Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga Kënga e Solomonit

Pika kryesore nga Kënga e Solomonit

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga Kënga e Solomonit

«SI NJË zambak mes gjembaçëve, kështu është shoqja ime ndër bijat.» «Si një dru molle mes drurëve të pyllit, kështu është i shtrenjti im ndër bijtë.» «Kush është kjo që shikon poshtë si agimi, e bukur si hëna e plotë, e kulluar si dielli rrëzëllues?» (Kënga e Solomonit 2:2, 3; 6:10) Sa madhështore janë këto vargje nga libri biblik Kënga e Solomonit! I tërë libri është një poemë me kaq kuptim e bukuri, sa është quajtur «më e bukura këngë».—Kënga e Solomonit 1:1.

Këtë këngë e kompozoi mbreti Solomon i Izraelit të lashtë, ndoshta rreth vitit 1020 p.e.s., gjatë fillimit të mbretërimit të tij 40-vjeçar. Ajo është një histori dashurie mes një djaloshi bari dhe një vajze fshati, një shulamiteje. Në poemë përmenden edhe nëna dhe vëllezërit e vajzës, ‘bijat e Jerusalemit [zonjat e oborrit mbretëror]’, si edhe ‘bijat e Sionit [gratë e Jerusalemit]’. (Kënga e Solomonit 1:5; 3:11) Një lexues i Biblës e ka të vështirë të identifikojë të gjithë ata që flasin në Këngën e Solomonit, megjithatë kjo mund të arrihet duke shqyrtuar se çfarë thonë ata vetë ose çfarë u thuhet atyre.

Si pjesë e Fjalës së Perëndisë, mesazhi i Këngës së Solomonit ka vlerë të madhe për dy arsye. (Hebrenjve 4:12) Së pari, na mëson se çfarë është dashuria e vërtetë midis një burri dhe një gruaje. Së dyti, kënga ilustron llojin e dashurisë që ekziston midis Jezu Krishtit dhe kongregacionit të të krishterëve të mirosur.—2 Korintasve 11:2; Efesianëve 5:25-31.

MOS U PËRPIQNI «TA NGJALLNI DASHURINË TEK UNË»

(Kënga e Solomonit 1:1–3:5)

«Më puthtë ai me puthjet e gojës së tij! Shprehjet e tua të dashurisë janë më të mira se vera!» (Kënga e Solomonit 1:2) Dialogu në Këngën e Solomonit hapet me këto fjalë të një vajze fshati, të cilën e çojnë te tenda mbretërore e Solomonit. Si u gjend ajo atje?

«Bijtë e nënës sime u zemëruan me mua,—thotë ajo.—Ata më caktuan të ruaja vreshtat.» Vëllezërit e saj janë zemëruar me të, sepse djaloshi bari që ajo do, e ka ftuar të shkojnë për shëtitje në një ditë të bukur pranvere. Që të mos e lënë të shkojë, ata e kanë caktuar të ruajë ‘vreshtat që po i prishin dhelpërushet’. Puna e saj ndodhet pranë kampit të Solomonit. Kur ajo zbret në «kopshtin e arrave», bukuria e saj bie në sy dhe nga aty e sjellin në kamp.—Kënga e Solomonit 1:6; 2:10-15; 6:11.

Kur vasha shpreh dashurinë e zjarrtë për bariun e saj të dashur, zonjat e oborrit mbretëror i thonë që ‘të dalë vetë në gjurmët e kopesë’ dhe ta kërkojë atë. Por Solomoni nuk e lë të shkojë. Duke i shprehur admirimin për bukurinë e saj, ai i premton «rrathë ari dhe tokëza argjendi». Por vajzës nuk i bëjnë përshtypje këto fjalë. Djaloshi bari hyn në kampin e Solomonit, e gjen vajzën dhe thotë plot emocion: «Ja, ti je e bukur, o shoqja ime. Ja, ti je e bukur.» Vasha i vë në be zonjat e oborrit mbretëror me këto fjalë: «Mos u përpiqni ta zgjoni ose ta ngjallni dashurinë tek unë, derisa të ndihem vetë e prirur për këtë.»—Kënga e Solomonit 1:8-11, 15; 2:7; 3:5.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

1:2, 3—Pse kujtimi i shprehjeve të dashurisë së bariut është si vera dhe emri i tij si vaji? Ashtu si vera ia gëzon zemrën njeriut dhe derdhja e vajit mbi kokë ka një efekt qetësues, kujtimi i dashurisë së djaloshit dhe i emrit të tij e forcoi dhe e ngushëlloi vashën. (Psalmi 23:5; 104:15) Po kështu të krishterët e vërtetë, sidomos të mirosurit, marrin forcë dhe ngushëllim kur mendojnë për dashurinë që ka treguar ndaj tyre Jezu Krishti.

1:5—Pse vajza e fshatit e krahason pamjen e saj zeshkane me «tendat e Kedarit»? Leshi i dhisë, i bërë pëlhurë, kishte shumë përdorime. (Numrat 31:20) Për shembull, ‘leshi i dhisë’ u përdor për të bërë «tendën e tabernakullit». (Dalja 26:7) Siç janë sot edhe tendat e beduinëve, ka shumë mundësi që tendat e Kedarit të jenë bërë me lesh dhie të zi.

1:15—Çfarë do të thotë djaloshi bari me fjalët: «Sytë e tu janë si ata të pëllumbeshave.» Ai po thotë që sytë e së dashurës së tij kanë një pamje të butë dhe të ëmbël si ata të pëllumbeshave.

2:7; 3:5—Pse zonjat e oborrit mbretëror vihen në be «për gazelat dhe për drenushat e fushës»? Gazelat dhe drenushat njihen për elegancën dhe bukurinë. Në të vërtetë vajza shulamite po i vë në be zonjat e oborrit mbretëror për gjithçka që është e hijshme dhe e bukur, që të mos përpiqen të zgjojnë dashurinë tek ajo.

Mësime për ne:

1:2; 2:6. Shprehjet e pastra të dashurisë mund të jenë të përshtatshme gjatë periudhës së njohjes. Megjithatë, një çift duhet të ketë kujdes që këto shprehje të jenë shfaqje të përzemërsisë së sinqertë dhe jo të pasionit të papastër i cili mund të çojë në imoralitet.—Galatasve 5:19.

1:6; 2:10-15. Vëllezërit e shulamites nuk e lanë motrën e tyre të shkonte me të dashurin në një vend të veçuar në male, jo sepse ajo ishte imorale apo sepse nuk kishte motive të mira. Përkundrazi, ata morën një masë parandaluese që të mos përfshihej në një situatë që mund ta çonte në tundim. Mësimi për ata që janë në periudhë njohjeje është që të shmangin vendet e veçuara.

2:1-3, 8, 9. Edhe pse ishte e bukur, vasha shulamite me modesti e konsideronte veten ‘veç një shafran [lule të zakonshme] të rrafshinës bregdetare’. Për shkak të bukurisë dhe të besnikërisë së saj ndaj Jehovait, djaloshi bari e konsideronte atë si «një zambak mes gjembaçëve». Po ai, si mund të përshkruhet? Ngaqë ishte i pashëm, ajo e krahasoi me ‘një gazelë’. Gjithashtu, ai duhet të ketë qenë një njeri me besim dhe i përkushtuar ndaj Jehovait. Ajo thotë: «Si një dru molle [që bën hije dhe jep fryt] mes drurëve të pyllit, kështu është i shtrenjti im ndër bijtë.» A nuk janë besimi dhe përkushtimi ndaj Perëndisë cilësi të dëshirueshme për t’i kërkuar te një bashkëshort i mundshëm?

2:7; 3:5. Vajza nga fshati nuk ishte aspak e tërhequr pas Solomonit. Madje ajo i vuri në be zonjat e oborrit mbretëror që të mos përpiqeshin të ngjallnin tek ajo dashuri për dikë tjetër, përveç djaloshit bari. Nuk është as e mundur dhe as gjë e mirë të provojmë dashuri romantike për këdo. Një i krishterë beqar që dëshiron të martohet, duhet të shohë si bashkëshorte të mundshme vetëm një shërbëtore besnike të Jehovait.—1 Korintasve 7:39.

«ÇFARË SHIHNI TE SHULAMITJA?»

(Kënga e Solomonit 3:6–8:4)

Diçka «po vjen nga shkretëtira, si shtylla tymi». (Kënga e Solomonit 3:6) Çfarë shohin gratë e Jerusalemit kur dalin jashtë? Ja, Solomoni dhe shërbëtorët e tij po kthehen në qytet! Mbreti ka marrë me vete vashën shulamite.

Djaloshi bari e ka ndjekur vashën dhe shpejt arrin ta takojë. Ai e siguron për dashurinë e tij, kurse ajo shpreh dëshirën që të ikin nga qyteti e thotë: «Para se të fryjë flladi i ditës dhe të ikin hijet, do të marr udhën për në malin e mirrës dhe për në kodrën e temjanit të bardhë.» Ajo e fton bariun që ‘të vijë në kopshtin e vet dhe të hajë frutat më të zgjedhura të tij’. Ai përgjigjet: «Hyra në kopshtin tim, o motra ime, nusja ime.» Gratë e Jerusalemit u thonë: «Hani o shokë! Pini e dehuni me shprehje dashurie!»—Kënga e Solomonit 4:6, 16; 5:1.

Pasi u tregon një ëndërr zonjave të oborrit mbretëror, vasha shulamite u thotë: «Po digjem nga dashuria.» Ato e pyesin: «Ç’ka i shtrenjti yt më shumë se një i shtrenjtë tjetër?» Ajo ua kthen: «I shtrenjti im të verbon dhe është faqekuq, më i spikatshmi ndër dhjetë mijë veta.» (Kënga e Solomonit 5:2-10) Kur Solomoni e mbulon me lëvdata, ajo me përulësi përgjigjet: «Çfarë shihni te Shulamitja?» (Kënga e Solomonit 6:4-13) Duke e parë këtë si një mundësi për t’i fituar zemrën, mbreti i bën një lumë me lëvdata të tjera. Por vajza qëndron e patundur në dashurinë e saj për djaloshin bari. Së fundi, Solomoni e lë të ikë në shtëpi.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

4:1; 6:5—Pse flokët e vashës krahasohen me «një kope dhish»? Krahasimi lë të kuptojë se flokët e saj ishin me shkëlqim dhe të dendura si leshi i zi i dhive.

4:11—Ç’kuptim kanë frazat ‘buzët [e shulamites] pikojnë mjaltë hualli’ dhe ‘mjaltë dhe qumësht ka nën gjuhën e saj’? Mjalti i huallit është më me aromë dhe më i ëmbël se mjalti i zakonshëm. Ky krahasim, si edhe ideja se nën gjuhën e vashës kishte mjaltë dhe qumësht, theksojnë se fjalët e shulamites ishin plot mirësi dhe hijeshi.

5:12—Ç’kuptim ka shprehja ‘sytë e tij janë si pëllumba buzë kanaleve të ujit, që lahen në qumësht’? Vasha po flet për sytë e bukur të të dashurit. Ndoshta po krahason me një gjuhë poetike iridën e errët të rrethuar nga e bardha e syve me pëllumbat ngjyrë blu në gri që lahen në qumësht.

5:14, 15—Pse duart dhe këmbët e bariut janë përshkruar në këtë mënyrë? Me sa duket vasha po i krahason gishtërinjtë e bariut me cilindra ari dhe thonjtë me krizolit. Ajo i krahason këmbët e tij me «shtylla mermeri», sepse ato janë të forta dhe të bukura.

6:4, shënimi, BR me referime, anglisht—A është Jerusalemi «Qyteti i Këndshëm»? Jo. «Qyteti i Këndshëm» është «Tirzahu». Këtë qytet kananit e mori Josiu, dhe pas kohës së Solomonit u bë kryeqyteti i parë i mbretërisë veriore dhjetëfisëshe të Izraelit. (Josiu 12:7, 24; 1 Mbretërve 16:5, 6, 8, 15) Në një vepër referimi thuhet se «qyteti duhet të ketë qenë shumë i bukur dhe kjo ndoshta shpjegon arsyen përse është përmendur këtu».

6:13, shënimi, BR me referime, anglisht—Çfarë është «vallja e dy kampeve»? Kjo shprehje mund të përkthehet edhe «vallja e Mahanaimit». Qyteti me këtë emër ndodhej në anën lindore të lumit Jordan, pranë luginës së përroit të Jabokut. (Zanafilla 32:2, 22; 2 Samuelit 2:29) «Vallja e dy kampeve» mund t’i referohet një lloj valleje që kërcehej në atë qytet në një festë të caktuar.

7:4—Pse Solomoni e krahason qafën e vashës shulamite me një «kullë fildishi»? Më parë vajzës i ishte bërë kjo lëvdatë: «Qafa jote është si kulla e Davidit.» (Kënga e Solomonit 4:4) Një kullë është e gjatë dhe e hollë, dhe fildishi është i lëmuar. Solomonit i bën përshtypje qafa elegante dhe e lëmuar e vajzës.

Mësime për ne:

4:7. Duke i rezistuar joshjeve të Solomonit, shulamitja, edhe pse e papërsosur, tregoi se ishte pa të meta morale. Kështu, forca e saj morale ia rriste bukurinë fizike. Në të njëjtën mënyrë duhet të jenë edhe gratë e krishtere.

4:12. Si një kopsht i bukur i rrethuar me një gardh ose mur, tek i cili mund të hyhet vetëm nga një portë me kyç, po kështu vasha shulamite ia shprehu përzemërsitë e saj të ngrohta vetëm burrit të saj të ardhshëm. Çfarë shembulli i shkëlqyer për të krishterët ende të pamartuar!

«FLAKA E JAH»

(Kënga e Solomonit 8:5-14)

«Kush është kjo që vjen nga shkretëtira, mbështetur tek i shtrenjti i saj?»—pyesin vëllezërit e shulamites kur e shohin të kthehet në shtëpi. Pak kohë më parë njëri prej tyre kishte thënë: «Po të ishte mur, mbi të do të ndërtonim një beden argjendi, por po të ishte derë, do ta bllokonim me një dërrasë cedri.» Tani që qëndrueshmëria e dashurisë së shulamites është provuar, ajo thotë: «Unë jam mur dhe gjinjtë e mi janë si kulla. E pra, në sytë e tij jam bërë si ajo që ka gjetur paqe.»—Kënga e Solomonit 8:5, 9, 10.

Dashuria e vërtetë është «flaka e Jah». Pse? Sepse kjo dashuri e ka burimin te Jehovai. Ai na ka dhënë aftësinë për të dashur. Ajo është një flakë, afshet e së cilës janë të pashueshme. Kënga e Solomonit ilustron bukur se dashuria midis një burri dhe një gruaje mund të jetë «e fortë [e pathyeshme] sa vdekja».—Kënga e Solomonit 8:6.

Më e bukura këngë e Solomonit hedh dritë gjithashtu edhe mbi lidhjen që ekziston midis Jezu Krishtit dhe pjesëtarëve të ‘nuses’ së tij qiellore. (Zbulesa 21:2, 9) Dashuria e Jezuit për të krishterët e mirosur ia kalon çdo dashurie mes një burri dhe një gruaje. Pjesëtarët e klasës së nuses janë të paepur në përkushtimin e tyre. Po ashtu, Jezui dha me dashuri jetën edhe për ‘delet e tjera’. (Gjoni 10:16) Prandaj, të gjithë adhuruesit e vërtetë mund të imitojnë shembullin e dashurisë dhe të përkushtimit të patundur të shulamites.

[Figura në faqet 18, 19]

Çfarë na mëson Kënga e Solomonit në lidhje me gjërat që duhet të kërkojmë te një bashkëshort?