Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i Isaisë—Pjesa I

Pika kryesore nga libri i Isaisë—Pjesa I

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i Isaisë—Pjesa I

«KË TË dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?» Kësaj ftese të Perëndisë Jehova Isaia, biri i Amozit, i përgjigjet: «Ja ku jam! Më dërgo mua!» (Isaia 1:1; 6:8) Atëherë ai merr caktimin si profet. Veprimtaritë profetike të Isaisë janë dokumentuar në librin biblik që mban emrin e tij.

Libri i Isaisë, të cilin e shkroi vetë profeti, flet për një periudhë 46-vjeçare, përafërsisht nga viti 778 p.e.s. deri në vitin 732 p.e.s. Edhe pse libri përmban shpallje kundër Judës, Izraelit dhe kombeve përreth tyre, tema e tij kryesore nuk është gjykimi. Përkundrazi, është ‘shpëtimi që vjen prej Perëndisë Jehova’. (Isaia 25:9) Vetë emri Isaia në të vërtetë do të thotë «Shpëtim nga Jehovai». Në këtë artikull do të trajtohen pika kryesore nga Isaia 1:1–35:10.

‘VETËM NJË MBETJE DO TË KTHEHET’

(Isaia 1:1–12:6)

Bibla nuk e thotë nëse mesazhi profetik që gjendet në pesë kapitujt e parë të librit të Isaisë është shpallur para se Isaia të caktohej profet apo pas kësaj. (Isaia 6:6-9) Megjithatë, është e qartë se Juda dhe Jerusalemi janë të sëmurë frymësisht «nga tabani i këmbës deri te koka». (Isaia 1:6) Idhujtaria është përhapur gjithandej. Udhëheqësit janë të korruptuar. Gratë janë bërë fodulle. Njerëzit nuk i shërbejnë Perëndisë së vërtetë në mënyrë të pranueshme. Isaia merr detyrën që të shkojë e t’u flasë «herë pas here» atyre që as kuptojnë dhe as duan njohuri.

Juda kërcënohet nga pushtimi i forcave aleate të Izraelit dhe të Sirisë. Duke përdorur Isainë dhe fëmijët e tij «si shenja dhe mrekulli», Jehovai e siguron Judën se kjo aleancë nuk do të ketë sukses. (Isaia 8:18) Megjithatë, paqja e pafund do të vijë vetëm nëpërmjet sundimit të ‘Princit të Paqes’. (Isaia 9:6, 7) Gjithashtu Jehovai do t’i kërkojë llogari Asirisë, kombit që përdor si ‘shkopin e zemërimit të tij’. Së fundi Juda do të shkojë në robëri, por ‘vetëm një mbetje do të kthehet’. (Isaia 10:5, 21, 22) Drejtësia e vërtetë do të bëhet realitet nën sundimin e ‘një degëze [të figurshme] që do të dalë nga cungu i Jeseut’.—Isaia 11:1.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

1:8, 9—Në ç’mënyrë bija e Sionit ‘do të mbesë si kasollja në vresht, si kolibja e atij që ruan arën me kastraveca’? Kjo do të thotë se gjatë pushtimit asirian Jerusalemi do të duket tejet i pambrojtur, ashtu si kasollja e thjeshtë në një vresht ose si kolibja në një arë me kastraveca, që mund të shembet lehtë. Por Jehovai i vjen në ndihmë dhe kështu nuk lejon që të bëhet si Sodoma e Gomorra.

1:18—Çfarë nënkuptohet nga fjalët: «Ejani tani dhe le t’i ndreqim gjërat mes nesh.» Kjo nuk është një ftesë për të biseduar dhe për të arritur një marrëveshje duke bërë lëshime të dyja palët. Përkundrazi, vargu bën fjalë për hapjen e një procesi gjyqësor në të cilin Gjykatësi i drejtë, Jehovai, i jep Izraelit mundësinë që të ndryshojë dhe të pastrohet.

6:8a—Pse këtu është përdorur përemri «ne»? Përemri në shumës «ne» tregon se është një person tjetër me Jehovain. Natyrisht ky është ‘Biri i tij i vetëmlindur’.—Gjoni 1:14; 3:16.

6:11—Çfarë donte të thoshte Isaia kur pyeti: «Deri kur, o Jehova?» Isaia nuk po pyeste se deri kur duhej t’i çonte mesazhin e Jehovait një populli indiferent. Përkundrazi, donte të dinte se deri kur do të vazhdonte t’i sillte çnderim emrit të Perëndisë gjendja e sëmurë frymore e popullit.

7:3, 4—Pse Jehovai i ofroi shpëtim mbretit të lig Akaz? Mbretërit e Sirisë dhe të Izraelit planifikuan të hiqnin nga froni mbretin Akaz të Judës dhe të vinin në vend të tij një sundimtar kukull, birin e Tabelit, që nuk ishte pasardhës i Davidit. Ky plan i Djallit do të bënte që besëlidhja me Davidin për Mbretërinë, të mos ishte më në veprim. Jehovai i ofroi shpëtim Akazit që të ruante linjën nëpërmjet së cilës do të vinte ‘Princi [i premtuar] i Paqes’.—Isaia 9:6.

7:8—Si ‘u bë copë e çikë’ Efraimi brenda 65 vjetësh? Mërgimi i popullit të mbretërisë dhjetëfisëshe dhe ripopullimi i vendit me të huaj filloi «në ditët e Pekahut, mbretit të Izraelit», pak kohë pasi Isaia tha këtë profeci. (2 Mbretërve 15:29) Kjo vazhdoi për një kohë të gjatë, deri në ditët e mbretit asirian Esar-Hadonit, bir dhe pasues i Senakeribit. (2 Mbretërve 17:6; Ezdra 4:1, 2; Isaia 37:37, 38) Ajo shpërngulje e vazhdueshme e njerëzve për në Samari dhe nga Samaria zgjati për një periudhë 65 vjeçare që përmendet tek Isaia 7:8.

11:1, 10—Si ka mundësi që Jezu Krishti të jetë edhe ‘një degëz nga cungu i Jeseut’, edhe «rrënja e Jeseut»? (Romakëve 15:12) Jezui ishte «nga cungu i Jeseut» për sa i përket prejardhjes njerëzore. Ai ishte pasardhës i Jeseut nëpërmjet birit të Jeseut, Davidit. (Mateu 1:1-6; Luka 3:23-32) Megjithatë, marrja e pushtetit mbretëror ndikon te marrëdhënia e Jezuit me paraardhësit e tij. Ngaqë i është dhënë fuqia dhe autoriteti që t’i japë njerëzimit të bindur jetën e përhershme në tokë, Jezui bëhet ‘Ati [i tyre] i Përjetshëm’. (Isaia 9:6) Kështu ai është edhe «rrënja» e paraardhësve të tij, përfshirë Jeseun.

Mësime për ne:

1:3. Të mos pranojmë të jetojmë sipas asaj që kërkon Krijuesi do të thotë të dimë më pak se një dem ose një gomar. Nga ana tjetër, po të zhvillojmë çmueshmëri për gjithçka që ka bërë Jehovai për ne, kjo nuk do të na lejojë të veprojmë pa mend dhe të largohemi nga Jehovai.

1:11-13. Ceremonitë fetare hipokrite dhe lutjet formale e lodhin Jehovain. Veprimet dhe lutjet tona duhet të burojnë nga një motiv i drejtë i zemrës.

1:25-27; 2:2; 4:2, 3. Skllavëria dhe shkretimi i Judës do të përfundonin me kthimin e mbetjes së të penduarve në Jerusalem dhe me rivendosjen e adhurimit të vërtetë. Jehovai është i mëshirshëm ndaj keqbërësve të penduar.

2:2-4. Pjesëmarrja jonë e zellshme në predikimin e Mbretërisë dhe në veprën e bërjes së dishepujve ndihmon individë nga shumë kombe të mësojnë udhët e paqes dhe të ndjekin paqen me njëri-tjetrin.

4:4. Jehovai do të heqë ose do të lajë ndyrësinë morale dhe fajin e gjakut.

5:11-13. Të jemi të pafre dhe të çekuilibruar në zgjedhjen e zbavitjes do të thotë të mos pranojmë të veprojmë sipas njohurisë.—Romakëve 13:13.

5:21-23. Pleqtë ose mbikëqyrësit e krishterë duhet të bëjnë kujdes që të mos «u duket vetja të mençur». Gjithashtu duhet të tregojnë vetëpërmbajtje kur ‘pinë verë’ dhe të mos mbajnë me hatër.

11:3a. Shembulli dhe mësimet e Jezuit tregojnë se frika nga Jehovai sjell gëzim.

«JEHOVAI DO T’I TREGOJË MËSHIRË JAKOBIT»

(Isaia 13:1–35:10)

Kapitujt 13 deri 23 janë shpallje kundër kombeve. Por «Jehovai do t’i tregojë mëshirë Jakobit» duke i lejuar tërë fiset e Izraelit të kthehen në shtëpi. (Isaia 14:1) Mesazhi për shkretimin e Judës, që ndodhet në kapitujt 24 deri 27, shoqërohet nga premtimi i rivendosjes. Jehovai shpreh zemërimin e tij ndaj «pijanecëve të Efraimit [Izraelit]» ngaqë formojnë një aleancë me Sirinë, dhe ndaj ‘priftit dhe profetit’ të Judës ngaqë kërkojnë të bëjnë aleancë me Asirinë. (Isaia 28:1, 7) Shpallen mjerime ndaj ‘Arielit [Jerusalemit]’, sepse banorët e tij «nisen të zbresin në Egjipt» për t’u mbrojtur. (Isaia 29:1, shënimi, BR me referime, anglisht; 30:1, 2) Sidoqoftë, për individët që tregojnë besim te Jehovai parathuhet se do të shpëtojnë.

Ashtu si ‘një luan i ri me krifë ulërin që të mbrojë prenë e vet’, Jehovai do ta mbrojë «Malin e Sionit». (Isaia 31:4) Ka edhe një premtim: «Ja, një mbret do të mbretërojë për të siguruar të drejtën.» (Isaia 32:1) Ndërsa kërcënimi asirian ndaj Judës bën që edhe «lajmëtarët e paqes» të qajnë me hidhërim, Jehovai premton se populli i tij do të shërohet, atyre «do t’u falet faji». (Isaia 33:7, 22-24) «Jehovai është indinjuar me të gjitha kombet dhe është tërbuar kundër gjithë ushtrisë së tyre.» (Isaia 34:2) Juda nuk do të mbetet e shkretuar. «Shkretëtira dhe vendet e thata do të ngazëllojnë. Rrafshina e shkretë do të gëzojë dhe do të lulëzojë si shafrani.»—Isaia 35:1.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

13:17—Në ç’kuptim medët s’e kishin për gjë argjendin dhe s’gjenin kënaqësi tek ari? Medët dhe persët i jepnin më shumë rëndësi lavdisë që vinte nga një fitore, sesa plaçkës së luftës. Kjo qe e vërtetë në rastin e Kirit, i cili u dha të mërguarve që u kthyen enët prej ari dhe argjendi që Nabukodonosori i kishte grabitur nga tempulli i Jehovait.

14:1, 2—Si u bënë pjesëtarët e popullit të Jehovait «robëruesit e atyre që i mbanin robër» dhe si ‘i mbajtën të nënshtruar ata që i shtrëngonin të punonin’? Kjo u përmbush në rastin e individëve të tillë si Danieli, i cili kishte një pozitë të lartë në Babiloni nën sundimin e medëve dhe të persëve; Estera, e cila u bë një mbretëreshë perse; dhe Mordekai, i cili u caktua kryeministër i Perandorisë Perse.

20:2-5—A u end vërtet krejt lakuriq Isaia për tre vjet? Ka mundësi që Isaia hoqi vetëm rrobën e sipërme dhe u end i veshur hollë.

21:1—Cila zonë quhet ‘shkretëtira e detit’? Edhe pse Babilonia nuk ishte afër ndonjë deti, për të flitet sikur të ishte. Kjo sepse ujërat vërshues të lumenjve Eufrat dhe Tigër e përmbytnin zonën çdo vit, duke krijuar një «det» moçalor.

24:13-16—Si do t’u ndodhte judenjve ‘mes popujve, ashtu si ndodh kur shkundet ulliri dhe kur mblidhet ajo që ka mbetur pas vjeljes së rrushit’? Ashtu si një pjesë e frytit mbetet në një pemë ose në një hardhi pas vjeljes, vetëm pak veta do të mbijetonin shkatërrimin e Jerusalemit dhe të Judës. Kudo që të çoheshin në mërgim të mbijetuarit, qoftë në «rajonin e dritës [Babilonia në Lindje]», qoftë në «ishujt e detit [Mesdhe]», ata do t’i jepnin lavdi Jehovait.

24:21—Cilët janë «ushtria e lartësisë» dhe «mbretërit e tokës»? Fraza «ushtria e lartësisë» ka shumë mundësi që t’u referohet forcave të liga frymore. «Mbretërit e tokës», atëherë, janë sundimtarët tokësorë, mbi të cilët demonët kanë një ndikim të fuqishëm.—1 Gjonit 5:19.

25:7—Çfarë është ‘ajo që mbështjell gjithë popujt dhe veli që është endur mbi gjithë kombet’? Ky krahasim e drejton vëmendjen te dy armiqtë e mëdhenj të njerëzimit: mëkati dhe vdekja.

Mësime për ne:

13:20-22; 14:22, 23; 21:1-9. Fjala profetike e Jehovait del gjithnjë e vërtetë, siç ndodhi në rastin e Babilonisë.

17:7, 8. Edhe pse shumica e njerëzve në Izrael nuk dëgjonin, disa individë i mbanin sytë nga Jehovai. Në mënyrë të ngjashme disa njerëz që bëjnë pjesë në krishterimin e rremë i përgjigjen mesazhit të Mbretërisë.

28:1-6. Izraeli do të bjerë në duart e Asirisë, por Perëndia do të kujdeset që individët besnikë të mbijetojnë. Gjykimet e Jehovait nuk i lënë të drejtët pa shpresë.

28:23-29. Jehovai i ndreq individët e sinqertë sipas nevojave dhe rrethanave të tyre specifike.

30:15. Që të na shpëtojë Jehovai, duhet të tregojmë besim «duke ndenjur të qetë» ose duke mos kërkuar shpëtim me anë të planeve njerëzore. Duke mbajtur «qetësinë», ose duke mos pasur frikë, tregojmë besim edhe tek aftësia e Jehovait për të na mbrojtur.

30:20, 21. ‘E shohim’ Jehovain dhe ‘dëgjojmë’ zërin e tij të shpëtimit duke i vënë veshin asaj që thotë nëpërmjet Fjalës së tij të frymëzuar, Biblës, dhe nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’.—Mateu 24:45.

Profecitë e Isaisë na e forcojnë sigurinë te Fjala e Perëndisë

Sa mirënjohës jemi për mesazhet e Perëndisë që gjenden te libri i Isaisë! Profecitë që tashmë janë përmbushur na e forcojnë sigurinë se ‘fjala që del nga goja e Jehovait, nuk do të kthehet prapë tek ai pa dhënë fryt’.—Isaia 55:11.

Ç’të themi për profecitë mesianike, si ato që gjenden tek Isaia 9:7 dhe 11:1-5, 10? A nuk na e forcojnë ato besimin te masa që ka marrë Jehovai për shpëtimin tonë? Libri përmban edhe profeci përmbushja kryesore e të cilave po ndodh në ditët tona ose do të ndodhë në të ardhmen. (Isaia 2:2-4; 11:6-9; 25:6-8; 32:1, 2) Po, libri i Isaisë është një dëshmi tjetër se «fjala e Perëndisë është e gjallë»!—Hebrenjve 4:12.

[Figura në faqen 8]

Isaia dhe fëmijët e tij ishin «në Izrael si shenja dhe mrekulli»

[Figura në faqet 8, 9]

Jerusalemi do të bëhej «si kasollja në vresht»

[Figura në faqen 10]

Si po ndihmohen shumë njerëz nga kombet që «t’i farkëtojnë shpatat duke i kthyer në plore»?