Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shpresoni te Jehovai dhe jini të guximshëm!

Shpresoni te Jehovai dhe jini të guximshëm!

Shpresoni te Jehovai dhe jini të guximshëm!

«Shpreso te Jehovai! Qofsh guximtar e me zemër të fortë! Po, shpreso te Jehovai!»—PSALMI 27:14.

1. Sa e rëndësishme është shpresa dhe si përdoret në Shkrime kjo fjalë?

SHPRESA e vërtetë është si një dritë që shkëlqen. Ajo na ndihmon të shohim përtej sprovave të tanishme dhe ta presim të ardhmen me guxim e me gëzim. Vetëm Jehovai mund të na japë një shpresë të sigurt, me anë të Fjalës së tij të frymëzuar. (2 Timoteut 3:16) Në fakt, fjalët «shpresë», «shpresoj» dhe «shpresuar» dalin më shumë se 160 herë në Bibël dhe i referohen qoftë pritjes së sigurt e me padurim të diçkaje të mirë, qoftë asaj që presim. * Kjo shpresë nuk është thjesht një dëshirë, e cila mund të mos ketë baza ose mundësi për t’u realizuar.

2. Çfarë roli luajti shpresa në jetën e Jezuit?

2 Kur hasi sprova e vështirësi, Jezui pa përtej momentit dhe shpresoi te Jehovai. «Për gëzimin që iu vu përpara, ai duroi një shtyllë torture, e përbuzi turpin dhe është ulur në të djathtën e fronit të Perëndisë.» (Hebrenjve 12:2) Ngaqë e kishte gjithë vëmendjen te mundësia për të shfajësuar sovranitetin e Jehovait dhe për të shenjtëruar emrin e Tij, Jezui nuk u shmang kurrë nga rruga e bindjes ndaj Perëndisë, pavarësisht se sa i kushtoi.

3. Çfarë roli luan shpresa në jetën e shërbëtorëve të Perëndisë?

3 Mbreti David tregon lidhjen mes shpresës e guximit, duke thënë: «Shpreso te Jehovai! Qofsh guximtar e me zemër të fortë! Po, shpreso te Jehovai!» (Psalmi 27:14) Nëse duam të kemi zemër të fortë, nuk duhet të lejojmë kurrë të na venitet shpresa, por duhet ta mbajmë gjithnjë të qartë në mendje dhe në zemër. Kjo do të na ndihmojë të imitojmë Jezuin dhe të shfaqim guxim e zell, ndërsa marrim pjesë në veprën që u ngarkoi dishepujve të tij. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Po, shpresa renditet përkrah besimit dhe dashurisë si një cilësi jetësore dhe e qëndrueshme që karakterizon jetën e shërbëtorëve të Perëndisë.—1 Korintasve 13:13.

A keni «bollëk në shpresë»?

4. Çfarë presin me padurim të krishterët e mirosur dhe shokët e tyre, ‘delet e tjera’?

4 Popullin e Perëndisë e pret një e ardhme e mrekullueshme. Të krishterët e mirosur presin me padurim të shërbejnë me Krishtin në qiell, kurse ‘delet e tjera’ shpresojnë ‘të lirohen nga skllavëria e prishjes dhe të kenë lirinë e lavdishme të fëmijëve [tokësorë] të Perëndisë’. (Gjoni 10:16; Romakëve 8:19-21; Filipianëve 3:20) Kjo ‘liri e lavdishme’ përfshin çlirimin nga mëkati e nga pasojat e tij të tmerrshme. Jehovai, Ai që jep ‘çdo dhuratë të mirë dhe çdo gjë të përsosur’, natyrisht që do t’u jepte vetëm më të mirën shërbëtorëve të tij besnikë.—Jakovi 1:17; Isaia 25:8.

5. Si arrijmë të kemi «bollëk në shpresë»?

5 Çfarë roli duhet të luajë në jetën tonë shpresa e krishterë? Te Romakëve 15:13 lexojmë: «Perëndia që jep shpresë, ju mbushtë plot me gëzim e paqe, nëpërmjet besimit tuaj, që të keni bollëk në shpresë me fuqinë e frymës së shenjtë!» Po, shpresa nuk është si një qiri që bën flakë në errësirë, por si rrezet e shndritshme të diellit të mëngjesit, që e mbush jetën me paqe, lumturi, qëllim dhe guxim. Siç e shikoni, ne kemi «bollëk në shpresë» kur besojmë te Fjala e shkruar e Perëndisë dhe marrim frymën e tij të shenjtë. Te Romakëve 15:4 thuhet: «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë.» Prandaj, pyet veten: ‘A e mbaj të qartë shpresën time, duke qenë studiues i mirë i Biblës, duke e lexuar përditë? A lutem shpesh për të pasur frymën e Perëndisë?’—Luka 11:13.

6. Nga se duhet të ruhemi, për ta mbajtur të gjallë shpresën tonë?

6 Jezui, Modeli ynë, merrte forcë nga Fjala e Perëndisë. Duke e shqyrtuar me kujdes shembullin e Jezuit, ‘nuk do të na lodhet e të na ligështohet shpirti’. (Hebrenjve 12:3) Është normale që, po të na zbehet në mendje e në zemër shpresa që na ka dhënë Perëndia ose po të përqendrohemi diku tjetër, ndoshta te gjërat materiale ose te synimet e kësaj bote, shumë shpejt mund të lodhemi frymësisht e më pas të humbim forcën morale dhe guximin. Në këtë gjendje mendore, mund të ndodhë edhe që ‘të na rrënohet besimi si një anije që shkallmohet’. (1 Timoteut 1:19) Nga ana tjetër, shpresa e vërtetë na e forcon besimin.

Shpresa është thelbësore për besimin

7. Pse shpresa është thelbësore për besimin?

7 «Besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, dëshmia e dukshme e realiteteve ndonëse të papara»,—thotë Bibla. (Hebrenjve 11:1) Pra, shpresa nuk është dytësore ndaj besimit, por është pjesë përbërëse thelbësore e tij. Shqyrtoni shembullin e Abrahamit. Në kohën kur Jehovai u premtoi se do të kishin një trashëgimtar, Abrahami dhe e shoqja, Sara, nga pikëpamja njerëzore e kishin kaluar moshën për të lindur fëmijë. (Zanafilla 17:15-17) Si reagoi ai? «Edhe pse s’kishte asnjë arsye për shpresë, e megjithatë i bazuar në shpresë, ai pati besim se do të bëhej ati i shumë kombeve.» (Romakëve 4:18) Po, shpresa që i kishte dhënë Perëndia, i dha një themel të fortë besimit të tij se do të kishte pasardhës. Nga ana tjetër, besimi që kishte, ia rigjallëroi dhe ia forcoi shpresën. Madje, Abrahami dhe Sara patën guximin të linin shtëpinë e të afërmit dhe ta kalonin në tenda pjesën tjetër të jetës, në tokë të huaj.

8. Si e përforcon shpresën qëndrueshmëria jonë me besim?

8 Abrahami e mbajti të fortë shpresën e tij duke iu bindur pa rezerva Jehovait, edhe kur kjo ishte e vështirë. (Zanafilla 22:2, 12) Po kështu, duke qenë të bindur e duke qëndruar të palëkundur në shërbim të Jehovait, edhe ne mund të jemi të sigurt për shpërblimin tonë. Pavli shkroi: «Qëndrueshmëria sjell një gjendje të miratuar», e cila nga ana e saj sjell shpresë, «dhe shpresa nuk çon në zhgënjim». (Romakëve 5:4, 5) Për këtë arsye, ai shkroi edhe këto fjalë: «Dëshirojmë që secili nga ju të tregojë të njëjtën papërtueshmëri, që ta ketë deri në fund sigurinë e plotë të shpresës.» (Hebrenjve 6:11) Një pikëpamje e tillë pozitive, e cila bazohet në një marrëdhënie personale me Jehovain, na ndihmon ta përballojmë me guxim, e madje me gëzim, çdo vështirësi.

«Gëzoni në shpresë»

9. Cila gjë, e bërë rregullisht, mund të na ndihmojë ‘të gëzojmë në shpresë’?

9 Shpresa që na ka dhënë Perëndia është shumë më e lartë se çdo gjë që mund të ofrojë bota. Në Psalmin 37:34 thuhet: «Shpreso te Jehovai dhe ndiq udhët e tij, e ai do të të lartësojë dhe ti do të trashëgosh tokën. Ti do të shohësh kur të shfarosen të ligjtë.» Po, ne kemi çdo arsye që ‘të gëzojmë në shpresë’. (Romakëve 12:12) Por, për të bërë këtë, duhet ta mbajmë të freskët në mendje shpresën. A mendoni rregullisht për shpresën që ju ka dhënë Perëndia? A e përfytyroni veten në Parajsë, me një shëndet të mirë, pa ankthe, të rrethuar nga njerëzit që doni dhe duke bërë punë vërtet të kënaqshme? A meditoni rreth skenave të Parajsës që gjenden në botimet tona? Ky meditim i bërë rregullisht është si të pastrosh xhamat e një dritareje nga e cila shihet një panoramë e mrekullueshme. Po të mos i pastrojmë xhamat, s’kalon shumë dhe pluhuri e pisllëku nuk na lënë ta shohim qartë panoramën tërheqëse. Atëherë vëmendja jonë mund të kthehet nga gjëra të tjera. Mos lejofshim kurrë të ndodhë kjo!

10. Pse ndikon për mirë në marrëdhënien tonë me Jehovain pritja e shpërblimit?

10 Natyrisht, arsyeja kryesore pse i shërbejmë Jehovait është se e duam. (Marku 12:30) Megjithatë, edhe shpërblimin duhet ta presim me padurim. Vetë Jehovai pret që ne të veprojmë kështu! Te Hebrenjve 11:6 thuhet: «Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh atij, sepse kush i afrohet Perëndisë, duhet të besojë se ai është dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm.» Pse Jehovai dëshiron që ne ta shohim atë si Shpërblyesi? Sepse kur veprojmë kështu, tregojmë se e njohim mirë Atin tonë qiellor. Ai është bujar dhe i do fëmijët e tij. Mendoni sa të palumtur do të ishim e sa shpejt do të shkurajoheshim, po të mos kishim «një të ardhme dhe një shpresë».—Jeremia 29:11.

11. Si e ndihmoi Moisiun shpresa që i kishte dhënë Perëndia, që të merrte vendime të mençura?

11 Shembull i veçantë i dikujt që u përqendrua gjithnjë te shpresa që i kishte dhënë Perëndia, ishte Moisiu. Si «biri i bijës së faraonit», Moisiu mund të kishte pushtet, prestigj dhe pasuritë e Egjiptit. A do të rendte pas këtyre gjërave apo do t’i shërbente Jehovait? Me guxim, Moisiu zgjodhi këtë të dytën. Përse? Sepse «e mbante shikimin të ngulur në dhënien e shpërblimit». (Hebrenjve 11:24-26) Po, Moisiu s’ishte aspak indiferent ndaj shpresës që i kishte ofruar Jehovai.

12. Pse shpresa e krishterë është si një përkrenare?

12 Apostulli Pavël e krahasoi shpresën me përkrenaren. Përkrenarja jonë e figurshme na mbron fuqitë mendore dhe na jep mundësi të marrim vendime të mençura, t’u japim përparësi gjërave të duhura dhe të mbajmë integritetin. (1 Selanikasve 5:8) A e keni gjithmonë të vënë përkrenaren tuaj të figurshme? Nëse po, atëherë, ashtu si Moisiu dhe Pavli, nuk do t’i varni shpresat «te pasuria e pasigurt, por te Perëndia, që na i jep të gjitha me bollëk për kënaqësinë tonë». Vërtet që do guxim të shkosh kundër prirjeve të përhapura, duke i kthyer shpinën synimeve egoiste, por ama përpjekjet ia vlejnë! Në fund të fundit, pse të kënaqeni me diçka më pak, në vend të ‘jetës së vërtetë’ që i pret ata të cilët shpresojnë te Jehovai dhe e duan atë?—1 Timoteut 6:17, 19.

«Kurrsesi nuk do të të lë»

13. Çfarë sigurie u jep Jehovai shërbëtorëve të tij besnikë?

13 Njerëzit që i varin shpresat te ky sistem i tanishëm, me siguri që e mendojnë me ankth të nesërmen, pasi botës po i shtohen gjithnjë e më shumë ‘dhembjet e lindjes’. (Mateu 24:8) Kurse ata që shpresojnë te Jehovai nuk i kanë këto ankthe. Ata do të vazhdojnë ‘të banojnë të sigurt dhe të patrazuar nga tmerri i gjëmës’. (Proverbat 1:33) Ngaqë nuk e kanë shpresën te sistemi i tanishëm, ata ia vënë veshin me gëzim këshillës së Pavlit: «Mënyra juaj e të jetuarit le të jetë pa dashuri për para, ndërsa jeni të kënaqur me gjërat që keni. Sepse ai ka thënë: ‘Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.’»—Hebrenjve 13:5.

14. Pse të krishterët nuk duhet të jenë tepër në ankth për nevojat e tyre materiale?

14 Fjala «kurrsesi» është shumë e fortë dhe nuk lë vend për dyshim se Perëndia do të kujdeset për ne. Edhe Jezui na siguroi se Perëndia interesohet me dashuri për ne: «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra të tjera [nevojat materiale të jetës] do t’ju shtohen. Prandaj, mos jini kurrë në ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta.» (Mateu 6:33, 34) Jehovai e di se për ne është një sfidë të jemi të zellshëm për Mbretërinë e tij dhe në të njëjtën kohë të mbajmë mbi supe përgjegjësinë për të siguruar nevojat tona fizike. Prandaj, le të besojmë plotësisht tek aftësia dhe dëshira e tij për t’i plotësuar nevojat tona!—Mateu 6:25-32; 11:28-30.

15. Si mbajnë ‘një sy të thjeshtë’ të krishterët?

15 E tregojmë se mbështetemi te Jehovai kur mbajmë ‘një sy të thjeshtë’. (Mateu 6:22, 23) Një sy i thjeshtë është i sinqertë, me motive të pastra dhe pa lakmi e ambicie egoiste. Të kemi një sy të thjeshtë nuk do të thotë të zgjedhim që të jetojmë në varfëri ose të lëmë pas dore kujdesin për përgjegjësitë tona të krishtere. Jo, do të thotë të kemi ‘mendje të shëndoshë’, duke mbajtur gjithmonë në vend të parë shërbimin ndaj Jehovait.—2 Timoteut 1:7.

16. Pse duhet besim dhe guxim që të mbajmë një sy të thjeshtë?

16 Të mbash një sy të thjeshtë kërkon besim e guxim. Për shembull, në qoftë se pronari ngul këmbë që ti të punosh vazhdimisht në oraret kur janë mbledhjet e krishtere, a do të kesh guximin t’u përmbahesh përparësive të tua frymore? Nëse një njeri ka dyshime se Jehovai do ta përmbushë premtimin e Tij që të kujdeset për shërbëtorët e Vet, atëherë Satanait i mjafton të shtojë presionin mbi këtë individ derisa të mos i ndjekë më fare mbledhjet. Po, mungesa e besimit nga ana jonë mund t’i japë Satanait lirinë që të na ketë nën kontroll, e kështu t’i vendosë ai përparësitë tona, jo Jehovai. Sa tragjike do të ishte kjo!—2 Korintasve 13:5.

«Shpreso te Jehovai»

17. Si janë të bekuar që tani ata që kanë besim te Jehovai?

17 Shkrimet e tregojnë vazhdimisht se ata që shpresojnë dhe besojnë te Jehovai, kurrë nuk zhgënjehen. (Proverbat 3:5, 6; Jeremia 17:7) Vërtet që nganjëherë u duhet të kënaqen me më pak gjëra, por këtë e shohin si një sakrificë të vogël, në krahasim me bekimet që i presin. Kështu tregojnë se ‘shpresojnë te Jehovai’ dhe se janë të sigurt që në kohën e duhur, ai do t’u japë shërbëtorëve besnikë të gjitha gjërat e drejta që u do zemra. (Psalmi 37:4, 34) Prandaj, janë vërtet të lumtur që tani. «Pritja e të drejtëve është gëzim, por shpresa e të ligjve do të marrë fund.»—Proverbat 10:28.

18, 19. (a) Cilën siguri të dashur na jep Jehovai? (b) Si e mbajmë Jehovain «në të djathtën» tonë?

18 Kur ecën dorë për dorë me babanë e tij, një djalë i vogël ndihet i sigurt. E njëjta gjë është me ne, ndërsa ecim me Atin tonë qiellor. «Mos ki frikë,—i tha Jehovai Izraelit,—se unë jam me ty. . . . Do të të ndihmoj. . . . Sepse unë Jehovai, Perëndia yt, të kap nga dora e djathtë dhe të them: ‘Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj.’»—Isaia 41:10, 13.

19 Sa i ngrohtë është ky përshkrim, Jehovai që na kap ne për dore! Davidi shkroi: «E kam Jehovain gjithnjë para syve. Nuk do të lëkundem, pasi ai është në të djathtën time.» (Psalmi 16:8) Si e mbajmë Jehovain «në të djathtën» tonë? Të paktën në dy mënyra. Së pari, lejojmë që Fjala e tij të na udhëheqë në çdo fushë së jetës, dhe së dyti përqendrohemi te çmimi i lavdishëm që ka vënë Jehovai para nesh. Psalmisti Asaf këndoi: «Unë jam gjithmonë me ty, ti më ke kapur nga dora e djathtë. Me këshillën tënde do të më prish, e pastaj do të më çosh drejt lavdisë.» (Psalmi 73:23, 24) Me këtë siguri, mund ta presim vërtet me besim të ardhmen.

«Çlirimi juaj po afrohet»

20, 21. Çfarë e ardhme i pret ata që shpresojnë te Jehovai?

20 Çdo ditë që kalon, bëhet edhe më urgjente që ta mbajmë Jehovain në të djathtën tonë. Së shpejti, duke nisur me shkatërrimin e fesë së rreme, bota e Satanait do të përjetojë një shtrëngim aq të madh, sa nuk ka përjetuar kurrë më parë. (Mateu 24:21) Frika do të mbështjellë njerëzimin e pabesë. Kurse shërbëtorët e guximshëm të Jehovait do të gëzojnë në shpresën e tyre, në atë kohë të rrëmujshme! «Kur të fillojnë të ndodhin këto gjëra,—tha Jezui,—drejtoni trupin dhe ngrini kokën lart, sepse çlirimi juaj po afrohet.»—Luka 21:28.

21 Prandaj, le të gëzojmë në shpresën që na ka dhënë Perëndia dhe të mos mashtrohemi ose të tundohemi nga shpërqendrimet dinake të Satanait. Në të njëjtën kohë, le të punojmë fort për të pasur besim, dashuri dhe frikë Perëndie. Kështu do të kemi guximin e duhur për t’iu bindur në çdo rrethanë Jehovait dhe për t’iu kundërvënë Djallit. (Jakovi 4:7, 8) Po, «qofshi guximtarë e me zemër të fortë, të gjithë ju që pritni Jehovain»!—Psalmi 31:24.

[Shënimi]

^ par. 1 Ndonëse në Shkrimet e Krishtere Greke, fjala «shpresë» përdoret shpesh për shpërblimin qiellor të të krishterëve të mirosur, në këtë artikull trajtohet shpresa siç përdoret në kuptimin e përgjithshëm.

A mund të përgjigjeni?

• Si e ndihmoi shpresa Jezuin që të kishte më shumë guxim?

• Si lidhen me njëri-tjetrin besimi dhe shpresa?

• Si mund t’i japë guxim një të krishteri shpresa dhe besimi, që të ketë përparësitë e duhura në jetë?

• Pse ata që ‘shpresojnë te Jehovai’ mund ta presin me besim të ardhmen?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 28]

Të vegjël a të mëdhenj qofshi, a e përfytyroni veten në Parajsë?