«Bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja»
«Bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja»
«Për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime.»—FILIPIANËVE 4:6.
1. Me kë kemi privilegjin të komunikojmë, dhe pse është mahnitëse kjo?
NËSE do të kërkoje një takim me sundimtarin e vendit tënd, ç’përgjigje do të merrje? Ndoshta do të të përgjigjej me mirësjellje personeli, por vështirë se do të të lejonin të flitje me vetë sundimtarin. Mirëpo ndodh krejt ndryshe me Sundimtarin më të madh nga të gjithë, Perëndinë Jehova, Sovranin e universit. Ne kemi mundësinë t’i afrohemi atij kudo që mund të jemi dhe kurdo që duam. Ai do t’i dëgjojë gjithnjë lutjet që janë të pranueshme për të. (Proverbat 15:29) Kjo është vërtet e mrekullueshme! A nuk duhet të na nxitë mirënjohja për këtë që t’i lutemi rregullisht Atij që me të drejtë është quajtur ‘Dëgjuesi i lutjes’?—Psalmi 65:2.
2. Ç’gjë është e nevojshme që lutjet të jenë të pranueshme për Perëndinë?
2 Megjithatë, dikush mund të pyesë: ‘Cilat lutje janë të pranueshme për Perëndinë?’ Bibla shpjegon një gjë të nevojshme që lutjet të jenë të tilla, kur thotë: «Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh atij, sepse kush i afrohet Perëndisë, duhet të besojë se ai është dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm.» (Hebrenjve 11:6) Po, siç u shpjegua në artikullin e mëparshëm, një kërkesë kryesore për t’iu afruar Perëndisë është besimi. Perëndia është i gatshëm të pranojë lutjet e atyre që i afrohen atij. Megjithatë, ata duhet t’i afrohen me besim e të bëjnë vepra të drejta, si edhe të tregojnë sinqeritet e të kenë një qëndrim të duhur të zemrës.
3. (a) Për çfarë mund të lutemi, siç tregohet nga lutjet e shërbëtorëve besnikë të lashtësisë? (b) Cilat janë disa lloje lutjesh?
3 Apostulli Pavël i këshilloi të krishterët e ditëve të tij: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime.» (Filipianëve 4:6, 7) Bibla përmban shumë shembuj të njerëzve që iu lutën Perëndisë për shqetësimet e tyre. Mes atyre ishin Hana, Elija, Hezekia dhe Danieli. (1 Samuelit 2:1-10; 1 Mbretërve 18:36, 37; 2 Mbretërve 19:15-19; Danieli 9:3-21) Ne duhet të ndjekim shembullin e tyre. Gjithashtu, vërejmë se fjalët e Pavlit tregojnë që lutjet tona mund të jenë të llojeve të ndryshme. Ai përmendi falënderimet, pra, lutjet me të cilat shprehim mirënjohjen për atë që bën Jehovai për ne. Këto lutje mund të shoqërohen me lëvdime. Përgjërimi është një lutje e përulur dhe me ngulm. Gjithashtu, ne mund të bëjmë kërkesa për diçka specifike. (Luka 11:2, 3) Ati ynë qiellor pranon me kënaqësi cilëndo nga këto mënyra për t’iu afruar atij.
4. Edhe se Jehovai i di nevojat tona, pse atëherë i bëjmë kërkesa?
4 Disa mund të pyesin: ‘A nuk i di Jehovai të gjitha nevojat tona?’ Patjetër që po. (Mateu 6:8, 32) Pse, atëherë, do që t’i bëjmë kërkesa? Shqyrtoni këtë shembull: pronari i një dyqani mund t’u ofrojë një dhuratë klientëve të tij. Por, që të marrin atë, klientët duhet të shkojnë te pronari dhe ta kërkojnë dhuratën. Ata që s’e marrin mundimin të shkojnë, tregojnë se në të vërtetë nuk e çmojnë ofertën. Po kështu, po të mos i bëjmë të njohura kërkesat tona me anë të lutjes, tregojmë mungesë çmueshmërie për atë që na siguron Jehovai. Jezui tha: «Kërkoni dhe do të merrni.» (Gjoni 16:24) Në këtë mënyrë tregojmë se mbështetemi te Perëndia.
Si duhet t’i afrohemi Perëndisë?
5. Pse duhet të lutemi në emër të Jezuit?
5 Jehovai nuk vë rregulla të shumta e të ngurta për mënyrën se si të lutemi. Sidoqoftë, duhet të mësojmë si t’i afrohemi Perëndisë, dhe kjo është shpjeguar në Bibël. Për shembull, Jezui i mësoi ithtarët: «Po t’i kërkoni Atit ndonjë gjë, ai do t’jua japë në emrin tim.» (Gjoni 16:23) Pra, duhet të lutemi në emër të Jezuit, duke e pranuar atë si të vetmin kanal nëpërmjet të cilit bekimet e Perëndisë shtrihen në të gjithë njerëzimin.
6. Në ç’pozicion duhet të rrimë kur lutemi?
6 Në ç’pozicion duhet të rrimë kur lutemi? Në Bibël nuk thuhet se duhet të rrimë në ndonjë pozicion të veçantë që të na dëgjohen lutjet. (1 Mbretërve 8:22; Nehemia 8:6; Marku 11:25; Luka 22:41) Rëndësi ka t’i lutemi Perëndisë me sinqeritet dhe me qëndrimin e duhur të zemrës.—Joeli 2:12, 13.
7. (a) Cili është kuptimi i fjalës «amin»? (b) Si përdoret ajo në mënyrë të përshtatshme në lutje?
7 Ç’të themi për përdorimin e fjalës «amin»? Shkrimet tregojnë se zakonisht ky është një përfundim i përshtatshëm për lutjet tona, sidomos kur lutemi në publik. (Psalmi 72:19; 89:52) Fjala hebraike amén ka kuptimin bazë «me siguri». Një enciklopedi (McClintock and Strong’s Cyclopedia) shpjegon se fjala «Amin» në fund të lutjeve, ka kuptimin «të mbështetë fjalët që janë thënë përpara saj dhe të kërkojë përmbushjen e tyre». Pra, kur përdor fjalën «Amin» në fund, ai që lutet, shpreh ndjenjat e sinqerta për atë që sapo ka thënë. Kur një i krishterë përfaqëson kongregacionin në lutje dhe përfundon me këtë fjalë, edhe ata që e dëgjojnë mund të thonë «Amin», në heshtje ose me zë. Kështu tregojnë se e miratojnë nga zemra atë që sapo është thënë.—1 Korintasve 14:16.
8. Si mund të ngjajnë disa nga lutjet tona me ato të Jakobit ose të Abrahamit, dhe çfarë do të tregonte kjo për ne?
8 Ka raste kur Perëndia mund të na lejojë të tregojmë sa i thellë është interesimi ynë për gjërat që lutemi. Ndoshta duhet të bëjmë si Jakobi i lashtësisë i cili u përlesh tërë natën me një engjëll që të merrte një bekim. (Zanafilla 32:24-26) Ose në disa rrethana mund të veprojmë si Abrahami, i cili iu lut disa herë Jehovait për Lotin dhe njerëzit e tjerë të drejtë që mund të ishin në Sodomë. (Zanafilla 18:22-33) Po kështu edhe ne mund t’i lutemi Jehovait për gjëra që janë të çmuara për ne, duke iu përgjëruar në bazë të drejtësisë, mirëdashjes dhe mëshirës së tij.
Çfarë mund të kërkojmë në lutje?
9. Cili duhet të jetë shqetësimi ynë kryesor kur lutemi?
9 Kujtoni që Pavli tha: «Për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja.» (Filipianëve 4:6) Pra, lutjet personale mund të lidhen pothuajse me çdo fushë të jetës. Megjithatë, shqetësimi kryesor kur lutemi duhet të jenë interesat e Jehovait. Danieli la një shembull të shkëlqyer për këtë. Kur banorët e Izraelit u ndëshkuan për mëkatet e tyre, Danieli iu përgjërua Jehovait që të tregonte mëshirë: «Mos vono, për hirin tënd, o Perëndia im, sepse qyteti yt dhe populli yt thirret me emrin tënd.» (Danieli 9:15-19) A tregojnë edhe lutjet tona se shqetësimi ynë kryesor është shenjtërimi i emrit të Jehovait dhe përmbushja e vullnetit të tij?
10. Si e dimë se është e përshtatshme të lutemi për çështjet personale?
10 Është e përshtatshme të bëjmë kërkesa edhe për çështjet personale. Për shembull, ashtu si psalmisti, mund të lutemi që të kuptojmë gjërat më të thella të Perëndisë. Ai u Psalmi 119:33, 34; Kolosianëve 1:9, 10) Jezui «i bëri përgjërime dhe kërkesa Atij që ishte në gjendje ta shpëtonte nga vdekja». (Hebrenjve 5:7) Kështu tregoi sa e përshtatshme është të kërkojmë forcë kur hasim rreziqe ose sprova. Kur u dha dishepujve lutjen model, Jezui përfshiu çështje që na interesojnë personalisht, të tilla si falja e mëkateve dhe sigurimi i ushqimit të përditshëm.
lut: «Më ndihmo të kuptoj, që të respektoj ligjin tënd dhe ta zbatoj me gjithë zemër.» (11. Si mund të na ndihmojë lutja që të mos dorëzohemi para tundimeve?
11 Në lutjen model Jezui përfshiu kërkesën: «Mos na ço në tundim, por na çliro nga i ligu.» (Mateu 6:9-13) Më vonë ai dha këshillën: «Qëndroni vigjilentë dhe lutuni vazhdimisht, që të mos tundoheni.» (Mateu 26:41) Lutja është e domosdoshme kur hasim tundime. Mund të tundohemi të shpërfillim parimet biblike në punë ose në shkollë. Njerëz që nuk janë Dëshmitarë, mund të na ftojnë në aktivitete të diskutueshme. Mund të na kërkojnë të bëjmë diçka që cenon parimet e drejta. Në këto raste bëjmë mirë të ndjekim këshillën e Jezuit që të lutemi edhe para se të hasim një tundim, edhe kur hasim një tundim. T’i kërkojmë Perëndisë që të na ndihmojë të mos biem.
12. Cilat shkaqe që sjellin ankth, mund të na nxitin të lutemi, dhe çfarë mund të presim nga Jehovai?
12 Shërbëtorët e Perëndisë sot përjetojnë tensione të ndryshme dhe ankth në jetë. Shumë vetave ankthin ua shkaktojnë kryesisht sëmundjet dhe stresi emocional. Situatat e dhunshme përreth nesh e bëjnë jetën stresuese. Për shkak të vështirësive ekonomike mezi e sigurojmë jetesën. Sa ngushëlluese Psalmi 102:17 thotë për Jehovain: «Ai do ta dëgjojë lutjen e skamësit, po, nuk do ta përbuzë lutjen e tij.»
është të dimë se Jehovai i dëgjon shërbëtorët e tij që ia tregojnë këto halle!13. (a) Cilat gjëra personale mund të jenë tema të përshtatshme për lutje? (b) Tregoni një shembull të një lutjeje të tillë.
13 Në të vërtetë çdo gjë që ndikon në shërbimin që i bëjmë Jehovait ose në marrëdhënien tonë me të, mund të jetë një temë e përshtatshme për lutje. (1 Gjonit 5:14) Nëse duhet të merrni vendime për martesën, për punën ose për të zgjeruar shërbimin, ndihuni të lirshëm t’ia paraqitni këto çështje Perëndisë, duke i kërkuar drejtim. Për shembull, një e re në Filipine donte të fillonte shërbimin në kohë të plotë. Por nuk kishte një punë që të mbante veten. Ajo thotë: «Një të shtunë iu luta Jehovait në mënyrë specifike për shërbimin si pioniere. Më vonë, po atë ditë, kur isha në predikim, i ofrova një libër një adoleshenteje. Papritur vajza tha: ‘Të hënën në mëngjes duhet të vish patjetër te shkolla ime.’ E pyeta: ‘Po pse?’ Më shpjegoi se kishte një vend pune të lirë që duhej zënë sa më shpejt. Shkova dhe më punësuan menjëherë. Gjithçka ndodhi shpejt e shpejt.» Shumë Dëshmitarë anembanë botës kanë pasur përvoja të ngjashme. Prandaj mos ngurroni t’i luteni Perëndisë për kërkesat tuaja të përzemërta!
Po sikur të kemi mëkatuar?
14, 15. (a) Pse dikush duhet të lutet, edhe nëse ka mëkatuar? (b) Përveç lutjeve personale, ç’gjë tjetër do ta ndihmojë dikë ta marrë veten nga mëkati?
14 Si mund të ndihmojë lutja, nëse dikush ka mëkatuar? Ngaqë kanë turp, disa që kanë mëkatuar, nuk luten. Por kjo nuk është një gjë e mençur. Ta ilustrojmë: pilotët e avionëve e dinë se, nëse humbasin drejtimin, mund të komunikojnë me kontrolluesit e trafikut ajror që të kërkojnë ndihmë. Por, po sikur një pilot që ka humbur të ngurrojë të kontaktojë me kontrolluesit ngaqë ndihet në siklet se ka humbur? Kjo mund të çonte në një katastrofë. Po kështu, dikush që ka mëkatuar dhe ndihet në siklet t’i lutet Perëndisë, mund të pësojë dëme të tjera. Turpi për një mëkat nuk duhet ta pengojë dikë që të mos flasë me Jehovain. Në të vërtetë, Perëndia i fton ata që kanë bërë gabime të rënda, t’i luten atij. Profeti Isaia i nxiti mëkatarët në kohën e tij që t’i luteshin Jehovait, ‘sepse [Ai] fal në masë të madhe’. (Isaia 55:6, 7) Sigurisht dikush mund të ketë nevojë ‘të kërkojë pëlqimin e Jehovait’ së pari duke përulur veten, pastaj duke u kthyer nga rruga mëkatare dhe duke u penduar sinqerisht.—Psalmi 119:58; Danieli 9:13.
15 Kur mëkatojmë, lutja është e rëndësishme edhe për një arsye tjetër. Dishepulli Jakov thotë për dikë që ka nevojë për ndihmë frymore: «Le të thërrasë pranë vetes pleqtë e kongregacionit dhe ata le të luten për të, . . . dhe Jehovai do ta ngrejë.» (Jakovi 5:14, 15) Po, një individ duhet t’ia rrëfejë vetë mëkatin Jehovait në lutje, por mund t’u kërkojë edhe pleqve të luten për të. Kjo do ta ndihmojë ta marrë veten frymësisht.
Përgjigjet e lutjeve
16, 17. (a) Si u përgjigjet Jehovai lutjeve? (b) Cilat përvoja ilustrojnë se lutja dhe vepra e predikimit janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën?
16 Si marrin përgjigje lutjet? Disa mund të marrin përgjigje shpejt dhe në mënyrë të dukshme. (2 Mbretërve 20:1-6) Për të tjerat mund të duhet ca kohë dhe përgjigjet mund të jenë më të vështira të kuptohen. Siç tregohet në ilustrimin e Jezuit për vejushën që shkonte vazhdimisht te gjykatësi, mund të jetë e nevojshme që të këmbëngulim në lutjet drejtuar Perëndisë. (Luka 18:1-8) Megjithatë, mund të jemi të sigurt se, kur lutemi në përputhje me vullnetin e Jehovait, ai kurrë nuk do të na thotë: «Mjaft më bezdise!»—Luka 11:5-9.
17 Populli i Jehovait ka marrë përgjigje për lutjet në shumë raste. Kjo ka ndodhur sidomos në shërbim. Për shembull, dy të krishtere në Filipine po shpërndanin literaturë biblike në një zonë të thellë të vendit. Kur i dhanë një fletushkë një gruaje, asaj iu mbushën sytë me lot. Ajo tha: «Mbrëmë iu luta Perëndisë të më dërgonte dikë që të më mësonte Biblën, dhe mendoj se kjo është përgjigjja e lutjes sime.» Pak kohë më vonë gruaja filloi të ndiqte mbledhjet në Sallën e Mbretërisë. Një i krishterë tjetër nga Azia Juglindore, ndihej pak nervoz të predikonte në një kompleks banesash të sigurisë së lartë. Por iu lut Jehovait, mori guxim dhe hyri brenda. Trokiti në derën e një apartamenti dhe takoi një të re. Kur vëllai i shpjegoi arsyen e vizitës, ajo filloi të qante. Tha se po i kërkonte Dëshmitarët e Jehovait dhe ishte lutur për ndihmë që t’i gjente. Vëllai e ndihmoi me kënaqësi që të lidhej me kongregacionin vendës të Dëshmitarëve të Jehovait.
18. (a) Si duhet të reagojmë kur lutjet tona marrin përgjigje? (b) Për çfarë mund të jemi të sigurt, nëse lutemi në çdo rast?
18 Lutja është vërtet një masë e mrekullueshme. Jehovai është gati të na dëgjojë e të përgjigjet. (Isaia 30:18, 19) Megjithatë, duhet të jemi shumë të vëmendshëm që të kuptojmë se si u përgjigjet Jehovai lutjeve tona. Përgjigjja mund të mos jetë gjithnjë siç e pritnim. Prapëseprapë, kur dallojmë drejtimin e tij, nuk duhet të harrojmë kurrë ta falënderojmë dhe ta lëvdojmë. (1 Selanikasve 5:18) Për më tepër, gjithmonë të kujtojmë këshillën e apostullit Pavël: «Për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime.» Po, përfitoni nga çdo rast të flitni me Perëndinë. Në këtë mënyrë do të vazhdoni të përjetoni vërtetësinë e asaj që thotë Pavli për ata që kanë marrë përgjigje për lutjet e tyre: «Paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore.»—Filipianëve 4:6, 7.
A mund të përgjigjeni?
• Cilat janë disa lloje lutjesh?
• Si duhet të lutemi?
• Cilat tema mund të përfshijmë në lutje?
• Ç’rol luan lutja kur dikush ka mëkatuar?
[Pyetjet]
[Figurat në faqen 29]
Lutjet e përzemërta na ndihmojnë të mos dorëzohemi para tundimeve
[Figurat në faqen 31]
Nëpërmjet lutjes i shprehim Perëndisë mirënjohjen, shqetësimet dhe kërkesat tona