Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vendimet e duhura më sollën bekime gjithë jetën

Vendimet e duhura më sollën bekime gjithë jetën

Jetëshkrim

Vendimet e duhura më sollën bekime gjithë jetën

Treguar nga Pol Kushniri

NË VITIN 1897 gjyshërit e mi emigruan nga Ukraina në Kanada dhe u vendosën pranë Jorktonit në Saskaçevan. Ata erdhën bashkë me katër fëmijët—tre djem dhe një vajzë. Më vonë, në vitin 1923, nga kjo vajzë, Marinka, linda unë. Isha fëmija i shtatë. Në atë kohë jeta ishte e thjeshtë, por e sigurt. Kishim ushqim të mirë e veshje që na mbanin ngrohtë, dhe qeveria na siguronte shërbimet bazë. Fqinjët miqësorë ndihmonim me gatishmëri njëri-tjetrin kur duheshin bërë punë të mëdha. Gjatë dimrit të vitit 1925 na vizitoi një Student i Biblës, siç njiheshin në atë kohë Dëshmitarët e Jehovait. Ajo vizitë na nxiti që të merrnim vendime për të cilat jam ende mirënjohës.

E vërteta biblike hyn në shtëpinë tonë

Mamaja pranoi disa broshura nga Studentët e Biblës dhe shpejt kuptoi se kjo ishte e vërteta. Bëri përparim të shpejtë nga ana frymore dhe u pagëzua në vitin 1926. Kur mamaja u bë Studente e Biblës, kjo i dha familjes një këndvështrim krejtësisht të ri për jetën. Shtëpia jonë u bë një liman mikpritjeje. Shpesh me ne rrinin mbikëqyrës udhëtues, që quheshin pelegrinë, dhe Studentë të tjerë të Biblës. Në vitin 1928, një mbikëqyrës udhëtues na tregoi «Dramën Eureka», një version i thjeshtuar i «Foto-Dramës së Krijimit». Ne fëmijëve na mori hua një bretkosë lodër që kërciste. Kur bretkosa kërciste, ishte koha për të ndryshuar diapozitivin. Ishim shumë krenarë që dhamë kontributin tonë!

Një mbikëqyrës udhëtues që quhej Emil Zariski shpesh vinte te ne me dhomën-rimorkio që kishte. Disa herë vinte bashkë me të birin e rritur, i cili na inkurajonte ne fëmijët që të mendonim për t’u bërë shërbëtorë të plotkohorë ose pionierë. Në shtëpinë tonë rrinin edhe shumë pionierë. Një herë mamaja i dha borxh një pionieri një këmishë derisa t’ia rregullonte të tijën. Kur iku, ai pa dashje e mori me vete këmishën. Shumë kohë më vonë e ktheu dhe kërkoi ndjesë për vonesën. «Nuk kisha dhjetë cent për ta dërguar me postë»,—shkroi. Sa donim që ta kishte mbajtur atë këmishë! Shpresoja që një ditë të mund të imitoja këta pionierë vetëmohues. Jam mirënjohës për frymën e mikpritjes që kishte mamaja, e cila na e pasuroi jetën dhe na e shtoi dashurinë për vëllazërinë.—1 Pjetrit 4:8, 9.

Babai nuk u bë Student i Biblës, megjithatë nuk na kundërshtonte. Madje në vitin 1930 i lejoi vëllezërit të përdornin hangarin e tij të madh për një asamble njëditore. Ndonëse isha vetëm shtatë vjeç, gëzimi dhe dinjiteti i atij rasti më bënë përshtypje. Babai vdiq në vitin 1933. Mamaja, që në atë kohë ishte një e ve me tetë fëmijë, qëndroi plotësisht e vendosur që të na mbante në udhën e adhurimit të vërtetë. Ajo më merrte gjithnjë me vete në mbledhje. Në atë kohë mbledhjet më dukeshin pa fund dhe dëshiroja që të rrija me fëmijët e tjerë, të cilëve u kishin dhënë leje të luanin jashtë. Por nga respekti për mamanë rrija brenda, në mbledhje. Kur gatuante, mamaja shpesh citonte një shkrim dhe më pas më pyeste se ku gjendej në Bibël. Në vitin 1933 patëm të korra shumë të mbara, prandaj mamaja i përdori të ardhurat e tepërta për të blerë një makinë. Disa fqinj e kritikuan se shpërdoroi paratë, por ajo shpresonte që makina të na ndihmonte në aktivitetet teokratike. Kishte të drejtë.

Edhe të tjerë më ndihmuan që të merrja vendime të drejta

Vjen një kohë kur një i ri duhet të marrë vendime që do të ndikojnë në të ardhmen e tij. Kur erdhi ajo kohë për motrat e mia më të mëdha, Helenën dhe Kejin, ato filluan shërbimin si pioniere. Një pionier që e kishim mikpritur në shtëpi ishte Xhon Jazuski, një i ri i shkëlqyer. Mamaja i kërkoi Xhonit të rrinte ca kohë që të na ndihmonte me punët e fermës. Më vonë Xhoni u martua me Kejin dhe ata shërbyen si pionierë jo shumë larg shtëpisë sonë. Kur isha 12 vjeç ata më ftuan t’i shoqëroja në shërbim gjatë pushimeve të shkollës. Kjo më dha mundësinë të shijoja pak jetën e pionierit.

Me kalimin e kohës, unë dhe vëllai im i madh, Xhoni ishim në gjendje të drejtonim disi fermën. Kështu mamaja mund të shërbente në muajt e verës si ata që tani quhen pionierë ndihmës. Ajo përdorte një karrocë me dy rrota që tërhiqej nga një kalë i vjetër. Këtij kali kokëfortë babai ia kishte vënë emrin Saul, por me mamanë ai ishte një krijesë e urtë që ajo mund ta drejtonte. Mua dhe Xhonit na pëlqente ferma, por sa herë që mamaja kthehej nga shërbimi dhe na tregonte përvojat e saj, dashuria jonë largohej gjithnjë e më shumë nga ferma dhe drejtohej te shërbimi si pionierë. Në vitin 1938 fillova të merrja pjesë më shumë në aktivitetet e shërbimit dhe më 9 shkurt 1940 u pagëzova.

Disa kohë më vonë u emërova si shërbëtor në kongregacion. Kujdesesha për regjistrimet e kongregacionit dhe gëzohesha sa herë që kishte rritje. Territorin për të predikuar e kisha në një qytet rreth 15 kilometra larg shtëpisë. Gjatë dimrit, shkoja në këmbë çdo javë dhe flija një ose dy net në papafingon e shtëpisë së një familjeje që shfaqi interes për Biblën. Një herë, kur bëra një bisedë me një predikues luteran—gjatë së cilës fola disi pa takt—ai më kërcënoi se do të thërriste policinë nëse nuk e lija rehat kopenë e tij me besimtarë. Kjo gjë vetëm sa më bëri më të vendosur që të vazhdoja.

Në vitin 1942 motra ime, Keji, dhe burri i saj, Xhoni, planifikuan që të ndiqnin një kongres në Klivlend të Ohajos, në Shtetet e Bashkuara. U gëzova shumë kur më ftuan të shkoja me ta. Ai kongres ishte një nga gjërat më të bukura në jetën time. M’i bëri më të qarta planet për të ardhmen. Kur vëlla Nejthën Nori, që në atë kohë merrte drejtimin e veprës mbarëbotërore, bëri një thirrje nxitëse për 10.000 pionierë, aty për aty vendosa të isha një prej tyre.

Në janar të vitit 1943, Henri, një mbikëqyrës udhëtues, vizitoi kongregacionin tonë. Ai mbajti një fjalim nxitës që na ngriti peshë. Të nesërmen e fjalimit temperatura ishte -40°C dhe një erë e egër nga veriperëndimi bënte që të dukej edhe më ftohtë. Zakonisht rrinim në shtëpi gjatë një të ftohti të tillë, por Henri mezi priste të dilte në shërbim. Ai dhe disa të tjerë hipën në një sajë të mbuluar, të tërhequr nga kuaj, që kishte një sobë me dru dhe shkuan në një fshat 11 kilometra larg. Unë dola vetëm, që të vizitoja një familje me pesë djem. Ata pranuan të studionin Biblën me mua dhe me kalimin e kohës përqafuan të vërtetën.

Predikoj nën ndalim

Gjatë Luftës II Botërore, vepra e Mbretërisë ishte e ndaluar në Kanada. Ne duhej ta mbanim fshehur literaturën biblike dhe në fermën tonë kishte plot vende për ta fshehur. Policia na bënte shpesh vizita, por kurrë nuk na gjetën gjë. Kur predikonim, përdornim vetëm Biblën. Mblidheshim në grupe të vogla dhe unë me vëllanë tim, Xhonin, u zgjodhëm të bënim punë të fshehta si korrierë.

Gjatë luftës, kongregacioni ynë mori pjesë në shpërndarjen kombëtare të broshurës Fundi i nazizmit. Dolëm në mes të natës. Ndihesha shumë në ankth teksa i afroheshim me ngadalë çdo shtëpie dhe linim një broshurë në pragun e derës. Ishte gjëja më e frikshme që kisha bërë ndonjëherë. Sa u lehtësuam kur lamë kopjen e fundit të broshurës! Pastaj u kthyem me nxitim te makina e parkuar, u siguruam që ishim të gjithë dhe u zhdukëm në errësirën e natës.

Shërbimi i pionierit, burgje dhe asambletë

Më 1 maj 1943 përshëndeta mamanë dhe u largova. Me 20 dollarë në xhep dhe me një valixhe të vogël u nisa për në caktimin tim të parë si pionier. Vëlla Tom Trupi dhe familja e tij e dashur në Kuill-Lejk të Saskaçevanit më treguan shumë mikpritje. Vitin tjetër shkova në një territor të izoluar në Uejbërn, Saskaçevan. Gjatë predikimit rrugor më 24 dhjetor 1944, më arrestuan. Pasi kalova ca kohë në një burg vendës, më çuan në një kamp pune në Xhasper, Albertë. Atje isha me Dëshmitarë të tjerë, i rrethuar nga madhështia e krijimit të Jehovait, nga Malet Shkëmbore të Kanadasë. Në fillim të vitit 1945 zyrtarët e kampit na lejuan të ndiqnim një mbledhje në Edmonton të Albertës. Vëlla Nori bëri një raport shumë interesant për përparimin e veprës mbarëbotërore. E dëshironim fort ditën kur do të dilnim nga burgu dhe sërish do të mund të merrnin pjesë plotësisht në shërbim.

Kur u lirova, rifillova shërbimin si pionier. Pak kohë më pas u njoftua se në Los Anxhelos të Kalifornisë do të mbahej kongresi «Shtrirje në të gjitha kombet». Një vëlla nga vendi ku isha caktuar pionier vuri stola në kamionin e tij duke krijuar vende për 20 pasagjerë. Më 1 gusht 1947 u nisëm në një udhëtim të paharrueshëm duke bërë 7.200 kilometra nëpër stepa, shkretëtira dhe peizazhe fantastike, përfshirë parqet kombëtare të Jelloustonit dhe të Josemitit. I tërë udhëtimi zgjati 27 ditë—një përvojë e mrekullueshme!

Edhe kongresi ishe një përvojë e paharrueshme. Për të përfituar sa më shumë nga ai rast, shërbeja si përcjellës gjatë ditës dhe si rojë gjatë natës. Pasi ndoqa një mbledhje për ata që interesoheshin për shërbimin si misionarë, plotësova kërkesën, por pa shpresuar shumë. Ndërkohë, në vitin 1948, iu përgjigja thirrjes për pionierë për të shërbyer në provincën kanadeze të Kuebekut.—Isaia 6:8.

Galaadi dhe jeta pas tij

Në vitin 1949 u gëzova shumë kur mora ftesën për të ndjekur klasën e 14-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Ajo stërvitje më forcoi besimin dhe më afroi më shumë me Jehovain. Xhoni dhe Keji ishin diplomuar në klasën e 11-të dhe shërbenin si misionarë në Rodezinë Veriore (tani Zambia). Vëllai im, Xhoni, u diplomua në Galaad në vitin 1956. Bashkë me gruan, Fridën, ai shërbeu në Brazil për 32 vjet, derisa vdiq.

Ditën e diplomimit, në shkurt të vitit 1950, u inkurajova shumë nga dy telegrame, njëri nga mamaja dhe tjetri nga familja Trup në Kuill-Lejk. Në telegramin e dytë, me titull «Këshillë për një të diplomuar», ishte shkruar: «Kjo është një ditë shumë e veçantë për ty; një ditë që do ta çmosh përjetë. Paç sukses dhe gëzim në jetë!»

U caktova të shërbeja në qytetin e Kuebekut, por për ca kohë qëndrova në Fermën e Mbretërisë, në Shtetin e Nju-Jorkut, ku ndodhej Shkolla e Galaadit. Një ditë vëlla Nori më pyeti nëse do të isha i gatshëm të shkoja në Belgjikë. Por nja dy ditë më pas, më pyeti nëse do të pranoja një caktim në Holandë. Kur mora letrën e caktimit, në të thuhej se duhej «të filloja punën si shërbëtor dege». U ndjeva shumë i emocionuar.

Më 24 gusht 1950 nisa lundrimin 11-ditor për në Holandë—kjo ishte një kohë e mjaftueshme për të lexuar Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re që sapo kishte dalë. Mbërrita në Roterdam më 5 shtator 1950, ku më priti ngrohtësisht familja Bethel. Me gjithë shkatërrimet e Luftës II Botërore, vëllezërit kishin bërë një punë të mirë për të përtërirë aktivitetet e krishtere. Ndërsa dëgjoja kur më tregonin se si kishin mbajtur integritetin nën përndjekje të ashpër, mendoja se për këta vëllezër mund të ishte e vështirë të shërbenin nën drejtimin e një shërbëtori dege të ri e pa përvojë. Por shpejt kuptova se nuk kisha arsye për të pasur frikë.

Natyrisht, ca gjëra kërkonin vëmendjen e duhur. Kisha ardhur pikërisht para një kongresi dhe më bëri përshtypje kur pashë mijëra delegatë të strehuar aty ku u mbajt kongresi. Për kongresin tjetër sugjerova që t’i strehonim delegatët në shtëpi private. Vëllezërit menduan se ishte një ide e shkëlqyer, por jo për vendin e tyre. Pasi arsyetuam për këtë çështje, arritëm në një marrëveshje—gjysma e delegatëve do të strehohej aty ku mbahej kongresi dhe gjysma tjetër në shtëpitë e atyre që nuk ishin Dëshmitarë, në qytetin e kongresit. Me njëfarë krenarie ia tregova rezultatet vëlla Norit, kur mori pjesë në kongres. Por çdo ndjenjë kënaqësie u zhduk menjëherë kur, më vonë, në Kullën e Rojës lexova një raport për kongresin tonë, ku thuhej: «Jemi të sigurt se herën tjetër vëllezërit do të kenë besim dhe do të përpiqen të gjejnë strehim për delegatët në vendet më të efektshme për të dhënë dëshmi, në shtëpitë e njerëzve.» Pikërisht këtë gjë bëmë «herën tjetër»!

Në korrik të vitit 1961, bashkë me përfaqësues të degëve te tjera, u ftuan për të marrë pjesë në një mbledhje në Londër edhe dy përfaqësues të zyrës së degës sonë. Vëlla Nori njoftoi se Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re do të përkthehej edhe në shumë gjuhë të tjera, përfshirë gjuhën holandeze. Ç’lajm emocionues që ishte! Mirë që nuk ia kishim idenë sa i madh e i vështirë do të ishte ky projekt. Dy vjet më pas, në vitin 1963, kisha kënaqësinë të merrja pjesë në programin e një kongresi në Nju-Jork gjatë të cilit doli në gjuhën holandeze Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re.

Vendime dhe caktime të reja

Në gusht të vitit 1961 u martova me Lajda Vamelinkun. E gjithë familja e saj e kishte pranuar të vërtetën në vitin 1942, gjatë kohës së përndjekjes naziste. Lajda filloi të shërbente si pioniere në vitin 1950 dhe erdhi në Bethel në vitin 1953. Nga mënyra se si shërbente në Bethel dhe në kongregacion, kuptova se do të ishte një shoqe besnike në shërbimin tim.

Pak më tepër se një vit pasi u martuam, më ftuan në Bruklin për të marrë stërvitje shtesë në një kurs dhjetëmujor. Në atë kohë gratë nuk i shoqëronin burrat kur shkonin për të bërë kursin. Edhe pse nuk ishte mirë me shëndet, me dashuri Lajda më tha se edhe ajo mendonte se duhej ta pranoja ftesën. Më vonë problemet shëndetësore të Lajdës u rënduan. U përpoqëm të vazhdonim shërbimin në Bethel, por së fundi vendosëm se do të ishte më praktike që të vazhdonim shërbimin në kohë të plotë në predikim. Prandaj filluam të shërbenim në veprën si mbikëqyrës udhëtues. Jo shumë kohë më pas, u desh që gruaja ime të bënte një operacion të rëndë. Me mbështetjen e dashur të miqve mundëm ta përballonim situatën dhe madje një vit më pas mundëm të pranonim një caktim për të shërbyer në veprën qarkore.

U kënaqëm gjatë shërbimit gjallërues që bëmë për shtatë vjet në veprën qarkore. Pastaj u desh të merrnim përsëri një vendim të rëndësishëm kur mora ftesën për të dhënë mësim në Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë në Bethel. Pranuam, edhe pse nuk ishte një ndryshim i lehtë, pasi e donim veprën si mbikëqyrës udhëtues. Të 47 klasat e shkollës, që zgjatën secila nga dy javë, më dhanë një mundësi të shkëlqyer për të folur me pleqtë e kongregacioneve për bekimet frymore.

Gjatë asaj kohe po përgatitesha që të vizitoja mamanë në vitin 1978. Por papritur, më 29 prill 1977, morëm një telegram ku thuhej se mamaja kishte vdekur. Mbeta si i mpirë kur mendova se nuk do të mund ta dëgjoja më zërin e saj të ngrohtë dhe as t’i thosha edhe një herë se sa mirënjohës i isha për gjithçka kishte bërë për mua.

Në përfundim të kursit të Shkollës së Shërbimit të Mbretërisë, na kërkuam të bëheshim pjesëtarë të familjes Bethel. Gjatë viteve vijuese shërbeva për dhjetë vjet si koordinator i Komitetit të Degës. Më pas, Trupi Udhëheqës caktoi një koordinator të ri, i cili ishte më i aftë ta mbante këtë përgjegjësi. Jam shumë mirënjohës për këtë.

Shërbej aq sa ma lejon mosha

Tani, si Lajda, edhe unë jemi 83 vjeç. Kam pasur privilegjin të shërbej në kohë të plotë për 60 vjet, nga të cilët 45 vitet e fundit me gruan time besnike. Ajo e ka konsideruar mbështetjen që më ka dhënë në të gjitha caktimet tona si pjesë e shërbimit të saj të kushtuar ndaj Jehovait. Tani bëjmë atë që mundemi qoftë në Bethel, qoftë në kongregacion.—Isaia 46:4.

Herë pas here, na pëlqen të kujtojmë disa nga momentet kryesore të jetës sonë. Nuk na vjen keq aspak për gjithçka që kemi bërë në shërbim të Jehovait dhe jemi të bindur se vendimet që kemi marrë që në periudhat e hershme të jetës, ishin më të mirat. Jemi të vendosur të vazhdojmë t’i shërbejmë dhe të nderojmë Jehovain me të gjitha forcat tona.

[Figura në faqen 13]

Me Billin, vëllanë më të madh, dhe me Saulin, kalin tonë

[Figura në faqen 15]

Ditën e dasmës, në gusht të vitit 1961

[Figura në faqen 15]

Me Lajdën sot