Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Pse ekzistojmë?»

«Pse ekzistojmë?»

«Pse ekzistojmë?»

PËR Eli Vizelin, një i mbijetuar nga holokausti nazist dhe fitues i çmimit Nobel, ishte «pyetja më e rëndësishme për të cilën njeriu duhet të mendojë». Për çfarë bëhet fjalë? Për pyetjen: «Pse ekzistojmë?»

A keni menduar ndonjëherë për këtë? Shumë veta kanë menduar, por nuk arrijnë t’i japin përgjigje. Në përpjekje për të gjetur kuptimin e jetës, historiani britanik Arnold Tojnbi shkroi: «Qëllimi i vërtetë i njeriut është t’i japë lavdi Perëndisë dhe ta gjejë tek Ai lumturinë e përhershme.»

Është interesante që më shumë se tre mijë vjet më parë, një burrë tjetër që shquhej si vëzhgues i mprehtë i jetës, tashmë ia kishte dhënë përgjigjen kësaj pyetjeje. Ky ishte mbreti i mençur Solomon i cili tha: «Përfundimi i çështjes, pasi është dëgjuar çdo gjë, është: frikësoju Perëndisë së vërtetë dhe përmbushi urdhërimet e tij. Sepse ky është tërë detyrimi i njeriut.»—Eklisiastiu 12:13.

Këtë parim bazë e mbështeti edhe Biri i Perëndisë, Jezu Krishti. Kur ishte në tokë, Jezui bëri çdo përpjekje për t’i dhënë lavdi Atit të tij qiellor. Shërbimi që i bënte Krijuesit ia pasuronte jetën. Ky shërbim e përtërinte, i jepte forcë dhe prandaj tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të përfundoj veprën e tij.»—Gjoni 4:34.

Atëherë, pse ekzistojmë? Ashtu si Jezui, Solomoni dhe shërbëtorë të tjerë të Perëndisë mund të gjejmë kuptimin e vërtetë të jetës dhe lumturinë e qëndrueshme duke bërë vullnetin e Perëndisë. A dëshironi të dini më tepër se si mund ta adhuroni Perëndinë «me frymë dhe të vërtetë»? (Gjoni 4:24) Dëshmitarët e Jehovait në vendin tuaj do t’ju ndihmojnë me kënaqësi të gjeni përgjigjen e pyetjes: «Pse ekzistojmë?»