Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nuk mund ta kursesh, prandaj përdore si duhet

Nuk mund ta kursesh, prandaj përdore si duhet

Nuk mund ta kursesh, prandaj përdore si duhet

KOHA është flori. Kështu thotë një fjalë e urtë popullore. Në të vërtetë, koha është shumë ndryshe nga floriri ose gjërat e tjera materiale. Nuk mund ta grumbullosh e ta përdorësh më vonë, ashtu siç mund të bësh me paratë, ushqimin, karburantin ose me shumë gjëra të tjera. Çdo përpjekje për të kursyer kohën duke mos e përdorur, është e kotë. Çfarë ndodh nëse fle tetë orë dhe përpiqesh ta kursesh kohën që të ngelet nga ajo ditë duke mos bërë asgjë? Në fund të ditës, ato orë të pashfrytëzuara janë të humbura.

Koha është si një lumë i madh e i rrëmbyer. Ai shkon vetëm përpara. Nuk mund ta ndalosh apo të shfrytëzosh çdo pikë uji që kalon. Shekuj më parë, njerëzit filluan të ndërtonin mullinj në buzë të lumenjve. Mulliri shfrytëzonte ujin e lumit për të nxjerrë energji, që vinte në punë mokrën, sharrat, pompat dhe çekanët e farkës. Po kështu edhe ti, nuk mund ta kursesh kohën, por mund ta shfrytëzosh, ta përdorësh për të kryer punë të dobishme. Por, për ta bërë këtë, duhet të përballesh me dy hajdutët kryesorë të kohës, me zvarritjen dhe me «kushërirën» e saj, ngarkesën. Le të shqyrtojmë në fillim se çfarë është zvarritja.

Të mos i zvarrisim gjërat

Një fjalë e urtë popullore thotë: «Punën e sotme mos e lër për nesër.» Megjithatë, disave u pëlqen ta formulojnë ndryshe këtë shprehje dhe thonë: ‘Mos e lër për nesër punën që mund ta bësh javën tjetër.’ Kur kanë një punë që kërkon mund, ata zgjedhin rrugën më të lehtë—zvarritjen. Sipas Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe «zvarrit» do të thotë ‘të lësh diçka pa e mbaruar për një kohë të gjatë, të mos i japësh rrugë zgjidhjeje shpejt, të mbash një punë nëpër duar për shumë kohë’. Kush i zvarrit gjërat, e bën zakon një gjë të tillë. Kur stresi dhe tensioni shtohet, atij i duket se lehtësohet duke e shtyrë punën që ka për të bërë, dhe gëzohet me «kohën e lirë» që krijohet, derisa tensioni fillon përsëri.

Ndonjëherë, për arsye fizike ose emocionale mund të lindë nevoja që ta lëmë për më vonë një pjesë ose të gjithë punën. Pastaj, të gjithë kemi nevojë që herë pas here të shkëputemi paksa nga rutina jonë e përditshme. Edhe Biri i Perëndisë, Jezui, po kështu vepronte. Edhe pse ishte më se i zënë në shërbim, ia lejonte vetes pak kohë për të pushuar bashkë me dishepujt. (Marku 6:31, 32) Ky lloj pushimi është i dobishëm. Por ndryshon puna me zvarritjen, ajo zakonisht është e dëmshme. Le të shqyrtojmë një shembull.

Një nxënëse ka tri javë kohë për t’u përgatitur për provimin e matematikës. Ka shumë libra e shënime për të përsëritur. Ndihet e tensionuar. E tundon ideja për ta lënë për më vonë dhe bie në grackën e zvarritjes. Në vend që të studiojë, shikon televizor. Ditë pas dite e shtyn dhe nuk bën atë që duhet për të dalë mirë në provim. Pastaj, një natë para provimit, i duhet të bëjë gjithë përsëritjen. Ulet në tavolinë dhe fillon të shfletojë librat dhe shënimet.

Kalojnë orë. Ndërsa familja fle, ajo shtrydh trurin për të ngulitur në kujtesë një mori me ekuacione, kosinuse dhe rrënjë katrore. Të nesërmen, në shkollë, shtrydh trurin për t’iu përgjigjur pyetjeve për të cilat mendja e saj e lodhur nuk është përgatitur. Në provim del dobët dhe ngel në matematikë. Duhet të përgatitet përsëri për këtë provim dhe ndoshta rrezikon të ngelë në klasë.

Zvarritja i kushtoi shumë kësaj nxënëseje. Por ka një parim biblik që mund t’i ndihmojë njerëzit ta shmangin një situatë të tillë. Apostulli Pavël shkroi: «Vazhdoni të shikoni me kujdes që mënyra se si ecni, të mos jetë si të pamendët, por si të mençurit, duke blerë kohën e duhur për veten tuaj.» (Efesianëve 5:15, 16) Pavli i këshilloi të krishterët ta përdornin kohën me mençuri duke u kujdesur për detyrat e tyre si të krishterë, por si parim ky mund të jetë i dobishëm në shumë fusha të rëndësishme. Meqë zakonisht jemi ne që vendosim se kur duhet ta bëjmë një punë, do të kemi rezultate më të mira dhe do të mbarojmë më shpejt, nëse vendosim ta bëjmë këtë punë kur është koha «e duhur» ose më e përshtatshme. Siç thotë edhe shkrimi, kjo është karakteristikë e ‘të mençurve’.

Kur do të ishte ‘koha e duhur’ për nxënësen të studionte për provimin e matematikës? Po të studionte çdo natë rreth 15 minuta, ndoshta do të arrinte ta përsëriste të gjithë lëndën. Kështu që nuk do të ngutej për të studiuar gjithçka një natë para provimit, pikërisht natën që do të ishte mirë të flinte. Ditën e provimit, do të ishte e çlodhur, e përgatitur si duhet dhe do të dilte me faqe të bardhë.

Prandaj, kur ke për të bërë diçka, përcakto se kur është ‘koha e duhur’ për ta bërë dhe bëje. Kështu do të shpëtosh nga gracka e zvarritjes dhe nga pasojat e saj. Do të kënaqesh me rezultatin e punës sate të mirë. Kjo është shumë e vërtetë sidomos kur puna jote është me rëndësi edhe për të tjerët, si në rastin e caktimeve në kongregacionin e krishterë.

Pakëso ngarkesën

Ashtu siç u tha edhe më sipër, një ndihmë tjetër për ta përdorur mirë kohën është edhe heqja e ngarkesës ose shmangia e rrëmujës. Jemi të vetëdijshëm që duhet kohë për t’u marrë me të gjitha gjërat, për t’i rregulluar, për t’i përdorur, për t’i pastruar, për t’i ruajtur dhe për t’u kujdesur për to. Sa më shumë gjëra të kemi, aq më shumë kohë duhet. Të punosh në një dhomë ose shtëpi që është e ngarkuar me orendi është më sfilitëse dhe të ha më shumë kohë sesa të punosh në ato dhoma që nuk janë të ngarkuara dhe ku ka hapësirë. Përveç kësaj, sa më shumë gjëra të ketë, aq më shumë kohë nevojitet për të gjetur diçka.

Specialistët në fushën e mirëmbajtjes dhe pastrimit të shtëpive thonë se kur pastron, gati gjysma e kohës të ikën vetëm «duke lëvizur gjërat nga vendi, duke ardhur vërdallë orendive dhe duke hequr gjërat që pengojnë». Gati e njëjta gjë ndodh edhe në fusha të tjera të jetës. Prandaj, nëse dëshiron ta përdorësh sa më mirë kohën, hidh një sy përreth. A jeton në një shtëpi aq të ngarkuar sa s’ke nga të lëvizësh dhe, ç’është më e keqja, të ha kohën? Nëse po, hiq gjërat e tepërta.

Kjo mund të mos jetë e lehtë. Të flakim gjërat që na pëlqejnë, por të panevojshme, mund të jetë e dhembshme, pothuajse si të humbësh një mik të mirë. Po si mund të vendosim nëse duhet ta mbajmë apo jo diçka? Disa bazohen te rregulli i vitit. Nëse ke një vit që nuk e përdor diçka, mos e mbaj më. Po sikur të mos kesh dëshirë që të heqësh dorë prej saj edhe pas një viti? Vëre në depo dhe mbaje atje edhe për gjashtë muaj të tjerë. Nëse kur ta shohësh prapë, kupton që ka kaluar një vit e gjysmë dhe nuk e ke përdorur, atëherë do ta kesh më të lehtë për t’u ndarë prej asaj gjëje. Sidoqoftë, qëllimi është të heqësh gjërat e tepërta—ta shfrytëzosh sa më mirë kohën.

Sigurisht që kohën nuk na e hanë vetëm gjërat e shumta në shtëpi apo në vendin e punës. Jezui foli për ‘ankthet e kësaj bote dhe fuqinë mashtruese të pasurisë’ të cilat mund ‘ta mbytin fjalën’ e Perëndisë dhe e bëjnë dikë ‘të pafrytshëm’ për sa i përket lajmit të mirë. (Mateu 13:22) Ndonjëherë njeriu mund të ngarkohet me kaq shumë aktivitete dhe synime, saqë mezi gjen kohën të mbajë gjithë rutinën dhe ekuilibrin frymor. Si pasojë mund të vuajë nga ana frymore dhe mund të humbasë mundësinë për të hyrë në botën e re që ka premtuar Perëndia, një botë ku do të ketë kohë pa fund për të bërë gjërat që sjellin kënaqësi të vërtetë.—Isaia 65:17-24; 2 Pjetrit 3:13.

A je vazhdimisht duke vrarë mendjen se si të futësh në programin tënd të gjitha ato punë që mendon se duhet të bësh, qoftë në lidhje me punën, shtëpinë, makinën, pasionet, udhëtimet, fizkulturën, aktivitetet shoqërore apo shumë gjëra që të interesojnë? Nëse po, ndoshta ka ardhur koha të mendosh se si mund të heqësh ngarkesën e tepërt, që t’i kushtosh më shumë kohë gjërave frymore.

Koha rrjedh si një lumë i pashtershëm. Nuk mund të kthehet mbrapsht ose të grumbullohet; po iku, nuk kthehet më. Por, nëse ndjekim disa parime të thjeshta biblike dhe nëse marrim disa hapa praktikë, mund ta shfrytëzojmë kohën për të bërë «gjërat më të rëndësishme», të cilat do të na sjellin dobi deri në përjetësi dhe do të jenë «në lavdi dhe lëvdim të Perëndisë».—Filipianëve 1:10, 11.

[Figura në faqet 8, 9]

Koha është si një lumë i rrëmbyeshëm, që mund të shfrytëzohet për punë të dobishme

[Figura në faqen 9]

Kur është ‘koha e duhur’ që të studiojë për provimin?

[Figura në faqen 10]

Të punosh në një vend të mbingarkuar me sende, është e lodhshme dhe të ha kohë