Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
A do të jetë e mundur që, pas provës përfundimtare në fund të Mijëvjeçarit, njerëzit të mëkatojnë e të vdesin?
Për të marrë përgjigje, na ndihmojnë dy shkrime që gjenden te Zbulesa: «Vdekja dhe Hadesi u hodhën në liqenin e zjarrit. Kjo do të thotë vdekja e dytë, liqeni i zjarrit.» (Zbulesa 20:14) «Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»—Zbulesa 21:4.
Vini re kohën në të cilën ndodhin veprimet në këto dy vargje. Hedhja e ‘vdekjes dhe e Hadesit’ në liqenin e zjarrit ndodh pasi të mbijetuarit e Harmagedonit, të ringjallurit dhe çdo njeri që ka lindur pas Harmagedonit, të jenë gjykuar sipas «gjërave të shkruara në rrotulla» ose kërkesave të hollësishme të Jehovait për njerëzimin gjatë një mijë vjetëve. (Zbulesa 20:12, 13) Apostulli Gjon dokumenton një vegim tjetër, që gjendet te kapitulli 21 i Zbulesës, i cili do të plotësohet gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit Jezu. Megjithatë, përmbushja e plotë e atij vegimi do të ndodhë në fund të Ditës mijëvjeçare të Gjykimit. Jehovai do të banojë me njerëzimin në kuptimin e plotë, pa ndonjë ndërmjetës, meqë Jezui do t’ia ketë dorëzuar Mbretërinë Atit të tij. Jehovai do të banojë në kuptimin simbolik me ‘popullin e tij’ në mënyrë të përhershme dhe të drejtpërdrejtë. «Nuk do të ketë më vdekje» në kuptimin e plotë të fjalës, kur njerëzimi të ketë arritur përsosmërinë falë zbatimit në masë të plotë të vlerës së flijimit shpërblyes të Krishtit.—Zbulesa 21:3, 4.
Prandaj, vdekja që përmendet në shkrimet e cituara më sipër është vdekja adamike, e cila do të asgjësohet nga shpërblesa e Krishtit. (Romakëve 5:12-21) Kur të jetë asgjësuar vdekja që ishte trashëguar nga njeriu i parë, njerëzit do të jenë tamam siç ishte Adami kur u krijua në fillim. Adami ishte i përsosur, por kjo nuk do të thoshte se nuk kishte asnjë mundësi që ai të vdiste. Jehovai i tha Adamit të mos hante nga «pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes» dhe i tha: «Ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur.» (Zanafilla 2:17) Ajo ishte vdekje që do të vinte nga një mëkat i kryer me dashje. Pas provës përfundimtare, në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar, njerëzit do të vazhdojnë të jenë krijesa me vullnet të lirë. (Zbulesa 20:7-10) Ata do të jenë të lirë të zgjedhin që të vazhdojnë t’i shërbejnë ose jo Jehovait. Prandaj nuk mund të themi me siguri që asnjë njeri nuk do t’ia kthejë kurrë shpinën Perëndisë, siç bëri Adami.
Çfarë do të ndodhë me dikë që zgjedh të rebelohet pas provës përfundimtare kur të mos ketë më vdekje ose Hades? Në atë kohë vdekja adamike nuk do të jetë më. Nuk do të ketë më as Hades, varri i përbashkët i njerëzimit prej të cilit ka shpresë të ringjallesh. Gjithsesi Jehovai mund të asgjësojë çdo rebel në liqenin e zjarrit, duke i mohuar çdo shpresë për ringjallje. Ajo vdekje do të jetë si vdekja që pësoi Adami dhe Eva, dhe jo si vdekja që trashëguan njerëzit nga Adami.
Megjithatë nuk kemi arsye që të mendojmë se do të ndodhë një gjë e tillë. Ata që do të kalojnë provën përfundimtare, do të ndryshojnë nga Adami në një kuptim thelbësor. Do të jenë sprovuar plotësisht. Mund të jemi të sigurt se prova përfundimtare do të jetë e plotë, sepse Jehovai di si t’i hetojë mirë njerëzit. Mund të mbetemi të sigurt që në provën përfundimtare do të zhduket cilido që do ta keqpërdorë lirinë e zgjedhjes. Pra, ndonëse është e mundur që ata që do të kalojnë provën përfundimtare të rebelohen kundër Perëndisë e kështu të shkatërrohen, ka shumë pak të ngjarë që të ndodhë një gjë e tillë.
[Figura në faqen 31]
Në cilin kuptim, pas provës përfundimtare njerëzimi do të jetë si Adami?