Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’i afrohemi ‘dëgjuesit të lutjes’?

Si t’i afrohemi ‘dëgjuesit të lutjes’?

Si t’i afrohemi ‘dëgjuesit të lutjes’?

«O Dëgjues i lutjes, te ti do të vijë çdo njeri.»—PSALMI 65:2.

1. Ç’gjë i dallon njerëzit nga krijesat e tjera në tokë, dhe ç’mundësi na jep kjo?

NGA mijëra e mijëra krijesat e gjalla që ekzistojnë, vetëm njerëzit kanë aftësinë që të adhurojnë Krijuesin. Vetëm njerëzit janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë dhe duan ta plotësojnë këtë nevojë. Kjo na jep mundësinë e mrekullueshme që të kemi një marrëdhënie personale me Atin tonë qiellor.

2. Ç’pasojë negative solli mëkati në marrëdhënien e njeriut me Krijuesin?

2 Perëndia e krijoi njeriun me aftësinë për të komunikuar me Bërësin e tij. Adami dhe Eva u krijuan pa mëkat. Prandaj mund t’i afroheshin lirisht Perëndisë, ashtu si një fëmijë i afrohet atit të vet. Megjithatë, ky privilegj iu hoq ngaqë mëkatuan. Adami dhe Eva nuk iu bindën Perëndisë dhe humbën marrëdhënien e ngushtë me të. (Zanafilla 3:8-13, 17-24) A do të thotë kjo se pasardhësit e papërsosur të Adamit nuk mund të komunikojnë më me Perëndinë? Jo, Jehovai ende i lejon t’i afrohen atij, por vetëm nëse plotësojnë disa kushte. Cilat janë këto?

Kërkesat për t’iu afruar Perëndisë

3. Si duhet t’i afrohen Perëndisë njerëzit mëkatarë, dhe cili shembull e ilustron këtë?

3 Një ngjarje që lidhet me dy bijtë e Adamit, na ndihmon të kuptojmë çfarë kërkon Perëndia nga një njeri i papërsosur që dëshiron t’i afrohet Atij. Edhe Kaini, edhe Abeli, u përpoqën t’i afroheshin Perëndisë duke i paraqitur blatime. Perëndia pranoi blatimin e Abelit, por jo të Kainit. (Zanafilla 4:3-5) Pse ky ndryshim? Te Hebrenjve 11:4 thuhet: «Me anë të besimit, Abeli i paraqiti Perëndisë një flijim me vlerë më të madhe se ai i Kainit. Nëpërmjet këtij besimi, për të u dha dëshmi se ishte i drejtë.» Është e qartë, pra, se besimi është një kërkesë për t’iu afruar Perëndisë. Një kërkesë tjetër kuptohet nga fjalët që i tha Jehovai Kainit: «Nëse kthen rrugë dhe vepron mirë, a nuk do të kesh pëlqimin tim?» Po, Perëndia do ta kishte pranuar mënyrën se si do t’i afrohej Kaini, nëse ky do të kishte kthyer rrugë dhe do të kishte vepruar mirë. Por Kaini e hodhi poshtë këshillën e Perëndisë dhe vrau Abelin, e si pasojë u dëbua nga shoqëria. (Zanafilla 4:7-12) Kështu, që në fillim të historisë njerëzore u theksua sa rëndësi ka t’i afrohesh Perëndisë me besim dhe me anë të veprave të mira.

4. Ç’duhet të pranojmë, nëse duam t’i afrohemi Perëndisë?

4 Të pranojmë gjendjen tonë mëkatare është thelbësore nëse duam t’i afrohemi Perëndisë. Të gjithë njerëzit janë mëkatarë, dhe mëkati na pengon t’i afrohemi Perëndisë. Profeti Jeremia shkroi për Izraelin: «Ne kemi kryer shkelje. . . . Hyrjen për te ti e ke bllokuar me një masë resh, që lutja të mos kalojë dot.» (Vajtimet 3:42, 44) Pavarësisht nga kjo, gjatë gjithë historisë njerëzore Perëndia ka treguar se është i gatshëm të pranojë lutjet e atyre që i afrohen me besim dhe me qëndrimin e duhur të zemrës, duke i zbatuar urdhërimet e tij. (Psalmi 119:145) Cilët ishin disa prej tyre, dhe ç’mund të mësojmë nga lutjet që bënë?

5, 6. Ç’mund të mësojmë nga mënyra si i afrohej Abrahami Perëndisë?

5 Një njeri i tillë ishte Abrahami. Perëndia e pranoi mënyrën se si i afrohej ai, sepse e quajti Abrahamin ‘miku im’. (Isaia 41:8) Ç’mund të mësojmë nga mënyra si i afrohej Abrahami Perëndisë? Ky patriark besnik e pyeti Jehovain për një trashëgimtar: «Ç’do të më japësh? Unë po shkoj e jam ende pa fëmijë.» (Zanafilla 15:2, 3; 17:18) Në një rast tjetër ai i shprehu shqetësimin Perëndisë se kush do të shpëtonte kur të sillte gjykimin kundër të ligjve në Sodomë dhe Gomorrë. (Zanafilla 18:23-33) Gjithashtu, Abrahami u përgjërua për të tjerët. (Zanafilla 20:7, 17) E, ashtu si në rastin e Abelit, mënyra se si i afrohej Abrahami Jehovait, disa herë përfshinte një flijim për Të.—Zanafilla 22:9-14.

6 Në të gjitha rastet Abrahami ndihej i lirshëm të fliste me Jehovain. Megjithatë, ai jo vetëm që kishte lirshmëri në të folur, por edhe kishte një qëndrim të përulur për pozitën e tij përpara Krijuesit. Vini re fjalët e tij me respekt, që i gjejmë te Zanafilla 18:27: «Të lutem, ja, po marr guximin të flas me Jehovain, edhe pse jam pluhur e hi.» Ç’qëndrim i shkëlqyer për t’u imituar!

7. Për cilat gjëra iu lutën patriarkët Jehovait?

7 Patriarkët u lutën për çështje të ndryshme, e Jehovai i dëgjoi ata dhe i miratoi. Jakobi bëri një lutje në formë betimi. Pasi kërkoi mbështetjen e Perëndisë, ai premtoi solemnisht: «Nga çdo gjë që do të më japësh, unë do të të jap të dhjetën.» (Zanafilla 28:20-22) Më vonë, kur do të takonte të vëllanë, Jakobi iu përgjërua Jehovait që ta mbronte: «Më çliro, të lutem, nga dora e tim vëllai, nga dora e Esaut, sepse kam frikë.» (Zanafilla 32:9-12) Patriarku Job i afrohej Jehovait në dobi të familjes, duke paraqitur flijime për ta. Kur tre shokët e Jobit mëkatuan me fjalët që thanë, Jobi u lut për ta dhe «Jehovai e pranoi lutjen e Jobit». (Jobi 1:5; 42:7-9) Këto tregime na ndihmojnë të identifikojmë gjërat që mund të themi kur i lutemi Jehovait. Gjithashtu, kuptojmë se Jehovai është i gatshëm të pranojë lutjet e atyre që i afrohen në mënyrën e duhur.

Nën besëlidhjen e Ligjit

8. Si i paraqiteshin Jehovait çështjet e popullit nën besëlidhjen e Ligjit?

8 Pasi e çliroi kombin e Izraelit nga Egjipti, Jehovai u dha atyre besëlidhjen e Ligjit. Ligji përcaktonte masën për t’iu afruar Perëndisë nëpërmjet një priftërie të emëruar. Disa levitë ishin caktuar të vepronin si priftërinj për popullin. Kur ngriheshin çështje me rëndësi kombëtare, një përfaqësues i popullit—disa herë mbreti ose një profet—ia paraqiste çështjen Perëndisë në lutje. (1 Samuelit 8:21, 22; 14:36-41; Jeremia 42:1-3) Për shembull, kur u kushtua tempulli, mbreti Solomon iu afrua Jehovait me një lutje të përzemërt. Jehovai tregoi se e pranoi lutjen e Solomonit kur mbushi tempullin me lavdinë e Tij dhe tha: «[Do t’i mbaj] veshët te lutja që bëhet në këtë vend.»—2 Kronikave 6:12–7:3, 15.

9. Çfarë kërkohej që t’i afroheshin Jehovait në shenjtërore në mënyrën e duhur?

9 Në Ligjin që i dha Izraelit, Jehovai përfshiu një kërkesë për t’iu afruar atij në mënyrë të pranueshme në shenjtërore. Cila ishte ajo? Çdo mëngjes dhe mbrëmje, përveç paraqitjes së flijimeve në kafshë, kryepriftit i kërkohej të digjte temjan aromatik para Jehovait. Më vonë, këtë shërbim e bënin edhe nënpriftërinjtë, përveçse në Ditën e Shlyerjes. Nëse priftërinjtë nuk e nderonin në këtë mënyrë Jehovain, ai nuk do të kënaqej me shërbimin e tyre.—Dalja 30:7, 8; 2 Kronikave 13:11.

10, 11. Ç’prova kemi se Jehovai i pranonte lutjet e individëve?

10 Vetëm nëpërmjet përfaqësuesve të caktuar mund t’i afroheshe Perëndisë në Izraelin e lashtë? Jo. Shkrimet tregojnë se Jehovai kënaqej të pranonte edhe lutjet personale të individëve. Kur Solomoni iu lut Jehovait gjatë kushtimit të tempullit, u përgjërua: «Çfarëdo lutjeje e kërkese për hir që të bëjë ndonjëri ose i gjithë populli yt, Izraeli . . . kur të shtrijë duart e tij drejt kësaj shtëpie, dëgjo nga qiejt.» (2 Kronikave 6:29, 30) Ungjilli i Lukës thotë se kur Zakaria, ati i Gjon Pagëzorit, po paraqiste temjan në shenjtërore, shumë adhurues të Jehovait që nuk ishin priftërinj, ‘po luteshin jashtë’. Me sa duket ishte bërë zakon që njerëzit mblidheshin jashtë shenjtërores e luteshin, ndërkohë që në altarin e artë i paraqitej temjan Jehovait.—Luka 1:8-10.

11 Pra, kur i afroheshin Jehovait në mënyrën e duhur, ai pranonte me kënaqësi kërkesat e atyre që përfaqësonin tërë kombin dhe të individëve që përpiqeshin t’i afroheshin Atij. Sot ne nuk jemi më nën besëlidhjen e Ligjit. Megjithatë, mund të nxjerrim disa mësime jetësore për lutjen, nga mënyra si i afroheshin Perëndisë izraelitët e lashtë.

Në kongregacionin e krishterë

12. Cila masë është vendosur për të krishterët, që t’i afrohen Jehovait?

12 Tani bëjmë pjesë në kongregacionin e krishterë. Nuk kemi më një tempull fizik ku priftërinjtë të përfaqësojnë mbarë popullin e Perëndisë ose drejt të cilit t’i lutemi Atij. Gjithsesi Jehovai ka vendosur një masë me anë të së cilës t’i afrohemi atij. Cila është? Në vitin 29 të e.s., kur Krishti u miros dhe u emërua Kryeprift, filloi të funksiononte një tempull frymor. * Ky tempull frymor ishte masa e re për t’iu afruar Jehovait në bazë të flijimit pajtues të Jezu Krishtit.—Hebrenjve 9:11, 12.

13. Cili është një paralelizëm midis tempullit në Jerusalem dhe tempullit frymor, në lidhje me lutjen?

13 Shumë veçori të tempullit në Jerusalem përfaqësojnë në mënyrë të përshtatshme veçoritë e tempullit frymor, përfshirë edhe ato që lidhen me lutjen. (Hebrenjve 9:1-10) Për shembull, ç’përfaqësonte temjani që paraqitej çdo mëngjes dhe mbrëmje mbi altarin e temjanit në ndarjen e Shenjtë të tempullit? Sipas librit të Zbulesës, ‘temjani përfaqëson lutjet e të shenjtëve’. (Zbulesa 5:8; 8:3, 4) Davidi u frymëzua të shkruante: «Lutja ime qoftë e përgatitur si temjan para teje!» (Psalmi 141:2) Pra, në kongregacionin e krishterë temjani erëmirë përfaqëson në mënyrë të përshtatshme lutjet dhe lëvdimet e pranueshme që i drejtohen Jehovait.—1 Selanikasve 3:10

14, 15. Çfarë mund të themi për mënyrën si i afrohen Jehovait (a) të krishterët e mirosur? (b) ‘delet e tjera’?

14 Cilët mund t’i afrohen Perëndisë në këtë tempull frymor? Në tempullin fizik, priftërinjtë dhe levitët kishin privilegjin të shërbenin në oborrin e brendshëm, por vetëm priftërinjtë mund të hynin tek e Shenjta. Të krishterët e mirosur me shpresë qiellore gëzojnë një gjendje frymore të pashoqe, të përfaqësuar nga oborri i brendshëm dhe e Shenjta, dhe kjo u jep mundësi t’i luten e ta lëvdojnë Perëndinë.

15 Ç’të themi për ata që kanë shpresë tokësore, pra për ‘delet e tjera’? (Gjoni 10:16) Profeti Isaia tregoi se njerëz nga shumë kombe do të vinin të adhuronin Jehovain «në ditët e fundit». (Isaia 2:2, 3) Gjithashtu shkroi se ‘të huaj’ do të bashkoheshin në adhurimin e Jehovait. Për të treguar se është i gatshëm të pranojë mënyrën se si do t’i afrohen ata, Perëndia tha: «Do t’u fal gëzim brenda shtëpisë sime të lutjes.» (Isaia 56:6, 7) Zbulesa 7:9-15 jep hollësi të tjera dhe flet për «një shumicë të madhe nga të gjitha kombet» të cilët mblidhen që të adhurojnë Perëndinë e t’i luten «ditë e natë», ndërsa rrinë në oborrin e jashtëm të tempullit frymor. Sa mendim ngushëllues është që të gjithë shërbëtorët e Perëndisë sot mund t’i afrohen lirisht Perëndisë me siguri të plotë se ai i dëgjon!

Cilat lutje pranohen?

16. Ç’mund të mësojmë për lutjet nga të krishterët e parë?

16 Të krishterët e parë luteshin shumë. Për cilat gjëra luteshin? Pleqtë e krishterë kërkonin drejtim që të zgjidhnin njerëz për përgjegjësi organizative. (Veprat 1:24, 25; 6:5, 6) Epafrai lutej për bashkëbesimtarët. (Kolosianëve 4:12) Pjesëtarët e kongregacionit në Jerusalem u lutën për Pjetrin kur ai ishte i burgosur. (Veprat 12:5) Të krishterët e parë i kërkuan Perëndisë guxim që të përballonin kundërshtimin: «O Jehova, kushtoju vëmendje kërcënimeve të tyre, dhe bëj që skllevërit e tu ta thonë fjalën tënde plot guxim.» (Veprat 4:23-30) Dishepulli Jakov i nxiti të krishterët t’i luteshin Perëndisë për mençuri kur të hasnin sprova. (Jakovi 1:5) A përfshini gjëra të tilla në kërkesat që i bëni Jehovait?

17. Lutjet e cilëve pranon Jehovai?

17 Perëndia nuk i pranon të gjitha lutjet. Atëherë, si mund të lutemi me sigurinë se lutjet tona do të pranohen? Perëndia dëgjoi njerëzit besnikë të kohëve të mëparshme, që iu afruan atij me sinqeritet dhe me qëndrimin e duhur të zemrës. Ata shfaqën besim dhe e treguan këtë nëpërmjet veprave të shkëlqyera. Mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’i dëgjojë ata që i afrohen sot në të njëjtën mënyrë si atëherë.

18. Cilën kërkesë duhet të plotësojnë të krishterët që lutjet e tyre të dëgjohen?

18 Është edhe një kërkesë tjetër. Apostulli Pavël e shpjegoi këtë me fjalët: «Nëpërmjet tij ne . . . kemi mundësinë t’i afrohemi Atit, me anë të një fryme të vetme.» Për kë e kishte fjalën Pavli kur shkroi «nëpërmjet tij»? Për Jezu Krishtin. (Efesianëve 2:13, 18) Po, mund t’i afrohemi lirisht Atit vetëm nëpërmjet Jezuit.—Gjoni 14:6; 15:16; 16:23, 24.

19. (a) Kur bëhej një gjë e pështirë për Jehovain paraqitja e temjanit? (b) Si mund të sigurohemi që lutjet tona të jenë si temjan erëmirë për Jehovain?

19 Siç e thamë, temjani që paraqitnin priftërinjtë izraelitë përfaqëson lutjet e pranueshme të shërbëtorëve besnikë të Perëndisë. Megjithatë, ndonjëherë temjani që paraqitnin izraelitët, ishte i neveritshëm për Jehovain. Ndodhte kështu kur izraelitët digjnin temjan në tempull, por në të njëjtën kohë përkuleshin para idhujve. (Ezekieli 8:10, 11) Po kështu edhe sot, lutjet e atyre që thonë se i shërbejnë Jehovait, por në të njëjtën kohë bëjnë gjëra që bien në kundërshtim me ligjet e tij, bëhen si një erë e keqe për të. (Proverbat 15:8) Prandaj, le të jemi të pastër gjithnjë, në çdo fushë të jetës, që lutjet tona të jenë si një temjan erëmirë për Perëndinë. Jehovai kënaqet me lutjet e atyre që ndjekin shtigjet e tij të drejta. (Gjoni 9:31) Por mbeten ende disa pyetje. Si duhet të lutemi? Për çfarë mund të lutemi? Dhe, si u përgjigjet Perëndia lutjeve tona? Në artikullin vijues do të shqyrtojmë këto dhe pyetje të tjera.

[Shënimi]

^ par. 12 Shih Kullën e Rojës, 15 maj 2001, faqja 27.

A mund të shpjegoni?

• Si mund t’i afrohen Jehovait në mënyrë të pranueshme njerëzit e papërsosur?

• Si mund të imitojmë patriarkët kur lutemi?

• Çfarë mësojmë nga lutjet e të krishterëve të parë?

• Kur janë lutjet tona si temjan erëmirë për Perëndinë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 23]

Pse Perëndia pranoi blatimin e Abelit, por jo të Kainit?

[Figura në faqen 24]

«Jam pluhur e hi»

[Figura në faqen 25]

«Unë do të të jap të dhjetën»

[Figura në faqen 26]

A janë lutjet tuaja si temjan erëmirë për Jehovain?