Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse duhet të identifikojmë antikrishtin?

Pse duhet të identifikojmë antikrishtin?

Pse duhet të identifikojmë antikrishtin?

«Keni dëgjuar se antikrishti po vjen»,—shkroi shumë kohë më parë apostulli i frymëzuar. (1 Gjonit 2:18) Sa kureshtje ngjallin këto fjalë! Prej shekujsh njerëzit kanë vrarë mendjen se ç’kuptim kishin. Kush është antikrishti? Kur do të vijë? Ç’do të bëjë kur të vijë?

LISTA e atyre që janë akuzuar si antikrishti është shumë e gjatë. Në të kaluarën ndër ata që u etiketuan si «antikrishti» ishin hebrenjtë, papati katolik dhe perandorët romakë. Për shembull, kur perandori Frederiku II (1194-1250) vendosi të mos përfshihej në Kryqëzatë për të përkrahur kishën, papa Gregori IX e quajti antikrisht dhe e shkishëroi. Pasuesi i Gregorit, Inocenti IV, e shkishëroi përsëri. Si kundërpërgjigje, Frederiku deklaroi se Inocenti ishte antikrishti.

Apostulli Gjon është i vetmi shkrimtar biblik që përdor fjalën «antikrishti». Në dy nga letrat që mbajnë emrin e tij, kjo fjalë del pesë herë, në njëjës dhe në shumës. Vargjet ku del kjo fjalë janë renditur në kutinë në faqen tjetër. Nga këto vargje mund të kuptojmë se antikrishti është një gënjeshtar dhe mashtrues, i vendosur të prishë marrëdhënien që ka një njeri me Krishtin dhe Perëndinë. Për këtë arsye apostulli u bëri thirrje të bashkëkrishterëve: «Të dashur, mos i besoni çdo shprehjeje të frymëzuar, por vërini në provë ato për të parë nëse vijnë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë.»—1 Gjonit 4:1.

Edhe Jezui paralajmëroi kundër mashtruesve, ose profetëve të rremë, duke thënë: «Vijnë te ju të veshur si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë. Do t’i njihni nga frytet [ose veprat] e tyre.» (Mateu 7:15, 16) A po i paralajmëronte Jezui ithtarët e tij edhe kundër antikrishtit? Le të shohim se si mund ta identifikojmë këtë mashtrues të lig.