Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të diplomuarit e Galaadit mësojnë gjëra që u prekin zemrën

Të diplomuarit e Galaadit mësojnë gjëra që u prekin zemrën

Të diplomuarit e Galaadit mësojnë gjëra që u prekin zemrën

MË 9 SHTATOR 2006, në Qendrën e Arsimimit Watchtower, që ndodhet në Paterson, Nju-Jork, u bë diplomimi i klasës së 121-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Ishte një program inkurajues.

Xhefri Xheksoni, pjesëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, e hapi programin duke u dhënë mirëseardhjen 56 të diplomuarve dhe një auditori ndërkombëtar me 6.366 të pranishëm. Ai shqyrtoi Psalmin 86:11, ku thuhet: «Mësomë, o Jehova, udhën tënde. Unë do të eci në të vërtetën tënde. Bashkoje zemrën time, që t’i frikësohet emrit tënd.» Vëlla Xheksoni nxori në pah tri gjëra që theksohen në këtë varg. Ai tha: «Në fjalinë e parë, flitet për mësimin; në fjalinë e dytë, për zbatimin dhe në të tretën, për motivimin. Këto tri gjëra janë veçanërisht të rëndësishme për ju misionarë, ndërsa shkoni në caktimet tuaja.» Më pas ai prezantoi oratorët që mbajtën një sërë fjalimesh dhe intervistash ku theksoheshin këto tri gjëra.

Fjalë inkurajuese që përmbanin mësime

Uilliam Malenfonti, pjesëtar i selisë qendrore, trajtoi temën «Jeta më e mirë që mund të bëhet». Ai drejtoi vëmendjen te shembulli i Marisë, motrës së Martës. Në një rast, kur Jezui u shkoi për vizitë në shtëpi, Maria zgjodhi të ulej te këmbët e tij dhe ta dëgjonte, duke i dhënë përparësi kësaj gjëje. Jezui i tha Martës: «Maria zgjodhi pjesën e mirë dhe nuk do t’i hiqet.» (Luka 10:38-42) «Vetëm ta mendojmë pak,—tha oratori.—Për tërë përjetësinë Maria do ta kujtojë se u ul te këmbët e Jezuit dhe ballë për ballë me të dëgjoi të vërteta frymore të mrekullueshme—e gjithë kjo vetëm sepse bëri një zgjedhje të mirë.» Pasi i lavdëroi të diplomuarit për zgjedhjet e mira frymore, oratori tha: «Falë zgjedhjeve tuaja, po bëni jetën më të mirë që mund të bëhet.»

Më tej, Entoni Morisi, pjesëtar i Trupit Udhëheqës, zhvilloi temën «Vishuni me Zotërinë Jezu Krisht», bazuar te Romakëve 13:14. Si mund ta bëjmë këtë? ‘Të vishemi me Zotërinë Jezu Krisht’ do të thotë të imitojmë sjelljen e Zotërisë. Pra, do të thotë të imitojmë shembullin dhe prirjen mendore të Jezuit. Oratori tha: «Jezui i bënte njerëzit të ndiheshin rehat me të, sepse interesohej me gjithë zemër për ta dhe ata e ndienin këtë.» Më pas oratori tregoi se si studentët kishin fituar shumë njohuri në kurset e Galaadit ‘për të rrokur me mendje gjerësinë, gjatësinë, lartësinë dhe thellësinë’ e së vërtetës, siç thuhet tek Efesianëve 3:18. Por ai u kujtoi studentëve vargun 19, i cili në vazhdim thotë: «E të njihni dashurinë e Krishtit, e cila e tejkalon njohurinë.» Vëlla Morisi i nxiti studentët: «Kur të vazhdoni të bëni studimin personal, meditoni se si mund të imitoni dhembshurinë e dashur të Krishtit dhe ‘vishuni [vërtet] me Zotërinë Jezu Krisht’.»

Këshilla përfundimtare nga instruktorët e Galaadit

Fjalimin vijues e mbajti instruktori i Galaadit, Uollas Livërënsi, dhe tema bazohej te Proverbat 4:7. Ai tha që, ndonëse mençuria hyjnore është shumë e rëndësishme, duhet gjithashtu ‘të fitojmë kuptueshmëri’, e cila do të thotë të ndërthurim faktet e veçuara dhe më pas të kuptojmë se si lidhen me njëri-tjetrin, që të kapim domethënien e çështjes. Oratori tregoi se kur fitojmë kuptueshmëri, kjo na sjell gëzim. Për shembull, në kohën e Nehemisë, levitët «shpjegonin ligjin» dhe ‘i ndihmonin njerëzit ta kuptonin’. Më pas populli «fluturonte nga gëzimi, sepse i kishin kuptuar fjalët që u kishin shpjeguar». (Nehemia 8:7, 8, 12) Vëlla Livërënsi përfundoi: «Gëzimi vjen si rezultat i kuptueshmërisë për Fjalën e Perëndisë të frymëzuar nga fryma e Tij.»

«Cili është vërtet armiku juaj?» ishte tema që trajtoi Mark Numari, një instruktor tjetër i Galaadit. Gjatë luftës, një numër i madh ushtarësh vriten nga plumbat qorr që vijnë po nga forcat e tyre ushtarake. «Ç’të themi për luftën frymore në të cilën marrim pjesë?—pyeti ai.—Po të mos kemi kujdes, mund të ngatërrohemi se cili është armiku i vërtetë dhe mund të plagosim forcat tona ushtarake.» Disa mund t’i ngatërrojë smira. Ajo e shtyu mbretin Saul të përpiqej të vriste Davidin, bashkadhuruesin e tij, kur në të vërtetë armiku ishin filistinët. (1 Samuelit 18:7-9; 23:27, 28) Pastaj oratori vazhdoi: «Po sikur të shërbeni bashkë me një misionar që jua kalon juve në shumë drejtime? A do ta plagosni bashkushtarin tuaj me kritika apo do të pranoni paqësisht faktin se të tjerët do t’jua kalojnë juve në mënyra të ndryshme? Po të përqendrohemi te papërsosmëritë e të tjerëve, kjo vetëm sa mund të na ngatërrojë se kush është armiku i vërtetë. Të luftojmë armikun e vërtetë, Satanain.»

Përvoja të këndshme dhe intervista informuese

Pjesën tjetër me temë «Bëj veprën e ungjillëzuesit» e mbajti instruktori i Galaadit Lorenc Boueni, dhe në të përfshiheshin intervista e përvoja. Ai shpjegoi se në një shënim për 2 Timoteut 4:5Biblën me Referime (anglisht) thuhet bëj veprën «e misionarit». Oratori shtoi: «Kjo është më se e përshtatshme, sepse vepra kryesore e një misionari të stërvitur në Galaad është të përhapë lajmin e mirë, dhe kjo klasë ka vepruar kështu kudo ku mund të gjenin njerëz.» U demonstruan disa përvoja të këndshme.

Më pas, në program ishin dy pjesë që u mbajtën nga Majkëll Bërneti dhe Skot Shofneri, që të dy pjesëtarë të familjes Bethel. Ata intervistuan anëtarë të komiteteve të degëve të Australisë, Barbadosit, Koresë dhe Ugandës. Komentet e anëtarëve të komiteteve zbuluan se sa përpjekje bëhen për t’u kujdesur për nevojat e misionarëve, përfshirë edhe përpjekjet për t’u siguruar strehim dhe një kujdes shëndetësor të përshtatshëm. Anëtarët e komiteteve theksuan se misionarët e suksesshëm janë të gatshëm të përshtaten me rrethanat e vendit.

Një mbyllje nxitëse dhe prekëse

Fjalimi kryesor i programit ishte ai me temë «Kini frikë Perëndinë dhe jepini lavdi», që e mbajti Xhon E. Barri, pjesëtar i Trupit Udhëheqës prej kohësh. Ai trajtoi Zbulesën 14:6, 7, ku thuhet: «Pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe kishte një lajm të mirë të përhershëm, që t’ua shpallte si sihariq atyre që banojnë në tokë, çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli, dhe thoshte me një zë të fortë: ‘Kini frikë Perëndinë dhe jepini lavdi, sepse mbërriti ora e gjykimit prej tij!’»

Vëlla Barri i nxiti studentët që të kujtonin tri gjëra për engjëllin. Së pari, ai duhej të shpallte lajmin e mirë të përhershëm se Krishti tani po sundon me autoritetin e plotë të Mbretërisë. Oratori shtoi: «Jemi plotësisht të bindur se Krishti hipi në fron si mbret në vitin 1914. Prandaj ky sihariq duhet shpallur në mbarë tokën.» Së dyti, engjëlli tha: «Kini frikë Perëndinë!» Oratori shpjegoi se të diplomuarit duhet t’i ndihmojnë studentët e Biblës të zhvillojnë nderim të thellë për Perëndinë, në mënyrë që të mos bëjnë asgjë që nuk i pëlqen atij. Së treti, engjëlli urdhëroi: ‘Jepini lavdi Perëndisë.’ Studentëve iu dha nxitja: «Kurrë mos harroni se shërbejmë për t’i dhënë lavdi Perëndisë, e jo vetes tonë.» Pastaj, kur shqyrtoi frazën «ora e gjykimit», vëlla Barri tha: «Kanë mbetur tik-taket e fundit nga shpallja e gjykimit përfundimtar. Shumë njerëz në territoret tona ende kanë nevojë të dëgjojnë mesazhin e lajmit të mirë para se të jetë tepër vonë.»

Me këto fjalë në mendje, 56 të diplomuarve iu dhanë diplomat dhe u dërguan në skajet e tokës. Këshillat nxitëse që morën në atë ditë të këndshme, i prekën thellë në zemër të diplomuarit dhe gjithë të pranishmit.

[Kutia në faqen 17]

STATISTIKAT E KLASËS

Numri i vendeve të përfaqësuara: 6

Numri i vendeve ku u caktuan: 25

Numri i studentëve: 56

Mosha mesatare: 35,1

Mesatarja e viteve në të vërtetën: 18,3

Mesatarja e viteve në shërbim të plotkohor: 13,9

[Figura në faqen 18]

Diplomimi i klasës së 121-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit

Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht.

(1) Fox, Y.; Kunicki, D.; Wilkinson, S.; Kawamoto, S.; Consolandi, G.; Mayen, C. (2) Santiago, N.; Clancy, R.; Fischer, M.; de Abreu, L.; Davis, E. (3) Hwang, J.; Hoffman, D.; Wridgway, L.; Ibrahim, J.; Dabelstein, A.; Bakabak, M. (4) Peters, M.; Jones, C.; Ford, S.; Parra, S.; Rothrock, D.; Tatlot, M.; Perez, E. (5) de Abreu, F.; Kawamoto, S.; Ives, S.; Burdo, J.; Hwang, J.; Wilkinson, D. (6) Fox, A.; Bakabak, J.; Cichowski, P.; Forier, C.; Mayen, S.; Consolandi, E.; Wridgway, W. (7) Parra, B.; Perez, B.; Tatlot, P.; Santiago, M.; Ibrahim, Y.; Kunicki, C. (8) Burdo, C.; Cichowski, B.; Ives, K.; Ford, A.; Rothrock, J.; Hoffman, D.; Davis, M. (9) Peters, C.; Dabelstein, C.; Jones, K.; Clancy, S.; Fischer, J.; Forier, S.