenjve 4:16) Prandaj, në vend që të kemi frikë nga kundërshtarët, ne kemi frikë nga Perëndia dhe i mbajmë shpresat tek ai që të na çlirojë. Ashtu si Davidi, nuk hakmerremi dhe as bëjmë kompromis me parimet e drejta, vetëm për të shmangur vuajtjet. Në fund, kjo sjell lumturi. Si ka mundësi?
9. Jepni një shembull që tregon se si frika nga Perëndia mund të sjellë lumturi, pavarësisht nga përndjekja.
9 «Më vijnë në mendje një nënë dhe vajza e
saj adoleshente që, për shkak të asnjanësisë së krishterë, nuk pranuan të blinin teserat e partisë,—tregon një misionar i vjetër në Afrikë.—Ato u sulmuan egërsisht nga një turmë njerëzish, që pastaj u thanë të iknin në shtëpi. Rrugës nëna përpiqej të ngushëllonte të bijën që qante dhe që mundohej të kuptonte pse u kishte ndodhur kjo. Në atë kohë, patjetër që nuk ishin të gëzuara, por ama kishin një ndërgjegje të pastër. Më vonë, u ndien të lumtura që i ishin bindur Perëndisë. Sikur t’i kishin blerë teserat, turma do të ishte entuziazmuar. Do t’u kishin dhënë shishe me pije të gazuara e do t’i kishin shoqëruar gjithë rrugës për në shtëpi duke kërcyer përreth tyre. Por vajza dhe e ëma, duke ditur se kishin bërë kompromis, do të kishin qenë më të palumturat në botë.» Frika nga Perëndia u kishte kursyer këtë ndjesi të keqe.10, 11. Çfarë rezultatesh të mira erdhën ngaqë një grua iu frikësua Perëndisë?
10 T’i frikësohemi Perëndisë na bën të lumtur edhe kur ndeshemi me sprova që kanë të bëjnë me respektin për shenjtërinë e jetës. Kur Meri ishte shtatzënë me fëmijën e tretë, mjeku e këshilloi të dështonte. «Situata jote është e rrezikshme,—i tha.—Mund të kesh ndërlikime në çdo moment dhe të vdesësh brenda 24 orëve. Ama kështu do të vdiste edhe fëmija që ke në bark. Sidoqoftë, nuk ka asnjë siguri që fëmija do të lindë normal.» Meri po studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, por ende nuk ishte pagëzuar. «Gjithsesi,—thotë ajo,—kisha vendosur t’i shërbeja Jehovait dhe doja me çdo kusht t’i bindesha atij, të ndodhte ç’të ndodhte.»—Dalja 21:22, 23.
11 Në vazhdim të shtatzënisë, Meri vazhdoi të studionte Biblën dhe të kujdesej për familjen. Së fundi, fëmija lindi. «Lindja ishte pak më e vështirë se dy të parat, por nuk pati ndërlikime të rënda»,—tregon Meri. Frika nga Perëndia e ndihmoi Merin që të mbante ndërgjegje të pastër dhe s’kaloi shumë e u pagëzua. Ndërsa fëmija rritej, edhe ai mësoi t’i frikësohej Jehovait dhe tani shërben në një zyrë dege të Dëshmitarëve të Jehovait.
‘Merrni forcë me anë të Jehovait’
12. Si e forcoi Davidin frika nga Perëndia?
12 Frika nga Jehovai nuk e ndihmoi Davidin vetëm që të mos bënte të keqen. E forcoi edhe që të vepronte me vendosmëri e me mençuri në rrethana të vështira. Për një vit e katër muaj, Davidi dhe njerëzit e tij u strehuan në Ziklag, një zonë fushore filistine, për t’i shpëtuar Saulit. (1 Samuelit 27:5-7) Një herë, kur burrat ishin larg, disa banda amalekitësh e dogjën qytetin dhe morën me vete gratë, fëmijët dhe bagëtinë. Kur u kthyen dhe panë ç’kishte ndodhur, Davidi dhe burrat që ishin me të, qanë. S’kaloi shumë dhe hidhërimi u kthye në zemërim, aq sa burrat që ishin me Davidin donin ta vritnin me gurë. Edhe pse ishte i brengosur, Davidi nuk u shkurajua. (Proverbat 24:10) Frika nga Perëndia e nxiti që t’i drejtohej atij në lutje dhe ‘mori forcë me anë të Jehovait’. Me ndihmën e Perëndisë, Davidi dhe burrat që ishin me të i arritën amalekitët dhe morën përsëri gjërat që u përkitnin.—1 Samuelit 30:1-20.
13, 14. Si e ndihmoi një të krishterë frika nga Perëndia që të merrte vendime të mira?
13 Edhe sot shërbëtorët e Perëndisë hasin situata ku u kërkohet të kenë besim te Jehovai dhe guxim për të vepruar me vendosmëri. Për shembull, shqyrtoni rastin e Kristinës. Kur ishte e vogël, ajo studioi Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Por donte të bëhej pianiste e të jepte koncerte dhe tashmë kishte bërë mjaft përparim në këtë drejtim. Për më tepër, kishte turp të predikonte, prandaj kishte frikë të pranonte përgjegjësitë që do të vinin me pagëzimin. Por, ndërsa vazhdonte të studionte Fjalën e Perëndisë, Kristina filloi të ndiente fuqinë e saj. Po mësonte t’i frikësohej Jehovait dhe e kuptoi se ai pret nga shërbëtorët e tij ta duan me gjithë zemrën, mendjen, shpirtin dhe forcën e tyre. (Marku 12:30) Kjo e nxiti t’i kushtohej Jehovait dhe të pagëzohej.
14 Kristina i kërkoi ndihmë Jehovait që të
bënte përparim frymësisht. «E dija se jeta si pianiste përfshin udhëtime të vazhdueshme dhe kontrata për të bërë deri në 400 koncerte në vit,—shpjegon Kristina.—Kështu, vendosa që të bëhesha mësuese, për të mbajtur veten nga ana ekonomike, dhe të shërbeja si ungjillëzuese në kohë të plotë.» Në atë kohë, tashmë Kristina kishte programuar të jepte koncertin e saj të parë në sallën më të famshme të koncerteve në vendin e saj. «Koncerti im i parë u bë edhe i fundit për mua»,—tregon ajo. Më pas Kristina u martua me një plak të krishterë dhe tani shërbejnë së bashku në një zyrë dege të Dëshmitarëve të Jehovait. Ajo është e lumtur që Jehovai i dha forcën të merrte vendimet e duhura dhe që tani mund ta përdorë kohën dhe energjitë e saj në shërbim të tij.Një trashëgimi e çmuar
15. Çfarë donte t’u kalonte fëmijëve të tij Davidi, dhe si e bëri këtë?
15 Davidi shkroi: «Ejani, bijtë e mi, e më dëgjoni! Unë do t’ju mësoj të keni frikë nga Jehovai.» (Psalmi 34:11) Si baba, Davidi ishte i vendosur t’u kalonte fëmijëve të tij një trashëgimi të çmuar: frikën e shëndetshme, të vërtetë dhe të ekuilibruar nga Jehovai. Me fjalë e me vepra, Davidi e portretizoi Jehovain jo si një Perëndi kërkues e të frikshëm, gati për të kapur kush shkel ligjet e Tij, por si një Atë të dashur, të dhembshur e që i fal fëmijët e Tij njerëzorë. «E kush mund t’i mbajë llogari hapat e gabuar?»—pyeti Davidi. Pastaj, duke treguar sigurinë e tij se Jehovai nuk heton orë e minutë gabimet që bëjmë, shtoi: «Më mbaj larg gjërave që s’i vë re!» Davidi ishte i sigurt se, po të përpiqej në maksimum, fjalët dhe mendimet e tij do të ishin të pranueshme për Jehovain.—Psalmi 19:12, 14, Byington.
16, 17. Si mund t’ua mësojnë prindërit fëmijëve frikën nga Jehovai?
16 Davidi është shembull për prindërit sot. Ralfi, që shërben bashkë me vëllanë e tij në një zyrë dege të Dëshmitarëve të Jehovait, thotë: «Prindërit na rritën në një mënyrë që na e bëri të këndshme të ishim në të vërtetën. Kur ishim të vegjël, na përfshinin në bisedat e tyre për veprimtaritë e kongregacionit dhe na u ngjit edhe neve entuziazmi i tyre për të vërtetën. Ndërsa rriteshim, ata na ngulitën bindjen se mund të bëjmë gjëra të dobishme në shërbim të Jehovait. Në fakt, për disa vjet, familja jonë jetoi në një vend ku ka shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë dhe ndihmoi për formimin e kongregacioneve të reja.
17 Ajo që na ndihmoi të qëndronim në shtegun e drejtë nuk ishte një listë me rregulla të ftohta, por fakti që, për prindërit tanë, Jehovai ishte real dhe shumë, shumë i dashur e i mirë. Ata përpiqeshin ta njihnin sa më mirë Jehovain e t’i pëlqenin atij, dhe ne mësuam nga frika e tyre e pastër ndaj Perëndisë dhe nga dashuria që kishin për të. Edhe kur bënim ndonjë gabim, prindërit nuk na bënin të ndiheshim sikur Jehovai s’na donte më; as na vinin kufizime të ashpra, në zemërim e sipër. Në shumicën e rasteve, uleshin bashkë me ne dhe na flitnin, nganjëherë mamaja edhe me lot në sy, duke u përpjekur të na preknin zemrën. Dhe ia arritën. Nga fjalët dhe veprat e prindërve tanë, mësuam se frika nga Jehovai është diçka e bukur dhe se të jesh një Dëshmitar i tij është gëzim e kënaqësi, jo një barrë.»—1 Gjonit 5:3.
18. Çfarë do të fitojmë duke iu frikësuar Perëndisë së vërtetë?
18 Ndër «fjalët e fundit të Davidit» lexojmë: «Kur ai që sundon mbi njerëzit është i drejtë dhe sundon me frikë Perëndie, kjo është si drita e mëngjesit kur shkëlqen dielli.» (2 Samuelit 23:1, 3, 4) Solomoni, biri i Davidit që e pasoi në fron, me sa duket e kuptoi thelbin e këtyre fjalëve, sepse i kërkoi Jehovait t’i jepte «një zemër të bindur» dhe aftësinë «për të dalluar të mirën nga e keqja». (1 Mbretërve 3:9) Solomoni e kuptoi se rruga më e mençur e që të sjell lumturi, është t’i frikësohesh Jehovait. Më vonë, ai e përmblodhi librin e Eklisiastiut me këto fjalë: «Përfundimi i çështjes, pasi është dëgjuar çdo gjë, është: frikësoju Perëndisë së vërtetë dhe përmbushi urdhërimet e tij. Sepse ky është tërë detyrimi i njeriut. Sepse Perëndia i vërtetë do të gjykojë çdo lloj vepre dhe çdo gjë të fshehur, qoftë kjo e mirë ose e keqe.» (Eklisiastiu 12:13, 14) Nëse ia vëmë veshin kësaj këshille, do të shohim vërtet se «fryti i përulësisë dhe frika nga Jehovai» jo vetëm që na bën të mençur e na sjell lumturi, por është «pasuri, lavdi dhe jetë».—Proverbat 22:4.
19. Çfarë do të na ndihmojë të kuptojmë «frikën nga Jehovai»?
19 Nga shembujt biblikë dhe përvojat e ditëve tona, kuptojmë se frika e duhur nga Perëndia luan rol pozitiv në jetën e shërbëtorëve të tij të vërtetë. Kjo frikë jo vetëm që na pengon të bëjmë gjëra që i shkaktojnë pakënaqësi Atit tonë qiellor, por mund të na japë edhe guximin të përballemi me kundërshtarët dhe forcën që të durojmë sprovat e vështirësitë që na dalin. Prandaj, të rinj e të moshuar, le të ushtrohemi me zell në studimin e Fjalës së Perëndisë, meditimin rreth asaj që mësojmë dhe t’i afrohemi Jehovait në lutje rregullisht e me gjithë zemër! Duke vepruar kështu, jo vetëm që do të gjejmë «njohurinë e Perëndisë», por edhe do të kuptojmë «frikën nga Jehovai».—Proverbat 2:1-5.
[Shënimet]
^ par. 4 Emrat janë ndryshuar.
^ par. 5 Kjo mund të ketë qenë një nga përvojat që e shtynë Davidin të kompozonte Psalmin 57 dhe 142.
A mund të shpjegoni?
Në ç’mënyrë frika nga Perëndia
• mund ta ndihmojë dikë që të marrë veten nga një mëkat i rëndë?
• mund të na sjellë lumturi kur hasim sprova e përndjekje?
• mund të na forcojë të bëjmë vullnetin e Perëndisë?
• mund të jetë një trashëgimi e çmuar për fëmijët tanë?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 26]
Frika nga Jehovai e ndali Davidin që të mos e godiste mbretin Saul
[Figurat në faqen 29]
Frika nga Perëndia është një trashëgimi e çmuar që prindërit mund t’ua kalojnë fëmijëve të tyre