Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund ta njohim vërtet Perëndinë?

A mund ta njohim vërtet Perëndinë?

A mund ta njohim vërtet Perëndinë?

«Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për . . . të vetmin Perëndi të vërtetë.»—GJONI 17:3.

«O THELLËSI e pasurisë, e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë!»—tha i emocionuar apostulli Pavël. Më tej shtoi: «Sa të pahetueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pagjurmueshme janë udhët e tij!» (Romakëve 11:33) A duhet që, nga këto fjalë, të nxjerrim përfundimin se është përtej aftësisë së njeriut të zbulojë mençurinë dhe njohurinë e Perëndisë, e për pasojë është e pamundur të arrijë ta njohë Atë dhe qëllimet e tij?

Disa mendimtarë fetarë besojnë se është e pamundur të arrijmë ta njohim Perëndinë. Një enciklopedi (The Encyclopedia of Religion) thotë për këtë mendim: «Perëndia qëndron mbi gjithçka që mund të njihet për të. . . . Perëndisë nuk mund t’i vihet një emër e nuk mund të përkufizohet. Çdo emër ose përkufizim vë kufij, por Perëndia qëndron mbi . . . to. . . . Ai nuk mund të njihet, sepse qëndron mbi njohurinë.» *

Sipas revistës Newsweek, shumë individë në shoqëritë e sotme priren drejt «një lloj bindjeje të re», sipas së cilës «ka vetëm një të vërtetë, dhe kjo e vërtetë është se nuk ka asnjë të vërtetë».

Gjithsesi, shumë veta nuk kanë marrë përgjigje për pyetjet rreth qëllimit të jetës. Ata shohin problemet pikëlluese të varfërisë, të sëmundjeve e të dhunës. Pasiguria e jetës ndoshta i shkurajon tej mase. Mbase dëshirojnë me zjarr t’i gjejnë përgjigjet, por kur nuk i gjejnë, mund të nxjerrin përfundimin se nuk ka përgjigje. Si pasojë, shumë individë të tillë janë larguar nga fetë tradicionale dhe kërkojnë mënyrën e tyre për t’iu afruar Perëndisë, kuptohet, nëse besojnë ende që ai ekziston.

Pikëpamja e Biblës

Ata që kanë mendim të mirë për Biblën dhe duan ta pranojnë Jezu Krishtin si Zëdhënësin e Perëndisë, duhet të interesohen që të dinë pikëpamjen e Biblës. Ndoshta ju kujtohet që njëherë Jezui foli për dy rrugë, për ‘një rrugë të gjerë e të hapët që të çon në shkatërrim’ dhe për ‘një rrugë të kufizuar që të çon në jetë’. Ai shpjegoi se si t’i identifikojmë ata që ecin në secilën rrugë: «Do t’i njihni nga frytet e tyre.» Çfarë frytesh? Jo gjërat që thonë, por gjërat që bëjnë, siç e qartësoi Jezui: «Jo kushdo që më thotë: ‘Zotëri, Zotëri’ do të hyjë në mbretërinë e qiejve, por do të hyjë ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej.» Nuk mjafton vetëm të themi se besojmë te Perëndia. Duhet të bëjmë vullnetin e Perëndisë. Siç mund të kuptohet, së pari duhet të kemi njohuri të saktë se cili është vullneti i Perëndisë.—Mateu 7:13-23.

Jezui tregoi qartë se është e mundur që njerëzit të fitojnë njohuri për Perëndinë. Ai tha: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) S’ka dyshim se mund të fitojmë mençurinë dhe njohurinë që zbulon Perëndia, por vetëm nëse i kërkojmë me ngulm. Gjithsesi, dhurata e Perëndisë për ata që veprojnë kështu është jeta e përhershme, prandaj ia vlen patjetër që të bëjmë këtë kërkim.

[Shënimi]

^ par. 4 Pikëpamje të ngjashme gjenden në fetë tradicionale të Lindjes: në hinduizëm, taoizëm dhe budizëm.

[Figura në faqen 4]

Jezui tha se rruga e kufizuar të çon në jetë