Zemërbutët do të trashëgojnë tokën
Zemërbutët do të trashëgojnë tokën
«Besoj se natyra do të shndërrohet dhe do të ripërtërihet. . . . Kjo nuk do të ndodhë tani shpejt, por në një epokë shumë të largët, kur do të ketë një qiell të ri dhe një tokë të re.»—Zhan-Mari Pelti, specialist francez për mjedisin.
DUKE qenë të shqetësuar nga kushtet sociale dhe të mjedisit në tokë, shumë veta do të donin ta shihnin planetin të shndërruar në një parajsë. Por kjo dëshirë nuk është vetëm një ëndërr e shekullit të 21-të. Shumë kohë më parë Bibla premtonte rivendosjen e Parajsës në tokë. Deklaratat e Jezuit, ‘zemërbutët . . . do ta trashëgojnë tokën’ dhe «u bëftë vullneti yt në tokë si në qiell», janë ndër shkrimet më të njohura të Biblës. (Mateu 5:5; 6:10, Diodati i Ri) Megjithatë, sot shumë njerëz nuk besojnë te një parajsë tokësore ku do të banojnë zemërbutët. Për shumicën e atyre që thonë se janë të krishterë, ideja e Parajsës nuk ekziston më.
Revista javore franceze La Vie shpjegon pse ka humbur besimi te parajsa—qoftë në tokë, qoftë në qiell—të paktën në Kishën Katolike. Në revistë thuhet: «Pasi mbizotëroi për të paktën 19 shekuj në mësimet katolike, [ideja e] parajsës është zhdukur nga meditimet me karakter fetar, nga fjalimet e të dielave në kisha, nga kurset teologjike dhe nga klasat e katekizmit.» Vetë fjala parajsë thuhet se është mbuluar nga «një mjegull e dendur» me «mister dhe pështjellim». Disa predikues e shmangin qëllimisht atë, sepse «përcjell tepër përfytyrime të lumturisë tokësore».
Për Frederik Lenuarin, sociolog i specializuar në fushën e fesë, idetë për parajsën janë bërë «imazhe shabllone». Po kështu Zhan Delymoja, historian dhe autor i disa librave për këtë temë, mendon se përmbushja e premtimeve të Biblës është kryesisht simbolike. Ai shkruan: «Pyetjes: ‘Çfarë ka mbetur nga Parajsa?’ besimi i krishterë vazhdon t’i përgjigjet: falë ringjalljes së Shpëtimtarit, një ditë të gjithë ne do t’i japim dorën njëri-tjetrit dhe do të shohim me sytë tanë lumturi.»
A është ende me vend mesazhi për një parajsë tokësore? Cila është tamam e ardhmja e planetit tonë? A është i mjegullt vegimi për të ardhmen apo mund të shihet qartë? Artikulli vijues do t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve.
[Burimi i figurës në faqen 2]
KAPAKU: Emma Lee/Life File/Getty Images