Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A keni pikëpamjen e Jehovait për gjërat e shenjta?

A keni pikëpamjen e Jehovait për gjërat e shenjta?

A keni pikëpamjen e Jehovait për gjërat e shenjta?

«Kini kujdes që . . . të mos ketë asnjë kurvar, as ndonjë që nuk i vlerëson gjërat e shenjta.»—HEBRENJVE 12:15, 16.

1. Cilin qëndrim që mbizotëron sot nuk kanë shërbëtorët e Jehovait?

BOTA në përgjithësi u kushton gjithnjë e më pak vëmendje gjërave të shenjta. Sociologu francez Edgar Moran tha: «Të gjitha themelet mbi të cilat bazohen normat morale—Perëndia, natyra, atdheu, historia dhe logjika—nuk konsiderohen më si të padiskutueshme. . . . Njerëzit i zgjedhin vetë vlerat e tyre.» Kjo gjë pasqyron «frymën e botës» ose ‘frymën që tani vepron në bijtë e mosbindjes’. (1 Korintasve 2:12; Efesianëve 2:2) Ata që i janë kushtuar Jehovait e që i nënshtrohen vullnetarisht sovranitetit të tij të ligjshëm, nuk kanë këtë prirje për të vepruar pa respekt. (Romakëve 12:1, 2) Përkundrazi, shërbëtorët e Perëndisë janë të vetëdijshëm për rolin jetësor që ka shenjtëria në adhurimin që i bëjnë Jehovait. Cilat gjëra në jetën tonë duhet të jenë të shenjta? Në këtë artikull do të shqyrtohen pesë gjëra që janë të shenjta për të gjithë shërbëtorët e Perëndisë. Artikulli tjetër do të përqendrohet te shenjtëria e mbledhjeve të krishtere. Por, ç’do të thotë në të vërtetë fjala «i shenjtë»?

2, 3. (a) Si e theksojnë Shkrimet shenjtërinë e Jehovait? (b) Si e konsiderojmë emrin e Jehovait si diçka të shenjtë?

2 Në gjuhën hebraike në të cilën u shkrua Bibla fjala «i shenjtë» përcjell idenë e veçimit. Në adhurim, fjala «i shenjtë» përdoret për diçka që është e veçuar nga përdorimi i zakonshëm ose që mbahet si e shenjtë. Jehovai është i shenjtë në kuptimin absolut. Ai quhet ‘Më i Shenjti’. (Proverbat 9:10; 30:3) Në Izraelin e lashtë, te çallma e kryepriftit ishte lidhur një pllakë ari ku ishin skalitur fjalët: «Shenjtëria i përket Jehovait.» (Dalja 28:36, 37) Kerubinët dhe serafinët që qëndrojnë në qiell rreth fronit të Jehovait, siç përshkruajnë Shkrimet shpallin: «I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Jehovai!» (Isaia 6:2, 3; Zbulesa 4:6-8) Përsëritja e kësaj fjale thekson se Jehovai është i shenjtë dhe i pastër në shkallën më të lartë. Në të vërtetë ai është Burimi i çdo gjëje të shenjtë.

3 Emri i Jehovait është i shenjtë. Psalmisti tha me entuziazëm: «Le ta përlëvdojnë emrin tënd, të madh e që ngjall frikë. Emri yt është i shenjtë.» (Psalmi 99:3) Jezui na mësoi që të lutemi: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.» (Mateu 6:9) Nëna që e lindi Jezuin, Maria, shpalli: «Shpirti im madhëron Jehovain. . . . I Fuqishmi ka bërë gjëra të mëdha për mua, i shenjtë është emri i tij.» (Luka 1:46, 49) Si shërbëtorë të Jehovait e konsiderojmë emrin e tij si diçka të shenjtë dhe nuk bëjmë asgjë që mund t’i sjellë sharje këtij emri të shenjtë. Për më tepër, ne kemi pikëpamjen e Jehovait për shenjtërinë, domethënë, i konsiderojmë të shenjta gjërat që ai i konsideron të tilla.—Amosi 5:14, 15.

Pse kemi respekt të thellë për Jezuin?

4. Pse Bibla e përshkruan Jezuin si «i Shenjti»?

4 Si ‘biri i vetëmlindur’ i Perëndisë së shenjtë, Jehovait, Jezui u krijua i shenjtë. (Gjoni 1:14; Kolosianëve 1:15; Hebrenjve 1:1-3) Prandaj ai quhet «i Shenjti i Perëndisë». (Gjoni 6:69) Ai e ruajti shenjtërinë kur jeta e tij u soll nga qielli në tokë, sepse Maria e lindi Jezuin me fuqinë e frymës së shenjtë. Një engjëll i kishte thënë asaj: «Fryma e shenjtë do të vijë te ti . . . ai që do të lindë, do të quhet i shenjtë, Bir i Perëndisë.» (Luka 1:35) Në një lutje që i drejtuan Jehovait, të krishterët e Jerusalemit e quajtën dy herë Birin e Perëndisë ‘shërbëtori yt i shenjtë Jezu’.—Veprat 4:27, 30.

5. Cilën vepër të shenjtë kreu Jezui kur ishte në tokë dhe pse është i çmuar gjaku i tij?

5 Kur ishte në tokë, Jezui kishte një vepër të shenjtë për të kryer. Në pagëzimin e tij në vitin 29 të e.s., Jezui u miros si Kryeprifti i tempullit të madh frymor të Jehovait. (Luka 3:21, 22; Hebrenjve 7:26; 8:1, 2) Gjithashtu ai do të vdiste si një flijim. Gjaku i tij i derdhur do të siguronte shpërblesën nëpërmjet së cilës mund të shpëtonin njerëzit mëkatarë. (Mateu 20:28; Hebrenjve 9:14) Prandaj, ne e konsiderojmë gjakun e Jezuit si diçka të shenjtë, «të çmuar».—1 Pjetrit 1:19.

6. Ç’qëndrim kemi ndaj Krishtit Jezu dhe pse?

6 Duke treguar se kemi respekt të thellë për Mbretin dhe Kryepriftin tonë, Krishtin Jezu, apostulli Pavël shkroi: «Perëndia e ngriti [Birin e tij] në një pozitë më të lartë e me dashamirësi i dha emrin që është mbi çdo emër, në mënyrë që, në emër të Jezuit, të përkulet çdo gju i atyre në qiell, i atyre mbi tokë e nën tokë, dhe çdo gjuhë të pranojë hapur se Jezu Krishti është Zotëri në lavdi të Perëndisë, Atit.» (Filipianëve 2:9-11) Tregojmë se kemi pikëpamjen e Jehovait për gjërat e shenjta kur i nënshtrohemi me gëzim Udhëheqësit dhe Mbretit tonë që është duke sunduar, Krishtit Jezu, Kreut të kongregacionit të krishterë.—Mateu 23:10; Kolosianëve 1:18.

7. Si e tregojmë nënshtrimin ndaj Krishtit?

7 Nënshtrimi ndaj Krishtit përfshin gjithashtu që të tregojmë respektin e duhur për burrat që ai përdor për të marrë drejtimin në veprën që po udhëheq tani. Roli i të mirosurve nga fryma, që përbëjnë Trupin Udhëheqës, dhe i mbikëqyrësve të emëruar prej tyre në degë, krahina, qarqe dhe kongregacione, duhet konsideruar një përgjegjësi e shenjtë. Prandaj ky organizim kërkon që të tregojmë respekt të thellë dhe nënshtrim.—Hebrenjve 13:7, 17.

Një popull i shenjtë

8, 9. (a) Në ç’kuptim izraelitët ishin një popull i shenjtë? (b) Si ua nguliti në mendje Jehovai izraelitëve parimin e shenjtërisë?

8 Jehovai bëri një besëlidhje me Izraelin. Falë kësaj marrëdhënieje, atij kombi të ri iu dha një pozitë e veçantë. Ata u shenjtëruan ose u ndanë veç. Vetë Jehovai u tha atyre: «Jini të shenjtë për mua, sepse unë, Jehovai, jam i shenjtë, dhe po ju veçoj nga popujt, që të jeni të mitë.»—Levitiku 19:2; 20:26.

9 Që kur u formua kombi i Izraelit, Jehovai u nguliti izraelitëve parimin e shenjtërisë. Ata nuk duhej as ta preknin malin ku po jepeshin Dhjetë Urdhrat, përndryshe do të merrnin dënimin me vdekje. Në atë rast, mali Sinai konsiderohej në njëfarë kuptimi i shenjtë. (Dalja 19:12, 23) Edhe priftëria, tabernakulli dhe pajisjet e tij duheshin konsideruar të shenjta. (Dalja 30:26-30) Por, ç’mund të thuhet për kongregacionin e krishterë?

10, 11. Pse mund të thuhet se kongregacioni i krishterë i të mirosurve është i shenjtë dhe si ndikon kjo te ‘delet e tjera’?

10 Kongregacioni i krishterë i të mirosurve është i shenjtë në sytë e Jehovait. (1 Korintasve 1:2) Në të vërtetë, krejt grupi i të krishterëve të mirosur që ndodhen në tokë, në çfarëdo kohe specifike, krahasohet me një tempull të shenjtë, megjithëse ata nuk përbëjnë tempullin e madh frymor të Jehovait. Jehovai banon në këtë tempull të mirosurish me anë të frymës së tij të shenjtë. Apostulli Pavël shkroi: «Në unitet me [Krishtin Jezu], e gjithë ndërtesa, e lidhur së bashku në mënyrë të harmonishme, rritet që të bëhet një tempull i shenjtë për Jehovain. Në unitet me të, edhe ju jeni ndërtuar së bashku për të formuar një vend, ku Perëndia të banojë me anë të frymës.»—Efesianëve 2:21, 22; 1 Pjetrit 2:5, 9.

11 Pavli u shkroi gjithashtu të krishterëve të mirosur: «A nuk e dini se ju jeni tempulli i Perëndisë dhe se fryma e Perëndisë banon te ju? . . . Tempulli i Perëndisë, që jeni ju, është i shenjtë.» (1 Korintasve 3:16, 17) Me anë të frymës së tij, Jehovai ‘banon’ mes të mirosurve dhe ‘ecën mes tyre’. (2 Korintasve 6:16) Ai e udhëheq vazhdimisht ‘skllavin’ e tij të besueshëm. (Mateu 24:45-47) ‘Delet e tjera’ e vlerësojnë shumë privilegjin që të shoqërohen me të mirosurit.—Gjoni 10:16; Mateu 25:37-40.

Gjërat e shenjta në jetën tonë të krishterë

12. Cilat gjëra janë të shenjta në jetën tonë dhe pse?

12 Është e natyrshme që shumë gjëra që lidhen me jetën e pjesëtarëve të mirosur të kongregacionit të krishterë dhe të shokëve të tyre, të konsiderohen të shenjta. Marrëdhënia jonë me Jehovain është diçka e shenjtë. (1 Kronikave 28:9; Psalmi 36:7) Për ne ajo është kaq e çmuar, sa nuk lejojmë asgjë dhe askënd që të vihet midis nesh dhe Perëndisë tonë, Jehovait. (2 Kronikave 15:2; Jakovi 4:7, 8) Lutja luan një rol të rëndësishëm që të ruajmë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain. Për profetin Daniel lutja ishte aq e shenjtë, saqë, edhe kur iu rrezikua jeta për këtë, ai me besnikëri vazhdoi t’i lutej Jehovait, siç e kishte zakon. (Danieli 6:7-11) «Lutjet e të shenjtëve» ose e të krishterëve të mirosur krahasohen me temjanin që përdorej në adhurimin në tempull. (Zbulesa 5:8; 8:3, 4; Levitiku 16:12, 13) Përdorimi i këtij simboli thekson se lutja është e shenjtë. Ç’privilegj është që të mund të komunikojmë me Sovranin e universit! S’ka dyshim se e konsiderojmë të shenjtë lutjen në jetën tonë!

13. Cila forcë është e shenjtë dhe si e lejojmë të veprojë në jetën tonë?

13 Në jetën e të krishterëve të mirosur dhe të shokëve të tyre ushtron ndikim një forcë që ata sigurisht e konsiderojnë të shenjtë: fryma e shenjtë. Kjo frymë është forca vepruese e Jehovait dhe, meqë gjithnjë vepron në përputhje me vullnetin e Perëndisë së shenjtë, me të drejtë quhet «fryma e shenjtë» ose ‘fryma e shenjtërisë’. (Gjoni 14:26; Romakëve 1:4) Me anë të frymës së shenjtë, Jehovai u jep shërbëtorëve të tij fuqinë që të predikojnë lajmin e mirë. (Veprat 1:8; 4:31) Jehovai ua jep frymën e tij «atyre që i binden si sundimtar», atyre që ‘vazhdojnë të ecin sipas frymës’ e jo sipas dëshirave të mishit. (Veprat 5:32; Galatasve 5:16, 25; Romakëve 8:5-8) Kjo forcë e madhe i ndihmon të krishterët që të shfaqin ‘frytin e frymës’, pra, cilësi të shkëlqyera, si edhe të kryejnë ‘vepra të shenjta sjelljeje dhe veprime të përkushtimit hyjnor’. (Galatasve 5:22, 23; 2 Pjetrit 3:11) Nëse për ne fryma e shenjtë është vërtet e tillë, nuk do të bëjmë asgjë që mund ta hidhërojë këtë frymë ose që mund ta pengojë të veprojë në jetën tonë.—Efesianëve 4:30.

14. Cilin privilegj e konsiderojnë të shenjtë të mirosurit dhe në ç’mënyrë e kanë këtë privilegj edhe delet e tjera?

14 Privilegji që mbajmë emrin e Perëndisë të shenjtë, Jehovait, dhe që jemi Dëshmitarët e tij, është diçka tjetër që e konsiderojmë të shenjtë. (Isaia 43:10-12, 15) Të krishterët e mirosur janë kualifikuar nga Jehovai «për të qenë shërbëtorë të një besëlidhjeje të re». (2 Korintasve 3:5, 6) Si të tillë, atyre u është caktuar detyra që të predikojnë ‘këtë lajm të mirë për mbretërinë’ dhe ‘të bëjnë dishepuj njerëz nga të gjitha kombet’. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Ata po e përmbushin me besnikëri këtë caktim dhe miliona njerëz po përgjigjen e, në kuptimin simbolik, po u thonë të mirosurve: «Ne do të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar që Perëndia është me ju.» (Zakaria 8:23) Këta miliona njerëz, në kuptimin frymor, shërbejnë me gëzim si ‘bujq’ dhe ‘vreshtarë’ për ‘shërbëtorët [e mirosur] të Perëndisë tonë’. Në këtë mënyrë, delet e tjera i ndihmojnë shumë të mirosurit që të përmbushin shërbimin e tyre në shkallë botërore.—Isaia 61:5, 6.

15. Ç’vepër konsideronte të shenjtë apostulli Pavël dhe pse e kemi edhe ne këtë pikëpamje?

15 Apostulli Pavël e konsideronte shërbimin publik diçka të shenjtë. Ai e quajti veten ‘një shërbëtor publik të Krishtit Jezu për kombet, që angazhohej në veprën e shenjtë të lajmit të mirë të Perëndisë’. (Romakëve 15:16) Kur u shkroi të krishterëve në Korint, Pavli e quajti shërbimin e tij një «thesar». (2 Korintasve 4:1, 7) Nëpërmjet shërbimit ne bëjmë të njohura ‘thëniet e shenjta të Perëndisë’. (1 Pjetrit 4:11) Prandaj, pavarësisht nëse jemi të mirosur ose nga delet e tjera, e konsiderojmë një privilegj të shenjtë të marrim pjesë në veprën e dhënies së dëshmisë.

«Ta përsosim shenjtërinë në frikën e Perëndisë»

16. Çfarë do të na ndihmojë që të mos bëhemi njerëz ‘që nuk i vlerësojnë gjërat e shenjta’?

16 Apostulli Pavël i paralajmëroi të bashkëkrishterët që të mos bëheshin njerëz ‘që nuk i vlerësonin gjërat e shenjta’. Përkundrazi, ai i këshilloi që ‘të ndiqnin shenjtërinë duke pasur kujdes që asnjë rrënjë helmuese të mos mbinte e të mos shkaktonte shqetësime, dhe me anë të saj të ndoteshin shumë veta’. (Hebrenjve 12:14-16) Shprehja «rrënjë helmuese» u referohet atyre pak vetave në kongregacionin e krishterë që mund të kritikojnë mënyrën se si bëhen gjërat në të. Për shembull, ata mund të mos jenë dakord me pikëpamjet që ka Jehovai për shenjtërinë e martesës ose për nevojën që të jemi të pastër moralisht. (1 Selanikasve 4:3-7; Hebrenjve 13:4) Ose mund të diskutojnë dhe të përhapin ide apostate, ‘fjalë boshe, që dhunojnë atë që është e shenjtë’, të cilat i përhapin ata që «janë larguar nga e vërteta».—2 Timoteut 2:16-18.

17. Pse të mirosurit duhet të përpiqen vazhdimisht që të pasqyrojnë pikëpamjen e Jehovait për shenjtërinë?

17 Pavli u shkroi vëllezërve të tij të mirosur: «O të dashur, . . . le të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës, dhe ta përsosim shenjtërinë në frikën e Perëndisë.» (2 Korintasve 7:1) Ky pohim tregon që të krishterët e mirosur, «pjesëmarrës të thirrjes qiellore», duhet të përpiqen vazhdimisht të tregojnë se në çdo fushë të jetës pasqyrojnë pikëpamjen e Jehovait për shenjtërinë. (Hebrenjve 3:1) Po ashtu apostulli Pjetër u bëri thirrje vëllezërve të tij të lindur nga fryma: «Si fëmijë të bindur, mjaft u brumosët sipas dëshirave që kishit më parë, në padijen tuaj, por në përputhje me të Shenjtin që ju thirri, bëhuni edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj.»—1 Pjetrit 1:14, 15.

18, 19. (a) Si e tregojnë pjesëtarët e ‘shumicës së madhe’ se kanë pikëpamjen e Jehovait për gjërat e shenjta? (b) Cila veçori tjetër e shenjtë e jetës sonë të krishterë do të shqyrtohet në artikullin vijues?

18 Po pjesëtarët e ‘shumicës së madhe’, që do të mbijetojnë në ‘shtrëngimin e madh’? Edhe ata duhet të tregojnë se kanë pikëpamjen e Jehovait për gjërat e shenjta. Në librin e Zbulesës përshkruhen duke i bërë Jehovait «shërbim të shenjtë» në oborrin tokësor të tempullit të tij frymor. Ata kanë treguar besim te flijimi shpërblyes i Krishtit, në kuptimin simbolik ‘duke i larë petkat e tyre të gjata e duke i zbardhur në gjakun e Qengjit’. (Zbulesa 7:9, 14, 15) Kjo bën që të kenë një qëndrim të pastër para Jehovait dhe i vë nën detyrimin që ‘të pastrohen nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës, dhe ta përsosin shenjtërinë në frikën e Perëndisë’.

19 Një veçori e rëndësishme në jetën e të krishterëve të mirosur dhe të shokëve të tyre është se mblidhen rregullisht për të adhuruar Jehovain dhe për të studiuar Fjalën e tij. Jehovai i konsideron mbledhjet e popullit të tij të shenjta. Në artikullin vijues do të shqyrtojmë se si dhe pse duhet të kemi pikëpamjen e Jehovait për gjërat e shenjta edhe në këtë aspekt jetësor.

Pyetje për rishikim

• Cilën pikëpamje të botës nuk kanë shërbëtorët e Jehovait?

• Pse Jehovai është Burimi i gjithçkaje të shenjtë?

• Si e tregojmë se respektojmë shenjtërinë e Krishtit?

• Cilat gjëra duhet t’i konsiderojmë të shenjta në jetën tonë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 23]

Në Izraelin e lashtë, priftëria, tabernakulli dhe pajisjet e tij duheshin konsideruar të shenjta

[Figura në faqen 24]

Të krishterët e mirosur në tokë formojnë një tempull frymor

[Figurat në faqen 25]

Lutja dhe shërbimi publik janë privilegje të shenjta