«Falë një djaloshi nëntëvjeçar»
«Falë një djaloshi nëntëvjeçar»
SA HERË që Dëshmitarët e Jehovait shkonin në derën e saj, Vjeslava, e cila banon në jug të Polonisë, me mirësjellje i falënderonte, por nuk pranonte të bisedonte me ta. Një ditë, në derën e saj vajti Samueli nëntëvjeçar me mamanë. Këtë herë Vjeslava vendosi t’i dëgjonte dhe pranoi një revistë që fliste për parajsën në tokë.
Meqë po afrohej Përkujtimi i vdekjes së Jezu Krishtit, Samueli donte ta ftonte Vjeslavën në këtë rast të veçantë. Prandaj, bashkë me mamanë, djaloshi e vizitoi përsëri që t’i jepte një ftesë për Përkujtimin. Kur pa se djaloshi ishte i veshur mirë, Vjeslava kërkoi ndjesë që të largohej për një çast, dhe shkoi të vishej në mënyrë më të përshtatshme. Kur u kthye, e dëgjoi Samuelin, pranoi ftesën dhe e pyeti: «Duhet të vij vetëm apo me burrin?» Pastaj shtoi: «Edhe po s’erdhi im shoq, unë do të vij. Do ta bëj këtë për ty Samuel.» Për kënaqësinë e Samuelit ajo e mbajti fjalën.
Gjatë fjalimit të Përkujtimit, Samueli u ul pranë Vjeslavës dhe i tregonte shkrimet që shqyrtoheshin. Kjo i bëri përshtypje asaj. Vjeslavës i pëlqeu Përkujtimi dhe e çmoi faktin që mendime të thella shpjegoheshin me fjalë të thjeshta. Gjithashtu, u prek nga pritja e ngrohtë dhe mirëdashja që i shfaqi kongregacioni. Që nga ajo kohë Vjeslava ka treguar gjithnjë e më shumë interes për gjërat që i përkasin adhurimit të Perëndisë dhe ka filluar të shoqërohet rregullisht me Dëshmitarët e Jehovait. Kohët e fundit tha: «Më vjen turp që më parë nuk ju dëgjoja kur vinit në derën time. Dhe më duhet ta pranoj se unë e dëgjova mesazhin tuaj vetëm falë një djaloshi nëntëvjeçar, Samuelit.»
Ashtu si Samueli në Poloni, shumë të rinj të tjerë Dëshmitarë të Jehovait i japin lavdi Perëndisë me fjalët dhe sjelljen e tyre të shkëlqyer. Nëse je një i ri, edhe ti mund t’i ndihmosh njerëzit e sinqertë të çmojnë vlerat e shëndosha që mëson Perëndia.