Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jobi​—Një njeri me qëndrueshmëri dhe integritet

Jobi​—Një njeri me qëndrueshmëri dhe integritet

Jobi​—Një njeri me qëndrueshmëri dhe integritet

«A e ke vënë re Jobin, shërbëtorin tim? A ke vënë re që nuk ka në tërë tokën njeri si ai, të paqortueshëm dhe të drejtë, që ka frikë nga Perëndia dhe që i largohet së keqes?»—JOBI 1:8.

1, 2. (a) Çfarë tragjedish të papritura i ndodhën Jobit? (b) Përshkruani jetën e Jobit para se t’i ndodhnin tragjeditë.

ISHTE një njeri që me sa dukej kishte gjithçka: pasuri, prestigj, shëndet të mirë dhe jetë familjare të lumtur. Por, më pas, atij i ndodhën me shpejtësi tri tragjedi njëra pas tjetrës. Papritur humbi pasurinë. Më tej një stuhi e pazakonshme ua mori jetën gjithë fëmijëve të tij. Shumë shpejt pas kësaj e zuri një sëmundje ligështuese që ia mbushi tërë trupin me çibanë që i shkaktonin dhembje. Ky njeri ishte Jobi, një figurë themelore në librin biblik që mban emrin e tij.—Jobi, kapitujt 1 dhe 2.

2 «Ah të isha prapë si në muajt hënorë të dikurshëm»,—rënkoi ai. (Jobi 3:3; 29:2) E kush prej nesh, kur i ndodh ndonjë gjëmë, nuk i dëshiron me zjarr ditët kur ishte më mirë? Jobi kishte bërë një jetë të moralshme dhe me sa duket kishte qenë i mbrojtur nga fatkeqësitë. Njerëz të shquar e respektonin dhe kërkonin këshillën e tij. (Jobi 29:5-11) Ai ishte i pasur, por i jepte vendin e duhur parasë. (Jobi 31:24, 25, 28) Kur ndeshte vejusha ose jetimë në nevojë, i ndihmonte. (Jobi 29:12-16) E po ashtu ishte besnik ndaj gruas.—Jobi 31:1, 9, 11.

3. Si e konsideronte Jehovai Jobin?

3 Jobi bënte një jetë të paqortueshme sepse adhuronte Perëndinë. Jehovai tha: «Nuk ka në tërë tokën njeri si ai, të paqortueshëm dhe të drejtë, që ka frikë nga Perëndia dhe që i largohet së keqes.» (Jobi 1:1, 8) Por pavarësisht se Jobi ishte me integritet moral, tragjeditë ia shkatërruan jetën e rehatshme që bënte. Gjithçka për të cilën kishte punuar, u zhduk, dhe karakteri i tij i vërtetë u sprovua nga dhembjet, angështia dhe shkurajimi.

4. Pse do të jetë dobiprurëse të shqyrtojmë sprovën e Jobit?

4 Sigurisht Jobi nuk është i vetmi shërbëtor i Perëndisë që ka pësuar fatkeqësi. Shumë të krishterë sot mund ta kuptojnë mirë përvojën e tij, meqë kanë kaluar situata të ngjashme. Për këtë arsye ia vlen të shqyrtojmë dy pyetje: Në ç’mënyrë shqyrtimi i sprovës së Jobit mund të na ndihmojë kur përjetojmë një tragjedi? Dhe, si mund të na mësojë kjo sprovë që të tregojmë më shumë empati ndaj të tjerëve që vuajnë?

Një çështje besnikërie dhe një sprovë integriteti

5. Pse i shërbente Jobi Perëndisë sipas akuzës së Satanait?

5 Rasti i Jobit ishte i veçantë. Jobi nuk e dinte që Satanai kishte vënë në dyshim motivet që e nxitnin t’i shërbente Perëndisë. Në një rast, kur krijesat frymore ishin mbledhur në qiell, Jehovai tërhoqi vëmendjen te cilësitë e shkëlqyera të Jobit, dhe Satanai u përgjigj: «A nuk ke ngritur një gardh rreth tij, rreth shtëpisë së tij dhe rreth gjithçkaje që ka përqark?» Kështu Satanai tha që Jobi motivohej nga egoizmi dhe la të kuptohej se kështu bënin të gjithë shërbëtorët e Perëndisë. «A mund ta zgjatësh dorën e të prekësh çdo gjë që ka? Pastaj shih po nuk të mallkoi sy më sy!»—i tha Satanai Jehovait.—Jobi 1:8-11.

6. Cilën çështje të rëndësishme ngriti Satanai?

6 Kjo ishte një çështje e rëndësishme. Satanai vuri në dyshim mënyrën si Jehovai e ushtron sovranitetin. A është e mundur që Perëndia ta sundojë universin me dashuri? Ose, siç la të kuptonte Satanai, a do të fitojë gjithnjë egoizmi në fund të fundit? Jehovai e lejoi Djallin që ta përdorte rastin e Jobit si një precedent për të gjitha rastet e ngjashme, duke qenë i sigurt për integritetin dhe besnikërinë e shërbëtorit të Tij. Pra, ishte Satanai që i shkaktoi Jobit ato gjëma që i ranë me shpejtësi njëra pas tjetrës. Kur Satanai dështoi në sulmet e tij të para, e goditi Jobin me një sëmundje të dhembshme. «Lëkurë për lëkurë, dhe njeriu jep gjithë ç’ka për shpirtin e tij»,—tha Djalli.—Jobi 2:4.

7. Në cilat mënyra shërbëtorët e Perëndisë sot mund të hasin sprova të ngjashme me ato të Jobit?

7 Edhe pse shumica e të krishterëve sot nuk vuajnë aq sa Jobi, ata vuajnë nga shtrëngime të llojeve të ndryshme. Shumë hasin përndjekje ose probleme familjare. Vështirësitë ekonomike ose shëndeti i dobët mund të të shkatërrojnë. Disa kanë humbur jetën për shkak të besimit. Natyrisht, nuk duhet të mendojmë që e shkakton Satanai çdo tragjedi që pësojmë. Në të vërtetë, disa probleme mund të vijnë si pasojë e gabimeve tona ose nga gjendja fizike që kemi trashëguar. (Galatasve 6:7) Gjithashtu, të gjithë ne mund të ndikohemi nga pasojat rrënuese të pleqërisë dhe të katastrofave natyrore. Bibla e bën të qartë se, tani për tani, Jehovai nuk i mbron me anë të ndonjë mrekullie shërbëtorët e tij nga këto vuajtje.—Eklisiastiu 9:11.

8. Si mund të orvatet Satanai të përfitojë nga shtrëngimet që hasim?

8 Gjithsesi Satanai mund të përdorë shtrëngimet që hasim, për të na minuar besimin. Apostulli Pavël tha se e mundonte «një gjemb në mish, një engjëll i Satanait», i cili ‘i binte vazhdimisht me shuplaka’. (2 Korintasve 12:7) Pavarësisht nëse ky gjemb ishte një problem fizik, si për shembull, shikimi i dobët a diçka tjetër, Pavli e kuptoi se Satanai mund ta përdorte problemin dhe shkurajimin që vinte si pasojë, për t’i hequr gëzimin dhe për t’i dobësuar integritetin. (Proverbat 24:10) Sot Satanai mund të nxitë familjarët, shokët e klasës ose edhe qeveritë diktatoriale, që të përndjekë shërbëtorët e Perëndisë.

9. Pse nuk duhet të çuditemi shumë kur hasim vuajtje ose përndjekje?

9 Si mund t’i përballojmë këto probleme me sukses? Duke i parë si një rast për të treguar se jemi të vendosur ta duam Jehovain dhe t’i nënshtrohemi sovranitetit të tij. (Jakovi 1:2-4) Cilido qoftë shkaku i vuajtjeve tona, kur kuptojmë rëndësinë e besnikërisë ndaj Perëndisë, kjo do të na ndihmojë të ruajmë ekuilibrin frymor. Apostulli Pjetër u shkroi të krishterëve: «Të dashur, të mos ju vijë çudi për zjarrin që djeg mes jush si sprovë, thua se po ju ngjet një gjë e çuditshme.» (1 Pjetrit 4:12) Dhe Pavli shpjegoi: «Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me përkushtim hyjnor në unitet me Krishtin Jezu, do t’i përndjekin.» (2 Timoteut 3:12) Satanai vazhdon ta vërë në dyshim integritetin e Dëshmitarëve të Jehovait, ashtu siç bëri me Jobin. Në fakt, Bibla tregon që Satanai i ka shtuar sulmet ndaj popullit të Perëndisë gjatë këtyre ditëve të fundit.—Zbulesa 12:9, 17.

Një keqkuptim dhe disa këshilla të gabuara

10. Çfarë rrethane të pafavorshme kishte Jobi?

10 Jobi kishte një rrethanë të pafavorshme që ne nuk e kemi. Ai nuk e dinte pse i kishin ndodhur gjëmat. Gabimisht Jobi doli në përfundimin që në ndonjë mënyrë ‘Jehovai i kishte dhënë dhe Jehovai ia kishte marrë gjërat’. (Jobi 1:21) Mbase Satanai kastile u përpoq t’i jepte përshtypjen Jobit se mundimet ia kishte sjellë Perëndia.

11. Shpjegoni reagimin e Jobit ndaj gjëmave që i ndodhën.

11 Megjithëse nuk pranoi të mallkonte Perëndinë, siç e nxiti gruaja, Jobi u shkurajua shumë. (Jobi 2:9, 10) ‘Me sa duket të ligjtë ia kalojnë shumë më mirë se unë’,—tha ai. (Jobi 21:7-9) ‘Pse po më ndëshkon Perëndia?’—duhet të ketë pyetur veten. Kishte çaste kur donte të vdiste. «Ah sikur të më fshihje në Sheol! Të më mbaje fshehur, gjersa të të shuhej zemërimi»,—thirri ai.—Jobi 14:13.

12, 13. Si ndikuan te Jobi komentet e tre shokëve të tij?

12 Jobi kishte tre shokë që i erdhën për vizitë gjoja që «t’i qanin hallin e ta ngushëllonin». (Jobi 2:11) Por ata u treguan «ngushëllues të bezdisshëm». (Jobi 16:2) Jobin mund ta kishin ndihmuar miqtë, të cilëve mund t’u ishte zbrazur për problemet, por këta të tre vetëm sa ia shtuan pështjellimin dhe ndjenjat e shkurajimit.—Jobi 19:2; 26:2.

13 Siç mund të kuptohet, Jobi ndoshta ka pyetur veten: ‘Pse më ndodhën mua? Ç’kam bërë që të meritoj tërë këtë gjëmë?’ Shokët i dhanë shpjegime që ishin krejt të pavërteta. Sipas tyre, Jobit i erdhën vuajtjet ngaqë kishte kryer ndonjë mëkat të rëndë. «Kur ka ndodhur që të zhduket një i drejtë?—pyeti Elifazi.—Nga sa kam parë unë, ata që thurin të këqija dhe që mbjellin telashe, këto i korrin vetë.»—Jobi 4:7, 8.

14. Pse nuk duhet t’i shohim menjëherë vuajtjet si pasoja të një sjelljeje të gabuar?

14 Është e vërtetë se mund të kemi probleme nëse mbjellim sipas mishit e jo sipas frymës. (Galatasve 6:7, 8) Megjithatë, në këtë botë problemet mund të lindin pavarësisht nga sjellja jonë. Për më tepër, nuk mund të thuhet në asnjë mënyrë se njerëzve të pafajshëm nuk u ndodhin gjëma. Jezu Krishti, i cili ishte «i pandotur, i ndarë nga mëkatarët», vdiq në mënyrë të dhembshme në një shtyllë torture dhe apostulli Jakov u martirizua. (Hebrenjve 7:26; Veprat 12:1, 2) Arsyetimi i gabuar i Elifazit dhe i dy shokëve të tij e shtynë Jobin të mbronte emrin e tij të mirë dhe të ngulte këmbë në pafajësinë e tij. Megjithatë, nëpërmjet supozimeve të tyre kokëforta, se Jobi i meritonte vuajtjet, ata mund të kenë ndikuar në pikëpamjen e tij për drejtësinë e Perëndisë.—Jobi 34:5; 35:2.

Si të gjejmë ndihmë, kur hasim shtrëngim?

15. Cili arsyetim do të na ndihmojë kur kalojmë vuajtje?

15 A nxjerrim ndonjë mësim nga Jobi? Tragjeditë, sëmundjet ose përndjekja mund të na duken shumë të padrejta. Të tjerët duket se nuk i kanë mjaft prej këtyre problemeve. (Psalmi 73:3-12) Ndonjëherë mund të na duhet t’i bëjmë vetes këto pyetje thelbësore: ‘A më shtyn dashuria për Perëndinë që t’i shërbej atij, të ndodhë ç’të ndodhë? A dëshiroj me zjarr t’i jap Jehovait «një përgjigje për atë që e sfidon»?’ (Proverbat 27:11; Mateu 22:37) Nuk duhet të lejojmë kurrë që fjalët e pamenda të të tjerëve të na bëjnë të dyshojmë për Atin tonë qiellor. Një e krishterë besnike që vuante prej vitesh nga një sëmundje kronike, një herë tha: «E di se çfarëdo gjëje që të lejojë Jehovai, do ta pranoj. E di se ai do të më japë forcën e nevojshme. Gjithnjë e ka bërë këtë.»

16. Si u siguron ndihmë Fjala e Perëndisë atyre që hasin vështirësi?

16 Në lidhje me taktikat e Satanait dimë gjëra që Jobi nuk i dinte. «Nuk jemi në padije të intrigave të tij» ose të planeve të tij të liga. (2 Korintasve 2:11) Për më tepër kemi me bollëk mençuri praktike që mund ta shfrytëzojmë. Në Bibël gjejmë tregime për njerëz besnikë që duruan lloj-lloj vështirësish. Apostulli Pavël, i cili vuajti më shumë se shumica e të krishterëve, shkroi: «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë.» (Romakëve 15:4) Një Dëshmitar në Evropë, që e kishin burgosur gjatë Luftës II Botërore për shkak të besimit, shkëmbeu racionet e ushqimit të tri ditëve me një Bibël. «Sa me vlerë qe ai shkëmbim!—thotë ai.—Pavarësisht se isha i uritur, mora ushqimin frymor që më ndihmoi mua dhe të tjerë të qëndronim në sprovat gjatë atyre kohëve të trazuara. E kam ruajtur atë Bibël deri sot e kësaj dite.»

17. Cilat masa nga Perëndia mund të na ndihmojnë të qëndrojmë?

17 Përveç ngushëllimit nga Shkrimet, kemi shumë mjete ndihmëse për studimin e Biblës që na japin drejtim të dobishëm për t’u bërë ballë problemeve. Po të kërkosh te Treguesi i botimeve Watch Tower, ndoshta do të gjesh ndonjë përvojë të një të bashkëkrishteri që ka pasur një sprovë si e jotja. (1 Pjetrit 5:9) Gjithashtu mund të jetë e dobishme të flasësh për rrethanat e tua me pleq që të kuptojnë ose me të krishterë të tjerë të pjekur. Mbi të gjitha, nëpërmjet lutjes, mund të kesh besim te ndihma e Jehovait dhe e frymës së tij të shenjtë. Si i duroi Pavli ‘shuplakat’ e Satanait? Duke mësuar të mbështetej në fuqinë e Perëndisë. (2 Korintasve 12:9, 10) Ai shkroi: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.»—Filipianëve 4:13.

18. Si mund të japin inkurajim të vlefshëm të bashkëkrishterët?

18 Pra, ke ndihmë dhe kurrë nuk duhet të ngurrosh për ta kërkuar. «Po të shkurajohesh në ditë të keqe, fuqia jote do të jetë e paktë»,—thotë një proverb. (Proverbat 24:10) Ashtu si termitet mund ta bëjnë një shtëpi prej druri që të shembet, po kështu shkurajimi mund t’ia gërryejë integritetin një të krishteri. Që të na mbrojë nga ky rrezik, Jehovai na mbështet nëpërmjet bashkëshërbëtorëve të tij. Natën që e arrestuan, Jezuit iu shfaq një engjëll dhe e forcoi. (Luka 22:43) Ndërsa udhëtonte drejt Romës si i burgosur, Pavli «falënderoi Perëndinë dhe mori zemër» kur takoi vëllezërit te Pazari Apia dhe Tri Tavernat. (Veprat 28:15) Një Dëshmitare gjermane kujton ende ndihmën që mori sapo mbërriti në kampin e përqendrimit në Ravensbruk kur në atë kohë ishte një adoleshente e trembur. Ajo kujton: «Një e krishterë më doli menjëherë përpara dhe më priti me ngrohtësi. Një motër tjetër u kujdes për mua dhe u bë si një nënë frymore.»

«Tregohu i besueshëm»

19. Çfarë e ndihmoi Jobin t’u rezistonte përpjekjeve të Satanait?

19 Jehovai e përshkroi Jobin si një njeri ‘që e mbante integritetin e tij të patundur’. (Jobi 2:3) Edhe pse ndihej i shkurajuar dhe nuk e kuptonte pse vuante, Jobi nuk u lëkund asnjëherë në lidhje me çështjen jetësore të besnikërisë. Ai nuk pranoi të mohonte gjithçka për të cilën kishte jetuar. Jobi tha me këmbëngulje: «Nga integriteti im nuk do të heq dorë gjersa të vdes.»—Jobi 27:5.

20. Pse ia vlen të tregojmë qëndrueshmëri?

20 Po e njëjta vendosmëri do të na ndihmojë të ruajmë integritetin nën çfarëdo rrethane: përballë tundimeve, kundërshtimit ose vuajtjeve. «Mos ki frikë nga ato që do të vuash pas pak kohe,—i tha Jezui kongregacionit në Smirnë.—Ja, Djalli do të vazhdojë të futë disa nga ju në burg, që të sprovoheni plotësisht e të keni shtrëngim [probleme, ankth ose shtypje] për dhjetë ditë. Tregohu i besueshëm deri në vdekje, dhe unë do të të jap kurorën e jetës.»—Zbulesa 2:10.

21, 22. Dijenia për cilën gjë mund të na ngushëllojë kur hasim shtrëngim?

21 Në këtë botë të sunduar nga Satanai, qëndrueshmëria dhe integriteti ynë do të sprovohen. Megjithatë, Jezui na siguron se, teksa presim të ardhmen, nuk kemi arsye për të pasur frikë. Gjëja e rëndësishme është që të tregohemi të besueshëm. Pavli tha se «shtrëngimi është kalimtar», kurse ‘lavdia’ ose shpërblimi që na premton Jehovai, «tejkalon gjithnjë e më shumë çdo gjë dhe është e përhershme». (2 Korintasve 4:17, 18) Edhe shtrëngimi i Jobit ishte i përkohshëm po ta krahasojmë me vitet e shumta që gëzoi para dhe pas sprovës së tij.—Jobi 42:16.

22 Megjithatë, mund të ketë çaste në jetë kur sprovat na duken të pafundme dhe vuajtjet pothuajse të padurueshme. Në artikullin vijues do të shqyrtojmë se si përvoja e Jobit mund të na japë mësime të tjera për qëndrueshmërinë. Gjithashtu do të shohim edhe disa mënyra se si të mund t’i forcojmë të tjerët që po vuajnë.

Si do të përgjigjeshit?

• Cilën çështje thelbësore ngriti Satanai në lidhje me integritetin e Jobit?

• Pse vuajtjet nuk duhet të na çuditin shumë?

• Si na ndihmon Jehovai të qëndrojmë?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 23]

Mund të na ndihmojë të qëndrojmë nëse bëjmë kërkime, flasim me të krishterë të pjekur dhe e zbrazim zemrën gjatë lutjes