Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dashuria përforcon guximin

Dashuria përforcon guximin

Dashuria përforcon guximin

«Perëndia nuk na dha frymën e burracakërisë, por të fuqisë, të dashurisë dhe të mendjes së shëndoshë.»—2 TIMOTEUT 1:7.

1, 2. (a) Çfarë mund të arrijë të bëjë një njeri i shtyrë nga dashuria? (b) Pse ishte i jashtëzakonshëm guximi i Jezuit?

NJË çift i sapomartuar kishte qenë për zhytje pranë një qyteti në bregun lindor të Australisë. Sa po dilnin në sipërfaqe, një peshkaqen i bardhë iu sul gruas. Me heroizëm, burri e shtyu gruan dhe u vu vetë para peshkaqenit. «Ai dha jetën për mua»,—tha e veja e tij gjatë varrimit.

2 Vërtet, dashuria mund t’i shtyjë njerëzit të tregojnë guxim të pashoq. Vetë Jezu Krishti tha: «Nuk ka dashuri më të madhe se kjo: që dikush të japë shpirtin për miqtë e vet.» (Gjoni 15:13) S’kaluan as 24 orë pasi tha këto fjalë dhe Jezui dha jetën e vet, jo vetëm për një njeri, po për gjithë njerëzimin. (Mateu 20:28) Për më tepër, Jezui nuk e dha jetën si pasojë e një akti heroik të çastit. Ai e dinte që më përpara se do ta tallnin e do ta keqtrajtonin, do ta dënonin padrejtësisht dhe do ta vritnin në një shtyllë torture. Madje i përgatiti dishepujt, duke u thënë: «Ne po ngjitemi në Jerusalem dhe Birin e njeriut do ta dorëzojnë në dorë të krerëve të priftërinjve dhe të skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje dhe do t’ua dorëzojnë paganëve, që do të tallen me të, do ta pështyjnë, do ta fshikullojnë e do ta vrasin.»—Marku 10:33, 34.

3. Çfarë e ndihmoi Jezuin të tregonte një guxim të madh?

3 Pse Jezui pati një guxim të tillë të jashtëzakonshëm? Një rol të madh luajtën besimi dhe frika nga Perëndia. (Hebrenjve 5:7; 12:2) Por, mbi të gjitha, guximi i Jezuit buronte nga dashuria e tij për Perëndinë dhe për njerëzit. (1 Gjonit 3:16) Nëse zhvillojmë një dashuri të tillë, bashkë me besimin dhe frikën nga Perëndia, edhe ne do të arrijmë të shfaqim një guxim si i Krishtit. (Efesianëve 5:2) Si ta zhvillojmë këtë dashuri? Së pari duhet të kuptojmë Burimin e saj.

«Dashuria është nga Perëndia»

4. Pse mund të thuhet se Jehovai është Burimi i dashurisë?

4 Jehovai është personifikimi dhe Burimi i dashurisë. Apostulli Gjon shkroi: «Të dashur, le të vazhdojmë të duam njëri-tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia, e kush ka dashuri, ka lindur nga Perëndia dhe fiton njohurinë e Perëndisë. Kush nuk ka dashuri, nuk ka arritur ta njohë Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.» (1 Gjonit 4:7, 8) Pra, një njeri mund të zhvillojë dashuri si ajo që ka Perëndia, vetëm duke iu afruar atij me anë të njohurisë së saktë dhe duke vepruar sipas kësaj njohurie, me bindje që vjen nga zemra.—Filipianëve 1:9; Jakovi 4:8; 1 Gjonit 5:3.

5, 6. Çfarë i ndihmoi ithtarët e hershëm të Jezuit që të zhvillonin një dashuri si e tija?

5 Në lutjen e fundit që bëri bashkë me 11 apostujt besnikë, Jezui tregoi lidhjen midis njohjes së Perëndisë dhe rritjes së dashurisë: «Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd dhe do ta bëj të njohur, që ata të shfaqin atë dashuri që ti ke treguar për mua, dhe unë të jem në unitet me ta.» (Gjoni 17:26) Jezui i ndihmoi dishepujt të zhvillonin atë lloj dashurie që ekziston mes atij vetë dhe Atit të tij. Këtë e bëri duke zbuluar me fjalë e me shembullin e vet se çfarë përfaqëson emri i Perëndisë, domethënë cilësitë e Tij të mrekullueshme. Për këtë arsye, Jezui mund të thoshte: «Ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin.»—Gjoni 14:9, 10; 17:8.

6 Dashuria si ajo që shfaqi Krishti është fryt i frymës së shenjtë. (Galatasve 5:22) Kur morën frymën e shenjtë që u ishte premtuar, në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., të krishterët e hershëm jo vetëm që rikujtuan shumë gjëra që u kishte mësuar Jezui, por edhe kuptuan më mirë domethënien e Shkrimeve. Kjo kuptueshmëri më e thellë, me sa duket, ua shtoi dashurinë për Perëndinë. (Gjoni 14:26; 15:26) Cili ishte rezultati? Ata e predikuan lajmin e mirë me guxim e me zell, duke vënë në rrezik edhe jetën e tyre.—Veprat 5:28, 29.

Guximi dhe dashuria në veprim

7. Çfarë hoqën në udhëtimin e tyre misionar Pavli dhe Barnaba?

7 Apostulli Pavël shkroi: «Perëndia nuk na dha frymën e burracakërisë, por të fuqisë, të dashurisë dhe të mendjes së shëndoshë.» (2 Timoteut 1:7) Pavli fliste nga përvoja. Mendoni se çfarë hoqi ai dhe Barnaba gjatë udhëtimit misionar që bënë së bashku. Ata predikuan në shumë qytete, përfshirë Antiokinë, Ikoninë dhe Listrën. Në çdo qytet, disa u bënë besimtarë, kurse të tjerë u kthyen në kundërshtarë të egër. (Veprat 13:2, 14, 45, 50; 14:1, 5) Në Listër, një turmë e inatosur e gjuajti me gurë Pavlin, derisa menduan se kishte vdekur dhe e lanë atje. «Mirëpo, kur e rrethuan dishepujt, ai u çua dhe hyri në qytet. Të nesërmen u nis me Barnabën për në Derbë.»—Veprat 14:6, 19, 20.

8. Në ç’mënyrë guximi që treguan Pavli dhe Barnaba pasqyroi dashurinë e thellë që kishin për njerëzit?

8 A u frikësuan Pavli dhe Barnaba aq sa të hiqnin dorë, për shkak të këtij sulmi që iu bë Pavlit? Përkundrazi! Pasi «bënë mjaft dishepuj» në Derbë, dy burrat «u kthyen në Listër, Ikoni dhe Antioki». Përse? Për t’u dhënë zemër të rinjve në të vërtetën që të qëndronin të fortë në besim. «Do të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë duke kaluar shumë shtrëngime»,—thanë Pavli dhe Barnaba. Është e qartë se guximi i tyre vinte nga dashuria e thellë që kishin për ‘delet e vogla’ të Krishtit. (Veprat 14:21-23; Gjoni 21:15-17) Pasi emëruan pleq në secilin nga këto kongregacione të reja, të dy vëllezërit bënë lutje dhe «ia besuan Jehovait, tek i cili ata kishin besuar».

9. Si iu përgjigjën pleqtë nga Efesi dashurisë që kishte Pavli për ta?

9 Kaq i dashur e i guximshëm ishte Pavli, saqë shumë të krishterë të hershëm e deshën fort. Ju kujtohet çfarë ndodhi në një mbledhje që mbajti Pavli me pleqtë nga Efesi, ku kishte kaluar tre vjet dhe kishte pasur shumë kundërshtim? (Veprat 20:17-31) Pasi i nxiti të kullotnin kopenë e Perëndisë që u ishte lënë në besim, Pavli u ul në gjunjë bashkë me ta dhe u lut. Pastaj, «të gjithë derdhën shumë lot, iu hodhën Pavlit në qafë dhe e puthën me butësi, sepse ndien dhembje, sidomos ngaqë tha se nuk do ta shihnin më fytyrën e tij». Sa shumë e donin Pavlin këta vëllezër! Madje, kur erdhi koha për të ikur, Pavli dhe shokët e tij të udhëtimit ‘mezi u ndanë’ prej tyre, kaq shumë këmbëngulnin pleqtë vendës që të mos i linin të iknin.—Veprat 20:36–21:1.

10. Si kanë shfaqur guxim dhe dashuri për njëri-tjetrin Dëshmitarët e Jehovait në kohët e sotme?

10 Sot, vëllezërit e motrat i duan fort mbikëqyrësit udhëtues, pleqtë e kongregacionit dhe shumë të tjerë, që tregojnë guxim për të mbrojtur delet e Jehovait. Për shembull, në vende të shkretuara nga lufta civile ose ku vepra e predikimit është e ndaluar, mbikëqyrësit udhëtues dhe gratë e tyre kanë rrezikuar jetën dhe lirinë, për të vizituar kongregacionet. Po kështu, shumë Dëshmitarë kanë vuajtur nga qeveritarët armiqësorë dhe larot e tyre, sepse nuk i tradhtuan Dëshmitarët e tjerë e nuk treguan nga e merrnin ushqimin frymor. Mijëra të tjerë janë përndjekur, janë torturuar e madje janë vrarë, ngaqë nuk donin ta ndalnin predikimin e lajmit të mirë dhe shoqërimin me bashkëbesimtarët në mbledhjet e krishtere. (Veprat 5:28, 29; Hebrenjve 10:24, 25) Le ta imitojmë besimin dhe dashurinë e këtyre vëllezërve dhe motrave guximtarë!—1 Selanikasve 1:6.

Mos lini t’ju ftohet dashuria

11. Në cilat mënyra bën luftë frymore Satanai kundër shërbëtorëve të Jehovait, e çfarë kërkon kjo nga ana e tyre?

11 Kur u hodh poshtë në tokë, Satanai ishte i vendosur ta shfrente zemërimin e tij mbi shërbëtorët e Jehovait, sepse «zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe . . . japin dëshmi për Jezuin». (Zbulesa 12:9, 17) Një nga taktikat e Djallit është përndjekja. Por, shpeshherë kjo taktikë ka efektin e kundërt, sepse i bashkon më shumë me njëri-tjetrin shërbëtorët e Perëndisë, duke i lidhur me dashurinë e krishterë, dhe i shtyn shumë prej tyre të tregojnë edhe më tepër zell. Një taktikë tjetër e Satanait është të përdorë prirjet mëkatare njerëzore. T’i kundërvihesh kësaj taktike kërkon një lloj tjetër guximi, pasi është një luftë e brendshme, kundër dëshirave të gabuara që janë në zemrën tonë ‘të pabesë e të rrezikshme’.—Jeremia 17:9; Jakovi 1:14, 15.

12. Si e përdor Satanai «frymën e botës» në orvatjet për të na ftohur dashurinë për Perëndinë?

12 Në arsenalin e vet Satanai ka edhe një armë tjetër të fuqishme—«frymën e botës», domethënë prirjen ose nxitjen mbizotëruese të saj, që është në kundërshtim të plotë me frymën e shenjtë të Perëndisë. (1 Korintasve 2:12) Fryma e botës nxit lakminë dhe materializmin, pra «dëshirat e syve». (1 Gjonit 2:16; 1 Timoteut 6:9, 10) Ndonëse gjërat materiale dhe paratë nuk janë në vetvete të dëmshme, nëse dashuria për to ia zë vendin dashurisë që kemi për Perëndinë, atëherë Satanai ka fituar. Fryma e botës është e fuqishme ose ka ‘autoritet’ sepse josh mishin mëkatar, është tinëzare, nuk lëshon pe në përpjekjet e saj dhe depërton ngado, ashtu si ajri. Mos e lini frymën e botës t’ju infektojë zemrën!—Efesianëve 2:2, 3; Proverbat 4:23.

13. Si mund të na vihet në provë guximi ynë për të mbajtur pastërtinë morale?

13 Megjithatë duhet guxim për t’iu kundërvënë frymës së ligë të botës e për ta hedhur poshtë. Për shembull, duhet guxim për t’u ngritur e për të ikur nga kinemaja ose për të fikur kompjuterin a televizorin, kur shfaqen pamje të pahijshme. Duhet guxim për të hedhur poshtë ndikimin e dëmshëm të bashkëmoshatarëve dhe për të ndërprerë shoqëritë e këqija. Po ashtu, duhet guxim për të mbajtur ligjet dhe parimet e Perëndisë kur hasim tallje, qoftë nga shokët e shkollës, të punës, nga fqinjët ose të afërmit.—1 Korintasve 15:33; 1 Gjonit 5:19.

14. Ç’duhet të bëjmë nëse jemi infektuar nga fryma e botës?

14 Prandaj, sa e rëndësishme është ta forcojmë dashurinë për Perëndinë e për vëllezërit dhe motrat në besim! Lini ca kohë për të shqyrtuar synimet tuaja dhe mënyrën e jetesës, që të kontrolloni se mos ju ka infektuar në ndonjë mënyrë fryma e botës. Nëse jeni infektuar, qoftë edhe pak, atëherë lutjuni Jehovait që t’ju japë guxim ta çrrënjosni frymën e botës dhe ta mbani larg jush. Jehovai nuk do t’i mbyllë veshët ndaj këtyre lutjeve të sinqerta. (Psalmi 51:17) Për më tepër, fryma e tij është shumë më e fuqishme se fryma e botës.—1 Gjonit 4:4.

T’i përballojmë me guxim sprovat personale

15, 16. Si mund të na ndihmojë dashuria si e Krishtit që të përballojmë sprovat personale? Jepni një shembull.

15 Sfida të tjera me të cilat duhet të përballen shërbëtorët e Jehovait kanë të bëjnë me pasojat e papërsosmërisë dhe të plakjes, që shpesh sjellin sëmundje, gjymtime, depresion dhe shumë probleme të tjera. (Romakëve 8:22) Dashuria si ajo që kishte Krishti mund të na ndihmojë t’i përballojmë këto sprova. Shikoni shembullin e Namangoluas, e cila u rrit në një familje të krishterë në Zambie. Në moshën dyvjeçare, Namangolua mbeti e gjymtuar. «Isha në siklet,—thotë ajo,—duke menduar se njerëzit do të tronditeshin nga pamja ime. Por vëllezërit në besim më ndihmuan t’i shihja ndryshe gjërat. Kështu që e kapërceva sikletin dhe pas njëfarë kohe u pagëzova.»

16 Edhe pse ka një karrocë invalidësh, shpesh Namangoluas i duhet të ecë këmbadoras kur ka për të bërë rrugë të shtruar me rërë. Megjithatë, ajo shërben të paktën dy muaj në vit si pioniere ndihmëse. Një zonjë qau kur Namangolua i dha dëshmi. Përse? Sepse e kishte prekur thellë besimi dhe guximi i motrës sonë. Jehovai e ka bekuar shumë Namangoluan, dhe kjo duket pasi pesë veta me të cilët ajo ka studiuar Biblën janë pagëzuar dhe njëri shërben si plak kongregacioni. «Shpesh kam një dhembje të tmerrshme te këmbët,—thotë ajo—por kjo nuk më ndalon.» Kjo motër është vetëm një nga Dëshmitarët e shumtë në mbarë botën që janë të brishtë në trup, por të fuqishëm në frymë, për shkak të dashurisë që kanë për Perëndinë e për të tjerët. Sa të dëshirueshëm janë për Jehovain të gjithë këta!—Hageu 2:7.

17, 18. Çfarë i ndihmon shumë veta që të durojnë sëmundjet dhe sprova të tjera? Jepni disa shembuj nga vendi.

17 Edhe sëmundjet kronike mund të shkurajojnë, e madje të dëshpërojnë. Një plak kongregacioni thotë: «Në grupin e studimit të librit ku shkoj unë, një motër vuan nga diabeti e nga veshkat, një është me kancer, dy kanë artrit të rëndë dhe një vuan nga eritema dhe fibromialgjia. Nganjëherë ndihen të shkurajuara. Megjithatë, mbledhjet i humbasin vetëm kur janë shumë sëmurë ose kur janë në spital. Të gjitha dalin rregullisht në shërbim. Ato më kujtojnë Pavlin, i cili tha: ‘Kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.’ E admiroj dashurinë dhe guximin e tyre. Ndoshta gjendja në të cilën ndodhen ua bën më të qartë se ku duhet përqendruar jeta dhe çfarë ka vërtet rëndësi.»—2 Korintasve 12:10.

18 Nëse po luftoni me gjymtimet, sëmundjet ose ndonjë problem tjetër, «lutuni pa pushim» për ndihmë, që të mos bëheni viktimë e shkurajimit. (1 Selanikasve 5:14, 17) Natyrisht, do të keni luhatje emocionale, por përpiquni të përqendroheni te gjërat frymore, pozitive, sidomos te shpresa e çmuar e Mbretërisë. «Për mua, shërbimi është si ilaç»,—tha një motër. Predikimi i lajmit të mirë e ndihmon atë që të mbajë një pikëpamje pozitive.

Dashuria i ndihmon keqbërësit të kthehen te Jehovai

19, 20. (a) Çfarë mund t’i ndihmojë ata që kanë mëkatuar të gjejnë guximin për t’u kthyer te Jehovai? (b) Çfarë do të shqyrtohet në artikullin vijues?

19 Shumë veta që janë dobësuar frymësisht ose që kanë mëkatuar, nuk e kanë të lehtë të kthehen te Jehovai. Por do të marrin guximin e duhur, nëse pendohen vërtet dhe rigjallërojnë dashurinë e tyre për Perëndinë. Të shohim rastin e Marios, * që jeton në Shtetet e Bashkuara. Ai u largua nga kongregacioni i krishterë, u dha pas alkoolit e drogës dhe, 20 vjet më vonë, ra në burg. Mario thotë: «Nisa të mendoja thellë për të ardhmen time dhe të lexoja Biblën përsëri. Pas njëfarë kohe fillova të çmoja cilësitë e Jehovait, sidomos mëshirën e tij, për të cilën lutesha shpesh. Pasi dola nga burgu, i shmanga shoqëritë e vjetra, shkova në mbledhjet e krishtere dhe më vonë u rivendosa. Tani, në trupin tim, po korr atë që mbolla, por të paktën kam një shpresë të mrekullueshme. S’arrij dot ta falënderoj sa duhet Jehovain për dhembshurinë e tij dhe për faljen.»—Psalmi 103:9-13; 130:3, 4; Galatasve 6:7, 8.

20 S’diskutohet, ata që janë në një situatë të ngjashme me Marion, duhet të punojnë shumë për t’u kthyer te Jehovai. Por, dashuria që u është rigjallëruar si rrjedhojë e studimit të Biblës, lutjeve dhe meditimit, do t’u japë guximin dhe vendosmërinë e duhur. Marios i dha forcë edhe shpresa e Mbretërisë. Po, përveç dashurisë, besimit dhe frikës nga Perëndia, shpresa mund të jetë një forcë madhore e dobishme në jetën tonë. Në artikullin vijues, do ta shqyrtojmë më nga afër këtë dhuratë të çmuar frymore.

[Shënimi]

^ par. 19 Emri është ndryshuar.

A mund të përgjigjeni?

• Si e ndihmoi dashuria Jezuin që të shfaqte një guxim të jashtëzakonshëm?

• Si i dha guxim të veçantë Pavlit dhe Barnabës dashuria që kishin për vëllezërit?

• Me anë të cilave metoda përpiqet Satanai ta gërryejë dashurinë e krishterë?

• Cilat sprova do të jemi në gjendje të durojmë me guxim, nëse kemi dashuri për Jehovain?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 23]

Dashuria për njerëzit i dha guxim Pavlit që të ngulmonte

[Figura në faqen 24]

Duhet guxim për të mbajtur normat e Perëndisë

[Figura në faqen 24]

Namangolua Sututu