Një njeri që e donte jetën dhe njerëzit
Një njeri që e donte jetën dhe njerëzit
DANIEL SIDLIKU, prej shumë kohësh anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, e mbaroi jetën e tij në tokë të martën më 18 prill 2006. Ishte 87 vjeç dhe kishte afro 60 vjet që shërbente si pjesëtar i familjes Bethel në Bruklin, Nju-Jork.
Vëlla Dani, siç e quanin me përzemërsi miqtë e ngushtë, erdhi në Bethel në vitin 1946. Më përpara kishte shërbyer si pionier special në Kaliforni, si edhe kishte kaluar ca kohë në burg gjatë Luftës II Botërore për shkak të asnjanësisë së tij të krishterë. Përvojat e tij gjatë asaj kohe u përshkruan me tone të gjalla në jetëshkrimin që doli në Kullën e Rojës, 1 qershor 1985, anglisht, me titull: «Sa e çmuar është miqësia jote, o Perëndi!»
Vëlla Sidliku njihej si njeri i thjeshtë dhe i afrueshëm. Kur drejtonte adhurimin e mëngjesit për familjen Bethel, qëndrimi i tij optimist dhe dashuria për jetën pasqyroheshin shpesh në fjalët e tij hapëse: «Sa mirë është të jetosh që t’i shërbesh Perëndisë së gjallë e të vërtetë!» Si orator ai nxiste këtë pikëpamje te të tjerët, duke mbajtur fjalime me tema të tilla, si: «Lum ai popull që ka për Perëndi Jehovain!», «Të pasqyrojmë gëzimin e Jehovait», «Të mbajmë ndezur zjarrin e frymës së Perëndisë» dhe «Diçka më e mirë pritet ende të vijë.»
Në vitin 1970, vëlla Sidliku u martua me Marina Hodsonin, nga Anglia, të cilën ai e përshkroi si «një mbështetje nga Perëndia». Ata i shërbyen bashkë Jehovait për më tepër se 35 vjet.
Gjatë viteve në Bethel, vëlla Sidliku shërbeu në reparte të ndryshme, përfshirë shtypshkronjën dhe Repartin e Shkrimit. Gjithashtu punoi në stacionin radiofonik WBBR. Më pas, në nëntor të vitit 1974, u emërua në Trupin Udhëheqës dhe së fundi punoi në komitetin e Personelit dhe të Shkrimit.
Për më tepër se 30 vjet puna e vëlla Sidlikut në Komitetin e Personelit u karakterizua nga dashuria e tij e zjarrtë për njerëzit. Me zërin e tij kumbues, ai u jepte zemër shumë njerëzve, duke ua drejtuar gjithnjë vëmendjen te privilegji i çmuar që kemi për t’i shërbyer Jehovait. Theksonte vazhdimisht se lumturia e vërtetë nuk varet nga faktorët e jashtëm, por nga marrëdhënia jonë me Jehovain dhe nga pikëpamja që kemi për jetën.
Megjithëse familja Bethel e ndien shumë mungesën e vëlla Sidlikut, shembulli i tij si një njeri që e donte vërtet jetën dhe njerëzit, do të vazhdojë t’i sjellë dobi familjes. Jemi të sigurt se ai është mes atyre për të cilët flitet te Zbulesa 14:13: «Lum ata që vdesin në unitet me Zotërinë, që tani e tutje! Po, thotë fryma, le të prehen nga mundimet e tyre, sepse veprat që bënë, shkojnë menjëherë pas tyre.»