Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një shkollë që u sjell dobi njerëzve në mbarë botën

Një shkollë që u sjell dobi njerëzve në mbarë botën

Një shkollë që u sjell dobi njerëzve në mbarë botën

NË MË tepër se 98.000 kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait, në më shumë se 200 vende, njerëz nga të gjitha shtresat e shoqërisë po mësohen nga Perëndia. Libri mësimor kryesor është Bibla. Synimi i këtij arsimimi është t’i ndihmojë individët që të përparojnë frymësisht, duke mësuar se cili është vullneti i Perëndisë dhe si të jetojnë në përputhje me të. Ata që e pranojnë këtë arsimim nxjerrin shumë dobi. Gjërat që mësojnë ua kalojnë edhe të tjerëve, në përputhje me urdhrin e Jezu Krishtit për të bërë dishepuj.—Mateu 28:19, 20.

Përveç programit të vazhdueshëm të mësimdhënies në kongregacionet e tyre, Dëshmitarët e Jehovait kanë organizuar disa shkolla të specializuara. Njëra prej këtyre është Shkolla e Stërvitjes për Shërbim. Ajo u mbajt për herë të parë në tetor të vitit 1987 në Pitsburg të Pensilvanisë, SHBA. Klasa e parë përbëhej nga 24 studentë anglishtfolës. Që nga ajo kohë, kjo shkollë është mbajtur në 21 gjuhë, në 43 vende. Deri tani, këtë shkollë e kanë bërë pleq dhe shërbëtorë ndihmës beqarë nga më shumë se 90 vende. Sapo përfundojnë kursin tetëjavor, të diplomuarit caktohen për të shërbyer atje ku ka nevojë, qoftë në vendin e tyre, qoftë jashtë shtetit. Deri në fund të vitit 2005, këtë kurs e kishin bërë më se 22.000 Dëshmitarë të Jehovait. Përpjekjet dhe përulësia e tyre për të çuar përpara interesat e Mbretërisë dhe për t’u sjellë dobi të tjerëve, janë bekuar tej mase.—Proverbat 10:22; 1 Pjetrit 5:5.

Ç’masa marrin për të ndjekur shkollën?

Për të ndjekur Shkollën e Stërvitjes për Shërbim, shumicës së studentëve u duhet të kërkojnë leje nga puna. Kjo nganjëherë përbën një sfidë. Në Havai, dy të krishterëve që morën ftesën për të ndjekur shkollën iu desh të kërkonin leje nga puna si mësues. Me besim se Jehovai do t’i ndihmonte, ata bënë kërkesën për leje, duke shpjeguar pse donin të ndiqnin shkollën dhe si do të nxirrnin dobi prej saj. Që të dyve u dhanë leje.

Në mjaft raste, Dëshmitarëve që kërkuan leje, u thanë se do ta humbitnin punën. Ata zgjodhën të stërviteshin nga organizata e Jehovait, edhe pse kjo do të thoshte të humbnin punën. Disa prej këtyre vëllezërve, më vonë, punëdhënësit i ftuan të ktheheshin kur të mbaronin shkollën. Një vendosmëri e tillë për të ndjekur shkollën mund të përmblidhet në këtë mënyrë: kërkoji leje punëdhënësit, lutu për ndihmën e Jehovait dhe lëre Atë të bëjë pjesën tjetër.—Psalmi 37:5.

«Mësohen nga Jehovai»

Kursi tetëjavor i shkollës karakterizohet nga një studim i thellë i Biblës. Studentët mësojnë se si është i organizuar populli i Jehovait për të bërë vullnetin e Tij dhe si ta përdorin Biblën më me efektshmëri në shërbim, në mbledhjet e kongregacionit dhe në asambletë.

Një i diplomuar i shkroi me mirënjohje një studenti që ende nuk e kishte ndjekur shkollën: «Më beso, do të kesh arsimimin më të mirë që ke marrë ndonjëherë. Shkrimi që thotë ‘do të mësohen nga Jehovai’, merr më shumë kuptim. E tërë kjo përvojë bën që zemra e personaliteti të modelohen dhe të rafinohen, që të përputhen më mirë me shembullin e Krishtit Jezu. Do të kesh përvojën më fantastike të jetës!»—Isaia 54:13.

Ungjillëzues, barinj dhe mësues

Deri tani të diplomuarit e Shkollës së Stërvitjes për Shërbim shërbejnë në 117 vende. Këtu përfshihen ishuj në zonat e Atlantikut, të Karaibeve dhe të Paqësorit, si edhe shumica e vendeve ku ka zyra dege të Dëshmitarëve të Jehovait. Degët raportojnë se stërvitja e shkëlqyer që kanë marrë studentët pasqyrohet në veprën e ungjillëzimit, në veprën baritore dhe në mësimdhënie. Falë stërvitjes, janë të pajisur që ta përdorin më mirë Biblën në shërbim. (2 Timoteut 2:15) Kur u përgjigjen pyetjeve që bëjnë njerëzit, i referohen shpesh edhe librit Të arsyetojmë nga Shkrimet * dhe stërvitin lajmëtarët e tjerë të Mbretërisë që të veprojnë po njësoj. Zelli i të diplomuarve është ngjitës dhe veprimtaria e tyre forcon kongregacionet.

Pleqtë e kongregacioneve kanë privilegjin ‘të kullotin kopenë’, duke ndihmuar që të kujdesen për nevojat frymore të të tjerëve. (1 Pjetrit 5:2, 3) Një plak tha për Shkollën e Stërvitjes: «E vlerësojmë që zyra e degës na dërgon vëllezër të stërvitur mirë që të na ndihmojnë të mbajmë peshën e kullotjes së kopesë së Perëndisë.» Në mënyrë të ngjashme një zyrë dege në Lindjen e Largët tha: «Të diplomuarit janë shumë të dhembshur. Ata punojnë pa u lodhur dhe fitojnë respektin e kongregacionit. Përulësia, ngrohtësia dhe zelli i tyre njihen mirë dhe vlerësohen jashtëzakonisht. Me gatishmëri ata bëjnë sakrifica dhe transferohen me gëzim në kongregacionet që kanë nevojë për barinj.» (Filipianëve 2:4) Burra të tillë i freskojnë bashkëbesimtarët dhe meritojnë të lavdërohen.—1 Korintasve 16:18.

Ndër të tjera, instruktorët e Shkollës së Stërvitjes për Shërbim i ndihmojnë studentët që të përmirësojnë aftësitë si oratorë. Duke zbatuar sugjerimet dhe këshillat që marrin, shumë prej të diplomuarve shpejt mund të përdoren në programet e asambleve qarkore dhe të kongreseve krahinore. Një mbikëqyrës qarkor tha se të diplomuarit mbajnë «fjalime të shkëlqyera dhe tregojnë si mund të zbatohet materiali me anë të një arsyetimi të mirë».—1 Timoteut 4:13.

Cilësia e mësimdhënies në mbledhjet e kongregacionit u përmirësua ndjeshëm në një vend afrikan pasi u bë Shkolla e Stërvitjes për Shërbim dhe të diplomuarit u caktuan të shërbenin atje. Pleqtë që dërgohen nga shkolla ndihmojnë në veprën e ungjillëzimit, në veprën baritore dhe në atë të mësimdhënies, duke i ndërtuar kështu frymësisht kongregacionet.—Efesianëve 4:8, 11, 12.

Përmirësohet mbikëqyrja e kongregacioneve

Në shumë vende ka nevojë për më tepër pleq dhe shërbëtorë ndihmës. Në disa kongregacione nuk do të kishte fare pleq, nëse nuk do të ishin dërguar të diplomuar të Shkollës së Stërvitjes për Shërbim. Prandaj shumë të diplomuar caktohen të shërbejnë atje ku ka një nevojë të tillë.

Mjaft degë raportojnë se këta burra «i njohin mirë masat organizative», «i marrin seriozisht përgjegjësitë», «i ndihmojnë të tjerët të njohin dhe të respektojnë organizatën e Jehovait» dhe «japin një ndihmesë që kongregacionet të rriten në përzemërsi dhe frymësisht». Ndodh kështu sepse të diplomuarit e shkollës ndjekin atë që është shkruar në Fjalën e Perëndisë dhe nuk mbështeten në kuptueshmërinë e tyre ose nuk u duket vetja të mençur. (Proverbat 3:5-7) Këta burra bëhen dhurata frymore për kongregacionet ku caktohen.

Shërbejnë në territore të veçuara

Disa të diplomuar që janë emëruar pionierë specialë ndihmojnë grupe të veçuara që të bëhen kongregacione. Duke shprehur mirënjohjen për ndihmën e tyre, një plak në një zonë të thellë të Guatemalës tha: «Për 20 vjet isha në merak se si do të tregohej kujdesi i duhur për këtë territor të stërmadh. Lutesha shpesh për këtë gjë. Vëllezërit nga Shkolla e Stërvitjes për Shërbim janë të stërvitur mirë në oratori, si edhe në çështjet organizative, dhe jam mirënjohës kur shoh që tani kësaj zone po i kushtohet vëmendje me dashuri.»

Të diplomuarit kanë mësuar të jenë të efektshëm në territore ku duhet të bëjnë udhë të gjata në terrene malore, që të shkojnë në fshatra të vogla e të shpërndara. Shpejt atje formojnë dhe organizojnë grupe të veçuara, edhe atëherë kur të tjerët nuk kanë arritur ta bëjnë këtë. Për shembull, një plak në Niger kërkoi ndihmën e të diplomuarve, sepse mendonte që ata mund të bënin një punë të shkëlqyer në zonën ku jetonte. Sidomos në zonat e thella mund të jetë më e lehtë që të shërbejnë si pionierë specialë dhe mbikëqyrës qarkorë ata që janë burra të pamartuar. Ashtu si apostulli Pavël atyre u duhet të përballojnë ‘rreziqe nga lumenjtë e nga kusarët e rrugëve, rreziqe në shkretëtirë’, parehati personale, si edhe ankthin për kongregacionet ku shërbejnë.—2 Korintasve 11:26-28.

U sjellin dobi të rinjve

Shkrimet u bëjnë thirrje të rinjve që ta kujtojnë Krijuesin. (Eklisiastiu 12:1) Të diplomuarit e zellshëm të Shkollës së Stërvitjes për Shërbim janë shembuj të shkëlqyer për të rinjtë e krishterë. Pasi dy të diplomuar shkuan në një kongregacion në Shtetet e Bashkuara, sasia e përgjithshme e kohës që lajmëtarët kalonin në shërbim u dyfishua. Për më tepër, numri i pionierëve të rregullt, ose i lajmëtarëve të Mbretërisë në kohë të plotë, u rrit nga 2 në 11 veta. Kjo gjë ka ndodhur në shumë kongregacione.

Po ashtu, të diplomuarit i nxitin më të rinjtë që të marrin në shqyrtim mundësinë për të ndjekur Shkollën e Stërvitjes për Shërbim. Kjo i ka motivuar disa që nuk shërbejnë si shërbëtorë ndihmës, që të synojnë për këtë privilegj. Dega e Holandës i quan të diplomuarit e Shkollës së Stërvitjes për Shërbim «shembuj të gjallë për më të rinjtë që po mendojnë se çfarë do të bëjnë me jetën e tyre».

Shërbejnë në kongregacione në gjuhë të huaja

Në shumë vende po marrin hov përpjekjet për t’ua predikuar lajmin e mirë njerëzve në gjuhën amtare. Të diplomuarit e Shkollës së Stërvitjes për Shërbim shpesh mësojnë gjuhë të tjera dhe shërbejnë në territore ku banojnë shumë imigrantë. Për shembull, në Belgjikë ka nevojë për më tepër predikues të Mbretërisë në fushat e gjuhës perse, ruse dhe shqipe.

Kongregacionet dhe grupet në gjuhë të huaja në Britani, Gjermani, Itali, Meksikë, Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera, tashmë nxjerrin dobi të madhe nga mbikëqyrësit udhëtues, pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës që janë diplomuar në Shkollën e Stërvitjes për Shërbim. Dega e Koresë raporton se «më tepër se 200 të diplomuar po luajnë një rol të rëndësishëm për të ndihmuar kongregacionet dhe grupet në gjuhë të huaja».

Shërbejnë përulësisht në detyra të tjera

Përveç shërbimit në grupet dhe kongregacionet në gjuhë të huaja, të diplomuarit e Shkollës së Stërvitjes për Shërbim shërbejnë si pleq, shërbëtorë ndihmës dhe mbikëqyrës udhëtues. Disa pranojnë caktime në vende të tjera, ndoshta duke përmbushur nevoja urgjente në Repartin e Shërbimit të ndonjë dege. Ata që kanë fituar aftësi në ndërtim mund të marrin pjesë në programin e ndërtimit të Sallave të Mbretërisë.

Rritja në mbarë botën e numrit të kongregacioneve dhe të qarqeve do të thotë se kërkohen vazhdimisht edhe më tepër mbikëqyrës udhëtues. Për ta plotësuar këtë nevojë, disa të diplomuar të zgjedhur të Shkollës së Stërvitjes për Shërbim marrin një stërvitje dhjetëjavore për veprën si mbikëqyrës udhëtues dhe më pas, shërbejnë si zëvendësmbikëqyrës qarkorë ose si mbikëqyrës qarkorë. Tani rreth 1.300 të diplomuar shërbejnë si mbikëqyrës udhëtues në 97 vende. Në një vend afrikan 55 për qind e mbikëqyrësve udhëtues janë të diplomuar të Shkollës së Stërvitjes për Shërbim. Në një vend tjetër afrikan kjo shifër është 70 për qind.

Në Australi, Evropë, Kanada, Lindjen e Largët dhe Shtetet e Bashkuara, qindra të diplomuar të shkollës janë dërguar në vende të tjera që të përmbushin nevoja specifike. Në këtë mënyrë, dobitë e shkollës janë përhapur në mbarë botën.

Nëpërmjet Birit të tij, Jezu Krishtit, Jehovai ka përgatitur ungjillëzues, barinj, mësues e të tjerë që çojnë përpara interesat e Mbretërisë në këto ditë të fundit. A ekzistojnë mundësi për rritje të mëtejshme të popullit të Perëndisë? Patjetër! Prandaj ka një nevojë gjithnjë e më të madhe për burra të kushtuar që të synojnë përgjegjësi më të mëdha. (Isaia 60:22; 1 Timoteut 3:1, 13) Shkolla e Stërvitjes për Shërbim u krijon mundësi pleqve dhe shërbëtorëve ndihmës që të pajisen për të zgjeruar shërbimin, e kështu t’i sjellin shumë dobi vetes dhe të tjerëve në mbarë botën.

[Shënimi]

^ par. 11 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figurat në faqen 10]

Shkolla e Stërvitjes për Shërbim po i çon përpara interesat e Mbretërisë në mbarë botën

[Figurat në faqen 13]

A shpreson të regjistrohesh në Shkollën e Stërvitjes për Shërbim e më pas t’u sjellësh dobi të tjerëve?