Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Feja: Ç’të mirë sjell?

Feja: Ç’të mirë sjell?

Feja: Ç’të mirë sjell?

«MUND të jem njeri i mirë edhe pa qenë fetar!» Ky është një mendim mjaft i përhapur. Shumë njerëzve të ndershëm, të dhembshur dhe të përgjegjshëm nuk u intereson feja. Për shembull, megjithëse një pjesë e madhe shprehet se beson te Perëndia, të paktë janë ata evropiano-perëndimorë që shkojnë në kishë. * Edhe në Amerikën Latine, vetëm 15 deri 20 për qind e katolikëve shkojnë rregullisht në kishë.

Ashtu si mjaft të tjerë, ndoshta edhe ju mendoni se feja nuk të ndihmon që të kesh një jetë më të mirë. Megjithatë, mbase keni dëgjuar që dekada më parë, në ditët e gjyshërve tuaj, njerëzit ishin më fetarë se sot. Po pse kjo rënie? A mund të jetë i mirë një njeri edhe pa qenë fetar? A ka ndonjë fe nga e cila mund të nxirrni dobi?

Pse shumë njerëz sot janë larguar nga feja?

Për shekuj me radhë, mjaft njerëz që pretendonin se ishin të krishterë, besonin se Perëndia kërkon që t’i bindemi. Ata bënin çmos që të fitonin miratimin e Perëndisë ose nëpërmjet riteve ose duke ndjekur drejtimin e udhëheqësve fetarë. Sigurisht, shumë e kuptonin hipokrizinë e fesë. Njerëzit e njihnin mjaft mirë rolin e fesë gjatë luftës, po kështu edhe sjelljen e korruptuar të disa klerikëve. Por prapëseprapë, shumica mendonin se feja në vetvete ishte diçka e mirë. Të tjerëve u pëlqente misticizmi, tradita dhe muzika; disa madje konsideronin si diçka me vlerë edhe kërcënimin me dënim në ferrin e përjetshëm, e cila është një doktrinë që nuk bazohet në Shkrime. Më vonë, zhvillime të mëtejshme ndryshuan pikëpamjen e njerëzve për fenë.

Teoria e evolucionit u bë goxha e njohur. Disa u bindën se jeta mbi tokë kishte ardhur krejt rastësisht, jo nga Perëndia. Shumë fe nuk arrinin të jepnin prova bindëse se Perëndia është Burimi i jetës. (Psalmi 36:9) Për më tepër, ndërsa teknologjia ecte përpara, arritjet e mëdha në mjekësi, transport dhe komunikim bënë që njerëzit të mendonin se shkenca mund t’i jepte zgjidhje çdo problemi. Pastaj mendonin se këshillat e studiuesve të shkencave shoqërore dhe të psikologëve ishin më të vlefshme se ato të kishave. Ndërsa kishat, nga ana e tyre, nuk arritën të tregonin qartë se të jetosh sipas ligjit të Perëndisë, është udha më e mirë në jetë.—Jakovi 1:25.

Për shkak të kësaj, shumë kisha e ndryshuan mesazhin e tyre. Priftërinjtë dhe udhëheqësit fetarë nuk po predikonin më që Perëndia kërkon t’i bindemi. Në vend të kësaj, mjaft prej tyre mësonin që secili duhet të vendosë vetë çfarë është e drejtë dhe e gabuar. Në përpjekje për të fituar popullaritet, disa udhëheqës fetarë thoshin se Zoti na pranon pavarësisht nga mënyra e jetesës. Këto pikëpamje na kujtojnë atë që paratha Bibla: «Do të vijë një periudhë kohe kur ata njerëz nuk do ta durojnë dot mësimin e shëndoshë, por në përputhje me dëshirat e veta, do të grumbullojnë për vete mësues që t’u gudulisin veshët.»—2 Timoteut 4:3.

Këto mësime, në vend që t’i afronin njerëzit te feja, i larguan nga ajo. Natyrisht, ata menduan: ‘Nëse vetë kishat dyshojnë për fuqinë krijuese të Perëndisë dhe për aftësinë e tij për të nxjerrë ligje, atëherë pse duhet të shkoj në kishë? Pse duhet t’ua fus në gjak fëmijëve fenë?’ Ata që thjesht përpiqeshin të bënin një jetë të pastër, filluan të mendonin se kisha s’mund t’i ndihmonte për këtë. U larguan nga kishat, dhe feja nuk ishte më e rëndësishme për ta. Pse u bë e padobishme diçka që duhej të ishte e dobishme? Për këtë Bibla jep një shpjegim të arsyeshëm.

Feja përdoret për qëllime të këqija

Apostulli Pavël i paralajmëroi të krishterët e hershëm se disa do ta përdornin krishterimin për qëllime të këqija. Ai tha: «Do të hyjnë mes jush ujqër të ligj e nuk do ta trajtojnë kopenë me zemërbutësi, dhe nga gjiri juaj do të ngrihen njerëz e do të thonë gjëra të shtrembëruara, për të tërhequr pas vetes dishepujt.» (Veprat 20:29, 30) Njëri që foli «gjëra të shtrembëruara» ishte Agustini, një teolog katolik. Jezui i kishte mësuar ithtarët e tij t’i bindnin të tjerët duke arsyetuar nga Shkrimet. Por Agustini e shtrembëroi kuptimin e fjalëve të Jezuit te Luka 14:23, ku thuhet «detyroji të hyjnë», duke nënkuptuar se nuk ishte e gabuar të përdorje forcë që të ndryshoje pikëpamjen e njerëzve për fenë. (Mateu 28:19, 20; Veprat 28:23, 24) Agustini e përdorte fenë që të mbante nën kontroll njerëzit.

Por ai që fshihet pas abuzimit dhe ndotjes së fesë, është një engjëll rebel, Satanai. Ai nxiste njerëzit fetarë që të përpiqeshin të ndotnin kongregacionet e krishtere në shekullin e parë. Për ata, Bibla thotë: «Njerëz të tillë janë apostuj të rremë, punëtorë mashtrues, që shndërrohen në apostuj të Krishtit. Dhe s’është për t’u çuditur, sepse vetë Satanai vazhdon të shndërrohet në engjëll drite. Nuk është, pra, ndonjë gjë e madhe nëse edhe shërbëtorët e tij vazhdojnë të shndërrohen në shërbëtorë drejtësie.»—2 Korintasve 11:13-15.

Satanai përdor ende fetë që hiqen si të krishtere, të moralshme dhe të dobishme duke i nxitur njerëzit të jetojnë sipas normave të tij, dhe jo të Perëndisë. (Luka 4:5-7) Ndoshta e keni vënë re që shumë klerikë sot përdorin fenë që të lartësojnë veten me tituj pompozë dhe mbledhin para nga ata që përkrahin kishën e tyre. Gjithashtu, edhe qeveritë kanë përdorur fenë që të bindin njerëzit të sakrifikojnë jetën në luftë.

Djalli e përdor fenë më tepër nga sa ua merr mendja njerëzve. Ju mund të mendoni se vetëm disa fe ekstremiste i shërbejnë interesave të Satanait. Por, sipas Biblës, ai «që quhet Djall dhe Satana, . . . mashtron gjithë tokën e banuar». Bibla thotë edhe: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (Zbulesa 12:9; 1 Gjoni 5:19) Po ç’mendon Perëndia për faktin që feja përdoret nga udhëheqësit fetarë dhe politikë, të cilët duan vetëm t’i tërheqin njerëzit pas vetes?

«Ç’më hyn në punë?»

Nëse tronditeni nga sjellja e disa kishave të Krishterizmit, kini parasysh që Perëndia i Plotfuqishëm nuk i miraton aspak. Krishterizmi pretendon se ka bërë një pakt me Perëndinë, ashtu siç pretendonte edhe populli i Izraelit në lashtësi. Të dyja palët nuk i kanë dalë besnike Perëndisë. Me të njëjtën forcë që dënoi Izraelin, Jehovai dënon edhe Krishterizmin sot. Ai tha: «Nuk u kanë kushtuar kujdes fjalëve të mia dhe as ligjit tim, por e kanë hedhur poshtë. Ç’më hyn në punë temjani që vjen nga Sheba, . . . sakrificat tuaja nuk më pëlqejnë.» (Jeremia 6:19, 20, Diodati i Ri) Perëndia nuk i pranonte aktet e adhurimit të hipokritëve. Atij nuk i interesonin ritet dhe lutjet e tyre. Ai i tha Izraelit: «Shpirti im i urren . . . festat tuaja. M’u bënë barrë; u lodha duke i mbajtur. Kur shtrini duart për t’u lutur, unë i largoj sytë nga ju. Edhe pse lutjet tuaja janë të shumta, unë nuk i dëgjoj.»—Isaia 1:14, 15.

A e kënaqin Jehovain festat që kishat i paraqitin si të krishtere, por që zunë fill nga nderimi që u bëhej perëndive të rreme? A i dëgjon ai lutjet e klerikëve që shtrembërojnë mësimet e Krishtit? A i pranon Perëndia fetë që hedhin poshtë ligjin e tij? Mund të jeni të sigurt se ai reagon ndaj riteve fetare që bëhen sot, ashtu si reagoi edhe ndaj sakrificave të Izraelit në lashtësi, për të cilat tha: ‘Ç’më hyjnë në punë?’

Por, Jehovai interesohet mjaft për adhurimin e pastër të njerëzve të sinqertë. Perëndia kënaqet kur njerëzit shprehin mirënjohje për gjithçka që marrin prej tij. (Malakia 3:16, 17) Atëherë, a mund të jeni njerëz të mirë pa adhuruar Perëndinë? Dikush që nuk bën asgjë për prindërit e tij të dashur, nuk ka si ta konsiderojë veten të mirë, apo jo? A mund të jetë i mirë ai që nuk bën asgjë për Perëndinë? Natyrisht, duhet të tregojmë interes të sinqertë për Perëndinë e vërtetë, nga i cili erdhi vetë jeta. Në artikullin vijues, do të kuptojmë se adhurimi i vërtetë jo vetëm që nderon Perëndinë, por edhe na sjell dobi.

[Shënimi]

^ par. 2 «Vitet 60 . . . në shumë vende shënuan fillimin e rënies së kulturës fetare në tërësi.»—Rënia e Krishterimit në Evropën Perëndimore, 1750-2000, anglisht.

[Figura në faqen 4]

A kanë dhënë prova kishat se Perëndia krijoi gjithçka?

[Figura në faqet 4, 5]

A është e përshtatshme të shohësh një përfaqësues të Perëndisë në këtë rrethanë?

[Figura në faqen 5]

Si e konsideron Perëndia këtë lloj feste?

[Burimi]

AP Photo/Georgy Abdaladze