Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndershmëria sjell shpërblime

Ndershmëria sjell shpërblime

Ndershmëria sjell shpërblime

PANDERSHMËRIA ekziston që nga koha e kopshtit të Edenit. Megjithatë, shumica e kulturave dhe e shoqërive e vlerëson ndershmërinë dhe e sheh gënjeshtrën dhe mashtrimin si të padëshirueshëm e të gabuar. Ndihemi krenarë kur të tjerët na konsiderojnë njerëz të besueshëm. Megjithatë, gjithnjë e më shumë, pandershmëria shihet si e domosdoshme për të mbijetuar në shoqërinë e sotme. Po ti si mendon? A ia vlen të jesh i ndershëm? Cila është norma jote për të vendosur se çfarë është një sjellje e ndershme dhe çfarë nuk është?

Që t’i pëlqejmë Perëndisë, duhet të jemi të ndershëm në të folur dhe në mënyrën tonë të jetesës. Apostulli Pavël i këshilloi të bashkëkrishterët: «Secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të tij.» (Efesianëve 4:25) Gjithashtu Pavli shkroi: «Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.» (Hebrenjve 13:18) Motivi pse jemi të ndershëm nuk është që të marrim lëvdata nga njerëzit, por sepse respektojmë Krijuesin tonë dhe duam t’i pëlqejmë Atij.

Mos e fshih se çfarë je

Në shumë vende njerëzit nuk thonë të vërtetën për veten, me qëllim që të kenë përfitime në jetë. Ata marrin dokumente, diploma, karta identiteti ose pasaporta të rreme, që të hyjnë në një vend në mënyrë të paligjshme ose që të fitojnë një punë a pozitë për të cilën nuk janë të kualifikuar. Disa prindër falsifikojnë certifikatat e lindjes së fëmijëve, që ata të bëjnë më shumë vite shkollë.

Por, për t’i pëlqyer Perëndisë, nuk mund të jemi njerëz mashtrues. Bibla thotë se Jehovai është «Perëndi i së vërtetës» dhe ai pret që kush ka një marrëdhënie të ngushtë me të, të thotë të vërtetën e të jetë i besueshëm. (Psalmi 31:5) Nëse duam të mbajmë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain, nuk mund të imitojmë ‘njerëzit që nuk ecin në të vërtetën’, ata që «e fshehin se ç’janë».—Psalmi 26:4.

Gjithashtu është e zakonshme për njerëzit të fshehin të vërtetën kur gjenden përballë mundësisë që të disiplinohen për një keqbërje. Madje, edhe në kongregacionin e krishterë, dikush mund të tundohet të veprojë kështu. Për shembull, në një kongregacion, një i ri pranoi para pleqve se kishte kryer disa mëkate. Por ai nuk pranoi se kishte kryer vjedhje, megjithëse kishte prova kundër tij. Si përfundim, ai u zbulua dhe u desh të përjashtohej nga kongregacioni. A nuk do të kishte qenë më e mençur që të kishte qenë krejtësisht i ndershëm dhe të kishte marrë ndihmë që të rivendoste marrëdhënien e tij të çmuar me Jehovain? Në të vërtetë Bibla thotë: «Mos e nënçmo disiplinën e Jehovait, as mos u ligështo kur ai të qorton, sepse Jehovai disiplinon atë që e do.»—Hebrenjve 12:5, 6.

Nganjëherë ndonjë vëlla që synon të ketë përgjegjësi në kongregacion, mund të përpiqet të fshehë probleme personale ose një sjellje të gabuar të së kaluarës. Për shembull, kur përpilon një kërkesë për një privilegj të veçantë shërbimi, ai mund të mos japë përgjigje të plota për pyetjet rreth shëndetit dhe moralit, me mendimin se e vërteta për këto gjëra mund ta skualifikojë. Ai mund të arsyetojë: ‘Unë në të vërtetë nuk gënjeva.’ Por, a u tregua ai vërtet i çiltër dhe i ndershëm me të tjerët? Shqyrto pikën që theksohet te Proverbat 3:32: «Njeriu hileqar është i pështirë për Jehovain, ndërsa të drejtët gëzojnë miqësi të ngushtë me Të.»

Të jemi të ndershëm do të thotë, para së gjithash, të jemi të ndershëm me veten. Shpesh besojmë atë që duam të besojmë, e jo atë që është e drejtë ose e vërtetë. Sa e lehtë është t’ua hedhim fajin të tjerëve! Për shembull, mbreti Saul u përpoq të justifikonte mosbindjen e vet duke fajësuar të tjerët. Për pasojë, Jehovai e hodhi poshtë, që të mos ishte më mbret. (1 Samuelit 15:20-23) Sa ndryshe ishte mbreti David i cili iu lut Jehovait: «Më në fund ta rrëfeva mëkatin tim dhe fajin që bëra nuk e mbulova, porse thashë: ‘Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Jehovait.’ Dhe ti e fale ligësinë e mëkateve të mia.»—Psalmi 32:5.

Ndershmëria sjell bekime

Ndershmëria ose pandershmëria ndikon në mënyrën se si të shohin të tjerët. Në qoftë se njerëzit marrin vesh se i ke mashtruar, sikur edhe vetëm një herë, do të humbasësh besimin e tyre, dhe ky besim nuk rifitohet lehtë. Por, nga ana tjetër, nëse je i besueshëm dhe i ndershëm, do të krijosh reputacionin si njeri me integritet, i denjë për besim. Dëshmitarët e Jehovait kanë fituar një reputacion të tillë. Të shqyrtojmë disa shembuj.

Drejtori i një firme kuptoi se shumë prej punëtorëve të tij po e zhvatnin firmën, prandaj kërkoi ndërhyrjen e policisë. Kur mori vesh se një punëtor, i cili ishte Dëshmitar i Jehovait, ishte mes të arrestuarve, ai shkoi në polici që ta lironin menjëherë. Pse? Sepse drejtori e dinte që ky njeri ishte punëtor i ndershëm dhe ishte i pafajshëm. Dëshmitari nuk e humbi punën, kurse të tjerët u pushuan nga puna. Miqtë e tij Dëshmitarë u gëzuan duke e ditur se sjellja e tij i kishte sjellë nder emrit të Jehovait.

Sjellja e shkëlqyer nuk kalon pa u vënë re. Në një vend afrikan, duhej riparuar një urë, që shtrihej mbi një kanal të madh kullues, sepse disa dërrasa të saj i kishin vjedhur. Banorët vendës vendosën të grumbullonin para për t’i zëvendësuar dërrasat. Por, kujt mund t’ia besonin administrimin e fondeve? Që të gjithë ranë dakord se duhej të ishte një Dëshmitar i Jehovait.

Në një vend afrikan një Dëshmitar punonte si llogaritar pranë një firme ndërkombëtare. Kur vendi pati trazira politike dhe etnike, firma vendosi ta transferonte, meqë jeta e tij ishte në rrezik. Madje firma mbuloi shpenzimet që vëllai të vazhdonte punën për disa muaj në një vend tjetër, derisa gjendja të qetësohej. Pse? Sepse më parë ai nuk kishte pranuar të bashkëpunonte me disa që po planifikonin të vidhnin firmën. Drejtuesit e firmës e dinin se ishte i njohur për ndershmërinë e tij. A do të kishin qenë të gatshëm ata ta ndihmonin nëpunësin e tyre, nëse ai do të njihej për sjellje të pandershme?

«I drejti ecën me integritet»,—thuhet te Proverbat 20:7. Një njeri i ndershëm është me integritet. Ai kurrë nuk e ka me hile dhe nuk i mashtron të tjerët. A nuk dëshiron ti që të tjerët të të trajtojnë kështu? Ndershmëria është pjesë thelbësore e adhurimit të vërtetë. Ajo është shprehje e dashurisë sonë për Perëndinë dhe të afërmin. Duke qenë të ndershëm, tregojmë se dëshirojmë të ndjekim parimin e sjelljes që shprehu Jezui: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.»—Mateu 7:12; 22:36-39.

Të jesh gjithnjë i ndershëm mund të ketë një çmim, por ndërgjegjja e pastër që vjen si rezultat, vlen më tepër se çfarëdolloj gjëje që mund të paguash. Me kalimin e kohës, të jesh i ndershëm dhe i drejtë sjell shumë dobi. Në të vërtetë një marrëdhënie e mirë me Jehovain s’ka të çmuar. Pse ta dëmtosh atë duke bërë diçka të pandershme për të ruajtur një nam të mirë ose për të pasur ndonjë përfitim të paligjshëm? Çfarëdo sfide që të hasim, mund të kemi siguri te fjalët e psalmistit: «Lum njeriu që ka besim te Jehovai, që nuk e ka kthyer fytyrën nga sfiduesit dhe as nga ata që merren me gënjeshtra!»—Psalmi 40:4.

[Figurat në faqen 18]

Të krishterët e vërtetë nuk blejnë dhe as përdorin dokumente të rreme