Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjejnë thesare frymore në Guine

Gjejnë thesare frymore në Guine

Gjejnë thesare frymore në Guine

PËR shekuj të tërë, eksploruesit rrezikuan jetën dhe shëndetin në kërkim të thesareve. Eksploruesit e patrembur që arritën deri në Guine, në Afrikën Perëndimore, gjetën dy lloje thesaresh shumë të ndryshme: thesare materiale dhe frymore. Ky vend, që është i pasur në diamant, ar, mineral hekuri dhe boksit të cilësisë së lartë (nga i cili nxirret alumini), ka një popullsi me më tepër se nëntë milionë banorë.

Edhe pse në këtë vend nuk mbizotërojnë fetë e krishtere, banorët e shohin si të rëndësishëm adhurimin dhe shumë veta i çmojnë thesaret frymore. Çfarë janë saktësisht këto thesare? Janë shërbëtorët besnikë të Jehovait, që te Hageu 2:7 përshkruhen si «gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve».

Thesaret frymore

Të gërmosh thellë në tokë për thesare të fshehura kërkon shumë përpjekje. Po kështu, në shërbimin e krishterë nevojiten shumë përpjekje për të gjetur pasuri frymore. Në Guine vepra e predikimit të Mbretërisë filloi në zemër të vendit në fillim të viteve 50 të shekullit të 20-të. Mirëpo, në kryeqytet, në Konakri, arriti vetëm në fillim të viteve 60. Tani, në gjithë kombin ka rreth 900 Dëshmitarë të Jehovait në 21 kongregacione dhe grupe.

Misionarët mbërritën në vitin 1987 dhe predikuan bashkë me kongregacionin e vetëm që ishte në Konakri. Tani ka më tepër se 20 misionarë në kryeqytet dhe në brendësi të vendit. Me zell ata forcojnë kongregacionet dhe marrin pjesë në shërbim bashkë me vëllezërit vendës.

Lyku, i cili banon në Konakri, pati kënaqësinë të drejtonte një studim biblik me Alberin, një mjek i ri në moshë. Alberi kishte kërkuar të vërtetën fetare nëpër kisha të ndryshme dhe ishte përfshirë në praktika spiritiste. Mbante një unazë që ia kishte dhënë një medium duke e garantuar se do t’i sillte fat. Pas shumë zhgënjimesh në kërkimin e tij për fenë e vërtetë, Alberi e hodhi unazën dhe u lut: «O Perëndi, nëse ekziston, më ndihmo të të njoh dhe të të shërbej. Në rast të kundërt do të jetoj sipas dëshirave të mia.» Pak kohë më pas, Alberi ishte për vizitë te shtëpia e motrës së vet dhe i kapi veshi një Dëshmitare të Jehovait që po drejtonte një studim biblik me mbesën e tij. Shpejt u morën masa që Lyku të studionte Biblën me Alberin.

Çdo javë Lyku me gëzim ecte më shumë se 10 kilometra vajtje-ardhje që të drejtonte studimin. Ndonëse Lyku nuk kishte shumë shkollë, Alberit, që kishte diplomë universiteti, i la përshtypje të thellë besimi i tij i fortë te Bibla dhe zbatimi praktik që i bënte materialit që studionin. Sa u lumturua Alberi kur zbuloi se vuajtjet e njerëzimit nuk janë për faj të Perëndisë! Përkundrazi, Jehovai ka si qëllim t’u japë fund vuajtjeve dhe ta bëjë këtë tokë një parajsë. (Psalmi 37:9-11) Të vërtetat biblike, bashkë me sjelljen e shkëlqyer që vuri re midis pjesëtarëve të kongregacionit, i prekën zemrën Alberit.

Sidoqoftë, ashtu si një zejtar i zoti duhet ta presë me kujdes një diamant të papërpunuar, që të shkëlqejë, po kështu Alberi duhej të mposhtte shumë qëndrime negative që kishte kur ishte në botë, që ta përputhte jetën me normat e drejta të Perëndisë. Ai vendosi të mos shkonte më te mediumet, nuk abuzonte më me alkoolin dhe la bixhozin. Por e pati shumë më të vështirë të linte duhanin. Kur më në fund iu lut me zjarr Jehovait për ndihmë, ia doli mbanë. Gjashtë muaj më vonë, regjistroi ligjërisht martesën e tij. Gruaja e vet filloi të studionte Biblën dhe tani që të dy janë shërbëtorë të pagëzuar të Jehovait.

Marteni është një tjetër diamant frymor. Ai filloi të studionte Biblën në Gekedu kur ishte 15 vjeç. Prindërit, që ishin katolikë, iu kundërvunë ngaqë ndiqte mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Ata i grisën Martenit literaturën biblike, e rrahën dhe e dëbuan nga shtëpia. Ashtu si një diamant formohet kur karboni ndodhet nën trysni tejet të madhe, po kështu Martenit iu forcua edhe më shumë dashuria për të vërtetën biblike si rezultat i kundërshtimit. Me kalimin e kohës, qëndrimi i prindërve u zbut dhe ai u kthye në shtëpi. Pse ky ndryshim në zemrën e prindërve? Ata vërejtën një ndryshim të madh midis sjelljes së Martenit dhe asaj të fëmijëve të tjerë të tyre që ishin më të vegjël, por tashmë kishin zhvilluar një frymë rebelimi dhe ishin përfshirë në imoralitet. I bindur që besimi i ri i Martenit ishte i dobishëm për të, babai i mikpriti pjesëtarët e kongregacionit në shtëpi. Mamaja e Martenit i ka falënderuar shumë herë vëllezërit për gjithçka që kanë bërë për të ndihmuar djalin e saj. Marteni u pagëzua në moshën 18-vjeçare, më vonë ndoqi Shkollën e Stërvitjes për Shërbim dhe tani shërben si pionier special.

Pasuri frymore «të importuara»

Edhe pse Guineja eksporton shumë prej burimeve të saj natyrore, disa prej pasurive të saj frymore janë «importuar». Shumë njerëz nga kombe të tjera afrikane kanë emigruar në këtë vend, zakonisht për arsye ekonomike. Të tjerë kanë ardhur që të shpëtojnë nga luftërat e gjata dhe mizore.

Ernestina, nga Kameruni, erdhi në Guine para 12 vjetësh. Ajo studionte me Dëshmitarët e Jehovait dhe kishte vite që ndiqte mbledhjet e tyre, por nuk ishte pagëzuar. Në vitin 2003, iu mbushën sytë me lot kur pa pagëzimin që u bë në një asamble qarkore të Dëshmitarëve të Jehovait. Plot me ndjenja faji, ajo iu lut Jehovait: «Tani jam 51 vjeç dhe nuk kam bërë asgjë për ty. Dua të të shërbej.» Më pas, Ernestina veproi në përputhje me lutjen e saj të përulur. I shpjegoi burrit me të cilin jetonte se mund të qëndronin bashkë vetëm nëse do të martoheshin ligjërisht. Ai pranoi dhe më vonë ajo derdhi lot gëzimi kur u pagëzua vetë në nëntor 2004.

Që në fillim të viteve 90 të shekullit të 20-të, Guineja ka pritur mijëra refugjatë nga Liberia dhe Sierra-Leone, përfshirë edhe qindra shërbëtorë të Jehovait. Sapo mbërrijnë në një kamp refugjatësh vëllezërit organizojnë mbledhjet, veprën e predikimit dhe ndërtojnë një Sallë Mbretërie. Disa janë bërë shërbëtorë të Jehovait në kampe refugjatësh. Një nga këta është Isaku. Pas pagëzimit, Isakut iu dha mundësia që të kthehej në punën e tij të mëparshme në një kompani të madhe liberiane. Por ai zgjodhi të qëndronte në kampin e refugjatëve në Lene, që të shërbente si pionier i rregullt. Ai shpjegon: «Tani nuk më duhet të kërkoj leje nga bosi që të ndjek mbledhjet ose ndonjë asamble. Jam i lirë për t’i shërbyer Jehovait.» Në dhjetor të vitit 2003 u mbajt një kongres krahinor në një kamp të largët, për 150 Dëshmitarët që banojnë mes 30.000 refugjatëve. Sa bukur që të pranishëm ishin 591 veta, përfshirë edhe 9 veta që nuk dëgjojnë, të cilët e ndoqën programin në gjuhën e shenjave! Dymbëdhjetë veta u pagëzuan. Vëllezërit i çmuan shumë përpjekjet e bëra për t’u siguruar një banket frymor.

«Gjërat e dëshirueshme» bëjnë ndryshimet e duhura

Për ata që kërkojnë ar ose diamante, nuk ka asnjë pengesë të pakapërcyeshme. Por është inkurajuese të shohësh përpjekjet që bëjnë të rinjtë në të vërtetën që të kapërcejnë të gjitha pengesat për t’i shërbyer Jehovait. Të shqyrtojmë përvojën e Zainabës.

Në moshën 13-vjeçare Zainabën e bënë me forcë skllave. E morën nga shtëpia e saj në një vend të Afrikës Perëndimore dhe e sollën në Guine. Në moshën 20-vjeçare ajo dëgjoi mesazhin e Biblës. Ishte e etur të zbatonte gjërat që po mësonte.

Për Zainabën ishte e vështirë të ndiqte mbledhjet e krishtere. Por ajo i çmonte shumë mbledhjet dhe ishte e vendosur të mos mungonte në to. (Hebrenjve 10:24, 25) I fshihte librat jashtë që t’i merrte kur shkonte në mbledhje. Në disa raste, «pronarët» e saj e rrahën mizorisht ngaqë ndiqte mbledhjet.

Më vonë rrethanat ndryshuan dhe Zainabën e lanë të lirë. Menjëherë ajo filloi të ndiqte të gjitha mbledhjet dhe ato e ndihmuan të bënte përparim të shpejtë frymor. Ajo nuk pranoi një punë me pagë të lartë, por që do ta pengonte të ndiqte mbledhjet ku merrte mësime të krishtere. U regjistrua në Shkollën e Shërbimit Teokratik, u bë lajmëtare e papagëzuar dhe më vonë e simbolizoi kushtimin ndaj Jehovait me anë të pagëzimit në ujë. Menjëherë pas kësaj filloi shërbimin si pioniere ndihmëse. Gjashtë muaj më pas bëri kërkesën që të shërbente si pioniere e rregullt.

Pasi ndoqi disa mbledhje, një i interesuar tha: «Kur jam këtu, nuk ndihem i varfër.» Ndonëse shumë njerëzve u interesojnë vetëm pasuritë materiale të Guinesë, ata që e duan Jehovain po kërkojnë me zell pasuri frymore. Po, «gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve» po vijnë sot në adhurimin e pastër të Jehovait!

[Kutia në faqen 8]

GUINEJA-2005

Maksimumi i Dëshmitarëve: 883

Studime biblike: 1.710

Të pranishëm në Përkujtim: 3.255

[Hartat në faqen 8]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

GUINE

Konakri

SIERRA-LEONE

LIBERI

[Figura në faqen 9]

Alberi dhe Lyku

[Figura në faqen 9]

Salla e Mbretërisë në Konakri

[Figura në faqen 10]

Marteni

[Figura në faqen 10]

Ernestina

[Figura në faqen 10]

Zainaba

[Burimi i figurës në faqen 8]

USAID