Burri dhe gruaja: Një rol dinjitoz për secilin
Burri dhe gruaja: Një rol dinjitoz për secilin
PERËNDIA JEHOVA krijoi në fillim Adamin dhe më pas Evën. Para se të krijohej Eva, Adami fitoi përvojë për jetën. Gjatë kësaj kohe Jehovai i dha disa udhëzime. (Zanafilla 2:15-20) Meqë shërbente si zëdhënës i Perëndisë, Adami duhej t’ia përcillte këto udhëzime gruas së vet. Pra, logjikisht ai duhej të merrte drejtimin në të gjitha çështjet që lidheshin me adhurimin.
Një strukturë e ngjashme ekziston në kongregacionin e krishterë dhe ne mund të nxjerrim dobi duke e shqyrtuar atë. Apostulli Pavël shkroi: «Nuk e lejoj gruan . . . të ushtrojë autoritet mbi burrin, por të rrijë në heshtje. Sepse i pari u formua Adami, e më pas Eva.» (1 Timoteut 2:12, 13) Kjo nuk do të thotë se gruaja duhet të rrijë krejtësisht në heshtje në një mbledhje të kongregacionit të krishterë. Ajo duhet të rrijë në heshtje në kuptimin që të mos hyjë në debate me një burrë. Duhet të mos e nënçmojë pozitën e tij si i emëruar ose të mos përpiqet të mësojë kongregacionin. Burrave u është dhënë caktimi që të mbikëqyrin dhe të mësojnë kongregacionin, por gratë kontribuojnë shumë në mbledhjet e krishtere duke marrë pjesë në to në mënyra të ndryshme.
Duke na ndihmuar të kuptojmë rolet përkatëse të burrave dhe të grave në strukturën që themeloi Perëndia, apostulli Pavël shkroi: «Nuk është burri nga gruaja, por gruaja nga burri. . . . Mes dishepujve të Zotërisë, as gruaja nuk është pa burrin, as burri pa gruan [asnjëri nuk është i pavarur nga tjetri]. Sepse, ashtu si gruaja është nga burri, po kështu edhe burri është nëpërmjet gruas, por gjithçka është nga Perëndia.»—1 Korintasve 11:8-12.
Gratë gëzojnë privilegje të shkëlqyera
Sipas Ligjit që Perëndia i dha Izraelit, gratë kishin shumë privilegje dhe ishin të lira të merrnin iniciativa. Për shembull, Proverbat 31:10-31 flet për «një grua të zonjën» e cila blen material të mirë dhe bën rroba të shkëlqyera për familjen. Madje «ajo bën veshje të poshtme dhe i shet». (Vargjet 13, 21-24) Ashtu «si anijet e tregtarëve», kjo grua e shkëlqyer gjen ushqim të zgjedhur, edhe nëse i duhet ta sjellë nga larg. (Vargu 14) «Ia kishte vënë syrin një are dhe e mori» e «mbolli një vresht». (Vargu 16) Meqë «tregtia po i shkon mirë», puna e saj po jep fryt. (Vargu 18) Përveçse «mbikëqyr se si shkon shtëpia e saj», kjo grua punëtore që i frikësohet Jehovait ndihmon me altruizëm të tjerët. (Vargu 20, 27) Jo më kot atë e lëvdojnë!—Vargu 31.
Ligjet që Jehovai dha nëpërmjet Moisiut u jepnin mundësi të mëdha grave që të rriteshin nga ana frymore. Për shembull, te Josiu 8:35 lexojmë: «Nga të gjitha ato që urdhëroi Moisiu, Josiu nuk la pa lexuar me zë as edhe një fjalë para tërë kongregacionit të Izraelit, ku përfshiheshin gratë, fëmijët dhe të ardhurit që ishin me ta.» Për priftin Ezdra, Bibla thotë: «Ditën e parë të muajit të shtatë, [ai] e solli ligjin para kongregacionit të burrave, të grave, si edhe të gjithë atyre që mund të dëgjonin e të kuptonin. Ai e lexoi me zë të lartë në sheshin para Portës së Ujërave, nga agimi deri në drekë, përballë burrave, grave dhe të tjerëve që ishin në gjendje të kuptonin. Tërë populli dëgjonte me vëmendje librin e ligjit.» (Nehemia 8:2, 3) Gratë nxirrnin dobi nga një lexim i tillë i Ligjit. Gjithashtu ato kremtonin festat fetare. (Ligji i përtërirë 12:12, 18; 16:11, 14) Ajo që ishte më e rëndësishmja, gratë në Izraelin e lashtë mund të kishin një marrëdhënie personale me Perëndinë Jehova dhe mund t’i luteshin atij në mënyrë individuale.—1 Samuelit 1:10.
Në shekullin e parë të e.s., gra që i frikësoheshin Perëndisë patën privilegjin t’i shërbenin Jezuit. (Luka 8:1-3) Gjatë një darke në Betani, një grua i derdhi atij vaj aromatik në kokë dhe te këmbët. (Mateu 26:6-13; Gjoni 12:1-7) Gratë ishin ndër ata njerëz që Jezui iu shfaq pas ringjalljes. (Mateu 28:1-10; Gjoni 20:1-18) Pas ngritjes së tij në qiell, në grupin prej rreth 120 vetash që ishte mbledhur bashkë përfshiheshin ‘disa gra dhe Maria, nëna e Jezuit’. (Veprat 1:3-15) Shumë nga këto gra ose të gjitha ishin pa dyshim në dhomën e sipërme në Jerusalem në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., kur u dërgua fryma e shenjtë dhe dishepujt e Jezuit nisën të flitnin në shumë gjuhë me anë të një mrekullie.—Veprat 2:1-12.
Kishte edhe burra, edhe gra ndër ata që përjetuan përmbushjen e Joelit 2:28, 29, siç e citoi apostulli Pjetër në festën e Ditës së Pesëdhjetë: «[Unë Jehovai] do të derdh ca nga fryma ime mbi çdo lloj njeriu, dhe bijtë e bijat tuaja do të profetizojnë. . . . Ato ditë, do të derdh ca nga fryma ime madje edhe mbi skllevërit e mi dhe skllavet e mia.» (Veprat 2:13-18) Për ca kohë, pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., gra të krishtere patën privilegjin që t’u jepeshin dhurata të frymës. Ato profetizonin, domethënë, thoshin të vërteta nga Shkrimet, në gjuhë të huaja.
Në letrën drejtuar të krishterëve në Romë apostulli Pavël flet me ngrohtësi për «Febën, motrën tonë» dhe ua rekomandon atyre. Gjithashtu, përmend Trifenën dhe Trifosën e i quan «gra që po punojnë pa u lodhur në Zotërinë». (Romakëve 16:1, 2, 12) Megjithëse këto gra nuk ishin të emëruara në ndonjë pozitë në kongregacionin e hershëm të krishterë, ato dhe shumë gra të tjera patën privilegjin që të zgjidheshin nga Perëndia për të qenë bashkë me Birin e tij, Jezu Krishtin, në Mbretërinë qiellore.—Romakëve 8:16, 17; Galatasve 3:28, 29.
Ç’privilegj të madh që gëzojnë sot gratë që i frikësohen Perëndisë! Psalmi 68:11 thotë: «Jehovai jep urdhrin. Gratë që shpallin lajmin e mirë, janë një ushtri e madhe.» Këto gra janë për t’u lavdëruar. Për shembull, falë mësimdhënies së tyre të aftë në studimet biblike në shtëpitë e njerëzve, shumë po pranojnë mësimet e vërteta që i pëlqejnë Perëndisë. Gjithashtu meritojnë të lavdërohen edhe gratë e krishtere të martuara që i ndihmojnë fëmijët të bëhen besimtarë dhe i mbështetin burrat e tyre që kanë shumë detyra në kongregacion. (Proverbat 31:10-12, 28) Po ashtu edhe gratë e pamartuara kanë një vend dinjitoz në strukturën që themeloi Perëndia, dhe burrat e krishterë këshillohen që ‘t’i përgjërojnë më të moshuarat si nëna dhe më të rejat si motra, me plot dëlirësi’.—1 Timoteut 5:1, 2.
Caktimet e ndryshme të burrave
Një burrë i krishterë ka një rol që i është caktuar nga Perëndia dhe pritet ta përmbushë atë. Pavli tha: «Dua të dini se kreu i çdo burri është Krishti, kreu i gruas është burri, dhe kreu i Krishtit është Perëndia.» (1 Korintasve 11:3) Edhe burri ka një kre—Krishtin. Në të vërtetë burri ka përgjegjësi para Krishtit dhe së fundi para Perëndisë. Perëndia pret që burri ta ushtrojë kryesinë me dashuri. (Efesianëve 5:25) Ka qenë kështu që nga koha kur u krijuan njerëzit.
Bibla tregon se Perëndia u dha burrave caktime në përputhje me pozitën e tyre si kreu. Për shembull, Jehovai i caktoi një burri, Noesë, detyrën që të ndërtonte një arkë për të ruajtur jetën e krijesave gjatë Përmbytjes. (Zanafilla 6:9–7:24) Një burri tjetër, Abrahamit, iu bë premtimi se nëpërmjet farës së tij do të arrinin të merrnin bekime tërë familjet dhe kombet e tokës. Pjesa kryesore e kësaj fare është Krishti Jezu. (Zanafilla 12:3; 22:18; Galatasve 3:8-16) Perëndia caktoi gjithashtu një burrë, Moisiun, që t’i udhëhiqte izraelitët të dilnin nga Egjipti. (Dalja 3:9, 10, 12, 18) Nëpërmjet tij, Jehovai dha kodin me ligje, i njohur si besëlidhja e Ligjit ose Ligji i Moisiut. (Dalja 24:1-18) Pa përjashtim, të gjithë shkrimtarët biblikë ishin burra.
Si Kreu i kongregacionit të krishterë Jezui «dha dhurata në njerëz». (Efesianëve 1:22; 4:7-13) Kur rendit kualifikimet e mbikëqyrësve, Pavli u referohet burrave. (1 Timoteut 3:1-7; Titit 1:5-9) Prandaj në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait burrat shërbejnë si mbikëqyrës, ose pleq, dhe si shërbëtorë ndihmës. (Filipianëve 1:1, 2; 1 Timoteut 3:8-10, 12) Vetëm ata duhet të shërbejnë si barinj në kongregacionin e krishterë. (1 Pjetrit 5:1-4) Megjithatë, siç e kemi thënë tashmë, Perëndia u ka dhënë edhe grave privilegje të mrekullueshme.
Të lumtur në rolet që kanë
Kur përmbushin rolet që u ka dhënë Perëndia, kjo u sjell lumturi si burrave, edhe grave. Nëse burrat dhe gratë imitojnë shembullin e Krishtit dhe të kongregacionit të tij, si rezultat kanë një martesë të lumtur. Pavli shkroi: «Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten për të. . . . Secili nga ju ta dojë gruan si veten.» (Efesianëve 5:25-33) Pra, burrave u kërkohet që ta ushtrojnë kryesinë jo në një mënyrë egoiste, por me dashuri. Kongregacioni i Krishtit nuk përbëhet nga njerëz të përsosur. Megjithatë, Jezui e do dhe kujdeset për të. Po kështu një burrë i krishterë duhet ta dojë gruan dhe të kujdeset për të.
Një grua e krishterë «duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj». (Efesianëve 5:33) Në këtë drejtim ajo mund të shohë si shembull kongregacionin. Efesianëve 5:21-24 thotë: «Jini të nënshtruar ndaj njëri-tjetrit në frikën e Krishtit. Gratë le të jenë të nënshtruara ndaj burrave të tyre, si ndaj Zotërisë, sepse burri është kreu i gruas së tij, ashtu si edhe Krishti është kreu i kongregacionit, duke qenë shpëtimtari i këtij trupi. Po, ashtu si kongregacioni është i nënshtruar ndaj Krishtit, ashtu të jenë edhe gratë ndaj burrave të tyre në gjithçka.» Megjithëse ndonjëherë një grua mund ta ketë të vështirë t’i nënshtrohet burrit, kjo gjë «ka hije [është e përshtatshme] në Zotërinë». (Kolosianëve 3:18) Për të do të jetë më e lehtë t’i nënshtrohet burrit, nëse kujton se kjo gjë i pëlqen Zotërisë Jezu Krisht.
Edhe në qoftë se burri i saj nuk është një bashkëbesimtar, gruaja e krishterë duhet t’i nënshtrohet kryesisë së tij. Apostulli Pjetër thotë: «Ju gra, jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj, që, nëse disa nuk i binden fjalës, t’i fitoni pa fjalë, nëpërmjet sjelljes suaj, pasi të kenë parë me sytë e tyre sjelljen tuaj të dëlirë bashkë me respekt të thellë.» (1 Pjetrit 3:1, 2) Sarës, e cila e respektonte burrin e vet, Abrahamin, iu dha privilegji që të lindte Isakun dhe të bëhej një paraardhëse e Jezu Krishtit. (Hebrenjve 11:11, 12; 1 Pjetrit 3:5, 6) Gratë që sillen si Sara do të shpërblehen patjetër nga Perëndia.
Kur burrat dhe gratë i përmbushin rolet që u ka dhënë Perëndia, mbizotëron paqja dhe harmonia. Kjo u sjell atyre kënaqësi dhe lumturi. Për më tepër, kur jetojnë sipas kërkesave biblike, kanë një vend të privilegjuar në strukturën që themeloi Perëndia dhe kjo i jep secilit dinjitet.
[Kutia në faqen 7]
Si ndihen për rolin që u ka caktuar Perëndia?
Suzana thotë: «Burri im e ushtron kryesinë me dashuri e mirësjellje. Zakonisht ne i diskutojmë bashkë vendimet dhe, kur ai vendos se çfarë do të bëhet ose nuk do të bëhet, unë e di se është për të mirën tonë. Falë rolit që u ka caktuar Jehovai grave të krishtere ndihem vërtet e lumtur dhe martesa jonë është e fortë. Ne jemi shumë të lidhur dhe punojmë bashkë për të arritur synimet frymore.»
Një grua me emrin Mindi thotë: «Roli që u ka caktuar Jehovai shërbëtoreve të tij na jep sigurinë se ai na do. Mendoj se kur e nderoj dhe e respektoj burrin dhe kur e mbështet për detyrat që ka në kongregacion, i tregoj Jehovait se e vlerësoj rolin që më është caktuar.»
[Figurat në faqen 5]
Në përputhje me pozitën që ka burri si kreu, Perëndia u dha caktime të ndryshme Noesë, Abrahamit dhe Moisiut
[Figura në faqen 7]
«Gratë që shpallin lajmin e mirë, janë një ushtri e madhe»