«Ti veç gëzo»
«Ti veç gëzo»
«Do ta kremtosh këtë festë për Jehovain. . . . Prandaj ti veç gëzo.»—LIGJI I PËRTËRIRË 16:15.
1. (a) Cilat çështje ngriti Satanai? (b) Çfarë paratha Jehovai pas rebelimit të Adamit dhe të Evës?
KUR Satanai e shtyu Adamin dhe Evën të rebeloheshin kundër Krijuesit të tyre, ai ngriti dy çështje shumë të rëndësishme. Së pari, vuri në dyshim faktin se Jehovai thotë gjithmonë të vërtetën dhe se mënyra e tij e sundimit është e drejtë. Së dyti, Satanai la të kuptohej se njerëzit do t’i shërbenin Perëndisë vetëm me interes. Kjo çështje e dytë u shpreh hapur në kohën e Jobit. (Zanafilla 3:1-6; Jobi 1:9, 10; 2:4, 5) Sidoqoftë, Jehovai filloi menjëherë të merrej me këtë situatë. Ndërsa Adami dhe Eva ishin ende në kopshtin e Edenit, Jehovai paratha se si do t’i zgjidhte çështjet e ngritura. Ai paratha ardhjen e një ‘fare’, e cila pasi të plagosej në thembër, do t’ia shtypte kokën për vdekje Satanait.—Zanafilla 3:15.
2. Ç’dritë hodhi Jehovai për mënyrën se si do të përmbushej profecia që gjendet te Zanafilla 3:15?
2 Teksa koha kalonte, Jehovai hidhte gjithnjë e më shumë dritë mbi këtë profeci, duke treguar kështu se përmbushja e saj përfundimtare do të arrihej me siguri. Për shembull, Perëndia i tha Abrahamit se «fara» do të shfaqej nga pasardhësit e tij. (Zanafilla 22:15-18) Nipi i Abrahamit, Jakobi, u bë ati i 12 fiseve të Izraelit. Në vitin 1513 p.e.s., kur ato fise u bënë një komb, Jehovai u dha një tërësi ligjesh që përfshinin festa të ndryshme të përvitshme. Apostulli Pavël tha se ato festa ishin ‘hije e gjërave që do të vinin’. (Kolosianëve 2:16, 17; Hebrenjve 10:1) Në to përfshiheshin pamje paraprake të përmbushjes së qëllimit të Jehovait për Farën. Kremtimi i atyre festave sillte gëzim të madh në Izrael. Një shqyrtim i shkurtër i tyre do të na forcojë besimin se premtimet e Jehovait janë të besueshme.
Shfaqet fara
3. Kush ishte Fara e premtuar dhe si u plagos në thembër?
3 Më shumë se 4.000 vjet pas profecisë së hershme të Jehovait, u shfaq Fara e premtuar. Kjo farë ishte Jezui. (Galatasve 3:16) Si njeri i përsosur, Jezui e mbajti integritetin deri në vdekje, dhe kështu tregoi se akuzat e Satanait ishin gënjeshtra. Veç kësaj, meqë Jezui ishte pa mëkat, vdekja e tij ishte një flijim me vlerë të madhe. Me anë të saj, Jezui u siguroi çlirim nga mëkati dhe vdekja pasardhësve besnikë të Adamit dhe të Evës. Vdekja e Jezuit në shtyllën e torturës përbënte ‘plagosjen në thembër’ të Farës së premtuar.—Hebrenjve 9:11-14.
4. Ç’gjë paraqiste flijimin e Jezuit?
4 Jezui vdiq më 14 nisan të vitit 33 të e.s. * Në Izrael, 14 nisani ishte dita e gëzueshme e kremtimit të Pashkës. Çdo vit, në atë ditë, familjet hanin një vakt që përfshinte një qengj të ri e të patëmetë. Në këtë mënyrë ata kujtonin rolin që luajti gjaku i qengjit në çlirimin e të parëlindurve izraelitë kur engjëlli i vdekjes vrau të parëlindurit e egjiptianëve më 14 nisan të vitit 1513 p.e.s. (Dalja 12:1-14) Qengji i Pashkës paraqiste Jezuin, për të cilin apostulli Pavël tha: «Krishti, pashka jonë, është flijuar.» (1 Korintasve 5:7) Ashtu si gjaku i qengjit të Pashkës, gjaku i derdhur i Jezuit siguron shpëtim për shumë njerëz.—Gjoni 3:16, 36.
‘Fryti i parë i të vdekurve’
5, 6. Kur u ringjall Jezui dhe si paraqitej në Ligj kjo ngjarje? (b) Në ç’mënyrë ringjallja e Jezuit bëri të mundur përmbushjen e Zanafillës 3:15?
5 Ditën e tretë, Jezui u rikthye në jetë që t’i paraqiste Atit vlerën e flijimit të tij. (Hebrenjve 9:24) Ringjalljen e tij e paraqiste një festë tjetër. Dita pas 14 nisanit ishte fillimi i festës së kuleçve të ndormë. Të nesërmen e asaj dite, më 16 nisan, izraelitët sillnin një nga duajt e korrjes së parë të elbit, korrja më e hershme në Izrael, që prifti ta tundte para Jehovait. (Levitiku 23:6-14) Sa e përshtatshme që në vitin 33 të e.s., pikërisht atë ditë, Jehovai ndali përpjekjet e egra të Satanait që ta shuante fare ‘dëshmitarin [e Tij] të besueshëm dhe të vërtetë’! Më 16 nisan të vitit 33 të e.s., Jehovai e ringjalli Jezuin në jetën frymore si i pavdekshëm.—Zbulesa 3:14; 1 Pjetrit 3:18.
6 Jezui u bë «fryti i parë i atyre që kanë rënë në gjumin e vdekjes». (1 Korintasve 15:20) Ndryshe nga ata që ishin ringjallur më parë, Jezui nuk vdiq përsëri. Përkundrazi, ai u ngjit në qiell në të djathtë të Jehovait, ku priti derisa të vendosej në fron si Mbreti i Mbretërisë qiellore të Jehovait. (Psalmi 110:1; Veprat 2:32, 33; Hebrenjve 10:12, 13) Meqë është vendosur në fron si Mbret, tani Jezui është në gjendje t’ia shtypë kokën njëherë e mirë armikut të madh, Satanait, dhe të shkatërrojë farën e tij.—Zbulesa 11:15, 18; 20:1-3, 10.
Pjesëtarë të tjerë të farës së Abrahamit
7. Çfarë ishte festa e javëve?
7 Jezui ishte Fara që ishte premtuar në Eden nëpërmjet të cilit Jehovai ‘do të zhbënte veprat e Djallit’. (1 Gjonit 3:8) Mirëpo, kur Jehovai foli me Abrahamin, Ai tregoi se «fara» e Abrahamit nuk do të përbëhej vetëm nga një person. Ajo do të ishte «si yjet e qiellit e si kokrrizat e rërës në breg të detit». (Zanafilla 22:17) Shfaqja e pjesëtarëve të tjerë të ‘farës’ paraqitej nga një festë tjetër e gëzueshme. Pesëdhjetë ditë duke filluar nga 16 nisani, Izraeli kremtonte festën e javëve. Ligji për këtë festë thoshte: «Duhet të llogaritni pesëdhjetë ditë, deri ditën pas sabatit të shtatë, dhe duhet t’i paraqitni Jehovait një blatim tjetër në drithë. Duhet të sillni nga shtëpitë dy bukë si blatim të tundur, të bëra me dy të dhjetat e një efe majë mielli. Ato duhet të mbruhen dhe të piqen si fryte të hershme për Jehovain.» *—Levitiku 23:16, 17, 20.
8. Ç’ngjarje e jashtëzakonshme ndodhi në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s.?
8 Kur Jezui ishte në tokë, festa e javëve njihej si festa e Ditës së Pesëdhjetë. Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s, Kryeprifti më i madh, Jezu Krishti i ringjallur, derdhi frymën e shenjtë mbi grupin e vogël me 120 dishepuj, që ishin mbledhur në Jerusalem. Kështu ata dishepuj u bënë bij të mirosur të Perëndisë dhe vëllezër të Jezu Krishtit. (Romakëve 8:15-17) Ata u bënë një komb i ri, ‘Izraeli i Perëndisë’. (Galatasve 6:16) Nga një numër i vogël, së fundi ai komb do të përbëhej nga 144.000 veta.—Zbulesa 7:1-4.
9, 10. Si paraqitej kongregacioni i të krishterëve të mirosur gjatë festës së Ditës së Pesëdhjetë?
9 Kongregacioni i të krishterëve të mirosur paraqitej nga dy bukët me maja që tundeshin para Jehovait në çdo festë të Ditës së Pesëdhjetë. Bukët që ishin me maja tregonin se të krishterët e mirosur do të kishin ende majanë e mëkatit të trashëguar. Megjithatë, ata mund t’i afroheshin Jehovait në bazë të flijimit shpërblyes të Jezuit. (Romakëve 5:1, 2) Po pse paraqiteshin dy bukë? Kjo mund të tregonte se bijtë e mirosur të Perëndisë përfundimisht do të merreshin nga dy grupe: së pari nga judenjtë dhe më pas nga kombet e tjera.—Galatasve 3:26-29; Efesianëve 2:13-18.
10 Dy bukët që paraqiteshin në festën e Ditës së Pesëdhjetë bëheshin nga korrja e parë e grurit. Po kështu këta të krishterë të mirosur nga fryma quhen «disa fryte të para të krijesave të tij». (Jakovi 1:18) Ata janë të parët që u falen mëkatet në bazë të gjakut të derdhur të Jezuit, dhe kjo bën të mundur që t’u jepet jeta si të pavdekshëm në qiej, ku sundojnë me Jezuin në Mbretërinë e tij. (1 Korintasve 15:53; Filipianëve 3:20, 21; Zbulesa 20:6) Në këtë pozitë, shumë shpejt ata ‘do të sundojnë mbi [kombet] me një shkop të hekurt’ dhe do ta shohin ‘Satanain të dërrmuar nën këmbët e tyre’. (Zbulesa 2:26, 27; Romakëve 16:20) Apostulli Gjon tha: «Ata vazhdojnë të ndjekin Qengjin, kudo që të shkojë. Janë blerë nga gjiri i njerëzimit si fryte të para për Perëndinë dhe për Qengjin.»—Zbulesa 14:4.
Një ditë që theksonte çlirimin
11, 12. (a) Çfarë bëhej në ditën e shlyerjes? (b) Çfarë dobish nxirrte Izraeli nga flijimi i demit dhe i cjepve?
11 Në ditën e dhjetë të muajit ethanim (që më vonë u quajt tishër), * Izraeli kremtonte një festë që paraqiste mënyrën se si do të sillte dobi flijimi shpërblyes i Jezuit. Atë ditë mbarë kombi mblidhej për ditën e shlyerjes që të paraqiteshin për ta flijime për fshirjen e mëkateve.—Levitiku 16:29, 30.
12 Ditën e shlyerjes kryeprifti therte një dem të ri dhe me një pjesë të gjakut të tij, spërkaste shtatë herë para kapakut të Arkës në Më të Shenjtën, duke paraqitur kështu në mënyrë simbolike gjakun para Jehovait. Ky blatim ishte për mëkatet e kryepriftit dhe të ‘shtëpisë së tij’, nënpriftërinjve dhe levitëve. Pastaj kryeprifti merrte dy cjep. Njërin e therte si blatim mëkati «për popullin». Gjithashtu, një pjesë e gjakut të tij përdorej për të spërkatur para kapakut të Arkës në Më të Shenjtën. Më pas, kryeprifti vinte duart mbi kokën e cjapit të dytë dhe rrëfente fajet e bijve të Izraelit. Pas kësaj ai e dërgonte cjapin në shkretëtirë që në mënyrë simbolike të merrte me vete mëkatet e kombit.—Levitiku 16:3-16, 21, 22.
13. Si paraqitnin ngjarjet e ditës së shlyerjes rolin që luan Jezui?
13 Siç paraqitej nëpërmjet këtyre veprimeve, Kryeprifti i madh, Jezui, përdor vlerën e gjakut të tij për të falur mëkatet. Së pari, vlera e gjakut të tij zbatohet për ‘shtëpinë frymore’ të 144.000 të krishterëve të mirosur, duke ua bërë të mundur atyre të shpallen të drejtë dhe të kenë një qëndrim të pastër para Jehovait. (1 Pjetrit 2:5; 1 Korintasve 6:11) Kjo paraqitet nga flijimi i demit. Kështu atyre u hapet udha që të marrin trashëgiminë e tyre qiellore. Së dyti, vlera e gjakut të Jezuit zbatohet për miliona të tjerë që tregojnë besim te Krishti, siç tregohet nga flijimi i cjapit. Këta do të bekohen me jetën e përhershme këtu në tokë, trashëgimia që humbën Adami dhe Eva. (Psalmi 37:10, 11) Në bazë të gjakut të tij të derdhur Jezui i mori me vete mëkatet e njerëzimit, ashtu si cjapi në mënyrë simbolike merrte mëkatet e Izraelit e i çonte në shkretëtirë.—Isaia 53:4, 5.
Gëzojnë para Jehovait
14, 15. Çfarë bëhej gjatë festës së kasolleve dhe çfarë u kujtonte kjo izraelitëve?
14 Pas ditës së shlyerjes, izraelitët kremtonin festën e kasolleve, e cila ishte festa më e gëzueshme e vitit judaik. (Levitiku 23:34-43) Kjo festë kremtohej nga data 15 deri më 21 të muajit ethanim dhe përfundonte me një asamble solemne më datën 22 të po atij muaji. Ajo shënonte fundin e të korrave dhe të të vjelave dhe ishte një rast për të dhënë falënderime për mirësinë e bollshme të Perëndisë. Për këtë arsye Jehovai i urdhëroi kremtuesit: «Jehovai, Perëndia yt, do të bekojë gjithë prodhimin tënd dhe çdo gjë që do të bëjnë duart e tua. Prandaj ti veç gëzo.» (Ligji i përtërirë 16:15) Ç’rast i gëzueshëm duhet të ketë qenë ai!
15 Gjatë kësaj feste, izraelitët banonin në kasolle për shtatë ditë. Në këtë mënyrë ata kujtonin se dikur kishin banuar në kasolle në shkretëtirë. Festa u jepte mundësi të mëdha që të meditonin për kujdesin atëror të Jehovait. (Ligji i përtërirë 8:15, 16) E, meqë të gjithë, edhe të pasurit, edhe të varfrit, banonin në kasolle që ishin të ngjashme, izraelitëve u vinte ndër mend se gjatë festës ishin të gjithë njësoj.—Nehemia 8:14-16.
16. Ç’gjë paraqiste festa e kasolleve?
16 Festa e kasolleve ishte një festë të korrash dhe të vjelash, një rast i gëzueshëm për të mbledhur prodhimet, dhe ajo paraqiste mbledhjen me gëzim të atyre që tregojnë besim te Jezu Krishti. Kjo mbledhje filloi në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., kur 120 dishepujt e Jezuit u mirosën për t’u bërë pjesë e ‘priftërisë së shenjtë’. Ashtu si gjithë izraelitët banonin në kasolle për disa ditë, po kështu të mirosurit e dinë se janë «banorë të përkohshëm» në këtë botë të paperëndishme. Ata kanë shpresë qiellore. (1 Pjetrit 2:5, 11) Kjo mbledhje e të krishterëve të mirosur arrin në përfundimin e saj gjatë këtyre ‘ditëve të fundit’ kur mblidhen të fundit nga 144.000 të mirosurit.—2 Timoteut 3:1.
17, 18. (a) Ç’gjë tregon se përveç të krishterëve të mirosur, edhe të tjerë do të nxjerrin dobi nga flijimi i Jezuit? (b) Cilët po nxjerrin dobi sot nga ajo që paraqet festa e kasolleve dhe kur do të arrijë kulmin kjo festë e gëzueshme?
17 Vlen për t’u përmendur se gjatë kësaj feste të lashtë, paraqiteshin 70 dema. (Numrat 29:12-34) Numri 70 përfaqëson 70 familjet e njerëzimit që erdhën nga Noeja. * Prandaj, flijimi i Jezuit do t’u sjellë dobi njerëzve besnikë nga gjithë njerëzimi. (Zanafilla 10:1-29) Në përputhje me këtë, në kohën tonë mbledhja e njerëzve është zgjeruar dhe po përfshin individë nga të gjitha kombet të cilët tregojnë besim te Jezui dhe kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në një tokë parajsore.
18 Apostulli Gjon e pa në një vegim këtë mbledhje të ditëve tona. Në fillim, ai dëgjoi njoftimin për vulosjen e pjesëtarëve të fundit të 144.000 të mirosurve. Më pas, ai pa «një shumicë të madhe, . . . të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte» dhe që qëndronte para Jehovait dhe Jezuit. «Kishin në duar degë palmash». Këta «dalin nga shtrëngimi i madh» dhe hyjnë në botën e re. Edhe ata janë tani banorë të përkohshëm në këtë sistem të vjetër dhe të sigurt presin kohën kur «Qengji . . . do t’i kullotë dhe do t’i drejtojë për te burimet e ujërave të jetës». Në atë kohë «Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre». (Zbulesa 7:1-10, 14-17) Ajo që paraqet festa e kasolleve do të arrijë kulmin pasi të përfundojë Mbretërimi Njëmijëvjeçar i Krishtit kur shumicës së madhe, si edhe të ringjallurve besnikë, t’u jepet jeta e përhershme.—Zbulesa 20:5.
19. Si nxjerrim dobi nga shqyrtimi i festave që kremtoheshin në Izrael?
19 Edhe ne ‘veç mund të gëzojmë’ ndërsa meditojmë për domethënien e festave të lashta judaike. Sa emocionohemi kur mendojmë se Jehovai na dha një pamje paraprake se si do të përmbushej profecia e tij e dhënë në Eden dhe sa entuziazmohemi kur shohim sot se si po përmbushet hap pas hapi! Sot e dimë se Fara është shfaqur dhe se është plagosur në thembër. Tani është Mbret në qiell. Gjithashtu, pjesa më e madhe e 144.000 të mirosurve tashmë e kanë treguar besnikërinë e tyre deri në vdekje. Çfarë mbetet ende? Sa afër është përmbushja e plotë e profecisë? Kjo do të trajtohet në artikullin vijues.
[Shënimet]
^ par. 4 Muaji nisan korrespondon me muajt mars-prill të kalendarit të sotëm.
^ par. 7 Gjatë këtij blatimi të tundur të dy bukëve me maja, shpesh prifti i mbante bukët në pëllëmbët e duarve, ngrinte krahët dhe i lëvizte bukët nga njëra anë në tjetrën. Kjo lëvizje simbolizonte paraqitjen e flive para Jehovait.—Shih Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëllimi 2, faqja 528, anglisht, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
^ par. 11 Muaji ethanim ose tishër korrespondon me muajt shtator-tetor të kalendarit të sotëm.
^ par. 17 Numri 70 korrespondon me 7 herë 10, dhe këta dy numra në Bibël simbolizojnë përsosmëri qiellore dhe tokësore.
A mund të shpjegoni?
• Çfarë paraqiste qengji i Pashkës?
• Cilën mbledhje paraqiste festa e Ditës së Pesëdhjetë?
• Cilat veçori të ditës së shlyerjes tregonin mënyrën se si sjell dobi flijimi shpërblyes i Jezuit?
• Si paraqit festa e kasolleve mbledhjen e të krishterëve?
[Pyetjet]
[Tabela në faqet 22, 23]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Pashka
14 nisan
Ngjarja:
Therej qengji i Pashkës
Çfarë paraqiste:
Jezuin e flijuar
Festa e kuleçve të ndormë (15-21 nisan)
15 nisan
Ngjarja:
Sabati
16 nisan
Ngjarja:
Paraqitej elbi
Çfarë paraqiste:
Jezuin e ringjallur
50 ditë
Festa e javëve (Festa e ditës së Pesëdhjetë)
6 sivan
Ngjarja:
Paraqiteshin dy bukët
Çfarë paraqiste:
Jezuin që i paraqiti Jehovait vëllezërit e tij të mirosur
Dita e shlyerjes
10 tishër
Ngjarja:
Paraqiteshin një dem dhe dy cjep
Çfarë paraqiste:
Jezuin që paraqiti vlerën e gjakut të tij për gjithë njerëzimin
Festa e kasolleve (mbledhja e prodhimeve, tabernakujt)
15-21 tishër
Ngjarja:
Izraelitët banonin të lumtur në kasolle dhe gëzonin nga të korrat e të vjelat, paraqiteshin 70 dema
Çfarë paraqiste:
Mbledhjen e të mirosurve dhe të ‘shumicës së madhe’
[Figurat në faqen 21]
Ashtu si gjaku i qengjit të Pashkës, gjaku i derdhur i Jezuit u sjell shpëtim shumë njerëzve
[Figurat në faqen 22]
Frytet e para të korrjes së elbit që paraqiteshin më 16 nisan, simbolizonin ringjalljen e Jezuit
[Figurat në faqen 23]
Dy bukët që paraqiteshin në festën e Ditës së Pesëdhjetë, simbolizonin kongregacionin e të krishterëve të mirosur
[Figurat në faqen 24]
Festa e kasolleve paraqiste mbledhjen me gëzim të të mirosurve dhe të ‘shumicës së madhe’ nga të gjitha kombet