Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund të zgjeroheni në dashuri?

A mund të zgjeroheni në dashuri?

A mund të zgjeroheni në dashuri?

ZINXHIRI që mban spirancën e anijes duhet t’i rezistojë një force tendosëse të jashtëzakonshme që të mos e lërë anijen të largohet. Por kjo arrihet vetëm nëse hallkat e zinxhirit janë të forta dhe të lidhura mirë me njëra-tjetrën. Ndryshe zinxhiri këputet.

Pak a shumë e njëjta gjë mund të thuhet edhe për kongregacionin e krishterë. Që një kongregacion të jetë i fortë dhe të lulëzojë, pjesëtarët e tij duhet të jenë të lidhur në unitet. Çfarë i lidh ata? Dashuria, e cila është forca më e madhe bashkuese. Prandaj Jezu Krishti u tha dishepujve: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu siç ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin. Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» Po, të krishterët e vërtetë kanë për njëri-tjetrin atë lloj dashurie që shkon përtej shoqërisë së rastit dhe respektit reciprok. Ata zhvillojnë dashuri vetësakrifikuese.—Gjoni 13:34, 35.

Të çmojmë bashkëbesimtarët

Shumë kongregacione përbëhen nga njerëz me mosha, raca, kombësi, kultura, gjuhë dhe shtresa shoqërore të ndryshme. Çdo pjesëtar ka pëlqimet dhe mospëlqimet e tij, gjërat për të cilat shpreson ose ka frikë, e zakonisht edhe një barrë personale për të mbajtur—ndoshta probleme shëndetësore ose pasiguri financiare. Kjo larmi mund të përbëjë një sfidë për unitetin e krishterë. Atëherë, çfarë mund të na ndihmojë që të zgjerohemi në dashuri dhe të qëndrojmë të bashkuar pavarësisht nga kjo sfidë? Çmueshmëria e sinqertë për të gjithë pjesëtarët e kongregacionit, do të na ndihmojë të thellojmë dashurinë për njëri-tjetrin.

Si mund t’i çmojmë të tjerët? I çmojmë bashkëbesimtarët, atëherë kur jemi të ndjeshëm ndaj nevojave të tyre, i vlerësojmë shumë, pranojmë se kanë cilësi të shkëlqyera dhe jemi mirënjohës që adhurojmë së bashku të njëjtin Perëndi. Si rrjedhim dashuria jonë rritet. Një shqyrtim i shkurtër i asaj që u shkroi apostulli Pavël të krishterëve të shekullit të parë në Korint, do të na ndihmojë të kuptojmë se si mund të tregojmë dashuri të krishterë në mënyrë sa më të plotë.

Korintasit ‘ishin ngushtë’

Pavli ua shkroi letrën e parë korintasve në vitin 55 të e.s., ndërsa letrën e dytë ua shkroi brenda po atij viti. Fjalët e tij tregojnë se disa në kongregacionin e Korintit nuk kishin edhe aq çmueshmëri për bashkëbesimtarët. Pavli e përshkroi kështu situatën: «Goja jonë është hapur për ju, o korintas, dhe zemra jonë është zgjeruar. Ju nuk jeni ngushtë brenda nesh, por jeni ngushtë në përzemërsinë tuaj të butë.» (2 Korintasve 6:11, 12) Çfarë donte të thoshte Pavli kur u tha «jeni ngushtë»?

Ai donte të thoshte se ata ishin zemërngushtë dhe nuk ishin bujarë. Një studiues i Biblës mendon se dashurisë së korintasve për Pavlin i ishte «zënë fryma nga gjendja e acaruar që ishte krijuar, pasi disa kishin dyshime të pathemelta . . . dhe ishin prekur në sedër.»

Vini re se ç’këshillë u dha Pavli: «Në këmbim, po ju flas si fëmijëve, zgjerohuni edhe ju.» (2 Korintasve 6:13) Pavli i nxiti korintasit që të zgjeroheshin në dashurinë për bashkëbesimtarët. Kjo do të thoshte të mos ndikoheshin nga mosbesimi dhe fyerjet e papërfillshme, por nga një qëndrim pozitiv dhe nga një zemër bujare.

Të zgjerohemi në dashuri sot

Na ngrohet zemra kur shohim se si adhuruesit e vërtetë të Perëndisë, sot bëjnë çmos për t’u zgjeruar në dashurinë për njëri-tjetrin. Pa dyshim, kërkohen përpjekje për ta arritur këtë. Nuk është vetëm një teori. Të zgjerohemi në dashuri kërkon të sillemi ndryshe nga njerëzit që nuk jetojnë sipas normave të Biblës, të cilët shpesh nuk i çmojnë të tjerët. Ata mund të mos e vrasin shumë mendjen për ta, mund të jenë mospërfillës dhe sarkastikë. Prandaj kurrë të mos lejojmë që të ndikohemi nga këto qëndrime. Sa e trishtueshme do të ishte nëse dashurisë sonë do t’i zihej fryma nga ndjenjat e mosbesimit, ashtu si korintasit. Kjo mund të ndodhë në rast se i vërejmë menjëherë të metat e një vëllai të krishterë, por nuk i dallojmë po aq shpejt cilësitë e tij të mira. Mund të ndodhë edhe në qoftë se jemi ngushtë në përzemërsinë tonë ndaj dikujt, ngaqë i përket një kulture tjetër.

Ndryshe nga kjo, një shërbëtor i Perëndisë që zgjerohet në dashuri ka çmueshmëri të sinqertë për bashkëbesimtarët. Ai i vlerëson shumë, e respekton dinjitetin e tyre dhe është i ndjeshëm ndaj nevojave që kanë. Edhe kur ka vërtet arsye për t’u ankuar, është gati të falë dhe nuk mban mëri. Nuk vë në dyshim motivet e bashkëbesimtarëve, edhe kur ndodh diçka që nuk i pëlqen. Një zemër bujare e ndihmon të tregojë atë lloj dashurie që kishte ndër mend Jezui kur paratha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»—Gjoni 13:35.

Zgjerohuni dhe bëni miq të rinj

Dashuria e përzemërt do të na ndihmojë të zgjerohemi përtej rrethit tonë të miqve dhe të kërkojmë miqësi me ata individë në kongregacion me të cilët zakonisht nuk kemi lidhje të ngushta. Cilët mund të jenë këta? Disa nga vëllezërit dhe motrat tona të krishtere që janë të ndrojtur ose që për ndonjë arsye nuk kanë shumë miq. Në fillim mund të mendojmë se kemi pak gjëra të përbashkëta me ta, përveç adhurimit të Perëndisë. Por, a nuk është e vërtetë se disa prej miqësive më të ngushta në Bibël ishin mes njerëzve që nga jashtë dukej se kishin pak gjëra të përbashkëta?

Për shembull, Rutha dhe Naomi u përkitnin dy brezave të ndryshëm, ishin me kombësi dhe kultura të ndryshme dhe madje flitnin gjuhë të ndryshme. Megjithatë, miqësia e tyre i kapërceu këto ndryshime. Jonatani u rrit si princ, kurse Davidi si bari. Ndryshimi i tyre në moshë ishte i madh, e prapëseprapë miqësia e tyre ishte ndër më të ngushtat që përmenden në Shkrimet e Shenjta. Që të dyja këto miqësi ishin burim kënaqësie dhe mbështetjeje frymore për ata që ishin përfshirë.—Rutha 1:16; 4:15; 1 Samuelit 18:3; 2 Samuelit 1:26.

Edhe sot zhvillohen miqësi të ngushta midis të krishterëve të vërtetë që u përkasin brezave të ndryshëm ose që kanë situata krejt të ndryshme në jetë. Për shembull, Rexhina është nënë e vetme me dy fëmijë adoleshentë. * Ajo ka një program të ngjeshur dhe ka pak kohë për t’u shoqëruar me të tjerët. Haraldi dhe Uta janë një çift pensionistësh që nuk kanë fëmijë. Në pamje të jashtme duket sikur këto dy familje nuk kanë shumë gjëra të përbashkëta. Por Haraldi dhe Uta zbatuan këshillën biblike që të zgjeroheshin. Ata vunë si synim të përfshinin Rexhinën dhe fëmijët e saj në shumë aktivitete, duke dalë me ta në shërbim dhe duke u zbavitur.

A mund të zgjerohemi përtej rrethit të zakonshëm të miqve tanë? Pse të mos përpiqemi të lidhemi më ngushtë me bashkëbesimtarët e një kombësie, kulture ose të një grup-moshe tjetër.

T’u përgjigjemi nevojave të të tjerëve

Një zemër bujare do të na nxitë të jemi të vëmendshëm ndaj nevojave të të tjerëve. Ndaj cilave nevoja? Po ja, vëzhgoni pjesëtarët e kongregacionit të krishterë. Të rinjtë kanë nevojë për drejtim, të moshuarit kanë nevojë për inkurajim, shërbëtorët në kohë të plotë kanë nevojë për lavdërim e mbështetje dhe bashkëbesimtarët zemërlëshuar kanë nevojë për dikë që t’i hapen. Të gjithë kanë nevoja. Duam t’u përgjigjemi këtyre nevojave sa më shumë të jetë e mundur në mënyrë të arsyeshme.

Të zgjerohemi përfshin edhe t’i kuptojmë ata që kanë nevoja të veçanta. A njihni ndonjë që po vuan nga një sëmundje kronike ose që po përballon ndonjë lloj tjetër sprove në jetë? Nëse zgjeroheni në dashuri dhe zhvilloni bujarinë, kjo do t’ju ndihmojë t’i kuptoni dhe t’i mbështetni ata që janë në nevojë.

Teksa profecitë biblike për të ardhmen e afërt i afrohen përmbushjes, lidhjet e forta të unitetit brenda kongregacionit do të kenë shumë më tepër vlerë se zotërimet, aftësitë ose arritjet tona. (1 Pjetrit 4:7, 8) Secili nga ne mund të ndihmojë për forcimin e lidhjeve të unitetit në kongregacion, duke u zgjeruar në dashuri për bashkëbesimtarët. Mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na bekojë me bollëk, në qoftë se veprojmë në përputhje me fjalët e Birit të tij, Jezu Krishtit, i cili tha: «Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin ashtu si ju kam dashur unë.»—Gjoni 15:12.

[Shënimi]

^ par. 17 Disa emra janë ndryshuar.

[Diçitura në faqen 10]

Të çmojmë vëllezërit dhe motrat tona do të thotë t’i vlerësojmë shumë të gjithë, të respektojmë dinjitetin e tyre dhe të jemi të ndjeshëm ndaj nevojave që kanë