Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pse në Përkthimin Bota e Re, te Ligji i përtërirë 31:2 thuhet se Moisiut ‘nuk do t’i lejohej më të ishte’ prijësi i Izraelit, ndërkohë që përkthime të tjera lënë të kuptohet se ai nuk ishte më në gjendje që të vepronte si i tillë?

Edhe pse termi hebraik në fjalë mund të përkthehet në të dyja mënyrat, përkthimi në disa versione të Biblës të lë të kuptosh se nga fundi i jetës së tij Moisiu ishte i sëmurë dhe nga ana fizike nuk mund të përmbushte përgjegjësitë si prijës. Për shembull, versioni Diodati i Ri citon fjalët e Moisiut: «Unë jam sot njëqind e njëzet vjeç, nuk mundem më të hyj dhe të dal.» Po kështu, versioni Simon Filipaj thotë: «S’jam më i zoti të dal as të hyj.»

Megjithatë, te Ligji i përtërirë 34:7 tregohet që, ndonëse Moisiu ishte i moshuar, ai nuk ishte i sëmurë. Aty thuhet: «Moisiu ishte njëqind e njëzet vjeç kur vdiq. Nuk e kishin lënë as sytë dhe as fuqitë.» Pra, nga ana fizike Moisiu mundej që t’i printe kombit, por nuk ishte vullneti i Jehovait që të vazhdonte ta bënte këtë gjë. Kjo duket qartë nga ajo që tha më tej Moisiu: «Jehovai më ka thënë: ‘Ti nuk do ta kalosh Jordanin.’» Me sa duket Jehovai po përsëriste atë që kishte shpallur tek ujërat e Meribës.—Numrat 20:9-12.

Moisiu kishte bërë një jetë të gjatë dhe të jashtëzakonshme, që mund të ndahet në tri periudha. Për 40 vjet, ai jetoi në Egjipt, ku «mësoi gjithë mençurinë e egjiptianëve» dhe ishte «i fuqishëm në fjalë e në vepra». (Veprat 7:20-22) Për 40 vjet të tjera banoi në Midian. Atje zhvilloi cilësi frymore që nevojiteshin për të udhëhequr popullin e Jehovait. Së fundi, për 40 vjet, Moisiu udhëhoqi dhe drejtoi izraelitët. Megjithatë, tani Jehovai kishte vendosur që të mos ishte Moisiu, por Josiu që do ta udhëhiqte kombin përmes lumit Jordan për në Tokën e Premtuar.—Ligji i përtërirë 31:3.

Pra, Përkthimi Bota e Re jep kuptimin e saktë të Ligjit të përtërirë 31:2. Moisiu nuk do të vazhdonte më të ishte prijës i Izraelit, jo sepse i mungonin aftësitë fizike, por ngaqë Jehovai nuk e lejoi ta bënte këtë gjë.