Grathorja dhe përkushtimi ndaj Perëndisë
Grathorja dhe përkushtimi ndaj Perëndisë
LUIGJI IX, mbreti i Francës, mbante një të tillë. Sër Tomas Mori, kur ishte i ri dhe studionte për juridik, për disa muaj, arrinte ta largonte gjumin me anë të saj për 19 a 20 orë në ditë. Madje thuhet se e mbajti këtë për pjesën më të madhe të jetës së tij. E kur Tomas Beketi, kryepeshkopi i Kantërbërit, u vra në katedralen e Kantërbërit, ia gjetën të veshur nën rroba. Çfarë kishin të përbashkët këto personazhe historike? E mundonin trupin e tyre duke veshur një grathore.
Grathorja ishte një zhgun prej pëlhure të ashpër me qime dhie, e cila vishej në mish, me qëllim që të gërvishtte lëkurën, të acaronte mishin dhe të shkaktonte bezdi gjatë gjithë kohës. Madje shumë kollaj ajo mund të bëhej një hambar pleshtash. Thuhet se Tomas Beketi mbajti një grathore bashkë me benevrekë të të njëjtit material, derisa «u mbushën plot me pleshta». Pas shekullit të 16-të, në vend të qimeve të dhisë, nganjëherë njerëzit përdornin tel me gjemba që i kishte majat të drejtuara nga trupi. Një grathore e tillë i shkaktonte edhe më shumë dhembje atij që e mbante.
Sipas një fjalori, qëllimi i grathores dhe i shumë mjeteve të tjera të tilla, ishte «të shtypte dëshirat mëkatare dhe ta ndihmonte individin të kishte një përkushtim më të madh fetar dhe të bënte një jetë të miratuar para Perëndisë». Grathoren nuk e vishnin vetëm asketët. Dihet që e kanë përdorur edhe besimtarë të thjeshtë, duke përfshirë edhe njerëz me shumë pushtet. Edhe sot e kësaj dite, disa urdhra fetarë ende e praktikojnë këtë gjë.
A bëhet dikush më i përkushtuar ndaj Perëndisë duke mbajtur grathore ose duke hequr dorë me dashje nga disa gjëra a nevoja fizike? Jo, përkushtimi ndaj Perëndisë nuk varet nga këto praktika. Madje, apostulli Pavël foli kundër ‘trajtimit të ashpër të trupit’. (Kolosianëve 2:23) * Përkushtimi i vërtetë arrihet duke marrë njohuri për Perëndinë me anë të studimit të zellshëm të Fjalës së tij dhe duke e zbatuar në jetë këtë njohuri.
[Shënimi]
^ par. 5 Për të ditur më tepër për këtë çështje, shih Zgjohuni!, 8 tetor 1997, anglisht, «Pikëpamja e Biblës: A është asketizmi çelësi i mençurisë?»
[Burimet e figurave në faqen 32]
Mbreti Luigji IX, sipër: Nga libri Great Men and Famous Women; Tomas Beketi, në qendër: Nga libri Ridpath’s History of the World (Vol. IV); Tomas Mori, poshtë: Nga libri Heroes of the Reformation, 1904