Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është Bibla tepër kufizuese?

A është Bibla tepër kufizuese?

A është Bibla tepër kufizuese?

«KUR isha fëmijë, nuk më mësuan ndonjë normë të Biblës. Madje, Perëndia as përmendej fare»,—thotë një i ri nga Finlanda. Një formim i tillë nuk është i pazakonshëm sot. Shumë njerëz, sidomos të rinjtë, mendojnë se Bibla është fare jashtë mode dhe këshillat e saj janë tepër kufizuese. Individët që duan të ndjekin Biblën shihen nga të tjerët si njerëz të shtypur, jeta e të cilëve rëndohet nga ndalime dhe urdhra. Prandaj shumë mendojnë që është më mirë ta lësh Biblën në raft e të kërkosh drejtim diku tjetër.

Kjo pikëpamje për Biblën ekziston në një masë të madhe për faj të historisë së gjatë me shtypje nga ana e organizatave fetare që e quajnë veten të krishtere. Për shembull, gjatë periudhës që disa historianë e kanë quajtur Epoka e Errët, në Evropë, Kisha Katolike e ushtronte autoritetin e saj pothuajse në çdo aspekt të jetës së njerëzve. Kushdo që guxonte të mos ishte dakord me kishën, rrezikonte të torturohej, e madje të ekzekutohej. Edhe kishat protestante, të cilat lindën më vonë, kufizonin lirinë e individit. Disa, që i njohin mirë fetë protestante, sjellin ndër mend ndëshkimet e ashpra të këtyre grupeve fetare. Si pasojë, ngaqë kishat ishin shtypëse për njerëzit, gabimisht u nxor përfundimi se mësimet e Biblës duhej të ishin shtypëse.

Shekujt e fundit kishat nuk e kanë më atë ndikim që kishin në jetën e njerëzve, të paktën në disa vende. Pasi u hodhën poshtë bindjet fetare tradicionale, lindi koncepti se njerëzit kanë të drejtën të vendosin vetë ç’është e drejtë dhe ç’është e gabuar. Me çfarë rezultati? Ahti Lajtinen, profesor i kriminologjisë dhe i sociologjisë gjyqësore, shpjegon: «Respekti për autoritetin ka rënë dhe kuptueshmëria e njerëzve se çfarë është e pranueshme dhe çfarë është e papranueshme, po bëhet gjithnjë e më e mjegullt.» Në mënyrë paradoksale, edhe udhëheqësit e kishave kanë rënë në këtë mënyrë të menduari. Një peshkop i shquar luteran tha: «Prirem të shmang pohimin se çështjet morale zgjidhen duke iu drejtuar Biblës ose ndonjë autoriteti fetar.»

A është e dëshirueshme liria e pakufizuar?

Ideja e lirisë së pakufizuar mund të tingëllojë tërheqëse, sidomos për të rinjtë. Pak vetave u pëlqen që të tjerët t’i trajtojnë sikur nuk dinë nga jeta ose që të jenë të detyruar të jetojnë sipas një liste me gjërat që duhet të bëjnë e që nuk duhet të bëjnë. Por, a duhet të jetë çdo njeri i lirë që të bëjë ç’të dojë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje le të shqyrtojmë një ilustrim. Përfytyroni një qytet që s’ka ligje për trafikun. Nuk kërkohet as patentë, as provimi i patentës. Njerëzit mund t’i drejtojnë automjetet si të duan, edhe kur janë të dehur, pa pasur nevojë të shqetësohen për kufijtë e shpejtësisë, shenjat e ndalimit, semaforët, rrugët me një kalim ose kalimet e këmbësorëve. A do të ishte e dëshirueshme një «liri» e tillë? Sigurisht që jo! Pasoja do të ishin kaosi, rrëmuja dhe katastrofat. Edhe pse ligjet e trafikut ua kufizojnë lirinë njerëzve, e kuptojmë që këto ligje mbrojnë qoftë drejtuesit e mjeteve, qoftë këmbësorët.

Po kështu, Jehovai na jep drejtim në jetë. Kjo na sjell dobi. Pa këtë drejtim, do të duhej t’i mësonim gjërat duke i provuar dhe duke e pësuar e, duke vepruar kështu mund të dëmtonim veten dhe të tjerët. Një atmosferë e tillë me anarki morale do të ishte po kaq e padëshirueshme dhe e rrezikshme sa të jetosh në një qytet pa ligje trafiku. E vërteta është që ne kemi nevojë për rregulla dhe ligje të ndonjë lloji, e ky është një fakt që shumica e pranojnë menjëherë.

«Ngarkesa ime është e lehtë»

Ligjet e trafikut mund të përfshijnë një listë të gjatë e të hollësishme me rregulla, madje në disa vende numri i rregullave të parkimit është marramendës. Ndryshe nga kjo, në Bibël nuk gjejmë një listë të gjatë me rregulla. Përkundrazi, në të jepen parime bazë, dhe këto nuk janë të rënda ose shtypëse. Jezu Krishti u bëri një ftesë tërheqëse bashkëkohësve të tij: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj. Sepse zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.» (Mateu 11:28, 30) Në një letër drejtuar kongregacionit të krishterë në Korint, apostulli Pavël shkroi: «Atje ku është fryma e Jehovait, është liria.»—2 Korintasve 3:17.

Por kjo liri nuk është e pakufizuar. Jezui tregoi qartë se kërkesat e Perëndisë përfshijnë disa urdhërime të thjeshta. Për shembull, Jezui u tha dishepujve: «Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin ashtu si ju kam dashur unë.» (Gjoni 15:12) Imagjinoni se ç’jetë do të ishte sikur të gjithë të zbatonin këtë urdhërim! Pra, liria që gëzojnë të krishterët nuk është pa kufizime. Apostulli Pjetër shkroi: «Jini si njerëz të lirë, e megjithatë mos e kini lirinë tuaj si një maskim për të keqen, por si skllevër të Perëndisë.»—1 Pjetrit 2:16.

Kështu, edhe pse të krishterët nuk janë të lidhur nga një listë e hollësishme me rregulla, ata nuk veprojnë sipas ideve të tyre të së drejtës e të së gabuarës. Njerëzit kanë nevojë për drejtimin që vetëm Perëndia mund t’u japë. Bibla e thotë qartë: «Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» (Jeremia 10:23) Nëse i bindemi drejtimit të Perëndisë, do të nxjerrim shumë dobi.—Psalmi 19:11.

Një nga dobitë është lumturia. Për shembull, i riu që u përmend në fillim kishte qenë hajdut dhe gënjeshtar. Gjithashtu ishte edhe imoral. Kur mësoi normat e larta të Biblës, ndryshoi mënyrën e jetesës që të përputhej me to. Ai tha: «Megjithëse nuk mund të zbatoja menjëherë të gjitha normat e Biblës, e kuptova vlerën e tyre. Jeta që bëja më parë nuk më solli lumturinë që gëzoj tani. Të jetosh sipas normave të Biblës, ta thjeshton jetën. E di se ç’drejtim po ndjek dhe se çfarë është e drejtë e çfarë është e gabuar.»

Miliona njerëz kanë pasur një përvojë të ngjashme. Disa nga dobitë e tjera janë se drejtimi që gjendet në Bibël i ka ndihmuar të kenë marrëdhënie më të mira me të tjerët, të zhvillojnë një pikëpamje të drejtpeshuar për punën, të përmbahen nga zakonet e dëmshme dhe kështu të bëjnë një jetë më të lumtur. Markusi, * një i ri që ka jetuar me normat e Biblës dhe pa këto norma, thotë për jetën e vet: «Duke jetuar sipas Biblës, kam arritur të kem më shumë respekt për veten.» *

Cila është zgjedhja juaj?

Atëherë, a është Bibla kufizuese? Përgjigjja është po—kufizuese për dobinë e të gjithëve ne. Por, a është Bibla tepër kufizuese? Përgjigjja është jo. Liria e pakufizuar sjell vetëm vështirësi. Normat e Biblës janë të drejtpeshuara dhe rritin mirëqenien dhe lumturinë tonë. Markusi thotë: «Koha ka treguar se sa e mençur ka qenë të zbatoja Fjalën e Perëndisë në jetë. Ndonëse në shumë drejtime jeta ime është e ndryshme nga ajo e njerëzve në përgjithësi, nuk mendoj për asnjë çast se kam humbur ndonjë gjë të vlefshme në jetë.»

Kur filloni të përjetoni dobitë e një jete sipas normave të Biblës, çmueshmëria për Fjalën e Perëndisë do të rritet. Kjo do t’ju sjellë një dobi edhe më të madhe: do të keni dashuri për Burimin e saj, Perëndinë Jehova. «Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij, e megjithatë, urdhërimet e tij nuk janë të rënda.»—1 Gjonit 5:3.

Jehovai është Krijuesi dhe Ati ynë qiellor. Ai e di se ç’është më e mira për ne. Në vend që të na kufizojë, ai na jep drejtim të dashur për dobinë tonë. Me një gjuhë poetike, Jehovai na nxit: «Ah, sikur t’u kushtoje vëmendje urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.»—Isaia 48:18.

[Shënimet]

^ par. 13 Emri është ndryshuar.

^ par. 13 Për më shumë informacione për mënyrën e jetesës që tregon Bibla, shih kapitullin 12 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 9]

Jezui tha se kërkesat e Perëndisë do të ishin përtëritëse

[Figura në faqen 10]

Bindja ndaj drejtimit të Perëndisë sjell lumturi dhe respekt për veten