Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mund t’u bësh ballë stuhive

Mund t’u bësh ballë stuhive

Mund t’u bësh ballë stuhive

NË KËTO kohë kritike shumë njerëz po hasin probleme të ngjashme me stuhitë. Megjithatë, të krishterët i ndihmon t’i përballojnë këto probleme dashuria për Perëndinë dhe besnikëria ndaj parimeve të tij. Në ç’mënyrë? Përgjigjja gjendet te një ilustrim që bëri Jezu Krishti. Ai i krahasoi dishepujt e tij të bindur me ‘një njeri të matur, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet në shkëmb’. Jezui tha: «Ra shiu, erdhën përmbytjet, frynë erërat dhe u përplasën me forcë pas shtëpisë, por ajo s’u shemb, sepse e kishte themelin në shkëmb.»—Mateu 7:24, 25.

Vër re që, megjithëse ai njeri ishte i matur, prapëseprapë hasi probleme—të cilat në ilustrim paraqiten nga shiu, përmbytjet dhe erërat shkatërrimtare. Pra, Jezui nuk tha se dishepujt e tij nuk do të kishin asnjë vështirësi dhe se do të bënin gjithmonë një jetë të patrazuar, në paqe dhe qetësi. (Psalmi 34:19; Jakovi 4:13-15) Por ai tha se shërbëtorët besnikë të Perëndisë mund të përgatiten e t’u bëjnë ballë këtyre problemeve dhe rrethanave të stuhishme.

Jezui e filloi ilustrimin duke thënë: «Kushdo që i dëgjon fjalët e mia dhe i zbaton, është si një njeri i matur, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet në shkëmb.» Sigurisht Jezui nuk po fliste për ndërtimin e shtëpive të mirëfillta, por për jetën e njerëzve. Ata që u vënë veshin fjalëve të Krishtit përdorin aftësi dalluese dhe tregojnë gjykim të mirë. I mbështetin motivet dhe veprimet e tyre në shkëmbin e fortë të mësimeve të Krishtit, duke zbatuar gjërat që u janë mësuar. Është interesante se ky shkëmb i figurshëm nuk gjendet në sipërfaqe. Njeriut të ilustrimit iu desh të gërmonte «thellë» për të arritur shkëmbin. (Luka 6:48) Po kështu, dishepujt e Jezuit vazhdojnë të përpiqen me të gjitha forcat që të zhvillojnë cilësi të qëndrueshme që i afrojnë më shumë me Perëndinë.—Mateu 5:5-7; 6:33.

Çfarë ndodh kur vështirësi të stuhishme sprovojnë qëndrueshmërinë e themelit të krishterë të ithtarëve të Jezuit? Bindja e vullnetshme ndaj mësimeve të Krishtit dhe cilësitë e tyre të krishtere janë burime force gjatë këtyre vështirësive dhe, ç’është më e rëndësishmja, do të jenë të tilla gjatë stuhisë së Harmagedonit që po vjen. (Mateu 5:10-12; Zbulesa 16:15, 16) Po, duke zbatuar mësimet e Krishtit, shumë njerëz po u bëjnë ballë me sukses sprovave të stuhishme. Edhe ti mund ta bësh këtë.—1 Pjetrit 2:21-23.