Jehovai u jep «frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë»
Jehovai u jep «frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë»
«Nëse ju, edhe pse të ligj, dini t’u jepni dhurata të mira fëmijëve tuaj, aq më shumë Ati në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë!»—LUKA 11:13.
1. Kur kemi sidomos nevojë për ndihmën e frymës së shenjtë?
‘NUK e përballoj dot vetë. Këtë sprovë mund ta duroj vetëm me ndihmën e frymës së shenjtë!’ A jeni shprehur ndonjëherë kështu? Shumica e të krishterëve po. Ndoshta i keni thënë këto fjalë kur morët vesh që keni një sëmundje të rëndë. Mbase i keni thënë kur bashkëshorti, me të cilin kishit kaluar gjithë jetën, ra në gjumin e vdekjes. Ose mund të ketë qenë kur natyra e qeshur që kishit më parë u mbulua nga retë e zeza të depresionit. Gjatë periudhave të dhembshme në jetë, mund ta keni ndier se arritët të mbijetoni vetëm ngaqë fryma e shenjtë e Jehovait ju dha ‘fuqi përtej asaj që është normale’.—2 Korintasve 4:7-9; Psalmi 40:1, 2.
2. (a) Çfarë vështirësish hasin të krishterët e vërtetë? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull?
2 Të krishterëve të vërtetë u duhet të përballojnë një presion dhe kundërshtim gjithnjë në rritje nga bota e sotme e paperëndishme. (1 Gjonit 5:19) Veç kësaj, ithtarët e Krishtit i sulmon edhe vetë Satana Djalli, i cili po bën një luftë të egër kundër atyre që «zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe janë caktuar të japin dëshmi për Jezuin». (Zbulesa 12:12, 17) Prandaj, nuk habitemi që, tani, më shumë se kurrë, kemi nevojë për ndihmën e frymës së Perëndisë. Ç’mund të bëjmë për t’u siguruar se do të vazhdojmë të marrim me bollëk frymën e shenjtë të Perëndisë? E përse mund të jemi të sigurt që Jehovai është shumë i gatshëm të na japë forcën e duhur në kohë sprove? Përgjigjet e këtyre pyetjeve i gjejmë në dy ilustrime të Jezuit.
Lutuni me këmbëngulje
3, 4. Ç’ilustrim tregoi Jezui dhe si e lidhi me lutjet?
3 Një herë, një nga dishepujt i kërkoi Jezuit: «Zotëri, na mëso si të lutemi.» (Luka 11:1) Si përgjigje, Jezui u dha dishepujve dy ilustrime që kishin lidhje me njëri-tjetrin. I pari është për një njeri të cilit i vjen një mysafir, kurse i dyti për një baba që dëgjon të birin. Le ta shqyrtojmë secilin ilustrim.
4 Jezui tha: «Ta zëmë se një nga ju ka një mik dhe shkon tek ai në mesnatë e i thotë: ‘Mik, më jep hua tri bukë, sepse sapo më erdhi një mik nga një udhëtim dhe s’kam ç’t’i nxjerr.’ Dhe ky i përgjigjet nga brenda: ‘Mjaft më bezdise! Tashmë e kam mbyllur derën dhe fëmijët janë në shtrat me mua. Nuk çohem dot për të të dhënë ndonjë gjë.’ E pra, unë po ju them: edhe po të mos çohet që t’i japë ndonjë gjë ngaqë e ka mik, do të ngrihet patjetër dhe do t’i japë ç’i nevojitet, ngaqë tjetri ka këmbëngulur shumë.» Pastaj Jezui shpjegon si zbatohet ky ilustrim në lidhje me lutjet: «Prandaj po ju them: vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet. Sepse kush kërkon, merr, kush kërkon, gjen dhe kujt troket, do t’i hapet.»—Luka 11:5-10.
5. Çfarë na mëson ilustrimi me njeriun këmbëngulës për prirjen që duhet të kemi kur lutemi?
Luka 11:8) Shprehja ‘këmbëngul shumë’ del vetëm një herë në Shkrimet Greke. Është përkthyer nga një term grek që fjalë për fjalë do të thotë «paturpësi». Shpesh paturpësia tregon një veti të keqe. Por, kur tregohet paturpësi ose këmbëngulje për një arsye të vlefshme, mund të jetë një cilësi e lavdërueshme. Është kështu në rastin e njeriut mikpritës në ilustrim. Atij s’i vjen fare turp të kërkojë me këmbëngulje atë që i nevojitet. Meqë Jezui na e paraqet këtë mikpritës si një shembull, edhe lutjet tona duhet të jenë këmbëngulëse. Jehovai dëshiron që ne ‘të vazhdojmë të kërkojmë, të vazhdojmë të trokasim’. Si përgjigje, ai «do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë».
5 Ky ilustrim i gjallë i një njeriu këmbëngulës tregon çfarë prirjeje duhet të kemi kur lutemi. Jezui thotë se njeriu arriti të merrte atë që i duhej, ‘ngaqë këmbënguli shumë’. (6. Si konsiderohej në kohën e Jezuit zakoni i mikpritjes?
6 Jezui na tregon jo vetëm si duhet të lutemi, pra duke këmbëngulur shumë, por edhe përse duhet ta bëjmë këtë. Që ta kuptojmë qartë këtë mësim, duhet të shqyrtojmë se si e konsideronin zakonin e mikpritjes ata që dëgjuan ilustrimin e Jezuit për mikpritësin këmbëngulës. Shumë pjesë të Shkrimeve tregojnë se në kohët biblike, kujdesja për vizitorët ishte një zakon që merrej seriozisht, sidomos nga shërbëtorët e Perëndisë. (Zanafilla 18:2-5; Hebrenjve 13:2) Të mos tregoje mikpritje, ishte një turp i madh. (Luka 7:36-38, 44-46) Duke pasur këtë në mendje, le t’i rikthehemi ilustrimit të Jezuit.
7. Pse njeriut mikpritës në ilustrimin e Jezuit nuk i vjen turp ta zgjojë nga gjumi mikun e tij?
7 Në ilustrim, këtij mikpritësi i vjen një mysafir në mes të natës. Ai e ndien për detyrë t’i shërbejë ushqim mysafirit, por ‘s’ka ç’t’i nxjerrë’. Sipas tij, kjo është një situatë urgjente. Duhet të gjejë bukë me çdo kusht. Prandaj, shkon te një mik i tij dhe pa i ardhur turp, e zgjon nga gjumi. «Mik, më jep hua tri bukë»,—i thotë. Ngul këmbë në kërkesën e tij, derisa merr atë që i nevojitet, pasi vetëm atëherë, kur ka marrë bukët, mund ta tregojë mikpritjen siç duhet.
Sa më shumë t’ju duhet diçka, aq më tepër kërkojeni
8. Çfarë do të na shtyjë të lutemi me këmbëngulje për frymën e shenjtë?
8 Çfarë tregon ky ilustrim për arsyen pse lutemi me këmbëngulje? Ai njeri vazhdoi t’i kërkonte bukët, pasi mendonte se duhej t’i kishte ato se s’bën, që të kryente detyrën e vet si mikpritës. (Isaia 58:5-7) Pa bukë, nuk do ta bënte dot këtë. Edhe ne, ngaqë e kuptojmë se na duhet se s’bën fryma e Perëndisë për të kryer shërbimin tonë si të krishterë të vërtetë, vazhdojmë t’i lutemi Perëndisë duke ia kërkuar këtë frymë. (Zakaria 4:6) Pa të, nuk do t’ia dalim dot mbanë. (Mateu 26:41) A e dallon përfundimin e rëndësishëm që mund të nxjerrim nga ky ilustrim? Po të mendojmë se na duhet urgjentisht fryma e shenjtë e Perëndisë, do ta kërkojmë me më shumë këmbëngulje.
9, 10. (a) Ilustroni pse duhet të këmbëngulim kur i kërkojmë Perëndisë frymën e tij. (b) Cilën pyetje duhet t’i bëjmë vetes dhe përse?
9 Për ta zbatuar këtë mësim në një situatë të sotme, mendoni sikur një familjari juaj të sëmuret në mes të natës. A do ta zgjonit nga gjumi një mjek e t’i kërkonit ndihmë? Nëse pacienti do të ankohej nga diçka e vogël, nuk do ta bënit. Por, në qoftë se është duke i rënë infarkt në zemër, nuk do të kishit turp të thërritnit një doktor. Përse? Sepse kjo është një urgjencë. E kuptoni që ju duhet se s’bën ndihma e specializuar. Po s’kërkuat ndihmë, gjërat mund të përfundojnë keq. Në mënyrë të ngjashme, mund të themi se të krishterët e vërtetë janë në një situatë të vazhdueshme urgjence. Kjo sepse Satanai vjen rrotull si «një luan që ulërin», duke u orvatur të na përpijë. (1 Pjetrit 5:8) Që të qëndrojmë gjallë frymësisht, na duhet se s’bën ndihma e frymës së Perëndisë. Po të mos i kërkojmë ndihmë atij, mund të na kushtojë jetën. Prandaj, ia kërkojmë Perëndisë frymën e tij të shenjtë me këmbëngulje të madhe. (Efesianëve 3:14-16) Vetëm duke vepruar kështu, do të kemi forcën e duhur që ‘të qëndrojmë deri në fund’.—Mateu 10:22; 24:13.
10 Prandaj, është thelbësore që hera-herës të ndalemi dhe të pyesim veten: ‘Sa këmbëngul në lutjet e mia?’ Mos harroni se lutjet tona për frymën e shenjtë do të jenë më këmbëngulëse, në qoftë se e kuptojmë plotësisht që kemi nevojë për ndihmën e Perëndisë.
Çfarë na bën të lutemi me një ndjenjë sigurie?
11. Si e zbatoi Jezui për lutjen, ilustrimin me një baba dhe birin e tij?
11 Ilustrimi i Jezuit me njeriun këmbëngulës thekson prirjen që duhet të ketë ai që lutet, pra besimtari. Ilustrimi tjetër thekson prirjen e atij që i dëgjon lutjet, pra të Perëndisë Jehova. Jezui pyeti: «Vërtet, cili është ai baba që, po t’i kërkojë i biri një peshk, i jep në vend të peshkut një gjarpër? Apo po t’i kërkojë një vezë, i jep një akrep?» Pastaj Jezui tregoi si zbatohej ilustrimi, duke thënë: «Kështu pra, nëse ju, edhe pse të ligj, dini t’u jepni dhurata të mira fëmijëve tuaj, aq më shumë Ati në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë!»—Luka 11:11-13.
12. Si e thekson ilustrimi i babait që plotëson kërkesën e të birit, gatishmërinë e Jehovait për t’iu përgjigjur lutjeve tona?
12 Me këtë ilustrim të babait që i përgjigjet kërkesave të të birit, Jezui tregon si ndihet Jehovai për ata që i drejtohen në lutje. (Luka 10:22) Në fillim, shikoni kontrastin që bëhet. Ndryshe nga njeriu në ilustrimin e parë që nuk donte t’i përgjigjej kërkesës për ndihmë, Jehovai është si një prind i dashur njerëzor që i përgjigjet menjëherë kërkesës së fëmijës së tij. (Psalmi 50:15) Me krahasimin që bën, Jezui zbulon se sa i gatshëm është Jehovai të na përgjigjet. Ai thotë se, nëse një baba njerëzor, ndonëse ‘i lig’ për shkak të mëkatit të trashëguar, i jep dhurata të mira djalit të vet, aq më tepër mund të presim që Ati ynë qiellor mirëdashës t’i japë frymë të shenjtë familjes së tij të adhuruesve.—Jakovi 1:17.
13. Për çfarë mund të jemi të sigurt kur i lutemi Jehovait?
13 Ç’mësim nxjerrim? Mund të jemi të sigurt se, kur i kërkojmë Atit tonë qiellor frymën e shenjtë, ai është shumë i gatshëm të na e plotësojë kërkesën. (1 Gjonit 5:14) Në qoftë se i lutemi me këmbëngulje, Jehovai kurrë nuk do të na thotë: «Mjaft më bezdise! Tashmë e kam mbyllur derën.» (Luka 11:7) Përkundrazi, Jezui tha: «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet.» (Luka 11:9, 10) Po, Jehovai ‘do të na përgjigjet ditën kur t’i thërrasim’.—Psalmi 20:9; 145:18.
14. (a) Cila ide e gabuar i mundon disa që hasin sprova? (b) Pse mund t’i lutemi Jehovait me një ndjenjë sigurie kur hasim sprova?
14 Ilustrimi i Jezuit me babanë e dashur thekson gjithashtu, se mirësia e Jehovait është shumë më e madhe se ajo që mund të tregojë një prind njerëzor. Prandaj, asnjë nga ne s’duhet të mendojë kurrë se sprovat që po has duhet të jenë tregues i pakënaqësisë së Perëndisë. Armiku ynë kryesor, Satanai, dëshiron që të mendojmë kështu. (Jobi 4:1, 7, 8; Gjoni 8:44) Nuk ka asnjë bazë biblike që të dënojmë veten me këto mendime. Jehovai nuk na sprovon «me gjëra të liga». (Jakovi 1:13) Nuk na jep sprova që janë si një gjarpër ose si një akrep. Ati ynë qiellor u jep «gjëra të mira atyre që ia kërkojnë». (Mateu 7:11; Luka 11:13) Po, sa më shumë ta kuptojmë mirësinë e Jehovait dhe gatishmërinë e tij për të na ndihmuar, aq më tepër do të nxitemi të lutemi me një ndjenjë sigurie. Kështu edhe ne do të mund të shprehim ndjenja të ngjashme me psalmistin që shkroi: «Perëndia më dëgjoi. Ai i kushtoi vëmendje lutjes sime.»—Psalmi 10:17; 66:19.
Si bëhet fryma e shenjtë një ndihmës për ne?
15. (a) Ç’premtim bëri Jezui për frymën e shenjtë? (b) Cila është një nga mënyrat se si na ndihmon fryma e shenjtë?
15 Pak para se të vdiste, Jezui përsëriti sigurinë që kishte dhënë në ilustrimet e tij. Duke folur për frymën e shenjtë, u tha apostujve: «Do t’i lutem Atit, e ai do t’ju japë një ndihmës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë.» (Gjoni 14:16) Kështu, Jezui premtoi se ndihmësi, pra fryma e shenjtë, do të ishte me ithtarët e tij në ditët që do të vinin, duke përfshirë edhe ditët tona. Cila është një mënyrë domethënëse se si e përjetojmë këtë mbështetje sot? Fryma e shenjtë na ndihmon t’u qëndrojmë sprovave të ndryshme. Si e bën këtë? Apostulli Pavël, që hasi edhe vetë sprova, tregoi në një letër dërguar të krishterëve në Korint, se si i kishte ardhur në ndihmë fryma e Perëndisë. Le të shqyrtojmë shkurtimisht se çfarë shkroi.
16. Si mund të jemi në një situatë të ngjashme me Pavlin?
16 Së pari, Pavli u tha hapur bashkëbesimtarëve se po duronte «një gjemb në mish», ndonjë lloj sprove. Pastaj tha: «Iu përgjërova tri herë Zotërisë [Jehova], që ta hiqte nga unë.» (2 Korintasve 12:7, 8) Edhe pse Pavli iu lut Perëndisë që t’ia hiqte sprovën, ajo vazhdoi. Ndoshta edhe ju po hasni një situatë të ngjashme sot. Ashtu si Pavli, mund të jeni lutur me këmbëngulje e me besim, duke i kërkuar Jehovait t’jua heqë sprovën. Por, pavarësisht nga lutjet e vazhdueshme, problemi vazhdon ende. A do të thotë kjo se Jehovai nuk u është përgjigjur lutjeve tuaja dhe që fryma e tij nuk po ju ndihmon? Aspak! (Psalmi 10:1, 17) Shikoni çfarë tha më tej apostulli Pavël.
17. Si iu përgjigj Jehovai lutjeve të Pavlit?
17 Në përgjigje të lutjeve të Pavlit, Perëndia i tha: «Dashamirësia ime e pamerituar të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi.» Pavli tha: «Prandaj, me gëzim të madh do të mburrem më mirë për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë mbi mua si një tendë.» (2 Korintasve 12:9; Psalmi 147:5) Pra, Pavli e përjetoi vetë se, me anë të Krishtit, mbrojtja e fuqishme e Perëndisë ishte hapur mbi të si një tendë. Sot, Jehovai u përgjigjet në mënyrë të ngjashme lutjeve tona. Ai e shtrin mbrojtjen si një tendë mbi shërbëtorët e tij.
18. Pse jemi në gjendje të qëndrojmë në sprova?
18 Natyrisht, një tendë nuk e ndal shiun që të mos bjerë dhe as erën që të mos fryjë, por siguron mbrojtje nga këto elemente të natyrës. Po kështu, mbrojtja që siguron «fuqia e Krishtit» nuk i ndal sprovat ose vështirësitë që të mos bien mbi ne. Megjithatë, na mbron frymësisht kundër elementeve të dëmshme të kësaj bote dhe sulmeve të sundimtarit të saj, Satanait. (Zbulesa 7:9, 15, 16) Prandaj, edhe nëse po kaloni një sprovë që ‘nuk po hiqet’, mund të jeni të sigurt se Jehovai është në dijeni të luftës që po bëni dhe se i është përgjigjur ‘klithmës suaj’. (Isaia 30:19; 2 Korintasve 1:3, 4) Pavli shkroi: «Perëndia është i besueshëm dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani, por bashkë me tundimin do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që të jeni në gjendje t’i qëndroni.»—1 Korintasve 10:13; Filipianëve 4:6, 7.
19. Çfarë jeni të vendosur të bëni dhe përse?
19 E dimë se «ditët e fundit» që po kalojmë tani në këtë botë të paperëndishme, karakterizohen nga «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1) Gjithsesi, për shërbëtorët e Perëndisë, këto kohë nuk janë të pamundura për t’u përballuar. Përse jo? Sepse kanë mbështetjen dhe mbrojtjen e frymës së shenjtë të Perëndisë, të cilën ai ua jep me gatishmëri dhe me bollëk të gjithë atyre që ia kërkojnë me këmbëngulje dhe me një ndjenjë sigurie. Atëherë, le të jemi të vendosur që të vazhdojmë të lutemi çdo ditë për frymën e shenjtë!—Psalmi 34:6; 1 Gjonit 5:14, 15.
Si do të përgjigjeshit?
• Çfarë duhet të bëjmë, që të marrim frymën e shenjtë të Perëndisë?
• Pse mund të jemi të sigurt që Jehovai do t’u përgjigjet lutjeve tona për frymën e shenjtë?
• Si na ndihmon fryma e shenjtë që të qëndrojmë në sprova?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 21]
Ç’mund të mësojmë nga ilustrimi i Jezuit me mikpritësin këmbëngulës?
[Figura në faqen 22]
A i lutesh me këmbëngulje Perëndisë për frymën e shenjtë?
[Figura në faqen 23]
Ç’mësojmë për Jehovain nga ilustrimi me një baba të dashur?