Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndërtojmë së bashku për të lëvduar Perëndinë

Ndërtojmë së bashku për të lëvduar Perëndinë

Ndërtojmë së bashku për të lëvduar Perëndinë

NË NJË nga Ishujt Solomon, njerëzit po soditnin një Sallë të re Mbretërie të Dëshmitarëve të Jehovait. Një zonjë tha: «Në kishën tonë organizojmë shumë ngjarje për të mbledhur fonde. U kërkojmë anëtarëve të kishës që të japin para, por, prapëseprapë, nuk kemi mjaft fonde sa të ndërtojmë një kishë të re. Ku i gjeni fondet ju Dëshmitarët?» Dëshmitarja me të cilën po fliste ajo grua u përgjigj: «Ne e adhurojmë Jehovain si një familje mbarëbotërore. Kongregacioni ynë dhe vëllezërit që kemi në mbarë botën dhuruan gjërat që duheshin për këtë Sallë të re Mbretërie. Jehovai na ka mësuar të jemi të bashkuar në çdo gjë.»

Te Dëshmitarët e Jehovait sheh unitet në çdo veprimtari të tyre, e këtu përfshihet edhe ndërtimi i mijëra Sallave të Mbretërisë. Ky unitet, për të realizuar projekte të tilla, s’është gjë e re. Ka ekzistuar në popullin e Perëndisë për mijëvjeçarë të tërë. Pse e themi këtë?

Ndërtimi i tabernakullit dhe i tempullit

Jehovai e kishte fjalën për kombin e Izraelit kur i tha Moisiut më shumë se 3.500 vjet më parë: «Të më bëjnë një shenjtërore.» (Dalja 25:8) Më tej, Jehovai tha për projektin e ndërtimit: «Do ta bësh [duke iu referuar kombit] sipas gjithë modelit që do të të tregoj [duke iu referuar Moisiut] për tabernakullin dhe për tërë pajimet e tij.» (Dalja 25:9) Pastaj Jehovai dha plane të hollësishme për strukturën e shenjtërores, për pajisjet e saj dhe për zbukurimet. (Dalja 25:10–27:19) Ky «tabernakull» ose kjo tendë, do të ishte qendra e adhurimit të vërtetë për gjithë Izraelin.

Nuk e dimë sa njerëz punuan në atë projekt, por ama të gjithë izraelitët u ftuan ta mbështetnin. Moisiu u tha: «Mblidhni një kontribut për Jehovain. Kush të ketë një zemër të gatshme, le të sjellë këtë kontribut për Jehovain.» (Dalja 35:4-9) Si u përgjigjën izraelitët? Te Dalja 36:3 thuhet: «Ata morën nga Moisiu gjithë kontributin që kishin sjellë bijtë e Izraelit, për të kryer punën e shërbimit të shenjtë. Ndërkohë, bijtë e Izraelit ende sillnin te Moisiu blatime vullnetare mëngjes për mëngjes.»

S’kaloi shumë dhe të mirat e dhuruara u bënë pirg, e populli vazhdonte të sillte të tjera. Së fundi, zejtarët që po bënin punën, i thanë Moisiut: «Populli po sjell shumë më tepër nga sa nevojitet për punën që Jehovai urdhëron të bëhet.» Prandaj Moisiu tha: «Burra e gra, mos përgatitni më gjëra për kontributin e shenjtë.» Cili ishte përfundimi? «Gjërat që kishin sjellë, ishin të mjaftueshme për punën, madje më se të mjaftueshme.»—Dalja 36:4-7.

Falë bujarisë së izraelitëve, tabernakulli përfundoi brenda vitit. (Dalja 19:1; 40:1, 2) Duke mbështetur adhurimin e vërtetë, populli nderoi Jehovain. (Proverbat 3:9) Pas njëfarë kohe, do të ndërmerrnin një projekt ndërtimi shumë më të madh. Por përsëri, mund të merrnin pjesë të gjithë ata që dëshironin, kishin apo s’kishin ndonjë aftësi në ndërtim.

Pothuajse pesë shekuj pasi ndërtoi tabernakullin, Izraeli nisi ndërtimin e tempullit në Jerusalem. (1 Mbretërve 6:1) Kjo do të ishte një strukturë madhështore dhe e qëndrueshme, që do të ndërtohej me gurë e drurë. (1 Mbretërve 5:17, 18) Jehovai i dha «nën frymëzim» Davidit projektin arkitekturor për tempullin. (1 Kronikave 28:11-19) Por zgjodhi të birin e Davidit, Solomonin, për të drejtuar punën e ndërtimit. (1 Kronikave 22:6-10) Davidi e mbështeti me gjithë zemër projektin. Bleu gurë, trarë dhe materiale të tjera, e dha si kontribute sasi të mëdha ari e argjendi nga pasuria e vet. Gjithashtu i inkurajoi izraelitët e tjerë të ishin bujarë, duke i pyetur: «Kush del vullnetar për të ardhur sot duarplot para Jehovait?» Si u përgjigj populli?—1 Kronikave 29:1-5.

Në kohën kur filloi ndërtimin e tempullit, Solomoni kishte në gjendje mijëra tonelata ar e argjend. Bakri dhe hekuri ishin kaq me shumicë, saqë s’kishte mjet për t’i peshuar. (1 Kronikave 22:14-16) Me përkrahjen e Jehovait dhe mbështetjen e gjithë Izraelit, projekti përfundoi për shtatë vjet e gjysmë.—1 Mbretërve 6:1, 37, 38.

«Shtëpia e Perëndisë së vërtetë»

Si tabernakulli, ashtu edhe tempulli, u quajtën «shtëpia e Perëndisë së vërtetë». (Gjykatësit 18:31; 2 Kronikave 24:7) Jehovai s’ka pasur asnjëherë nevojë për ndonjë shtëpi. (Isaia 66:1) Ato struktura urdhëroi që të ndërtoheshin për dobinë e njerëzve. Në fakt, në përurimin e tempullit, Solomoni pyeti: «Mos vallë do të banojë vërtet në tokë Perëndia?! Ja! Qiejt, po, qiejt e qiejve, nuk të mbajnë dot, e aq më pak kjo shtëpi që kam ndërtuar unë!»—1 Mbretërve 8:27.

Jehovai tha me anë të profetit të tij, Isaisë: «Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje për të gjithë popujt.» (Isaia 56:7) Blatimet dhe lutjet që bëheshin në tempull, si edhe ceremonitë që kryheshin atje, u jepnin mundësi njerëzve të devotshëm, hebrenj dhe johebrenj, t’i afroheshin Perëndisë së vërtetë. Duke adhuruar në shtëpinë e tij, ata fitonin miqësinë e Jehovait dhe mbrojtjen e tij. Lutja që bëri Solomoni gjatë kushtimit të tempullit, e thekson këtë të vërtetë. Shprehjet prekëse që i drejtoi ai Perëndisë, mund t’i lexoni te 1 Mbretërve 8:22-53 dhe 2 Kronikave 6:12-42.

Ajo shtëpi e lashtë e Perëndisë së vërtetë u shkatërrua kohë më parë, por Fjala e Perëndisë tregonte për një kohë kur njerëz nga të gjitha kombet do të mblidheshin për të adhuruar Jehovain në një tempull frymor shumë më të madh. (Isaia 2:2) Mjeti me anë të të cilit do t’i afroheshin Jehovait do të ishte i vetmi flijim i përsosur i Birit të vetëmlindur të Perëndisë, që portretizohej nga flijimet në kafshë që bëheshin në tempull. (Gjoni 14:6; Hebrenjve 7:27; 9:12) Dëshmitarët e Jehovait po e adhurojnë tani Perëndinë në këtë mënyrë më të lartë dhe po ndihmojnë shumë të tjerë që të veprojnë po njësoj.

Projektet e sotme të ndërtimit

Në mbarë botën, Dëshmitarët e Jehovait i shërbejnë Perëndisë së vërtetë. Ata përbëjnë ‘një komb të fuqishëm’, popullsia e të cilit vazhdon të rritet. (Isaia 60:22) Vendi kryesor ku mblidhen Dëshmitarët e Jehovait është Salla e Mbretërisë. * Mijëra salla të tilla janë në përdorim, por nevojiten edhe mijëra të tjera.

Dëshmitarët e Jehovait ‘paraqiten vullnetarisht’ për të ndërtuar Sallat e Mbretërisë që nevojiten. (Psalmi 110:3) Por shpesh Dëshmitarëve vendës u mungojnë aftësitë e duhura të ndërtimit dhe, në disa rajone ku vepra po rritet me të shpejtë, ka një varfëri ekstreme. Në vitin 1999, Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait themeloi një program ndërtimi për Sallat e Mbretërisë që të kapërceheshin këto pengesa. Sipas këtij programi, Dëshmitarët që kishin aftësi në fusha të ndryshme të ndërtimit kanë udhëtuar në vende të largëta, për të stërvitur vëllezërit e motrat që të ndërtojnë Salla Mbretërie. Më pas, këta vëllezër të stërvitur kanë vazhduar me punën e ndërtimit në atë rajon. Çfarë rezultati ka sjellë kjo përpjekje e veçantë?

Deri në shkurt të vitit 2006, Dëshmitarët e Jehovait në vende me të ardhura të pakta kanë parë të ndërtohen më shumë se 13.000 Salla të reja Mbretërie. Lexoni se si shprehen disa që po përdorin Sallat e reja të Mbretërisë.

«Më parë, kongregacioni kishte mesatarisht 160 të pranishëm në mbledhje. Në mbledhjen e parë që u bë pasi ishte ndërtuar Salla e re e Mbretërisë, ishin 200 veta. Tani, gjashtë muaj më vonë, ka 230 të pranishëm në mbledhje. Është e dukshme se Jehovai po bekon ndërtimin e këtyre godinave modeste, por funksionale.»—Një mbikëqyrës qarkor në Ekuador.

«Për vite të tëra, njerëzit na pyetnin: ‘Kur do të keni edhe ju një Sallë Mbretërie si ato që shikojmë në botimet tuaja?’ Falë Jehovait, më në fund kemi një vend adhurimi të këndshëm. Më përpara i mbanim mbledhjet në dyqanin e një vëllai dhe kishim mesatarisht 30 të pranishëm. Në mbledhjen e parë në Sallën e re të Mbretërisë, erdhën 110 veta.»—Një kongregacion në Ugandë.

«Dy pioniere të rregullta kanë shkruar se, që kur u ndërtua Salla e Mbretërisë, është më e këndshme të predikojnë në territor. Njerëzit janë më të prirur të dëgjojnë në shërbimin nga shtëpia në shtëpi, si edhe në rrethana joformale. Këto motra tani drejtojnë 17 studime biblike dhe shumë nga këto studente biblike ndjekin mbledhjet.»—Zyra e degës në Ishujt Solomon.

«Një pastor që jeton këtu afër, thotë se Salla e re e Mbretërisë ia shton dinjitetin gjithë lagjes dhe se vendasit krenohen me të. Shumë kalimtarë bëjnë komente për bukurinë e sallës. Kjo u jep mundësi shumë të mira vëllezërve për të dhënë dëshmi. Gjithnjë e më tepër njerëz duan të dinë për vëllazërinë tonë mbarëbotërore. Shumë që kishin vite që nuk i ndiqnin mbledhjet, tani janë nxitur të vijnë prapë rregullisht.»—Zyra e degës në Mjanmar.

«Një motër ftoi një të interesuar të shkonte në kantierin e ndërtimit, që ndodhej në lagjen e tij. Më vonë, ai tha: ‘Mendoja se punëtorët s’do të më linin të hyja. Por u habita, sepse Dëshmitarët më përshëndetën me mirësjellje. Kishte burra e gra që punonin fort, pa humbur kohë. Kishte harmoni dhe një atmosferë të mirë.’ Ai pranoi një studim biblik dhe filloi të ndiqte mbledhjet. Më vonë tha: ‘Kam ndryshuar mendim. Nuk do ta lë Perëndinë tani që e gjeta.’»—Zyra e degës në Kolumbi.

Mbështetja jonë është e rëndësishme

Ndërtimi i Sallave të Mbretërisë është pjesë e rëndësishme e shërbimit tonë të shenjtë. Mënyra se si Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën e kanë mbështetur këtë vepër, financiarisht dhe në forma të tjera, është vërtet për t’u lavdëruar. Por nuk duhet të harrojmë se ka edhe aspekte të tjera të shërbimit të shenjtë që janë jetësore. Hera-herës, disa të krishterë vuajnë nga katastrofat natyrore dhe kanë nevojë për ndihmën tonë. Prodhimi i literaturës biblike luan një rol kyç në mbështetjen e shërbimit të shenjtë. Shumica prej nesh e kanë parë vetë fuqinë e një reviste ose të një libri të bazuar në Bibël, kur ka rënë në duart e dikujt që është i prirur ndaj drejtësisë. Veç kësaj, është shumë e rëndësishme mbështetja që u japim misionarëve dhe të tjerëve që janë në shërbimin special të plotkohor. Këta të krishterë vetëmohues luajnë rol të rëndësishëm në zgjerimin e veprës së predikimit, në këto ditë të fundit.

Ata që dhanë kontribute për ndërtimin e tempullit, u gëzuan tej mase. (1 Kronikave 29:9) Edhe sot, kur e mbështetim adhurimin e vërtetë me kontributet tona, jemi të lumtur. (Veprat 20:35) E provojmë këtë lumturi kur hedhim kontribute në kutinë për Fondin e Sallave të Mbretërisë dhe kur japim kontribute për veprën mbarëbotërore, duke mbështetur edhe projekte të tjera që lidhen me predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë. Dëshmitarët e Jehovait sot janë të bashkuar në adhurimin e vërtetë në një mënyrë të mrekullueshme. Qofshim të gjithë plot me lumturinë që vjen kur mbështetim këtë adhurim!

[Shënimi]

^ par. 16 Për të ditur se si lindi emri «Sallë Mbretërie», shih librin Dëshmitarët e Jehovait—Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, në faqen 319, anglisht, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia dhe figura në faqet 20, 21]

MËNYRA QË ZGJEDHIN DISA PËR TË DHËNË

KONTRIBUTE PËR VEPRËN MBARËBOTËRORE

Shumë veta lënë mënjanë ose grumbullojnë një sasi parash, të cilën e hedhin në kuti kontributesh me etiketën «Kontribute për veprën mbarëbotërore—Mateu 24:14».

Çdo muaj, kongregacionet ia dërgojnë këtë sasi parash zyrës së Dëshmitarëve të Jehovait që shërben në vendin e tyre. Gjithashtu dhuratat vullnetare në para mund të dërgohen drejtpërdrejt në adresën: Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania, Attention Treasurer’s Office, 25 Columbia Heights, Brooklyn, New York 11201-2483, ose në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait që shërben në vendin tuaj. Çeqet që dërgohen në adresën e mësipërme duhet t’i bëhen të pagueshme Shoqatës «Watch Tower». Mund të dhurohen, gjithashtu, bizhuteri ose gjëra të tjera të çmuara. Këto kontribute duhet të shoqërohen me një letër të shkurtër ku thuhet se këto janë dhurata pa kusht.

RREGULLIMI PËR PARATË E LËNA NË MIRËBESIM ME KUSHT

Paratë mund t’i lihen në mirëbesim Shoqatës Watch Tower për t’i përdorur në mbarë botën. Megjithatë, me kërkesë të dhuruesit, fondet do t’i kthehen atij. Për më shumë informacion, ju lutemi të kontaktoni Zyrën e Thesarit në adresën e treguar më sipër.

DHËNIE E PLANIFIKUAR

Përveç dhurimeve pa kusht në para, ka edhe metoda të tjera dhënieje për ta çuar përpara shërbimin e Mbretërisë në të gjithë botën. Këto përfshijnë:

Sigurimet: Shoqata Watch Tower mund të emërohet si përfituesja e një police sigurimi për jetën ose i një plan pensioni.

Llogaritë bankare: Llogaritë bankare, certifikatat e depozitave ose llogaritë individuale të pensioneve, mund t’i lihen në mirëbesim ose t’i bëhen të pagueshme pas vdekjes Shoqatës Watch Tower, sipas kërkesave bankare vendëse.

Aksionet dhe obligacionet: Aksionet dhe obligacionet mund t’i dhurohen Shoqatës Watch Tower si një dhuratë pa kusht.

Pronat e paluajtshme: Pronat e paluajtshme që mund të shiten, mund të dhurohen ose duke bërë një dhuratë pa kusht, ose në rastin e një prone banimi, duke i rezervuar një pronë dhuruesit, i cili mund të vazhdojë të jetojë aty gjatë jetës së tij ose të saj. Kontaktoni zyrën e degës në vendin tuaj, para se të kaloni një pronë të paluajtshme.

Dhurimi i të ardhurave duke pasur një pagesë vjetore: Dhurimi të ardhurave duke pasur një pagesë vjetore është një rregullim ku dikush i transferon para ose sigurime një korporate të caktuar që përdoret nga Dëshmitarët e Jehovait. Si shkëmbim, dhuruesi ose dikush i caktuar nga dhuruesi, merr një pagesë vjetore të përcaktuar, për çdo vit të jetës. Për vitin në të cilin është bërë dhurimi i të ardhurave, dhuruesi mund të ketë lehtësime në tatimin mbi të ardhurat.

Testamente dhe lënie në mirëbesim: Pronat ose paratë mund t’i lihen në trashëgimi Shoqatës Watch Tower me anë të një testamenti të bërë ligjërisht ose Shoqata Watch Tower mund të emërohet si përfituesja e një marrëveshjeje mirëbesimi. Një marrëveshje mirëbesimi në dobi të një organizate fetare mund të sjellë disa lehtësime nga taksat.

Siç nënkuptohet nga termi «dhënie e planifikuar», këto lloj dhurimesh kërkojnë në mënyrë të veçantë disa planifikime nga ana e dhuruesit. Për t’i ndihmuar individët që dëshirojnë të përkrahin veprën mbarëbotërore të Dëshmitarëve të Jehovait me anë të ndonjë forme të dhënies së planifikuar, është përgatitur në gjuhën angleze dhe spanjolle një broshurë e titulluar Dhënie e planifikuar në dobi të shërbimit të Mbretërisë në mbarë botën. Broshura u shkrua për të dhënë informacione për disa mënyra dhurimesh, që mund të bëhen tani ose që mund të lihen në trashëgimi pas vdekjes. Pas leximit të broshurës dhe këshillimit me këshilltarët e tyre ligjorë a fiskalë, shumë veta kanë mundur të mbështetin veprimtaritë fetare e humanitare të Dëshmitarëve të Jehovait në të gjithë botën e ndërkohë të kenë më shumë lehtësime nga taksat. Kjo broshurë mund të merret duke i kërkuar një kopje drejtpërdrejt Zyrës së Dhënies së Planifikuar.

Për më tepër informacione mund të kontaktoni Zyrën e Dhënies së Planifikuar, qoftë me shkrim, qoftë me telefon, në adresën e treguar më poshtë, ose mund të kontaktoni zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në vendin tuaj.

Charitable Planning Office

Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania

100 Watchtower Drive

Patterson, New York 12563-9204

Telefon: (845) 306-0707

[Figura në faqen 18]

Falë përpjekjeve tona të përbashkëta, arrihet ndërtimi i Sallave të bukura të Mbretërisë, në mbarë botën

[Figura në faqen 18]

Sallë e re Mbretërie në Ganë