Si e mat suksesin?
Si e mat suksesin?
XHESI LIVERMORI, i cili konsiderohet nga disa si agjenti më i suksesshëm i bursës së Uoll-Stritit në Nju-Jork, ishte i njohur ngaqë merrte vendime të mençura në fushën e biznesit. Si rrjedhim, grumbulloi shumë pasuri. Vishte kostumet më të mira të qepura me dorë, banonte në një vilë me 29 dhoma dhe lëvizte me një makinë të zezë Rolls-Rojs që e ngiste shoferi personal.
Edhe Davidi * ndiqte një rrugë të ngjashme. Ishte zëvendëspresident dhe menaxher i përgjithshëm i një firme të madhe grafike. Ai kishte premisa të bëhej president i një sektori të firmës. Pasuria dhe prestigji e tërhiqnin. Por vendosi të jepte dorëheqjen. «E di se nuk do të më vijë më kurrë një punë kaq fitimprurëse e me pozitë»,—tha Davidi. A mendon se Davidi bëri gabim?
Shumë besojnë se sukses do të thotë të fitosh pasuri, popullaritet ose famë. Megjithatë, edhe ata që kanë begati materiale, mund të ndihen bosh përbrenda dhe mund të jenë pa një qëllim në jetë. Kështu ndihej, me sa duket, zoti Livermor. Pavarësisht se ishte i pasur, jeta e tij ishte plot trishtim, tragjedi dhe brenga. Vuajti nga depresioni, pati martesa të dështuara dhe marrëdhënie të ftohta me djemtë e tij. Në fund, pasi kishte humbur pjesën më të madhe të pasurisë, zoti Livermor u ul një ditë në lokalin e një hoteli luksoz dhe filloi të qahej
për humbjet që kishte pësuar. Porositi një pije, nxori bllokun e shënimeve me kapak lëkure dhe i shkroi një letër lamtumire gruas. Pasi mbaroi pijen, hyri në një gardërobë gjysmë të errët dhe, në mënyrë tragjike, i dha fund jetës.Megjithëse shkaqet e vetëvrasjes pa dyshim janë të ndërlikuara, kjo përvojë dëshmon se është i vërtetë pohimi i Biblës: «Ata që janë të vendosur të pasurohen . . . janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje.»—1 Timoteut 6:9, 10.
Mos vallë ata që e matin suksesin nga pasuria, pozita ose fama, po përdorin një kriter të gabuar? A e konsideron ti veten të suksesshëm? Pse? Ç’kriter po përdor për të bërë një vlerësim të tillë? Ç’gjë ndikon në pikëpamjen që ke për suksesin? Në artikullin vijues shqyrtohen disa këshilla të besueshme që kanë ndihmuar miliona njerëz të kenë sukses. Le të shohim se si mund të jesh edhe ti i suksesshëm.
[Shënimi]
^ par. 3 Emri është ndryshuar.