Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

A po tregonte mungesë respekti ose mirëdashjeje Jezui me mënyrën si i foli nënës së tij në dasmën në Kanë?—Gjoni 2:4.

Pak kohë pas pagëzimit, Jezuin dhe dishepujt i ftuan në një dasmë në Kanë. Atje ishte edhe nëna e tij. Kur vera po mbaronte, Maria i tha Jezuit: «Nuk kanë më verë.» Por Jezui iu përgjigj: «Ç’punë kam unë me ty, o grua? Ora ime ende nuk ka ardhur.»—Gjoni 2:1-4.

Sot, nëse dikush do t’i drejtohej nënës së vet me termin «grua» dhe do t’i thoshte «ç’punë kam unë me ty», me siguri kjo do të konsiderohej mungesë respekti, madje diçka fyese. Por, po të mendonim këto gjëra për Jezuin, do të shpërfillnim kontekstin kulturor dhe gjuhësor të asaj ngjarjeje. Do të jetë e dobishme të kuptojmë përdorimin e këtyre shprehjeve në kohët biblike.

Në lidhje me fjalën «grua», një fjalor (Vine’s Expository Dictionary of Old and New Testament Words) thotë: «Kur përdoret për t’iu drejtuar një gruaje, kjo fjalë nuk shpreh qortim ose ashpërsi, por dashuri ose respekt.» Edhe burime të tjera janë të një mendimi me këtë. Për shembull, në The Anchor Bible thuhet: «Kjo nuk është një qortim, as një term i pasjellshëm dhe as diçka që tregon mungesë përzemërsie. . . . Kjo ishte mënyra normale dhe e sjellshme me të cilën Jezui u drejtohej grave.» Një fjalor (The New International Dictionary of New Testament Theology) shpjegon se fjala «përdoret si një mënyrë për t’iu drejtuar dikujt, e cila nuk ka asnjë ngjyrim dytësor të pasjellshëm». Po ashtu në një fjalor të autorit Gerhart Kitel (Theological Dictionary of the New Testament) thuhet se një përdorim i tillë «nuk është aspak pa respekt ose përçmues». Prandaj nuk duhet të nxjerrim përfundimin se Jezui po tregohej i pasjellshëm ose mosmirëdashës me të ëmën duke iu drejtuar me fjalën «grua».—Mateu 15:28; Luka 13:12; Gjoni 4:21; 19:26; 20:13, 15.

Ç’të themi për shprehjen «ç’punë kam unë me ty»? Kjo me sa duket është një idiomë e zakonshme judaike që shfaqet disa herë në Bibël. Në Përkthimin Bota e Re në shqip ajo është përkthyer paksa ndryshe, në varësi të kontekstit. Për shembull, te 2 Samuelit 16:10 lexojmë për Davidin që e ndal Abishain të mos vrasë Shimein duke i thënë: «Ç’ju duhet juve, o bij të Zerujasë? Lëreni të mallkojë, sepse vetë Jehovai i ka thënë: ‘Mallkoje Davidin!’» Po kështu te 1 Mbretërve 17:18 lexojmë se vejusha e Zarefatit, sapo mori vesh se i biri kishte vdekur, i tha Elijas: «Ç’punë ke me mua, o njeri i Perëndisë së vërtetë? Ti ke ardhur tek unë për të më kujtuar fajet e mia dhe për t’i sjellë vdekjen tim biri.»

Nga këta shembuj biblikë mund të kuptojmë se shpesh shprehja «ç’punë kam unë me ty» nuk përdoret për të treguar shpërfillje ose arrogancë, por për të refuzuar përfshirjen në ndonjë veprim të propozuar a të sugjeruar ose për të shprehur një ndryshim pikëpamjesh a mendimesh. Atëherë, çfarë mund të thuhet për fjalët që i tha Jezui Marisë?

Kur Maria i tha Jezuit «nuk kanë më verë», me sa duket ajo nuk ishte thjesht duke e njoftuar për këtë gjë, por po i sugjeronte të bënte diçka. Jezui përdori këtë idiomë të zakonshme për të hedhur poshtë sugjerimin e nënkuptuar të Marisë, dhe fjalët e tij «ora ime ende nuk ka ardhur» na ndihmojnë të kuptojmë arsyen pse veproi kështu.

Që nga koha e pagëzimit dhe e mirosjes, në vitin 29 të e.s., Jezui ishte plotësisht i vetëdijshëm se vullneti i Jehovait për të, si Mesia i premtuar, ishte që të ndiqte një udhë me integritet e cila do ta çonte në vdekjen, ringjalljen dhe lartësimin e tij. Ai tha: «Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë dhe të japë shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz.» (Mateu 20:28) Ndërsa i afrohej koha e vdekjes Jezui e bëri këtë të qartë duke thënë: «Ka ardhur ora.» (Gjoni 12:1, 23; 13:1) Kështu, në lutjen që bëri natën para se të vdiste, Jezui tha: «O Atë, erdhi ora. Jepi lavdi birit tënd, që edhe ai të të japë lavdi.» (Gjoni 17:1) E së fundi, kur një turmë erdhi në Getsemani që ta arrestonte Jezuin, ai i zgjoi apostujt nga gjumi dhe u tha: «Erdhi ora! Ja, Birin e njeriut e kanë tradhtuar dhe e kanë dorëzuar në duart e mëkatarëve.»—Marku 14:41.

Megjithatë, në dasmën në Kanë, Jezui sapo kishte nisur shërbimin si Mesia dhe «ora» e tij nuk kishte ardhur ende. Qëllimi i tij kryesor ishte që të bënte vullnetin e Atit në mënyrën dhe kohën që e urdhëroi Ati, dhe askush nuk mund të ndërhynte në udhën e tij të përcaktuar. Kur ia bëri të ditur këtë gjë nënës, Jezui ishte i vendosur, por nuk tregoi aspak mungesë respekti ose mirëdashjeje. Kurse Maria nuk u ndie në siklet ose e fyer nga i biri. Në të vërtetë, ngaqë e kuptoi domethënien e përgjigjes së Jezuit, Maria u tha atyre që shërbenin në dasmë: «Bëni ç’t’ju thotë ai.» Në vend që ta shpërfillte të ëmën, Jezui kreu mrekullinë e tij të parë si Mesia, duke e kthyer ujin në një verë cilësore. Kështu tregoi një drejtpeshim të shkëlqyer duke bërë vullnetin e Atit dhe duke marrë parasysh shqetësimin e nënës së tij.—Gjoni 2:5-11.

[Figura në faqen 31]

Jezui ishte dashamirës, por i vendosur kur i foli nënës së tij