Baruku—Sekretari besnik i Jeremisë
Baruku—Sekretari besnik i Jeremisë
A KENI dëgjuar për «Barukun, birin e Nerjahut»? (Jeremia 36:4) Ndonëse është përmendur vetëm në katër kapituj të Biblës, ai është i mirënjohur për lexuesit e Biblës si sekretari dhe shoku i ngushtë i profetit Jeremia. Së bashku, ata përjetuan 18 vitet e fundit e të trazuara të mbretërisë së Judës, shkatërrimin e tmerrshëm të Jerusalemit nga babilonasit në vitin 607 p.e.s., dhe më pas mërgimin në Egjipt.
Vitet e fundit, zbulimi i dy vulave prej argjile * të shekullit të shtatë p.e.s., ka ngjallur interesin e studiuesve për këtë personazh biblik. Në to shkruhej: «I përket Berekhjahut [emri i Barukut në hebraisht], birit të Nerijahut [emri i Nerjahut në hebraisht], skribit.» Kush ishte Baruku. Cila ishte origjina e tij, arsimimi dhe pozita shoqërore? Çfarë na tregon qëndrimi i tij i vendosur përkrah profetit Jeremia? Çfarë mund të mësojmë prej tij? Le t’i kërkojmë përgjigjet duke shqyrtuar informacionet biblike dhe historike.
Origjina dhe pozita
Sot shumë studiues mendojnë se Baruku vinte nga një familje e shquar skribësh në Judë. Ata japin një sërë arsyesh për ta mbështetur këtë përfundim. Për shembull, në tregimin biblik përdoret një titull i veçantë për Barukun, «sekretari» ose «skribi» siç quhet në disa përkthime. Shkrimet thonë edhe që Serajahu, i vëllai, ishte një zyrtar i rëndësishëm në gjykatën e mbretit Zedekia.—Jeremia 36:32; 51:59.
Arkeologu Filip J. King shkruan për skribët në kohën e Jeremisë: «Skribët, pjesëtarë të një klase profesionistësh, ishin të shquar në Judë gjatë fundit të shekullit të shtatë dhe në fillim të shekullit të gjashtë p.e.s. . . . Këtë titull e mbanin zyrtarë të lartë të mbretërisë.»
Veç kësaj, tregimi në kapitullin 36 të librit të Jeremisë, të cilin do ta shqyrtojmë me hollësi, të jep përshtypjen se Baruku mund të takohej me këshilltarët e mbretit dhe se mund të përdorte dhomën e ngrënies (dhoma e mbledhjeve të këshilltarëve kryesorë) së Gemariahut, një princ ose zyrtar. Studiuesi biblik Xhejms Mjulënbergu argumenton: «Baruku mund të hynte në dhomën e mbledhjes të skribëve këshilltarë, sepse e kishte këtë të drejtë dhe vetë ai ishte një prej zyrtarëve mbretërorë që ishin mbledhur në rastin vendimtar kur rrotulla u lexua para të gjithëve. Ai ishte midis kolegëve.»
Botimi Përmbledhje e vulave perëndimore semitike (anglisht) shton një argument tjetër për pozitën e Barukut: «Meqë vulën e Berekhjahut e gjetën me një grup të madh vulash të zyrtarëve të tjerë të lartë, është logjike të mendojmë se Baruku ose Berekhjahu po vepronte brenda të njëjtit rreth zyrtarësh ku punonin edhe zyrtarë të tjerë.» Nga informacioni që ekziston duket se Baruku dhe i vëllai, Serajahu, ishin zyrtarë të lartë që përkrahën profetin besnik Jeremia, gjatë viteve dramatike para shkatërrimit të Jerusalemit.
E përkrah publikisht Jereminë
Sipas kronologjisë, për herë të parë, Baruku del në kapitullin 36 të Jeremisë në «vitin e katërt të mbretërimit të Jehojakimit» ose rreth vitit 625 p.e.s. Tashmë Jeremia kishte 23 vjet që shërbente si profet.—Jeremia 25:1-3; 36:1, 4.
Tani Jehovai i thotë Jeremisë: «Merr një rrotull dhe shkruaj në të gjithë fjalët që të kam thënë kundër Izraelit, kundër Judës dhe kundër gjithë kombeve, . . . që nga ditët e Josisë, e deri sot e kësaj dite.» Tregimi vazhdon: «Jeremia thirri Barukun, birin e Nerjahut, që të shkruante në rrotull tërë fjalët që dilnin nga goja e Jeremisë, që ia kishte thënë Jehovai.»—Jeremia 36:2-4.
Përse e thirri Barukun? Jeremia i tha: «Mua më kanë ngujuar dhe nuk mund të hyj në shtëpinë e Jehovait.» (Jeremia 36:5) Me sa duket, Jereminë e kishin ndaluar të hynte në territorin e tempullit ku do të lexohej mesazhi që vinte nga Jehovai, mbase ngaqë mesazhet e mëparshme i kishin zemëruar princat. (Jeremia 26:1-9) Sigurisht që Baruku ishte një adhurues i sinqertë i Jehovait dhe «veproi tamam si e urdhëroi profeti Jeremia».—Jeremia 36:8.
Të shkruaje paralajmërimet që ishin dhënë gjatë 23 viteve të shkuara, ishte një punë e gjatë, e ndoshta Jeremia po priste edhe kohën e duhur. Por në nëntor a dhjetor të vitit 624 p.e.s, Baruku me guxim «filloi të lexonte me zë të lartë nga libri fjalët e Jeremisë para gjithë popullit në shtëpinë e Jehovait, në dhomën e ngrënies së Gemariahut».—Jeremia 36:8-10.
Mikajahu, biri i Gemariahut njoftoi të atin dhe disa princa për çka kishte ndodhur dhe ata e ftuan Barukun që ta lexonte rrotullën me zë të lartë për të dytën herë. Tregimi thotë: «Me të dëgjuar gjithë fjalët, vështruan njëri-tjetrin të tmerruar dhe i thanë Barukut: ‘Do t’ia themi patjetër mbretit tërë këto fjalë. . . . Ik e fshihu, ti dhe Jeremia, që askush të mos e dijë se ku jeni.’»—Jeremia 36:11-19.
Kur mbreti Jehojakim dëgjoi se çfarë kishte shkruar Baruku nën diktimin e Jeremisë, i zemëruar, e bëri rrotullën copë-copë, e hodhi në zjarr dhe i urdhëroi shërbëtorët e tij të arrestonin Jereminë dhe Barukun. Me urdhër të Jehovait, dy burrat bënë një rrotull tjetër teksa rrinin të fshehur.—Jeremia 36:21-32.
Nuk ka dyshim se Baruku i kuptonte rreziqet që sillte caktimi i tij. Ai duhej t’i dinte kërcënimet që i kishin bërë Jeremisë para disa vitesh. Gjithashtu duhej të kishte dëgjuar për fundin e Uriahut që kishte profetizuar «në përputhje me tërë fjalët e Jeremisë», por që u vra nga mbreti Jehojakim. Megjithatë, Baruku ishte i gatshëm të përdorte aftësitë e veta profesionale dhe njohjet me qeveritarët për ta përkrahur Jereminë në caktimin e tij.—Jeremia 26:1-9, 20-24.
Mos kërko «gjëra të mëdha»
Gjatë kohës që po shkruante rrotullën e parë, Baruku kaloi një periudhë stresuese. Ai thirri: «Mjerë unë, sepse Jehovai i ka shtuar hidhërim dhembjes sime! Jam lodhur nga psherëtimat e mia dhe nuk kam gjetur një vend prehjeje.» Cili ishte shkaku i kësaj gjendjeje të vështirë?—Jeremia 45:1-3.
Nuk na jepet një përgjigje e drejtpërdrejtë. Por të përpiqemi ta përfytyrojmë gjendjen e Barukut. Duke pasur parasysh që populli i Izraelit dhe i Judës kishte 23 vjet që merrte paralajmërime, kuptohet që apostazia e tyre dhe rebelimi ndaj Jehovait duhej të ishin bërë mjaft të dukshme. Vendimi i Jehovait për të shkatërruar Jerusalemin e Judën dhe për ta çuar kombin në mërgim për 70 vjet në Babiloni—lajm që Jehovai e zbuloi në të njëjtin vit që Baruku shkroi rrotullën e parë, e ndoshta edhe e përfshiu në rrotull—duhet ta ketë tronditur Barukun. (Jeremia 25:1-11) Për më tepër, duke e përkrahur me vendosmëri Jereminë gjatë kësaj kohe kritike, Baruku po vinte në rrezik pozitën dhe karrierën e tij.
Cilido që të ishte shkaku, vetë Jehovai ndërhyri për të ndihmuar Barukun që të mbante parasysh gjykimin që po afronte. «Atë që kam ndërtuar, do ta shemb, dhe atë që kam mbjellë, do ta shkul, po, gjithë vendin»,—tha Jehovai. Pastaj e këshilloi Barukun: «Por ti kërkon gjëra të mëdha për veten. Mos kërko!»—Jehovai nuk tha se çfarë ishin konkretisht këto «gjëra të mëdha», por Baruku duhej ta ketë ditur nëse ishte ambicia, fama a pasuria. Jehovai e këshilloi të ishte realist e të mos harronte se çfarë e priste: «Unë do të sjell një gjëmë mbi çdo mish, . . . kurse ty do të të jap si plaçkë shpirtin tënd në gjithë vendet ku do të shkosh.» Pasuria më e çmuar e Barukut, jeta e tij, do të ruhej, kudo që ai të shkonte.—Jeremia 45:5.
Pas këtyre ngjarjeve të përshkruara në kapitujt 36 dhe 45 të Jeremisë, të cilat ndodhën në periudhën 625-624 p.e.s., Bibla nuk e përmend më Barukun deri disa muaj para se babilonasit të shkatërronin Jerusalemin dhe Judën në vitin 607 p.e.s. Çfarë ndodhi në këtë kohë?
Baruku e mbështet sërish Jereminë
Gjatë rrethimit të Jerusalemit nga babilonasit, Baruku shfaqet sërish në skenë. Jeremia ishte «i burgosur në Oborrin e Rojës», kur Jehovai i tha të blinte arën e kushëririt në Anatoth si shenjë se do të kishte një rivendosje. Barukun e thirrën të ndihmonte në procedurën ligjore.—Jeremia 32:1, 2, 6, 7.
Jeremia shpjegoi: «Shkrova një akt, i vura vulën dhe mora dëshmitarë teksa peshoja paratë në peshore. Pas kësaj mora aktin e blerjes, të vulosur . . . mora dhe aktin që ishte lënë i hapur, e pastaj ia dhashë aktin e blerjes Barukut.» Pastaj e urdhëroi Barukun t’i fuste këto akte blerjeje në një enë balte për t’i ruajtur. Disa studiues mendojnë se kur Jeremia tha se ‘shkroi’ aktin, po ia diktonte Barukut, skribit profesionist, dhe faktikisht po e shkruante ky.—Jeremia 32:10-14; 36:4, 17, 18; 45:1.
Baruku dhe Jeremia ndoqën procedurat ligjore të asaj kohe. Një nga veçoritë ishte të përpiloheshin edhe dy akte blerjeje. Në librin Përmbledhje e vulave semitike perëndimore shpjegohet: «Akti i parë quhej ‘akti i vulosur’ sepse mbështillej dhe vulosej me një vulë ose disa vula; ai përmbante tekstin origjinal të kontratës. . . . I dyti, ‘akti i hapur’ ishte kopje e tekstit të mbështjellë e të vulosur dhe bëhej për t’u lexuar sa herë nevojitej. Prandaj ekzistonin dy tekste, njëri origjinal, kurse tjetri ishte një kopje e të parit, e shkruar në dy fletë të ndara papirusi.» Zbulimet arkeologjike dëshmojnë për zakonin e ruajtjes së dokumenteve në një enë balte.
Si përfundim, babilonasit e pushtuan Jerusalemin, e dogjën, dhe i çuan të gjithë në mërgim, përveç disa njerëzve të varfër. Nabukodonosori caktoi si guvernator Gedaliahun që u vra pas dy muajsh. Judenjtë që mbetën, bënë plane të iknin në Egjipt, duke hedhur poshtë këshillën që Jeremia u dha nga Jehovai. Pikërisht në këtë moment, Bibla e përmend sërish Barukun.—Jeremia 39:2, 8; 40:5; 41:1, 2; 42:13-17.
Krerët judenj i thanë Jeremisë: «Po thua një gënjeshtër. Jehovai, Perëndia ynë, nuk të ka dërguar për të na thënë: ‘Mos hyni në Egjipt për të banuar si të huaj.’ Por Baruku, biri i Nerjahut, po të shtyn kundër nesh që të biem në duart e kaldeasve, të vdesim ose të na marrin në mërgim në Babiloni.» (Jeremia 43:2, 3) Nga kjo akuzë kuptojmë se, me sa duket, krerët judenj mendonin se Baruku kishte goxha ndikim te Jeremia. Mos vallë mendonin se ai nuk po vepronte më thjesht si skrib me profetin, për shkak të pozitës që kishte Baruku ose të miqësisë së tij të gjatë me Jereminë? Ndoshta, por çfarëdo që të mendonin krerët judenj, mesazhi vinte vërtet nga Jehovai.
Pavarësisht nga paralajmërimet hyjnore, judenjtë që kishin mbetur u nisën dhe morën me vete edhe «profetin Jeremia e Barukun, birin e Nerjahut». Jeremia thotë: «Së fundi hynë në Egjipt, sepse nuk iu bindën zërit të Jehovait. E dalëngadalë mbërritën në Tafnes.» Ky ishte një qytet kufitar, në pjesën lindore të deltës së Nilit, në kufi me Sinain. Që nga ky rast, Baruku nuk del më në Bibël.—Jeremia 43:5-7.
Çfarë mund të mësojmë nga Baruku?
Nga Baruku mund të nxjerrim shumë mësime me vlerë. Një mësim i rëndësishëm është gatishmëria e tij për të shfrytëzuar në shërbim të Jehovait aftësitë profesionale dhe lidhjet me të njohurit, pavarësisht nga pasojat. Sot shumë Dëshmitarë të Jehovait, burra e gra, tregojnë të njëjtën gatishmëri, duke ofruar aftësitë e tyre në shërbimin në Bethel, në veprën e ndërtimit e në fusha të tjera si këto. Si mund ta tregoni edhe ju frymën e Barukut?
Kur i kujtuan të mbante parasysh se në ditët e fundit të Judës nuk kishte kohë për të kërkuar «gjëra të mëdha» për vete, Baruku reagoi mirë, pasi e fitoi vërtet si plaçkë shpirtin. Është e arsyeshme që edhe ne ta zbatojmë këtë këshillë, meqë ashtu si Baruku, jetojmë në ditët e fundit të këtij sistemi. Jehovai na premton të njëjtën gjë—do të na shpëtojë jetën. A do të reagojmë ndaj përkujtuesve të tillë siç bëri Baruku?
Nga kjo histori mund të mësojmë edhe diçka praktike. Baruku e ndihmoi Jereminë dhe kushëririn e tij të ndiqnin procedurat e nevojshme ligjore në shitblerjen që realizuan, ndonëse ata ishin kushërinj. Ky rast vlen si shembull nga Shkrimet për të krishterët që kanë marrëdhënie biznesi me vëllezërit dhe motrat e tyre në besim. Kur i bëjmë me shkrim marrëveshjet e biznesit, po ndjekim një shembull që na jep Bibla, po tregohemi praktikë dhe mirëdashës.
Ndonëse Bibla flet pak për Barukun, ia vlen që të gjithë të krishterët sot t’i kushtojnë vëmendje shembullit të tij. A do ta imitoni shembullin e mirë që la ky sekretar besnik i Jeremisë?
[Shënimi]
^ par. 3 Bëhet fjalë për një copë argjilë që përdorej për të vulosur fillin që mbështillte një dokument të rëndësishëm. Argjila ishte shtypur me një vulë që identifikonte pronarin ose dërguesin.
[Figura në faqen 16]
Vula e Barukut
[Burimi]
Vula: Me mirësjellje nga Muzeu i Izraelit, Jerusalem