Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Më në fund familja jonë bashkohet!

Më në fund familja jonë bashkohet!

Jetëshkrim

Më në fund familja jonë bashkohet!

TREGUAR NGA SUMIKO HIRANO

Kisha gjetur rrugën më të mirë në jetë dhe doja që edhe burri të bashkohej me mua. Do të kalonin 42 vjet derisa të ndodhte kjo.

U MARTUAM në vitin 1951, kur isha 21 vjeçe. Brenda katër vjetësh u bëmë me dy djem dhe dukej se ishim të bekuar në çdo aspekt.

Një ditë në vitin 1957, motra ime e madhe më tha që e kishte vizituar një misionare Dëshmitare e Jehovait. Megjithëse ishte budiste, filloi të studionte Biblën me këtë misionare dhe më ftoi edhe mua të filloja një studim biblik. Pranova. Në atë kohë shkoja në një kishë protestante, kështu që do të isha në gjendje të gjeja gabimet e Dëshmitarëve të Jehovait—ose të paktën kështu mendoja.

Shumë shpejt kuptova se sa pak dija nga Bibla. Aq pak sa e pyeta misionaren: «Kush është Jehovai?» Nuk e kisha dëgjuar kurrë këtë emër në kishën ku shkoja. Misionarja, Dafni Kuk (më vonë Petit), më tregoi Isainë 42:8, që pohon qartë se Jehova është emri i Perëndisë së Plotfuqishëm. Dafni u përgjigjej nga Bibla të gjitha pyetjeve të mia.

Të njëjtat pyetje ia bëra edhe pastorit tim. Ai më tha: «Të bësh pyetje është mëkat. Ti beso atë që të thonë.» Megjithëse nuk mendoja se të bëje pyetje ishte e gabuar, për gjashtë muaj, të dielave në mëngjes shkoja në kishë, kurse pasdite ndiqja mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait.

Si ndikoi kjo në martesën time?

Më rrëqethte ajo që po mësoja nga Bibla, dhe ia tregoja edhe Kazuhikos, burrit tim. Sa herë mbaroja studimin dhe mbledhjen, i tregoja çfarë kisha mësuar. Cili qe rezultati? Marrëdhënia jonë filloi të ftohej. Ai nuk donte që të bëhesha një Dëshmitare. Por të studioje Biblën ishte kaq bukur, sa nuk mund të hiqja dorë dhe vazhdova të shoqërohesha me Dëshmitarët.

Para se të nisesha për në mbledhje, i bëja Kazuhikos gjellët e preferuara, por, prapëseprapë, filloi të hante në restorante. Kur kthehesha nga mbledhja, nuk e gjeja me humor të mirë dhe as nuk donte të fliste. Pas dy-tri ditësh humori sikur i kthehej paksa, por pastaj vinte mbledhja tjetër.

Në këtë kohë u sëmura me tuberkuloz, sëmundje nga e cila kishin vdekur disa të afërm në familjen e burrit. Kazuhikos i hyri frika dhe më tha që kur të shërohesha, mund të bëja ç’të doja. Kërkesa ime e vetme ishte që të mos më pengonte të ndiqja mbledhjet e përjavshme. Ai pranoi.

M’u deshën gjashtë muaj që të shërohesha dhe, gjatë kësaj kohe, bëra një studim të thellë të Biblës. Kërkoja mospërputhje midis mësimeve të Dëshmitarëve, duke menduar se nëse gjeja sikur edhe një, do ta lija studimin. Nuk gjeta asnjë. Në vend të kësaj, kuptova më qartë gabimet e kishës protestante. Njoha dashurinë dhe drejtësinë e Jehovait e kuptova dobitë që vijnë kur jeton sipas ligjeve të tij.

Pasi u shërova, burri e mbajti fjalën dhe nuk më pengoi për të shkuar në mbledhje. Vazhdova të përparoja nga ana frymore dhe, në maj të vitit 1958, u pagëzova si Dëshmitare e Jehovait. Zemra ma donte që edhe familja ime të bashkohej me mua në adhurimin e Perëndisë së vërtetë.

Ndihmoj fëmijët nga ana frymore

Djemtë vinin gjithmonë me mua në mbledhje dhe në veprën e predikimit, e disa gjëra që ndodhën më bënë të kuptoja që po rriteshin në njohurinë e Biblës. Një ditë Masahiko, djali 6-vjeçar, po luante para shtëpisë. Papritur dëgjova një zhurmë të fortë dhe dikë që ulëriti. Një komshie hyri me vrap në shtëpinë time, duke thërritur më tha se djalin ma kishte shtypur makina. Kishte vdekur? U përpoqa të ruaja qetësinë dhe u turra me vrap përjashta. U drodha kur pashë biçikletën copë-copë, por pas kësaj pashë djalin që po vinte drejt meje. Ishte vrarë vetëm pak. Më shtrëngoi fort dhe më pyeti: «Mami, ishte Jehovai ai që më ndihmoi, apo jo?» Kur e pashë gjallë dhe kur më tha ato fjalë të bukura, qava.

Një ditë tjetër, kur isha në predikim, një i moshuar më bërtiti: «Ç’të ka shkrepur në kokë që e merr me zor atë fëmijë vërdallë? Të këput shpirtin kur e sheh.» Para se të flisja unë, Tomojoshi, që në atë kohë ishte tetë vjeç, tha: «Gjyshi, mami nuk më merr me zor në predikim. Unë predikoj se dua t’i shërbej Jehovait.» I moshuari pa nga unë dhe nuk tha asnjë fjalë.

Nga ana frymore djemtë e mi ishin pa baba. Kështu që më takonte mua t’ua mësoja të vërtetat biblike, megjithëse edhe vetë kisha shumë për të mësuar. Rritja dashurinë, besimin dhe zellin tim e përpiqesha të isha një shembull i mirë. Çdo ditë e falënderoja Jehovain në sy të fëmijëve. U tregoja përvoja nga predikimi. Kjo i inkurajonte. Kur i pyetën më vonë se përse u bënë pionierë, ose siç quhen ndryshe shërbëtorë në kohë të plotë, ata u përgjigjën: «Kishim parë që nëna ishte e lumtur kur shërbente si pioniere e donim që edhe ne të ishim të lumtur.»

Tregoja shumë kujdes që të mos flisja keq për babanë e tyre ose për ndonjë në kongregacion. E kisha kuptuar që kjo gjë mund të ndikonte për keq te fëmijët. Mund të humbitnin respektin si për të përfolurin, ashtu edhe për atë që fliste keq.

Kapërcej pengesat dhe bëj përparim

Në vitin 1963 burri u transferua me punë në Tajvan, kështu që u transferuam edhe ne. Ai më tha se, në qoftë se do t’i predikoja pakicës japoneze atje, do të hapja probleme. Do të na kthenin në Japoni, e kjo do t’i prishte punë kompanisë ku punonte. Ai donte të na largonte nga Dëshmitarët.

Në Tajvan, ku të gjitha mbledhjet mbaheshin në gjuhën kineze, Dëshmitarët na mikpritën ngrohtësisht. Vendosa të mësoja gjuhën kineze që t’u predikoja më mirë vendasve sesa japonezëve. Kështu nuk do të kishim problemet për të cilat burri na paralajmëroi.

Miqësia me Dëshmitarët në Tajvan na forcoi shumë. Një çift misionarësh, Harvi dhe Keti Logan, na ndihmuan jashtë mase. Vëlla Logani u bë baba frymor për djemtë e mi. U tregoi se t’i shërbesh Jehovait nuk do të thotë të bësh një jetë pa gëzime dhe me rregulla të ngurta. Jam e bindur se ishte pikërisht në Tajvan që djemtë e mi vendosën t’i shërbenin Jehovait.

Tomojoshi dhe Masahiko shkuan në një shkollë amerikane në Tajvan, ku mësuan gjuhën angleze dhe kineze. Ky arsimim i bëri më të aftë për shërbimin në të ardhmen si shërbëtorë të Perëndisë së vërtetë, Jehovait. I jam vërtet mirënjohëse Jehovait që e ndryshoi atë që mund të ishte një periudhë e vështirë për ne, në një kohë bekimesh të përhershme. Pasi kaluam tri vjet e gjysmë të paharrueshëm në Tajvan, familja jonë u kthye në Japoni.

Në këtë kohë djemtë ishin adoleshentë dhe filluan të kërkonin të ishin të pavarur. Kaloja orë e orë të tëra duke arsyetuar me ta në bazë të parimeve biblike, dhe Jehovai i ndihmoi ta përballonin atë periudhë të vështirë. Kur mbaroi shkollën e mesme, Tomojoshi filloi shërbimin si pionier. Gjatë viteve të para të shërbimit si pionier, ai mundi të ndihmonte katër veta që të arrinin deri në kushtim dhe pagëzim. Masahiko ndoqi shembullin e të vëllait dhe filloi shërbimin si pionier sapo mbaroi shkollën 8-vjeçare. Në katër vitet e para të këtij shërbimi ndihmoi katër të rinj që të bëheshin Dëshmitarë.

Pastaj Jehovai i bekoi fëmijët edhe më shumë. Tomojoshi studioi me burrin e një gruaje të cilën unë e kisha ndihmuar të mësonte të vërtetat biblike. Edhe dy vajzat e tyre u bënë Dëshmitare. Më vonë, Tomojoshi u martua me më të madhen prej tyre, Nobukon, kurse Masahiko u martua me vajzën tjetër, Masakon. Tomojoshi dhe Nobuko tani shërbejnë në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork. Ndërsa Masahiko me Masakon janë misionarë në Paraguai.

Dalëngadalë burri ndryshon

Gjatë atyre viteve, burri im dukej indiferent ndaj besimit tonë, por pamë disa shenja që po ndryshonte. Kur të tjerët më kundërshtonin, ai më mbronte për bindjet që kisha dhe mbështeste të vërtetat biblike pa e kuptuar as vetë. Ndihmonte materialisht Dëshmitarët që ishin në nevojë. Gjatë një fjalimi të shkurtër në dasmën e një prej djemve tanë, ai tha: «T’u mësosh njerëzve mënyrën e duhur për të jetuar është puna më e shkëlqyer që ekziston, dhe më e vështira. Djemtë e mi dhe nuset e tyre kanë zgjedhur këtë rrugë të vështirë si karrierën e tyre. Ju lutem, ndihmojini.» Të gjitha këto më bënë të mendoja se patjetër do të bashkohej me ne në shërbim të Jehovait.

Organizoja ndonjë gjë në shtëpinë tonë që të shoqërohej me Dëshmitarë. E ftoja Kazuhikon në mbledhjet e krishtere, në asamble, si edhe në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Kur nuk kishte ndonjë pengesë nga puna, vinte, megjithëse jo me shumë dëshirë. Shumë herë mendoja se mos pranonte ndonjë studim biblik dhe ftoja në shtëpi pleqtë e krishterë. Por ai nuk pranonte. Pyesja veten se çfarë problemi kishte.

Por m’u kujtuan fjalët e apostullit Pjetër: «Ju gra, jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj, që, nëse disa nuk i binden fjalës, t’i fitoni pa fjalë, nëpërmjet sjelljes suaj, pasi të kenë parë me sytë e tyre sjelljen tuaj të dëlirë bashkë me respekt të thellë.» (1 Pjetrit 3:1, 2) E kuptova që nuk e kisha zbatuar gjithmonë këtë këshillë. Që të veproja plotësisht sipas këtij shkrimi, kisha nevojë të isha më shumë frymore.

Në vitin 1970, me qëllimin që të bëhesha më frymore, fillova të shërbeja si pioniere. Kaluan 10 e pastaj 20 vjet. Prapëseprapë, nuk shihja asnjë ndryshim te burri. Njëherë, një student biblik më tha: «Duhet të jetë e vështirë të ndihmosh të tjerët, kur nuk ndihmon dot as burrin tënd.» Këto fjalë ishin shkurajuese, por unë nuk u dorëzova.

Në fund të viteve 80, prindërit tanë ishin në vitet e fundit të jetës. Të kujdesesha për ta dhe të përmbushja edhe detyrimet e tjera, ishte rraskapitëse dhe stresuese. Për vite, ata nuk ishin dakord me besimin tim te Jehovai, por u përpoqa që t’ua tregoja sa më shumë dashurinë time. Pikërisht para se të vdiste, nëna ime 96-vjeçare më tha: «Sumiko, nëse ringjallem, do të zgjedh fenë tënde.» E kuptova që mundi im nuk kishte qenë i kotë.

Burri kishte parë gjithçka që kisha bërë për hir të prindërve tanë. Për të më treguar vlerësimin, filloi të vinte rregullisht në mbledhje. Kjo vazhdoi për vite, por nuk përparoi fare nga ana frymore. Vazhdova të përpiqesha që t’i bëja qejfin. Ftoja për drekë në shtëpi miqtë e tij, madje edhe kolegët e tij të huaj. Bashkohesha me të në raste argëtimi. Kur kuota e pionierit u ul në 70 orë në muaj, fillova të kaloja më shumë kohë me të.

Ndryshon pas daljes në pension

Në vitin 1993, Kazuhiko doli në pension. Tani, mendova, më në fund do të ketë kohë të studiojë Biblën. Por ai tha se të adhuronte Perëndinë vetëm sepse tani kishte kohë, do të ishte një blasfemi. Preferonte ta adhuronte atëherë kur t’i thoshte zemra dhe më tha se nuk duhej ta detyroja.

Një ditë Kazuhiko më pyeti nëse pjesën tjetër të jetës do të jetoja për të. Kjo më lëndoi, sepse që kur ishim martuar kisha bërë gjithë ç’kisha mundur për të. Isha përpjekur kaq shumë ta bëja të lumtur, por ai mendonte se kisha jetuar më shumë për Jehovain sesa për të. Pasi u mendova pak, i thashë që më shumë se kaq nuk mund të bëja për të. Megjithatë, nëse do të bashkohej me mua në atë që po bëja, mund të fillonim një jetë të re të mrekullueshme së bashku, një jetë që do të zgjaste jo edhe për disa vjet, por përjetë. Për ditë të tëra, nuk m’u përgjigj. Pastaj, më në fund pyeti: «Atëherë, do të ma bësh studimin e Biblës?» Sa herë i kujtoj këto fjalë, më del zemra vendit.

Në fillim, i thashë një plaku të kongregacionit që të studionte me të, por burri më tha: «Nuk studioj me asnjë tjetër përveç teje!» Kështu që filluam një studim të përditshëm të Biblës. Meqë jam në një kongregacion kinez dhe burri e flet rrjedehshëm gjuhën kineze, e bëmë studimin në këtë gjuhë. Gjithashtu, e lexuam të gjithë Biblën së bashku brenda një viti.

Gjatë kësaj kohe, një plak në kongregacionin kinez, bashkë me gruan e tij, treguan interes për ne si çift. Megjithëse ishin më të vegjël se fëmijët tanë, u bëmë miq të vërtetë. Shumë Dëshmitarë të tjerë treguan interes për burrin tim. Na treguan mikpritjen e tyre dhe bisedonin me Kazuhikon si të ishte babai i tyre. Kjo e lumturonte mjaft.

Një ditë, na erdhi një ftesë dasme në emër të burrit. Ishte një dasmë në kongregacion. Ky respekt si kreu i familjes e preku thellë dhe vendosi të vinte në dasmë. U afrua shumë shpejt me Dëshmitarët dhe filloi të studionte Biblën me një plak të krishterë. Studimi i Biblës, ardhja në mbledhje dhe dashuria e kongregacionit e ndihmuan të përparonte nga ana frymore.

Më në fund familja bashkohet!

Në dhjetor të vitit 2000, burri u pagëzua në simbol të kushtimit të tij ndaj Jehovait. Djemtë dhe gratë e tyre erdhën nga larg të shihnin këtë «mrekulli» të ditëve moderne. U deshën 42 vjet, por më në fund familja jonë u bashkua.

Tani, çdo mëngjes, diskutojmë për shkrimin e ditës dhe lexojmë Biblën së bashku. Çdo ditë bëjmë biseda të këndshme frymore dhe marrim pjesë bashkë në aktivitetet frymore. Tani ai është shërbëtor ndihmës në kongregacion dhe kohët e fundit mbajti një fjalim publik në gjuhën kineze. Falënderoj Jehovain që na bashkoi. Si unë, ashtu edhe ata që i kam të afërt dhe për zemër, mezi presim që të përkrahim emrin dhe sovranitetin e Tij në përjetësi.

[Harta në faqen 13]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

KINË

REPUBLIKA DEMOKRATIKE E KORESË

REPUBLIKA E KORESË

Deti i Japonisë

JAPONI

Tokio

Deti i Kinës Lindore

TAJVAN

Tajpei

[Figura në faqen 12]

Me familjen në vitin 1958, viti kur u pagëzova

[Figurat në faqen 13]

Kur u transferuam nga Tokio në Tajpei, miqtë tanë, si Harvi dhe Keti Logan, na inkurajuan nga ana frymore

[Figura në faqen 15]

Sot, familja ime është bashkuar në adhurimin e vërtetë