Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kërkimet e njeriut për jetën e përhershme

Kërkimet e njeriut për jetën e përhershme

Kërkimet e njeriut për jetën e përhershme

QË NË kohët e hershme njeriu ka ëndërruar të jetojë përgjithmonë. Megjithatë, kjo ëndërr ka mbetur e parealizuar. Askush nuk ka gjetur një mënyrë për ta mposhtur vdekjen. Por, kohët e fundit, kërkimet në fushën e mjekësisë kanë ripërtërirë shpresën se një zgjatje domethënëse e jetëgjatësisë së njeriut mund të arrihet vërtet. Le të shqyrtojmë se çfarë është arritur në fusha të ndryshme të studimeve shkencore.

Biologët po eksperimentojnë me enzimën telomerazë në përpjekje për ta shtuar numrin e herëve që qelizat mund të rigjenerohen. Shkencëtarët e dinë se qelizat e vjetra e të dëmtuara zhduken dhe zëvendësohen nga qeliza të reja. Në fakt, pjesa më e madhe e trupit ripërtërihet disa herë gjatë jetës së njeriut. Studiuesit mendojnë se, nëse procesi i ripërtëritjes do të zgjatej, «trupi i njeriut do të mund të rigjenerohej për një kohë shumë të gjatë, madje edhe përjetësisht».

Nëpërmjet klonimit terapeutik, që është një fushë kërkimesh shumë e diskutuar, teorikisht, pacientëve të sëmurë mund t’u sigurohen për transplantime mëlçi, veshka ose zemra të reja që përputhen në mënyrë të përsosur me organizmin e pacientit. Këto organe do të kultivoheshin duke përdorur qelizat burimore të vetë pacientit.

Shkencëtarët në fushën e nanoteknologjisë parashikojnë një kohë kur mjekët do të futin në gjakun e njeriut robotë me përmasat e një qelize, që të gjejnë e të shkatërrojnë qelizat kanceroze dhe bakteriet e dëmshme. Disa besojnë se kjo fushë e shkencës, së bashku me terapitë gjenetike, do të bëjnë të mundur më në fund që trupi i njeriut të jetojë në përjetësi.

Përkrahësit e krionikës i ruajnë në ngrirje trupat e të vdekurve. Ideja është që t’i ruajnë këta trupa derisa përparimet në fushën mjekësore t’ua bëjnë të mundur mjekëve që të shërojnë sëmundjet, të prapësojnë pasojat e plakjes dhe t’u rikthejnë jetën e shëndetin të vdekurve. Një revistë (American Journal of Geriatric Psychiatry) e quan këtë ide «ekuivalenti i sotëm i mumieve që bënin egjiptianët e lashtë».

Kërkimet e pareshtura për pavdekësinë tregojnë se sa të vështirë e ka njeriu të pranojë fundin e ekzistencës së vet. A është vërtet e mundur për njeriun që të arrijë jetën e përhershme? Çfarë thotë Bibla për këtë temë? Artikulli vijues do t’u përgjigjet këtyre pyetjeve.