Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur një i afërm largohet nga Jehovai

Kur një i afërm largohet nga Jehovai

Kur një i afërm largohet nga Jehovai

MARKU dhe Luiza janë Dëshmitarë të Jehovait. * Me kujdes dhe dashuri, ata u mësuan fëmijëve Shkrimet e Shenjta, siç i nxit Bibla prindërit e krishterë. (Proverbat 22:6; 2 Timoteut 3:15) Mjerisht, kur u rritën, fëmijët e tyre nuk vazhduan të gjithë t’i shërbenin Jehovait. «Më ther zemra për fëmijët që janë larguar,—thotë Luiza.—Si mund të hiqem sikur nuk vuaj tmerrësisht çdo ditë? Kur të tjerët flasin për djemtë e tyre, më mblidhet një lëmsh në grykë dhe mezi i mbaj lotët.»

Po, kur dikush vendos të largohet nga Jehovai dhe nga mënyra e jetesës që mësohet në Shkrime, zakonisht familjarët besnikë pikëllohen thellë. «E dua shumë motrën time,—thotë Irena.—Do të bëja çdo gjë, veç të kthehej te Jehovai.» Maria, vëllai i së cilës i ktheu shpinën Jehovait që të bënte një jetë imorale, thotë: «E kam pasur të rëndë, se nga të gjitha anët e tjera ai ka qenë një vëlla i mrekullueshëm për mua. E ndiej mungesën e tij, sidomos në grumbullimet e mëdha familjare.»

Përse është kaq e vështirë?

Përse humbja nga ana frymore e një fëmije ose e një njeriu të dashur i hidhëron kaq shumë të afërmit e krishterë? Sepse e dinë se Shkrimet premtojnë jetë të përhershme në një parajsë në tokë për ata që i qëndrojnë besnikë Jehovait. (Psalmi 37:29; 2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:3-5) Ata mezi presin t’i gëzojnë këto bekime së bashku me bashkëshortët, fëmijët, prindërit, motrat, vëllezërit dhe nipërit. Sa vuajnë kur mendojnë se të afërmit e tyre që nuk i shërbejnë më Jehovait, mund të mos jenë me ta. Madje qysh tani, të krishterët e kuptojnë se ligjet dhe parimet e Jehovait janë për të mirën e tyre. Prandaj pikëllohen kur i shohin të afërmit të bëjnë një jetë që me siguri do t’i sjellë fryte të hidhura.—Isaia 48:17, 18; Galatasve 6:7, 8.

Dikush që nuk e ka provuar kurrë një humbje të tillë, mund ta ketë të vështirë ta kuptojë sa dërrmuese është. Ndikon pothuajse në çdo fushë të jetës. «E kam gjithnjë e më të vështirë të ulem në mbledhjet e krishtere e të shoh prindërit që qeshin e flasin me fëmijët e tyre,—thotë Luiza.—Boshllëku që ndien për njerëzit që mungojnë, të venit çdo rast të gëzueshëm.» Një plak i krishterë sjell ndër mend katër vitet kur vajza e gruas së tij i preu lidhjet me ta. Ai thotë: «Shpesh edhe ‘rastet e bukura’ ishin të vështira. Kur i jepja gruas një dhuratë ose e çoja në një vend të bukur për fundjavë, ajo shpërthente në lot, sepse i shkonte mendja tek e bija që nuk gëzonte me ne.»

Mos vallë po e ekzagjerojnë këta të krishterë? Jo medoemos. Në të vërtetë, deri diku ata po pasqyrojnë cilësitë e Jehovait, pasi njeriu u krijua sipas shëmbëlltyrës së tij. (Zanafilla 1:26, 27) Ç’do të thotë kjo? Po ja, si u ndie Jehovai kur Izraeli, populli i vet, ngriti krye kundër tij? Nga Psalmi 78:38-41 kuptojmë se Jehovai u lëndua e ndjeu dhembje. Megjithatë, ai i paralajmëroi dhe i disiplinoi me durim, duke i falur vazhdimisht kur ata pendoheshin. Është e qartë se Jehovai ka një lidhje të përzemërt me krijesat e veta, me ‘veprën e duarve të tij’ dhe nuk heq dorë kollaj prej tyre. (Jobi 14:15; Jonai 4:10, 11) Ai rrënjosi te njerëzit aftësinë për të pasur lidhje të tilla besnikërie, dhe lidhja midis familjarëve mund të jetë shumë e fortë. Pra, nuk është habi që njerëzit pikëllohen kur një i afërm vdes frymësisht.

Po, humbja frymore e një të afërmi është ndër sprovat më të vështira për adhuruesit e vërtetë. (Veprat 14:22) Jezui tha se mesazhi i tij do të sillte ndarje në disa familje. (Mateu 10:34-38) Kjo nuk vjen ngaqë mesazhi i Biblës në vetvete shkakton ndarje në familje. Por familjarët jobesimtarë ose ata që nuk mbeten besnikë, krijojnë një të çarë, duke hedhur poshtë, duke braktisur e madje duke kundërshtuar rrugën e krishterimit. Megjithatë, t’i jemi mirënjohës Jehovait që nuk i lë besnikët e vet pa ndihmë ndërsa përballojnë sprovat që hasin. Nëse je brengosur për humbjen frymore të një të afërmi, cilat parime biblike mund të të ndihmojnë t’i bësh ballë hidhërimit e të gjesh njëfarë gëzimi e kënaqësie?

Si ta përballosh situatën?

«Duke u forcuar . . . , ruani veten në dashurinë e Perëndisë.» (Juda 20, 21) Në varësi të rrethanave të tua të veçanta, ndoshta për momentin nuk mund të bësh asgjë për të ndihmuar një familjar që nuk i shërben më Jehovait. Megjithatë, mund dhe duhet të forcosh veten si dhe familjarët e tjerë që kanë qëndruar besnikë. Veronika, që ka tre djem, dy prej të cilëve e lanë të vërtetën, thotë: «Burrit dhe mua na thanë se, po të qëndrojmë të fortë frymësisht, do të jemi në gjendjen më të mirë për t’u uruar mirëseardhjen djemve tanë kur të vijnë në vete. Ku do të kishte qenë djali plëngprishës nëse i ati nuk do ta priste kur të kthehej?»

Që të qëndrosh i fortë, zhytu në aktivitetet frymore. Këtu përfshihet një program studimi i thellë i Biblës dhe ndjekja e mbledhjeve të krishtere. Ji i gatshëm të ndihmosh të tjerët në kongregacion për aq sa të lejojnë rrethanat. Vërtet, në fillim disa veprimtari mund të të duken të vështira. Veronika kujton: «Reagimi i parë ishte të veçohesha si një kafshë e plagosur. Por im shoq këmbënguli që ne të ndiqnim një program të mirë me veprimtari frymore. Ai sigurohej që të shkonim në mbledhje. Në një rast, kur do të ndiqnim një kongres, kisha nevojë për shumë forcë që të shkoja dhe të takohesha me njerëzit. Megjithatë, programi na afroi më shumë me Jehovain. Djali tjetër që kishte qëndruar besnik, u forcua shumë në atë kongres.»

Për Marinë, që është përmendur më sipër, një ndihmë e madhe ka qenë sidomos shërbimi, dhe tani ajo po ndihmon katër veta të mësojnë për Biblën. Edhe Laura thotë: «Megjithëse ende qaj çdo ditë, falënderoj Jehovain që, edhe pse nuk kam qenë e suksesshme për të rritur fëmijët si disa prindër të tjerë, kam mesazhin e përsosur nga Bibla që mund t’i ndihmojë familjet në këto ditë të fundit.» Keni dhe Eleonora, fëmijët e të cilëve u larguan nga kongregacioni kur u rritën, i rregulluan punët që të transferoheshin në një zonë ku kishte më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë dhe të fillonin shërbimin në kohë të plotë. Kjo i ka ndihmuar t’i shohin gjërat me realizëm e të mos i gëlltitë dëshpërimi.

Mos i humb shpresat. Dashuria «shpreson çdo gjë». (1 Korintasve 13:7) Keni thotë: «Kur fëmijët tanë e lanë rrugën e së vërtetës, mendova se ishte njësoj si të kishin vdekur. Por, kur më vdiq motra, ndryshova mendim. Jam i lumtur që fëmijët e mi nuk kanë vdekur vërtet dhe që Jehovai ua mban ende derën hapur me shpresën që ata të kthehen tek ai.» Po, jeta ka treguar se shumë veta që kanë lënë të vërtetën, më vonë kthehen.—Luka 15:11-24.

Mposhti ndjenjat e fajit. Sidomos prindërit mund të mendojnë për të kaluarën e t’u vijë keq që nuk vepruan ndryshe në rrethana të caktuara. Megjithatë, ideja kryesore te Ezekieli 18:20 është se, për zgjedhjen e gabuar, Jehovai quan përgjegjës mëkatarin, jo prindërit e tij. Është interesante se, megjithëse në librin e Proverbave, flitet shumë herë për detyrimin e prindërve që t’i rritin fëmijët siç duhet, numri i këshillave për fëmijët që t’i dëgjojnë prindërit e t’u binden atyre, është më shumë se katërfish. Po, fëmijët kanë përgjegjësinë të veprojnë sipas mësimeve të bazuara në Bibël që u kanë dhënë prindërit e tyre të papërsosur. Ka të ngjarë të kesh bërë më të mirën që kishe mundësi në atë kohë. Gjithsesi, edhe nëse mendon se ke bërë disa gabime dhe ishin vërtet për fajin tënd, kjo nuk do të thotë medoemos se i afërmi yt e la të vërtetën për shkak të tyre. Sidoqoftë, nuk fiton gjë duke menduar «ah, sikur». Mëso nga gabimet. Ji i vendosur të mos i përsëritësh dhe lutju Jehovait për falje. (Psalmi 103:8-14; Isaia 55:7) Pastaj, shih drejt së ardhmes, jo nga e kaluara.

Ji i duruar me të tjerët. Disa ndoshta nuk dinë si të të inkurajojnë ose të të ngushëllojnë, sidomos nëse nuk e kanë përjetuar kurrë një përvojë të tillë. Veç kësaj, inkurajimin dhe ngushëllimin, njëri e kupton në një mënyrë, kurse tjetri mund ta kuptojë ndryshe. Pra, nëse dikush thotë diçka që të mërzit, ndiq këshillën e Pavlit te Kolosianëve 3:13: «Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri.»

Respekto masat e Jehovait për disiplinën. Nëse i afërmi yt është disiplinuar nga kongregacioni, mos harro se kjo vjen nga masat që merr Jehovai dhe se është në të mirën e të gjithëve, përfshirë edhe keqbërësin. (Hebrenjve 12:11) Prandaj, lufto çdo prirje për të kritikuar pleqtë që u përfshinë në çështje ose vendimet që morën ata. Mbaj mend se del më mirë kur i bën gjërat sipas mënyrës që do Jehovai, dhe, po të kundërshtosh masat që ka vënë ai, vetëm sa do të dëshpërohesh më tepër.

Pas çlirimit të Izraelit nga Egjipti, Moisiu shërbeu rregullisht si gjyqtar. (Dalja 18:13-16) Meqë në një çështje gjyqësore njëri fitonte e tjetri humbte, nuk është e vështirë të kuptosh përse disa ishin të mërzitur nga vendimet e Moisiut. Ndoshta prirja për të kritikuar vendimet e Moisiut, bëri që disa herë të ngrinin krye kundër udhëheqjes së tij. Mirëpo Jehovai e kishte caktuar Moisiun të udhëhiqte popullin e Tij dhe nuk ndëshkoi Moisiun, por rebelët dhe familjarët që i mbështetën. (Numrat 16:31-35) Nga kjo mësojmë të bëjmë çmos që të respektojmë dhe të përkrahim vendimet e atyre që Jehovai u ka dhënë autoritet.

Deloresit i kujtohet se sa të vështirë e kishte të mbante një pikëpamje të drejtpeshuar kur e bija u disiplinua nga kongregacioni. Deloresi thotë: «Ajo që më ndihmoi, ishte leximi i vazhdueshëm i artikujve që tregonin se sa të arsyeshme janë masat e Jehovait. Fillova një bllok enkas për të shënuar pika nga fjalimet dhe artikujt që do të më ndihmonin t’ia dilja mbanë dhe të vazhdoja përpara.» Kjo na çon drejt një mënyre tjetër të rëndësishme për të përballuar situatën.

Shprehi ndjenjat. Mund të lehtësohesh nëse hapesh me një ose dy miq që të kuptojnë e te të cilët ke besim. Për këtë, zgjidh ata miq që do të të ndihmojnë të mbash një qëndrim pozitiv. Sigurisht një mënyrë e efektshme është ‘t’ia zbrazësh zemrën’ Jehovait në lutje. * (Psalmi 62:7, 8) Pse? Sepse ai e kupton shumë mirë sa të thella janë ndjenjat e tua. Për shembull, ndoshta të duket e padrejtë që po vuan kaq shumë emocionalisht. Në fund të fundit, ti nuk u largove nga Jehovai. Shprehja ndjenjat e tua Jehovait dhe kërkoji të të ndihmojë që ta shohësh situatën nga një pikëpamje që ta lehtëson disi dhembjen.—Psalmi 37:5.

Me kalimin e kohës, ka të ngjarë t’i përballosh më mirë ndjenjat. Ndërkohë, përpiqu pa u dorëzuar që t’i pëlqesh Atit tënd qiellor dhe kurrë mos mendo se kjo është e kotë. (Galatasve 6:9) Mos harro se edhe po të largoheshim nga Jehovai, prapëseprapë do të kishim probleme. Nga ana tjetër, duke i qëndruar besnikë atij, ai na ndihmon të përballojmë problemet që hasim. Prandaj, ji i sigurt se Jehovai e kupton se sa e vështirë është gjendja jote dhe do të vazhdojë të të japë forcën që të nevojitet në kohën e duhur.—2 Korintasve 4:7; Filipianëve 4:13; Hebrenjve 4:16.

[Shënimet]

^ par. 2 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 19 Për të kuptuar nëse mund të lutesh për një të afërm të përjashtuar, shih Kullën e Rojës së 1 dhjetorit 2001, faqet 30, 31.

[Kutia në faqen 19]

Si ta përballosh situatën

◆ «Duke u forcuar . . . , ruani veten në dashurinë e Perëndisë.»​—Juda 20, 21.

◆ Mos i humb shpresat.​—1 Korintasve 13:7.

◆ Mposhti ndjenjat e fajit.​—Ezekieli 18:20.

◆ Ji i duruar me të tjerët.​—Kolosianëve 3:13.

◆ Respekto masat e Jehovait për disiplinën.​—Hebrenjve 12:11.

◆ Shprehi ndjenjat.​—Psalmi 62:7, 8

[Kutia dhe figura në faqen 21]

A e ke braktisur ti Jehovain?

Nëse po, cilado qoftë arsyeja, marrëdhënia jote me Jehovain dhe e ardhmja jote e përhershme janë në rrezik. Ndoshta ke ndër mend të kthehesh tek ai. A po mundohesh me të gjitha forcat për ta arritur këtë tani? Apo po e shtyn deri sa të vijë «koha e duhur»? Mos harro që retë e stuhishme të Harmagedonit po afrohen me të shpejtë. Për më tepër, jeta në këtë sistem është e shkurtër dhe e pasigurt. Nuk e di as nëse do të jesh gjallë nesër. (Psalmi 102:3; Jakovi 4:13, 14) Një burrë që kishte një sëmundje të pashërueshme, tha: «Kjo sëmundje më zuri kur po i shërbeja Jehovait në kohë të plotë dhe me ndërgjegje të pastër. Në një çast të tillë, kjo ndjenjë është shumë lehtësuese.» Por, mendo si do të ishte ndier ai, nëse sëmundja do ta kishte zënë teksa thoshte: «Do të kthehem te Jehovai një ditë.» Nëse e ke braktisur Jehovain, tani është koha më e përshtatshme për t’u kthyer.

[Figurat në faqen 18]

Kur zhytesh në veprimtaritë frymore, mund ta kesh më të lehtë të mbash pikëpamjen e duhur