Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Dita e madhe e Jehovait është afër»

«Dita e madhe e Jehovait është afër»

«Dita e madhe e Jehovait është afër»

«Dita e madhe e Jehovait është afër. Është afër dhe po shpejton shumë.»—SOFONIA 1:14.

1, 2. (a) Çfarë dite të veçantë presin të krishterët? (b) Cilat pyetje duhet të bëjmë dhe përse?

NJË vajzë e re, gjithë gëzim, pret me padurim t’i vijë dita e dasmës. Një nënë shtatzënë pret me dashuri t’i lindë fëmija. Një punëtor i rraskapitur mezi pret pushimet. Çfarë kanë të përbashkët këta? Që të gjithë presin një ditë të veçantë, një ditë që do të ndikojë në jetën e tyre. Ndjenjat që provojnë janë të thella, e megjithatë shumë të ndryshme. Dita që presin, pas pak do të vijë dhe, kur të ndodhë kjo, ata shpresojnë të jenë gati.

2 Edhe të krishterët e vërtetë sot presin me padurim ardhjen e një dite të veçantë. Është «dita e Jehovait», një ditë e madhe. (Isaia 13:9; Joeli 2:1; 2 Pjetrit 3:12) Çfarë është kjo ‘ditë e Jehovait’ që do të vijë dhe si do të ndikojë ardhja e saj te të gjithë ne? Veç kësaj, si mund të sigurohemi se jemi gati për ardhjen e saj? Është thelbësore t’i kërkojmë tani përgjigjet e pyetjeve të mësipërme, sepse dëshmitë tregojnë vërtetësinë e këtyre fjalëve të Biblës: «Dita e madhe e Jehovait është afër. Është afër dhe po shpejton shumë.»—Sofonia 1:14.

«Dita e madhe e Jehovait»

3. Çfarë është «dita e madhe e Jehovait»?

3 Çfarë është «dita e madhe e Jehovait»? Në Shkrime, shprehja «dita e Jehovait» u referohet periudhave të veçanta, kur Jehovai zbatoi vendimet e tij gjyqësore mbi armiqtë dhe lartësoi emrin e tij të madh. Si populli jobesnik i Judës e i Jerusalemit, ashtu edhe banorët tiranë të Babilonisë e të Egjiptit, u përballën me ‘ditë të Jehovait’, kur ai zbatoi mbi ta vendimet e tij gjyqësore. (Isaia 2:1, 10-12; 13:1-6; Jeremia 46:7-10) Megjithatë, më e madhja ‘ditë e Jehovait’ ende s’ka ardhur. Ajo është «dita» kur do të zbatohet vendimi gjyqësor i Jehovait kundër atyre që kanë njollosur emrin e tij. Do të fillojë me shkatërrimin e ‘Babilonisë së Madhe’, perandorisë botërore të fesë së rreme, dhe do të arrijë kulmin me shfarosjen e pjesës tjetër të sistemit të lig, në luftën e Harmagedonit.—Zbulesa 16:14, 16; 17:5, 15-17; 19:11-21.

4. Pse pjesa më e madhe e njerëzimit duhet të tmerrohet nga dita e Jehovait që po afrohet me të shpejtë?

4 E kuptojnë apo jo, pjesa më e madhe e njerëzimit duhet të tmerrohet nga kjo ditë që po afrohet me të shpejtë. Përse? Jehovai përgjigjet me anë të profetit Sofonia: «Ajo ditë është ditë e një zemërimi të furishëm, ditë ankthi e brenge, ditë shtrëngate e shkretimi, ditë errësire e zymtësie, ditë resh e terri të zi.» Vërtet e frikshme, apo jo! Për më tepër, profeti thotë: «Do t’i brengos njerëzit . . . sepse mëkatuan kundër Jehovait.»—Sofonia 1:15, 17.

5. Cilën pikëpamje optimiste kanë për ditën e Jehovait miliona veta dhe përse?

5 Kurse miliona të tjerë e presin me padurim ardhjen e ditës së Jehovait. Përse? Sepse e dinë që është një kohë shpëtimi dhe çlirimi për të drejtët, një ditë në të cilën vetë Jehovai do të lartësohet shumë dhe emri i tij i lavdishëm do të shenjtërohet. (Joeli 3:16, 17; Sofonia 3:12-17) Nëse njerëzit duhet të tmerrohen apo ta presin me padurim këtë ditë, kjo varet shumë nga ajo që po bëjnë tani me jetën e tyre. Si e shihni ju afrimin e kësaj dite? A jeni gati për të? A ndikon që tani në jetën tuaj të përditshme fakti që dita e Jehovait duket në horizont?

«Do të vijnë tallës, që do të tallen»

6. Si e shohin shumë njerëz ‘ditën e Jehovait’ dhe përse kjo nuk i befason të krishterët e vërtetë?

6 Megjithëse situata është urgjente, shumica e banorëve të tokës nuk duan t’ia dinë për ‘ditën e Jehovait’ që po afrohet. Ata tallen e qeshin me njerëzit që i paralajmërojnë se jemi në prag të kësaj dite. Kjo nuk i befason të krishterët e vërtetë. Ata kujtojnë paralajmërimin që dokumentoi apostulli Pjetër: «Së pari, mbani parasysh se në ditët e fundit do të vijnë tallës, që do të tallen e do të vazhdojnë të ecin sipas dëshirave të veta, dhe do të thonë: ‘Ku është kjo prania e tij e premtuar?! Se ja, që nga dita që paraardhësit tanë ranë në gjumin e vdekjes, të gjitha gjërat po vazhdojnë tamam si nga fillimi i krijimit.’»—2 Pjetrit 3:3, 4.

7. Çfarë do të na ndihmojë të ruajmë ndjenjën e urgjencës?

7 Çfarë do të na ndihmojë t’u kundërvihemi këtyre mendimeve skeptike dhe të ruajmë ndjenjën e urgjencës? Pjetri na thotë: «Po zgjoj me një përkujtues aftësitë tuaja për të menduar në mënyrë të kthjellët, që të kujtoni fjalët e thëna që më parë nga profetët e shenjtë, si dhe urdhërimin e Zotërisë e të Shpëtimtarit nëpërmjet apostujve tuaj.» (2 Pjetrit 3:1, 2) Kur u kushtojmë vëmendje paralajmërimeve profetike, kjo na ndihmon ‘të zgjojmë aftësitë tona për të menduar në mënyrë të kthjellët’. Ndoshta i kemi dëgjuar herë pas here këta përkujtues, por është jetësore që tani, më tepër se kurrë, të vazhdojmë t’u kushtojmë vëmendje paralajmërimeve.—Isaia 34:1-4; Luka 21:34-36.

8. Përse shumë veta nuk ua vënë veshin përkujtuesve të Biblës?

8 Përse disa i shpërfillin këta përkujtues? Pjetri vazhdon: «Me dëshirë, atyre u shpëton pa vënë re ky fakt, se që nga kohët e lashta kishte qiej dhe tokë që qëndronte në mënyrë kompakte jashtë ujit dhe në mes të ujit me anë të fjalës së Perëndisë. Prej tyre bota e asaj kohe pësoi shkatërrimin, kur u përmbyt nga uji.» (2 Pjetrit 3:5, 6) Po, ka nga ata që nuk dëshirojnë të vijë dita e Jehovait. Nuk duan t’u ndërpritet rrjedha normale e jetës, si dhe nuk duan t’i japin llogari Jehovait për jetën egoiste që bëjnë. Siç thotë Pjetri, ata jetojnë «sipas dëshirave të veta».

9. Çfarë qëndrimi shfaqën njerëzit në ditët e Noesë dhe të Lotit?

9 Për shkak të ‘dëshirës së tyre’, këta tallës pëlqejnë më shumë ta shpërfillin faktin që Jehovai në të kaluarën ka ndërhyrë në çështjet e njerëzimit. Si Jezu Krishti, edhe apostulli Pjetër, folën për dy ngjarje të tilla, për «ditët e Noesë» dhe për «ditët e Lotit». (Luka 17:26-30; 2 Pjetrit 2:5-9) Para Përmbytjes, njerëzit nuk ia vunë veshin paralajmërimit që po u jepte Noeja. Po ashtu, para shkatërrimit të Sodomës dhe të Gomorrës, dhëndurëve të Lotit «iu duk sikur ai po bënte shaka».—Zanafilla 19:14.

10. Si reagon Jehovai ndaj atyre që nuk ua vënë veshin paralajmërimeve?

10 Njësoj është edhe sot. Megjithatë, shikoni si reagon Jehovai ndaj atyre që nuk ua vënë veshin paralajmërimeve: «Do ta drejtoj vëmendjen nga ata njerëz që kanë rënë si llumi në fund të verës dhe thonë: ‘Jehovai nuk bën as mirë, as keq.’ Pasurinë e tyre do ta zhvatin dhe shtëpitë e tyre do të kthehen në vend të shkretë. Do të ndërtojnë shtëpi, por nuk do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta, por nuk do ta pinë verën e tyre.» (Sofonia 1:12, 13) Njerëzit mund të vazhdojnë me punët e tyre «normale» të përditshme, por nuk do të nxjerrin asnjë dobi të qëndrueshme nga mundi i tyre. Përse? Sepse dita e Jehovait do të vijë papritur, dhe, sado pasuri materiale të kenë grumbulluar ata, nuk do t’i shpëtojë.—Sofonia 1:18.

«Rri në pritje të tij»

11. Cilën këshillë duhet të mbajmë në mend?

11 Ndryshe nga bota e ligë që na rrethon, ne duhet të mbajmë në mend këshillën që shkroi profeti Habakuk: «Vegimi është ende për kohën e caktuar dhe vazhdon të nxitojë duke gulçuar drejt fundit e nuk do të gënjejë. Edhe sikur të vonojë, rri në pritje të tij, sepse pa dyshim do të dalë i vërtetë. Nuk do të vonojë.» (Habakuku 2:3) Edhe sikur të duket se ajo ditë po vonon sipas pikëpamjes sonë të papërsosur, nuk duhet të harrojmë që Jehovai s’është i ngadalshëm. Dita e tij do të vijë tamam në kohën e caktuar, në një orë që njerëzit nuk e presin.—Marku 13:33; 2 Pjetrit 3:9, 10.

12. Për çfarë paralajmëroi Jezui dhe si ndryshon kjo nga veprimet e ithtarëve të tij besnikë?

12 Duke theksuar sa e rëndësishme është të rrimë në pritje të ditës së Jehovait, Jezui paralajmëroi se edhe disa ithtarë të tij do ta humbnin ndjenjën e urgjencës. Ai paratha për ta: «Sikur ai skllav të ishte i lig e të thoshte me vete: ‘Zotëria im po vonon’ e të fillonte t’i rrihte skllevërit e tjerë dhe të hante e të pinte me pijanecët, zotëria i tij do të vinte në një ditë që ai s’e priste dhe në një orë që ai nuk e dinte, do ta ndëshkonte me ashpërsinë më të madhe.» (Mateu 24:48-51) Ndryshe nga ky skllav i lig, klasa e skllavit të besueshëm e të matur e ruan me besnikëri ndjenjën e urgjencës. Kjo klasë ka qëndruar vigjilente dhe është treguar gati, prandaj Jezui e ka emëruar «mbi gjithë zotërimet e veta» këtu në tokë.—Mateu 24:42-47.

Pse duhet ndjenja e urgjencës?

13. Si e theksoi Jezui se duhej ruajtur ndjenja e urgjencës?

13 Ishte e domosdoshme që të krishterët e shekullit të parë të ruanin ndjenjën e urgjencës. Kjo, sepse duhej të vepronin menjëherë dhe të iknin nga Jerusalemi kur ta shihnin atë qytet «të rrethuar nga ushtritë e fushuara». (Luka 21:20, 21) Kjo ndodhi në vitin 66 të e.s. Shikoni se si e theksoi Jezui se të krishterët në atë kohë duhej të ruanin ndjenjën e urgjencës: «Ai që është në tarracë, të mos zbresë në shtëpi për të marrë të mirat. Ai që është në arë, të mos kthehet në shtëpi për të marrë veshjen e sipërme.» (Mateu 24:17, 18) Mirëpo, historia thotë se Jerusalemi qëndroi edhe katër vjet të tjerë. Atëherë, pse të krishterët në vitin 66 të e.s. duhej t’ia vinin veshin me kaq urgjencë fjalëve të Jezuit?

14, 15. Pse ishte e domosdoshme që të krishterët e shekullit të parë të vepronin pa vonesë kur të shihnin Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë e fushuara?

14 Vërtet që ushtria romake e shkatërroi Jerusalemin në vitin 70 të e.s., por ato vite të ndërmjetme nuk ishin të qeta. Përkundrazi! Ishin vite të mbushura me dhunë e gjakderdhje. Një historian e përshkruan gjendjen në Jerusalem gjatë asaj periudhe si «një luftë civile të frikshme e gjakatare, plot me akte mizorie të tmerrshme». Të rinjtë i rekrutonin për të përforcuar fortifikatat, për të marrë armët dhe për të shërbyer në ushtri. Bënin stërvitje ushtarake çdo ditë. Ata që nuk ishin pro masave ekstreme që merreshin, i konsideronin tradhtarë. Po të kishin qëndruar më gjatë, të krishterët do të ishin gjendur në një situatë tejet të rrezikshme në atë qytet.—Mateu 26:52; Marku 12:17.

15 Duhet vënë re se Jezui tha që duhej të fillonin të iknin «ata në Jude» dhe jo vetëm në Jerusalem. Kjo ishte e rëndësishme, sepse disa muaj pasi u tërhoqën nga Jerusalemi, trupat romake i rifilluan përsëri veprimet luftarake. Në fillim bënë zap Galilenë në vitin 67 të e.s., dhe vitin pasues pushtuan në mënyrë sistematike Judenë. Kjo solli mjerim të madh në të gjitha zonat fshatare. Por edhe nga Jerusalemi u bë gjithnjë e më e vështirë që judenjtë të iknin. Portat e qytetit ruheshin dhe kushdo që përpiqej të ikte, merrej sikur po dezertonte e po kalonte në anën e romakëve.

16. Ç’qëndrim duhej të kishin të krishterët e shekullit të parë, që të mbijetonin në atë kohë mjerimi?

16 Duke pasur në mend gjithë këta faktorë, mund ta kuptojmë pse Jezui theksoi se situata ishte urgjente. Të krishterët duhej të ishin të gatshëm të bënin sakrifica e të mos lejonin që të shpërqendroheshin nga zotërimet materiale. Duhej të ishin të gatshëm ‘të ndaheshin nga të gjitha zotërimet e tyre’, për t’iu bindur paralajmërimit të Jezuit. (Luka 14:33) Ata që u bindën menjëherë dhe ikën në anën tjetër të Jordanit, shpëtuan.

Të ruajmë ndjenjën e urgjencës

17. Pse duhet ta forcojmë ndjenjën e urgjencës?

17 Profecitë biblike tregojnë qartë se po jetojmë thellë në kohën e fundit. Si kurrë më parë, duhet të forcojmë ndjenjën e urgjencës. Në kohë paqeje, një ushtar nuk e ndien tensionin dhe rrezikun e betejës. Por, nëse si pasojë e kësaj, nuk e ndien të domosdoshme të qëndrojë vigjilent dhe papritur e thërrasin për luftë, mund të jetë i papërgatitur e të ketë pasoja fatale. E njëjta gjë vlen edhe në kuptimin frymor. Po ta humbim dalëngadalë ndjenjën e urgjencës, mund të jemi të papërgatitur për t’u bërë ballë sulmeve që na vijnë dhe mund të zihemi në befasi kur të vijë më në fund dita e Jehovait. (Luka 21:36; 1 Selanikasve 5:4) Në rast se disa ‘janë sprapsur duke u larguar nga Jehovai’, tani është koha që ta kërkojnë përsëri atë.—Sofonia 1:3-6; 2 Selanikasve 1:8, 9.

18, 19. Çfarë do të na ndihmojë të mbajmë gjithnjë në mend «praninë e ditës së Jehovait»?

18 Nuk habitemi që apostulli Pjetër na këshillon të mbajmë gjithnjë në mend «praninë e ditës së Jehovait». Si mund ta bëjmë këtë? Një mënyrë është duke u marrë me ‘vepra të shenjta sjelljeje dhe me veprime të përkushtimit hyjnor’. (2 Pjetrit 3:11, 12) Në qoftë se jemi të zënë me këto veprimtari, do ta presim me padurim mbërritjen e ‘ditës së Jehovait’. Termi grek i përkthyer ‘mbaj gjithnjë në mend’ fjalë për fjalë do të thotë ‘shpejtoj’. Jo se ne mund ta shpejtojmë kohën që ka mbetur derisa të vijë dita e Jehovait. Por, ndërsa presim atë ditë, koha do të na duket se kalon shumë më shpejt, nëse jemi të zënë në shërbim të Perëndisë.—1 Korintasve 15:58.

19 Meditimi rreth Fjalës së Perëndisë dhe rreth përkujtuesve që gjejmë aty, do të na ndihmojnë po ashtu që ‘të dëshirojmë fort (të presim dhe të shpejtojmë) ardhjen’ e kësaj dite, po, të jemi ‘vazhdimisht në pritje’ për të. (2 Pjetrit 3:12, Kristoforidhi; Diodati i Ri) Në këta përkujtues përfshihen profeci të shumta që parathonë jo vetëm ardhjen e ditës së Jehovait, por edhe bekimet e shumta që do t’u japë atyre që e ‘presin Jehovain’.—Sofonia 3:8.

20. Cilës thirrje duhet t’ia vëmë veshin?

20 Tani është vërtet koha që të gjithë ne t’ia vëmë veshin thirrjes që na bëhet nëpërmjet profetit Sofonia: «Para se të vijë mbi ju zemërimi i zjarrtë i Jehovait, para se të vijë mbi ju dita e zemërimit të Jehovait, kërkoni Jehovain të gjithë ju zemërbutët e dheut që zbatuat vendimin e Tij gjyqësor; kërkoni drejtësinë, kërkoni zemërbutësinë; dhe ka mundësi që të jeni të fshehur ditën e zemërimit të Jehovait.»—Sofonia 2:2, 3.

21. Për çfarë do të jetë i vendosur populli i Perëndisë gjatë vitit 2007?

21 Prandaj, sa i përshtatshëm është shkrimi i vitit që është zgjedhur për vitin kalendarik 2007: «Dita e madhe e Jehovait është afër.» Populli i Perëndisë është i bindur se ajo «është afër dhe po shpejton shumë». (Sofonia 1:14) «Nuk do të vonojë.» (Habakuku 2:3) Pra, ndërsa presim këtë ditë, le të jemi gjithnjë vigjilentë për kohët në të cilat jetojmë, duke kuptuar se përmbushja përfundimtare e këtyre profecive është shumë afër!

A mund të përgjigjeni?

• Çfarë është «dita e madhe e Jehovait»?

• Pse shumë veta e shpërfillin urgjencën e kohëve?

• Pse të krishterët në shekullin e parë duhej të vepronin me një ndjenjë urgjence?

• Si mund ta forcojmë ndjenjën e urgjencës?

[Pyetjet]

[Diçitura në faqen 19]

Shkrimi për vitin 2007, do të jetë: «Dita e madhe e Jehovait është afër.»—Sofonia 1:14.

[Figurat në faqet 16, 17]

Ashtu si në ditët e Noesë, tallësit do të kapen në befasi kur të veprojë Jehovai

[Figura në faqen 18]

Të krishterët duhej të vepronin pa vonesë kur të shihnin Jerusalemin «të rrethuar nga ushtritë e fushuara»