A ju kujtohet?
A ju kujtohet?
A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
• Si «do ta çlirojë të varfrin» Jezui, siç ishte parathënë te Psalmi 72:12?
Gjatë mbretërimit të tij do të ketë drejtësi për të gjithë dhe nuk do të ketë korrupsion. Shpesh lufta sjell varfëri, por Krishti do të sjellë paqe të përsosur. Ai ka empati për njerëzit dhe do t’i bashkojë të gjithë në unitet e do të sigurohet që të gjithë njerëzit të kenë ushqim me bollëk. (Psalmi 72:4-16)—1/5, faqja 7.
• Si mund ta shfaqim ne të krishterët ‘lirshmërinë në të folur’? (1 Timoteut 3:13; Filemonit 8; Hebrenjve 4:16)
Mund ta bëjmë këtë duke u predikuar të tjerëve me zell e guxim, nëpërmjet mësimdhënies e duke dhënë këshilla pa vonesë e me efektshmëri, si edhe duke ia zbrazur zemrën Perëndisë në lutje me sigurinë që ai do të na dëgjojë e do të na përgjigjet.—15/5, faqet 14-16.
• Pse sipas Ligjit të Moisiut disa funksione të natyrshme seksuale e bënin një njeri «të papastër»?
Ligjet për papastërtinë lidhur me lëshimin e farës, të përmuajshmet e grave dhe lindjen e fëmijëve ndihmonin për të pasur higjienë të mirë dhe një mënyrë jetese të shëndetshme, theksonin shenjtërinë e gjakut dhe tregonin nevojën për shlyerjen e mëkateve.—1/6, faqja 31.
• Pse do të ishte mirë të shqyrtonte librin e Psalmeve dikush që dëshiron të jetë i lumtur?
Kompozitorët e Psalmeve e dinin se një marrëdhënie e mirë me Perëndinë sjell lumturi. (Psalmi 112:1) Ata theksuan se asnjë marrëdhënie njerëzore, asnjë gjë që zotëron njeriu dhe asnjë arritje, nuk mund të sjellë atë lumturi që vjen kur jemi pjesë e ‘popullit që ka për Perëndi Jehovain’. (Psalmi 144:15)—15/6, faqja 12.
• Ç’marrëdhënie të veçantë kishin izraelitët e lashtë me Jehovain?
Në vitin 1513 p.e.s, Jehovai vendosi një marrëdhënie të re me izraelitët, një besëlidhje. (Dalja 19:5, 6; 24:7) Më pas, izraelitët lindnin si pjesëtarë të kombit të zgjedhur të Perëndisë të kushtuar ndaj Tij. Megjithatë, çdo individ duhej të merrte një vendim personal për t’i shërbyer Perëndisë.—1/7, faqet 21, 22.
• Pse duhet të bëjmë çdo gjë «pa murmuritje» (Filipianëve 2:14)
Shumë shembuj biblikë tregojnë se murmuritjet i sollën dëm popullit të Perëndisë. Duhet të mendojmë seriozisht për ndikimin gërryes që mund të kenë ato edhe sot. Njerëzit e papërsosur kanë prirjen të ankohen dhe ne duhet të jemi vigjilentë për të dalluar çdo shenjë të kësaj prirjeje dhe ta shmangim atë.—15/7, faqet 16, 17.
• Si e dimë se mençuria që përshkruhet te Proverbat 8:22-31 nuk është mençuria si koncept abstrakt?
Mençuria ‘u bë’ ose u krijua, si fillim i aktivitetit të Jehovait. Perëndia ka ekzistuar gjithnjë dhe ka qenë gjithnjë i mençur. Mençuria e përshkruar te Proverbat 8:22-31 ishte përkrah Perëndisë si «kryemjeshtër». Ky titull zbatohet për krijesën frymore, që më vonë u bë Jezu, e cila bashkëpunoi ngushtësisht me Perëndinë në krijim. (Kolosianëve 1:17; Zbulesa 3:14)—1/8, faqja 31.