Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai më shpërbleu shumë për dëshirën që të isha misionare

Jehovai më shpërbleu shumë për dëshirën që të isha misionare

Jetëshkrim

Jehovai më shpërbleu shumë për dëshirën që të isha misionare

Treguar nga Shila Uinfild da Konseisau

Një misionare që kishte ardhur për vizitë nga Afrika, na tha se në vendin ku shërbente, të gjithë e ftonin në shtëpi dhe e dëgjonin me vëmendje lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. ‘Sa do të doja të punoja në një territor si ky!’—mendova. Kjo bisedë më zgjoi dëshirën që të isha misionare, edhe pse në atë kohë isha 13 vjeçe.

MEGJITHATË, familja jonë kishte filluar të mësonte për Jehovain shumë kohë më parë. Një mëngjes, në vitin 1939, dy të rinj me veshje të rregullt trokitën në derën tonë, në Hemel-Hempsted, në periferi të Londrës, Angli. Ishin Dëshmitarë të Jehovait. Në atë kohë isha një vjeçe, prandaj këtë vizitë nuk e mbaj mend. Për t’i larguar, mamaja u tha se ndoshta babai ishte i interesuar, por ai kthehej në orën 9 të darkës. Për habinë e saj, ata u kthyen po atë mbrëmje! Pasi u sigurua për qëndrimin që kishin në çështjet politike dhe nacionaliste, im atë, Henri Uinfildi, i ftoi brenda dhe pranoi një studim biblik. Bëri përparim të shpejtë dhe u pagëzua. Disa vite më pas, edhe ime më, Kathlina, filloi të studionte. Ajo u pagëzua në vitin 1946.

Në vitin 1948, nisa të dilja rregullisht për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Mendova se do të më duhej një orë dore, që ta raportoja me saktësi kohën që kaloja në shërbim. Prindërit na jepnin ne fëmijëve nga një monedhë gjashtëpensëshe çdo të shtunë, në qoftë se silleshim mirë. Unë i ruajta ato para për gati dy vjet, që të blija orën më të lirë në atë kohë. Kurse Rei, më i vogli nga dy vëllezërit e mi, gjithnjë i kërkonte babait dy monedha tripensëshe, asnjëherë një monedhë gjashtëpensëshe. Një ditë, nguli këmbë kaq shumë që të kishte dy monedha, saqë babai u nxeh. Rei nisi të qante dhe tha se i duheshin dy monedha, se kishte një sekret mes tij dhe Jehovait. Më në fund, na shpjegoi: «Njërën monedhë e hedh te kutia e kontributeve, kurse tjetrën e mbaj për vete.» Mamaja qau nga gëzimi, babai menjëherë i gjeti dy monedha, kurse unë mësova sa e rëndësishme është ta mbështetim veprën e Mbretërisë me mjetet financiare.

Rreth kësaj kohe, babai i rregulloi gjërat që të shkonim aty ku kishte më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Në vitin 1949 e shiti fermën, si dhe gropën e rërës e të zhavorrit, dhe filloi si pionier, duke shërbyer në kohë të plotë. Unë u pagëzova më 24 shtator 1950, duke simbolizuar kushtimin që i kisha bërë Jehovait. Që nga ajo kohë, gjatë pushimeve të verës, shërbeja gjithnjë si pioniere e përkohshme (tani ndihmëse), duke kaluar 100 orë në shërbim çdo muaj. Por ky ishte vetëm fillimi. Shpejt më lindi në zemër dëshira e fortë që të bëja më shumë për të çuar përpara adhurimin e pastër.

Dëshira për t’u bërë misionare

Në vitin 1951, babanë e caktuan në Bideford, North-Devon. Pak kohë pasi kishim shkuar atje, në kongregacionin tonë erdhi për vizitë një misionare që shërbente në Afrikë, siç e përmenda në fillim. Pas kësaj vizite, dëshira për t’u bërë misionare ndikoi në çdo vendim timin. Mësuesit në shkollë e dinin synimin që kisha dhe bënë çmos të më shkurajonin, duke shpresuar që të ndiqja një karrierë në botë. Por, ditën e fundit të shkollës, kur shkova në dhomën e mësuesve për t’i falënderuar e për t’i përshëndetur, një prej tyre më tha: «Bravo! Je e vetmja nxënëse që e di vërtet se çfarë do në jetë. Shpresojmë ta arrish synimin që ke.»

Pa humbur kohë, gjeta një punë me orar të shkurtuar dhe më 1 dhjetor 1955 u bëra pioniere e rregullt. Më vonë, edhe mamaja me vëllezërit e mi u bënë pionierë. Kështu, për disa vjet, të gjithë në familje ishin në shërbim të plotkohor.

Në Irlandë

Një vit më vonë, mora ftesën që të shërbeja në Irlandë. Ky ishte një hap drejt arritjes së synimit tim për t’u bërë misionare. Në shkurt të vitit 1957, bashkë me dy vajza të tjera pioniere, Xhun Napierin dhe Beril Barkerin, mbërrita në Kork, në jug të Irlandës.

Shërbimi në Irlandë ishte i vështirë. Kishte shumë kundërshtime nga Kisha Katolike. Mësuam si të gjenim edhe një rrugë tjetër për të dalë nga një pallat ose nga një grup shtëpish, në rast se na duhej të iknim me nxitim. Zakonisht i fshihnim biçikletat në njëfarë largësie, por shpesh dikush i gjente dhe u çante gomat ose i shfrynte.

Një herë, kur unë dhe Berila po vizitonim disa shtëpi, ca fëmijë filluan të na shanin dhe të na gjuanin me gurë. Prandaj hymë në një dyqan qumështi, që ishte pjesë e një shtëpie. Jashtë filloi të mblidhej një turmë. Meqë Berilës i pëlqente qumështi, piu nja dy a tre gota dalëngadalë, duke shpresuar që turma të shpërndahej, por jo. Pastaj, në dyqan hyri një prift i ri në moshë. Na mori për turiste dhe tha se donte të na tregonte qytetin. Por, në fillim na çoi në një dhomë tjetër të shtëpisë, ku, ndërsa rrinim ulur në heshtje, ai i bëri ritet e fundit një të moshuari që ishte duke vdekur. Pastaj dolëm nga shtëpia, bashkë me priftin. Kur na panë që po bisedonim me të, turma u shpërnda.

Në Galaad

Në vitin 1958, në Nju-Jork do të mbahej Asambleja Ndërkombëtare «Vullneti Hyjnor». Babai do të shkonte. Doja të shkoja edhe unë, po s’kisha para. Në atë kohë vdiq papritur gjyshja e cila më la 100 paunde (280 dollarë). Udhëtimi vajtje-ardhje ishte 96 paunde, kështu që shkova menjëherë për të prerë biletën e avionit.

Pak më vonë, erdhi për vizitë një përfaqësues i zyrës së degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Britani dhe i ftoi të gjithë pionierët specialë, që do të shkonin në atë asamble, të plotësonin kërkesën për t’u stërvitur si misionarë në Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit. Nuk u besoja dot veshëve! U shpërndau kërkesa të gjithëve, përveç meje, sepse isha shumë e re. I kërkova nëse mund të më përfshinte edhe mua, dhe i shpjegova që tashmë isha larguar nga vendi im dhe pothuajse isha në një caktim misionar. Duke parë vendosmërinë time, më dha edhe mua një formular. Sa i jam lutur Jehovait që të më pranonin! Përgjigjja erdhi shpejt dhe më ftuan të ndiqja Galaadin.

Me gëzim të madh hyra në klasën e 33-të të Galaadit, së bashku me 81 pionierë të tjerë nga 14 vende. Pesë muajt e kursit fluturuan shpejt. Aty nga fundi i kursit, vëlla Nejthën H. Nori na mbajti një fjalim nxitës që zgjati katër orë. Ai i nxiti ata që mund të qëndronin beqarë, ta bënin këtë. (1 Korintasve 7:37, 38) Kurse atyre që një ditë donin të martoheshin, u sugjeroi të bënin një listë me kërkesa personale për një bashkëshort të përshtatshëm. Pastaj, sikur të dilte një rast, mund ta shqyrtonim duke pasur parasysh ato kërkesa.

Lista ime me kërkesat për bashkëshortin e ardhshëm, përfshinte këto: duhej të ishte misionar dhe ta donte Jehovain, të dinte më shumë se unë për të vërtetën biblike, të pranonte që të mos kishim fëmijë para Harmagedonit, që të vazhdonim në shërbimin e plotkohor, të fliste anglisht rrjedhshëm dhe të ishte më i madh në moshë se unë. Kjo listë më ndihmoi shumë, pasi isha vetëm 20 vjeçe dhe do të merrja caktim në një vend të largët.

Në Brazil

Të dielën, më 2 gusht 1959, u diplomuam dhe na dhanë caktimet. Unë dhe Vianush Jazexhijani, Sara Greko, Rei dhe Inxher Hatfildi, Sonja Springejti dhe Dorin Hajnsi, u caktuam në Brazil. Ishim shumë të emocionuar. Unë përfytyroja pyje, gjarpërinj, pemë kauçuku dhe indianë të Amerikës. Po çfarë surprize kur mbërrita! Në vend të xhunglës së Amazonës, gjeta Rio-de-Zhanejron, një qytet modern tërë diell, që në atë kohë ishte kryeqyteti i vendit.

Sfida e parë ishte të mësonim gjuhën portugeze. Gjatë muajit të parë, studionim 11 orë në ditë. Pasi predikova në Rio dhe jetova ca kohë në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait atje, më dërguan në një shtëpi misionare në Pirasikaba, në shtetin e San-Paulos, e më vonë në një shtëpi misionare në Porto-Alegre, në shtetin Rio-Grande-do-Sul.

Pastaj, aty nga fillimi i vitit 1963 mora ftesën të punoja në repartin e përkthimit, në zyrën e degës. Mbikëqyrësi i repartit ishte Floriano-Injez da Konseisau, i cili na kishte mësuar gjuhën portugeze kur kishim ardhur në Brazil. Ai e kishte mësuar të vërtetën në vitin 1944, kur në Brazil kishte vetëm rreth 300 Dëshmitarë, dhe kishte ndjekur klasën e 22-të të Galaadit. Disa muaj më vonë, vëlla Konseisau më kërkoi një ditë të qëndroja pak në kohën e pushimit të drekës, sepse donte të më thoshte diçka. Në fillim, u shqetësova. Mos kisha bërë ndonjë gabim? Kur ra zilja për të ngrënë drekën, e pyeta ç’donte të më thoshte. Ai m’u përgjigj: «A dëshiron të martohesh me mua?» Mbeta e shtangur. I kërkova ca kohë për t’u menduar dhe nxitova poshtë për të ngrënë drekën.

Floriano nuk ishte i pari vëlla që shfaqte interes për mua. Por, deri atëherë, askush nuk i kishte plotësuar kërkesat e mia për një bashkëshort të përshtatshëm. Besoj se kjo listë më ndihmoi që të mos merrja vendime të gabuara. Por kësaj here ishte ndryshe. Floriano i plotësonte të gjitha kërkesat, prandaj u martuam më 15 maj 1965.

Përballemi me sëmundjen

Martesa na ka sjellë lumturi mua dhe Florianos, megjithëse kemi përballuar sfida. Një nga sfidat kishte të bënte me problemet shëndetësore të Florianos, që filluan pak kohë para martesës sonë. Vite më parë, ai kishte pasur një kolaps të mushkërisë së majtë dhe tani pasojat po i shkaktonin shumë vuajtje. Si pasojë, dolëm nga Betheli dhe na caktuan si pionierë specialë në qytetin Terezopolis, në rajonin malor të shtetit të Rio-de-Zhanejros. Shpresonim që klima aty ta ndihmonte që të merrte veten.

Përveç kësaj, në dhjetor të vitit 1965, mora lajmin se mamaja ishte sëmurë rëndë me kancer. I shkruanim vazhdimisht njëra-tjetrës, por kisha shtatë vjet pa e takuar. Prandaj, ajo na pagoi udhëtimin që të shkonim në Angli për ta parë. Mamanë e operuan, por nuk arritën t’ia hiqnin kancerin. Ndonëse ishte e ngujuar në shtrat dhe shumë sëmurë, ajo vazhdonte të kishte dëshirë për të marrë pjesë në veprën e predikimit. Në dhomë kishte një makinë shkrimi, që të diktonte letra. Gjithashtu, u jepte nga pak dëshmi atyre që e vizitonin. Vdiq më 27 nëntor 1966. Atë muaj kishte bërë dhjetë orë shërbim! Babai vazhdoi besnik në shërbimin si pionier, deri kur vdiq në vitin 1979.

Pas vdekjes së mamasë, unë dhe Floriano u kthyem në Brazil, dhe që atëherë kemi shërbyer gjithnjë në shtetin e Rio-de-Zhanejros. Fillimisht na caktuan në veprën qarkore në kryeqytetin e atij shteti, por ky gëzim nuk zgjati shumë, pasi Floriano u sëmur përsëri shumë rëndë. Atëherë u kthyem në Terezopolis si pionierë specialë.

Në vitin 1974, pas vitesh me mjekime të dhembshme, mjekët më në fund ia hoqën mushkërinë e majtë Florianos. Në atë kohë, nuk shërbente dot si mbikëqyrës drejtues ose si pionier special, por gjithsesi mund të drejtonte studime biblike gjatë orëve kur lejoheshin vizitat në spital. Një prej tyre e drejtonte në anglisht me Bobin, një pensionist amerikan. Bobi e pranoi të vërtetën dhe më vonë u pagëzua. Pak nga pak, Floriano e mori veten dhe që atëherë ka shërbyer si pionier i rregullt.

Jehovai e ka bekuar shërbimin tim

Gjatë viteve, kam vazhduar shërbimin si pioniere speciale dhe Jehovai e ka bekuar shërbimin tim. Në Terezopolis pata privilegjin e mrekullueshëm të ndihmoja më shumë se 60 veta që t’i kushtoheshin Jehovait. Ndër ta ishte një grua me emrin Zhupira, së cilës i mësova edhe të lexonte. Me kalimin e kohës, studiova me tetë nga fëmijët e saj të rritur. Si rrjedhojë, Zhupira dhe më shumë se 20 familjarë e të afërm, po i shërbejnë sot aktivisht Jehovait. Një është plak kongregacioni, tre janë shërbëtorë ndihmës dhe dy pioniere.

Kam mësuar të jem pozitive për sa i përket mundësisë që njerëzit të mësojnë të vërtetën. Në një rast, po studioja me një grua të re, që quhej Alzemira, kur i shoqi, Antoniu, më kërcënoi se, po të mos ikja menjëherë nga shtëpia, do të më lëshonte dy qen të mëdhenj. Që nga ajo kohë, e takoja vetëm rastësisht Alzemirën, deri rreth shtatë vjet më pas, kur arrita të merrja leje nga Antoniu që të studioja përsëri me të. Megjithatë, ai më ndaloi t’i flitja atij për Biblën. Por, një ditë me shi, e ftova të rrinte në studim. Atëherë e kuptova ku qëndronte problemi: ai ishte analfabet. Që nga ajo kohë, Floriano dhe të tjerë studiuan me të dhe i mësuan të lexojë. Sot, Alzemira dhe Antoniu janë që të dy të pagëzuar. Ai jep një ndihmesë të madhe në kongregacion, duke shoqëruar në shërbim shumë të rinj.

Këto janë veçse disa nga përvojat që patëm gjatë 20 viteve që shërbyem në Terezopolis. Në fillim të vitit 1988, morëm një caktim të ri, në qytetin Niteroi, ku shërbyem pesë vjet para se të shkonim në Santu-Alejshu. Pastaj na caktuan në kongregacionin Zhapuiba, në qendër të shtetit, dhe patëm privilegjin të formonim kongregacionin Ribejra.

Një jetë e thjeshtë, por shpërblyese

Gjatë viteve, unë dhe Floriano kemi pasur privilegjin të ndihmonim më shumë se 300 veta që t’i kushtoheshin Jehovait. Aktualisht, disa prej tyre shërbejnë në zyrën e degës, disa janë pionierë, pleq dhe shërbëtorë ndihmës. Sa mirënjohëse jam që Perëndia, me anë të frymës së tij të shenjtë, na ka përdorur për të ndihmuar kaq shumë njerëz!—Marku 10:29, 30.

Vërtet që Florianos i është dashur të përballojë probleme të rënda shëndetësore. Por gjithsesi, ai vazhdon të jetë i palëkundur, i gëzuar dhe i sigurt te Jehovai. Shpesh, thotë: «Sot lumturia nuk vjen kur ke një jetë pa probleme. Vjen kur ke ndihmën e Jehovait për të përballuar problemet.»—Psalmi 34:19.

Në vitin 2003 mjekët më zbuluan kancer në syrin e majtë. U operova dhe ma zëvendësuan syrin me një sy artificial, që duhet ta pastroj shumë herë në ditë. Megjithatë, Jehovai më ka bekuar me energji që të vazhdoj t’i shërbej si pioniere speciale.

Për sa u përket gjërave materiale, kam pasur një jetë të thjeshtë. Megjithatë, Jehovai më ka bekuar në caktimin tim dhe më ka bërë të pasur frymësisht. Komenti i asaj misionareje për veprën e predikimit në Afrikë, ishte një përshkrim me vend edhe për caktimin tonë në Brazil. Po, Jehovai më ka shpërblyer shumë për dëshirën që të isha misionare!

[Figura në faqen 9]

Me familjen në vitin 1953

[Figura në faqen 9]

Duke predikuar në Irlandë në vitin 1957

[Figura në faqen 10]

Në Brazil në vitin 1959, me misionaret e tjera. Nga e majta në të djathtë: Unë, Inxher Hatfildi, Dorin Hajnsi dhe Sonja Springejti

[Figura në faqen 10]

Me burrin tim